Halil Rama: JEHON NË FESTËN E VILËS
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 2
- 8 min read

REPORTAZH
Festa që mblodhi mijëra njerëz në një vend ku turizmi dhe arti bëhen bashkë
“PO KU KA SI TI MOJ SHQIPËRIA IME” – JEHON NË FESTËN E VILËS
Halil Rama – Mjeshtër i Madh
· Tenori i famshëm Kastriot Tusha, këngëtarët e mirënjohur Arif Vladi e Eranda Libohova, vëllezëit nga Tetova Jashar e Idajet Sejdiu, kosovari Asim Gashi e biri i Vilës Osman Hasi, si dhe valltarët e Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”- “Nderi i Kombit” performojnë para mijëra pjesëmarrësve në festën e bjeshkëve kuksiane
Festa e Vilës, e një emri të njohur jo vetëm në krahinën e Lumës apo Kukësit, por kudo në trojet shqiptare, këtë të diel të 1 qershorit 2025 mblodhi mijëra pjesëmarrës, vendas dhe banorë të këtij fshati që tashmë jetojnë me familjet e tyre në Tiranë, Kukës, Durrës, Lezhe e në gjithë hapësirën mbarëshqiptare në botë.
Nga rafshnalta me emrin “Laku i Erës”, si nga një amfiteatër gjigand na shpaloset peisazhi mahnitës, nga ku dallohen shtëpitë e vilasve, të këtij fshati për të cilin prof.dr. Fejzulla Gjabri, studjues i mirënjohur i historisë, pohon se në lashtësi ka qenë qytet me mbi 12 mijë banorë. Këtu, në këtë kodër dominnte të fshatit Vilë, të konsideruar krenari e Lumës, kjo festë që përkon me çeljen e sezonit turistik organizohet për të tretin vit radhëzi.
Nga ky vend strategjik, turistik dhe historik merr jetë kjo festë gjigande, e cila tashtë është kthyer në një manifestim madhështor të kulturës, historisë, traditës, artit, sportit dhe sipërmarrjes, të një fshati plot madhështi si Vila e Kukësit.
Nga këtu jehuan fuqishëm vargjet e këngës hymn “Po ku ka si ti moj Shipëria ime”, të interpretuara aq mjeshtërisht nga tenori i famshëm Kastriot Tusha. Një performancë shumë e veçantë e një artisti me dhunti e talent të rrallë, për një publik po krejt të veçantë në interpretimin e këngës të të madhes Vaçe Zela “Rrjedh në këngë e ligjërime” bën që ajo të jehojë maleve e luginave të kësaj krahine, ndërkohë që pjesëmarrësit e kësaj feste shpërthyen në duartrokotje të fuqishme. Kjo për faktin se Refreni i saj: “Po ku ka si ti, o Shqipëria ime/O fisnikja përmbi gur/ Rrjedh në këngë e ligjërime/ Ballëlarta me flamur…” në çdo rast ngre peshë zemrat e çdo shqiptari… Më pas Kastrit Tusha ngre peshë zemrat e mijëra pjesëmarrësve teksa përcillte me zërin e tij kushtrimor jehonën e vargjeve: “Pa bashkim nuk ka fuqi/pa Kosovë nuk ka Shqipëri…”.
Të tjerë artistë ia shtojnë bukurinë dhe gjallërinë kësaj feste. Ka udhëtuar nga Brukseli dhe ka ardhur këtu një zë bilbili, rrënjët e të cilit janë të bukura, si burimet e liqejve të Lurës nga është vendlindja e tij. Me shumë dekorata, tituj e grada artistike mbi supe, i Madhi Arif Vladi, vinte si një zë surprizë e grupit organizator, për t’u bërë njësh me publikun e për të sjellë para tij këngët hymn “Jakup ferri, mor ku je”, e më pas “Jam ushtar i UÇK-së”, refreni i së cilës “Se këtu jam denbabaden/ për Kosovë jap shpirtin tem..”, jehoi fuqishëm…, ashtu siç jehoi edhe zëri brilant i Eranda Libohovës me këngët e saj “Erdha nga qyteti” e “Stroka e cucës”….
“MIRË SE TË GJEJMË VILA JONË!
Jehuan fuqishëm këtë 1 qershor në Lakun e Erës të Vilës, vargjet e kësaj kënge me performancën e shkëlqyer të këngëtarëve nga Tetova, vëllezërve Jashar e Idajet Sejdiu, që në festën e Vilës të këtij viti shoqërohen edhe nga miku i tyre Arflet Selmani. Dy vëllëzërit Sejdiu kanë qenë të pranishëm në çdo festë që organizohet këtu, sepse siç thotë moderatori i talentuar Defrim Methasani-Mjeshtër i Madh, “… i thërret origjina e tyre nga ky fshat lavdiplotë, i thërret gjaku i të parëve, i thërret jehona e këtyre pllajave dhe bjeshkëve”. Vëllezërit Sejdiu janë dy artistë që sëbashku me mikun e tyre Arflet Selmani i dhuruan kësaj feste jo vetëm kënaqësi, por edhe dashuri me mënyrën se si e përcollën këngën e bukur tetovare dhe shqipe. Bashkë me ta edhe Islam Voka, themeleues dhe drejtues i Shoqatës kulturore artistike “Dine Doda”, i befasuar me pritjen dhe nderimet e organizatorëve të festës, thotë se emocionet e kësaj dite do të jetojnë gjatë në kujtesën e tij.
Nga Kosova në këtë festë të magjishme kishte ardhur edhe Asim Gashi, i cili bën për vehte këdo me timbrin dhe zërin e tij brilant. Po ashtu edhe Osman Hasa, bir i këtij fshati që interpretoi nga tribuna e kësaj feste këngën e Vilës.
Magjia e kësaj feste ishin edhe vajzat e djemtë valltare e valltarë të Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” - Nderi i kombit” që vinin si shqiponja që zbret nga qielli. “Kanë fituar shumë çmime e trofe në festivale kombëtare e ndërkombëtare, ndaj dhe janë zgjedhur të jenë sot në këtë skenë natyrore madhështore”, thotë Presidenti i këtij Ansambli Muharrem Gjoka – Mjeshtër i Madh dhe “Qytetar Nderi” i Qarkut Dibër, i cili vlerëson gjithashtu drejtuesin e këtij grupi, Mjeshtrin e madh Avni Ndreu si dhe vajzën e tij koreografe Eartën…. Ishin edhe ata pjesë e një feste të jashtëzakonshme në Vilën e Kukësit, në një ditë plot energji pozitive, muzikë, shije të mira dhe mbi të gjitha, miq të vërtetë. Kësisoj, festa e Vilës, e kthyer në traditë synon të kthejë zonën në një atraksion turistik të admiruar.
FSHATI VILË, KRENARIA E LUMËS
Për gjashtë orë të mesditës së nxehtë të 1 qershorit, “Laku i Erës” në fshatin Vilë të Kukësit qe një ditë plot ngjyra, buzëqeshje dhe bashkim. Këtu festuan të gjithë së bashku – të vegjlit me lojëra, të rriturit me këngë, të gjithë me gëzim të paparë.
Deputeti socialist i Qarkut Kukës, Eduard Shalsi, i pranishëm në këtë ditë feste të veçantë shpreh kënaqësinë që mes natyrës së mrekullueshme, mes maleleve dhe gjelbrimit, mijëra banorë të këtyre anëve, që për një jetë më më të mirë janë vendosur me familjet e tyre në Tiranë, Durrës, Lezhe dhe kudo në botë, vijnë për të festuar së bashku për të tretin vit radhazi në të dielën parë të qershorit. “Tradita, muzika dhe mikpritja e kësaj zone e bëjnë këtë ditë të veçantë çdo vit”, shprehet Shalsi.
Gazetarja e mirënjohur Alma Çupi që për të tretin vit radhazi e përcjell jehonën e kësaj feste në emision e saj televiziv “Histori Shqiptare”, e konsideron këtë si festën e “Bjeshkëve Kuksiane”, tradita më e bukur shqiptare, ku banorë të Vilës dhe jo vetëm mblidhen për të festuar, por edhe për të promovuar turizmim malor.
Këtë 1 qershor, për gjashtë orë ushtoi Laku i Erës, ushtoi lugina e Drinit të Zi në kufijtë Lumë e Dibër nga muzika, nga këngët e vallet, nga përshëndetjet e brohoritjet.
Nën moderimin mjeshtëror të Defrim Methasanit – i njohur në gjithë vendin si dhe në hapësirën mbarëshqipare, si ikonë e gazetarisë sportive dhe dokumentarit televiziv, por dhe si organizator i talentuar i eventeve të tilla, në këtë perlë të natyrës turistike, përveçse prezantimit të artistëve pjesëmarrës, do të intervistonte dhjetëra personalitete, si ish kryetarin e Komitetit Ekzekutiv Kukës Muharrem Mëzini, Sekretarin e Federatës Shqiptare të Volejbollit Leonard Tase, apo edhe mësuesin shembullor Enver Parllaku që kishte ardhur nga Filadelfia e SHBA, të cilët e konsiderojnë fshatin Vilë dhe personalitet e përmasave kombatëre që ai ka nxjerrë, si krenaria e Lumës. Kjo sipas tyre për faktin se bijtë e bijat e Vilës, përfaqësues dinjitozë të fiseve të saj Billa, Dragjoshi, Hasa, Tota e Jata, gjatë gjithë historisë e kanë thënë dinjitetshëm fjalën e tyre.
Ndaj dhe Defrim Methasani, me mjeshtrinë e fjalës së tij artistike do të përhapte siç di vetëm ai jehonën e mbresave të tyre; jehonën e kësaj feste, që më shumë se promovim i resurseve turistike, njerëzore e historike, është bashkim i vlerave të elitës intelektuale të këtij fshati, përfaqësues të së cilës i gjen sot në institucione të rëndësishme shtetërore, dhe pse jo edhe sipërmarrës ndër më të suksesshmit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Bruksel, Londër, Zyryh, Mynyh…... Kësisoj, kjo ditë feste mund të konsiderohet edhe si ringjallje e traditës me veprimtari nga më të larmishmet. Madje, nga këtu do ta merrte frymëzimin edhe poetja nga kjo zonë Lubi H. Tota (vajza e Vajlës, Sulbie Han Tota, Barruç-Vilë, Kukës) për të shkruar vargjet mbresëlënëse “Qohu moj nanë e hapma derën/Se në portë të kam trokitur/Mos mendo se të harrova, Jo, moj jo – këtë ditë kam pritur/ Erdhëm sot ne vllazën e motra/ Në vatrën tënde të këndojmë/ Dhe me lotë të dalë nga zemra/ Mall e dhimbje t’i largojmë…”.
KOMBI I PAQES
I frymëzuar nga pjesëmarrja masive, atmosfera festive dhe nga këta performance e kçtyre artistive brilantë që ja shtojnë madhështinë festës, Gani Rroshi - Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Paqes Shqipëri (njëherësh Drejtor i Federatës Botërore të Paqes për Ballkanin) u shpreh se këtu në “Lakun e Erës” sot sot është kombi i paqes. Sëbashku me nënkryetarin e FPU Shqipëri Abdulla Domi, ish - kryetar i Këshillit të Qarkut Kukës, ata do të deklaronin pjesë të kësaj Federate edhe ideatorin dhe organizatorin e kësaj Feste, Z. Shefqet Billa, duke i dhënë atij titullin “Ambasador për Paqe”. E meriton këtë titull Shefqet Billa, ish - mëues e drejtor shkolle në këtë zonë dhe ish - drejtues i suksesshëm e i respektuar i pushtetit vendor. Në festën e Vilës ai ishte një i vilas në mes të vilasve duke u përshendetur, duke biseduar e duke gezuar bashkë me ta. Shefqet Billën e karakterizon thjeshtësia, çiltërsia, sinqeriteti, mirësia e dashuria ndaj të gjithë atyre që e rrethojnë. Suksesin e tij e mbështet te puna në grup. Ai është shembull i ndjenjës së humanizmit njerëzor, duke ndihmuar njerëzit në nevojë. Te Shefqet Billa gjen modelin në trajtimin e problemeve e ngarjeve me objektivitet, me vërtetësi e në mënyrë reale. Këto virtyte i tregoi edhe në fjalën e tij përshëndetëse për mijëra pjesëmarrësit në këtë ditë feste, ku ndër të tjera tha: “Kur shoh këtë lëndinë të mbushur me jetë, fëmijë që qeshin, të moshuar që përqafojnë kujtime, zemra më mbushet me krenari, por edhe me mall. Mall për të parët tanë, për ata që jetuan dhe punuan në këto troje, që ngritën shtëpi, mbollën pemë, rritën fëmijë me mall e dashuri dhe na lanë një trashëgimi që sot është bekimi ynë”. Si mësues i këtij fshati që ka dhënë gjithë shpirtin dhe zemrën për t’u mësuar fëmijëve të Vilës, jo vetëm shkronjat dhe numrat, por edhe dashurinë dhe dijen për punën dhe për këtë tokë, ai shprehu krenarinë që nxënësit e tij kanë shkëlqyer kudo, në çdo qytet, Brenda e jashtë vendit, në çdo profesion, në çdo fushë ku kanë shkelur dhe që janë pasqyra më e mirë e përpjekjeve të përbashkëta si komunitet. Ndërkohë, Shefqet Billa përcolli mesazhin që të larguarit ta ruajnë lidhjen me këtë tokë, me Vilën që ka gjithçka: natyrë, histori, mikpritje, shpirt dhe të angazhohen bashkërisht për ta ringjallur, për ta zhvilluar, për t’i dhënë jetë të re.

NJË FOTO SA NJËMIJË FJALË…
Një ditë pas këtij eventi, moderatori Defrim Methasani ka shpërndarë në rrjetet sociale, një foto që shpreh masivitetin e festës së Vilës. Mijëra fytyra të qeshura, dhjetra të rinj të reja të veshur me kostume të larmishme folklorike të zonës, orkestrantë popullorë e lodra, curla, çifteli e sharki…dhe në sfondin e “Lakut të Erës” qindra autovetura të parkuara në një parking natyror…Një foto sa një mijë fjalë!
Dhe nuk nguron D. Methasani të falenderojë ata që i besuan edhe këtë vit të moderojë këtë festë madhështore. Sepse përfaqësuesit e pesë fiseve të fshatit Vilë të Kukësit, Billa, Jata, Hasa, Tota e Dragjoshi, mes të cilëve veçon organizatorët Ideal Billa, Arben Jata e Qemal Tota, janë shembulli më i mirë i bashkimit, unitetit dhe promovimit të fshatit dhe vendit të të parëve të tyre. Sepse, Festa e Vilës ishte më shumë se një ngjarje, ishte një bashkësi vlerash, manifestim i solidaritetit njerëzor. Ndaj dhe jehona e saj vazhdon të parhapet anekanend Shqipërisë, si dhe në hapësirën mbarëshqiptare në botë. Sepse Festa mblodhi mijra njerëz paraditen e së dielës së 1 qershorit, në një vend ku turizmi dhe arti bëhen bashkë.
Comentários