top of page

 Hajri Shehu: Viti 1994... Fjalor i sinonimeve të gjuhës shqipe

  • Apr 7
  • 2 min read

Më 10 nëntor 1994, më erdhi me postë “Fjalor i sinonimeve të gjuhës shqipe / A Thesaurus of the Albanian Language”, hartuar nga Gaspër Kiçi, botuar në SHBA më 1992. Ma ka dërguar vetë autori, profesor Gaspër Kiçi.

Mbaj mend që rashë në gjurmë të Fjalorit diku, në një bibliotekë. Më pëlqeu shumë. Në fletën e fundit ishte adresa postare e profesorit. Dhe unë i shkrova. Thjesht, si një qytetar nga Shqipëria. I thashë, a mund ta gjeja Fjalorin dhe si mund ta gjeja. Realisht, qe lypje. Kaq u desh. Dhe veç, kur më vjen libri me postë, siç thashë. Burrë burrëror. Fisnik, sojli. Bujar. Një fjalë goje u  desh, edhe pse s’më njihte. Kush e bën këtë?! Pa e njohur e pa e ditur tjetrin, t’i dhurosh, libra, të shpenzosh edhe pará për postimin?! Bujarisë së profesorit i shtoj edhe atdhetarizmin e tij të madh: I jepte një shqiptari një libër për shqipen. I jam borxh shumë bujarisë së profesor Gaspër Kiçit.


Fjalori i profesor Gaspër Kiçit ka rreth 6 500 fjalë bazë. Ka një Parathënie dhe një Hyrje, shkruar me kompetencë të plotë profesioniste e me një gjuhë të pastër letrare shqipe. Në fund ka një bibliografi të fjalorëve të shqipes a me shqipen (në anglisht), pemën gjenealogjike të familejve të mëdha gjuhësore të botës (shqipja – degë më vete), tregues emrash etj.

Fjalori është i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe. Më pas janë botuar edhe fjalorë të tjerë: Në vitin 2002 “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe (me mbi 30 000 zëra)”, me autorë: Ali Dhrimo, Edmond Tupja, Eshref Ymeri dhe në vitin 2004, “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe” (me shpjegime e me shembuj ilustrues e jo, thjesht, vetëm me vargjet sinonimike, me  29 000 zëra), botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me autorë: Jani Thomai, Miço Samara, Hajri Shehu, Thanas Feka.

Fjalori i profesor Gaspër Kiçit i ka të gjithë parametrat shkencorë të një vepre leksikografike dinjitare. Autori e ka qëmtuar me kujdes e me ndezëlli tërë lëndën e Fjalorit. Edhe fjalën popullore krahinore. Dhe pastaj, e ka ndarë fijen më katërsh, kur i ka tubuar fjalët sinonime në vargje. E veçanta e Fjalorit është se në fjalë të caktuara (mbi 60) jepen fjalë (kryesisht, emërtime), që tematikisht lidhen me to (gjuhësisht, kemi të bëjmë me hiponime). Një rubrikë shumë ndihmëtare në çdo moment për përdoruesin e Fjalorit. Edhe kur s’të kujtohet diçka. Për shembull, te fjala zog janë edhe emërtimet e zogjve më të njohur në gjuhën shqipe.

Fjalori meriton një recension të gjerë. Unë jam te kujtimet e mia, te viti 1994 e te fisnikëria e profesor Gaspër Kiçit. Dhe te borxhi moral që i kam. E ai nuk lahet vetëm me një recension.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page