Hajdutët e Pilurit


Timo Mërkuri

Hajdutët e Pilurit

Sprovë

Nga Timo Mërkuri

Po e them që në krye të radhës dhe nuk pranoj asnjë lloj diskutimi: -Ne Pilurjotët nuk vjedhim. Morpo hiç fare s’kemi dorë apo si I thonë s’vëmë dorë në gjënë e tjetrit..A.a..a  a, është tjetër mesele për  ç’na ngjitet vetë në dorë. Për atë as mbajmë përgjegjësi dhe as që llogaritet në muhabetin tonë.

Nisa ta sqaroj  me ju këtë muhabet, se një miku im V. Z. më foli një ditë  për një këngë, e cila sipas tij, u kushtohej  hajdutëve të Pilurit. Dhe kënga fillonte, po sipas tij me vargjet; Dil moj hënë për kusarë/Dil moj hënë.

Se lashë ta vazhdonte më tejë se, që te këto vargje dukej qartë  që ai s’kishte haber fare nga hajdutët e hajdutëritë. Unë  xhanëm, që nga ajo ditë as që i flas me gojë, ndajë ju them juve që të veni e t’i thoni se, pasi e përshëndes me këngën aq të bukur ‘’Hedhin valle tre hajdutë’’  t’i  mësoni se;

-Asnjë hajdut nuk lutet të dalë hëna kur vjedh a niset të vjedhë, se atëherë shtohet reziku i të zënurit ‘’me preshë në dorë’’.

-Asnjë hajdut nuk niset me këngë në gojë apo të këndojë hajdutërinë e bërë, sado  fine që të jetë ajo sepse epse  mënyra e të vjedhurit  përbën sekret individual profesioinal.

Siç ju thashë më sipër ne nuk vëmë dorë mbi mallin e gjënë e tjetrit, por ama nuk përgjigjemi kur malli dhe gjëja e tjetrin nga “ngjitet “ vetë në dorë. Ja, dëgjoni se çi ndodhi atij pilurjotit  në Paris, që e pinte duhanin me çibuk. Pronari ku punonte ky pilurjoti ime paskish edhe një argjendari e  megjithatë nuk e paguante  tamam e në kohë këtë bashkëfshatarin tim. Ky i varfëri dhe e mori me mëndjen e tij si të mirte hakun e punës ,dmth  pagën e padhënë dhe që një ditë shejtani ja ndriti mëndjen me qiri. Ndaj dhe ai i vuri çibukut një copë magnet, pikërisht në anën e poshtëme të  pjesës ku vihej duhani dhe u nis e vajti  në dyqanin  e argjendarive, ku  shërbente i biri i parisienit që e kish punësuar. Afrohet ky pilurjoti tek banaku i florinjvë dhe zgjat çibukun, duke e mbajtur nga pjesa e gjatë e cila shërbente për të thithur tymin dhe duke e afruar te malli pjesën tjetër, ku nga sipër vihej duhani që pihej dhe nga poshtë në mënyrë që të mos dukej ishte vendosur magneti, dhe serbez serbez e pyet të birin e  punëdhënësit të tij, ose më saktë, të hakëmbajtësit të tij;

-Sa e ke këtë flori (unazë a monedhë qoftë)?

Tymi i çibukut të tij qe i rrëndë, se ai pinte duhan të sertë dhe djalit të ri të livandosur i lotonin sytë dhe s’kish mundësi të shihte  floririn që u ngjit te magneti, por përgjigjej për unazën a floririn që mbetej  në vënd.

-Shtrënjtë, shumë shtrënjtë thoshte pilurjoti- Ku kemi kaqë franga ne -dhe me këto fjalë largohej nga dyqani.


Tani ju kam rixha, sillni specialistet me të mirë të kriminalistikës dhe kërkoni gjurmë të vjedhjes. More kërkoni sa të doni gjurmët e gishtave të pilurjotit tim. Gjëni dot? Jo! E po ç’kini pastaj që na e akuzoni pa fakte e pa gjurmë të ziun pilurjot sikur ai vodhi thesaret e Ali Babait.. Hakçe hakçe, vetëm një nga një e  kathe muaj  i mirte florinjtë. Por vetëm hakën e punës së tij ama. Tani pse doli e florinjtë haka, ky është tjetër muhabet.

 Puna e të vjedhurit në Pilur kot fare ka ngjitur si nam, se s’ka fshat  që nuk vidhte. S’kish djalë që do martohej të cilit vjehri i ardhshëm të mos i vinte një detyrë trimërie; -Shko vidh dashin ose një dele te tufa e filanit ndryshe mos kërko nuse vajzën time. Dhe që të sigurohej  tamam që dhëndëri i ardhshëm e vodhi dashin a delen pikërisht aty ku e porositi ai vetë dhe nuk e mori psh te tufa e babait të tij ose e bleu te dikush i vinte dhe një si vërsnik  shoqërues që t.i kontrollonte  lëvizjet. Se po të mos qe i zoti as për të vjedhur si do ja mbante në shtëpi vajzën që i kërkonte për grua? Me se do e ushqente atë, gruan e tij dhe fëmijët apo do lypte rrugëve. E pse mos të sigurohej më përpara që  ky dhëndër qe tamam dhendërr dhe me ‘’rr’’ të fortë ore e jo ndonjë dhëndërush vetëm me bilbilush, që s’ja thoshte  për gjë tjetër veçse për atë  palo punë. Atë punë edhe miza e bën po jeta s’shkohet duke ngrënë a duke vrarë miza. Por këto qenë gjëra të zakonëshme, të rëndomta dhe ne në fshatin tonë nuk i quanim kushedi çfarë. More porosinë nga vjehri i ardhshëm, nisu me vrap e mos e lërë vajzën e botës të presë në dritaren e shtëpisë të të jatit. Mer dashin që prin kopenë e ikë duke lënë vathën hapur. S’ke pse shikon që pas dashit vijne edhe dhëntë. Ti s’ke punë me to. Ato janë të lira të vijnë, të ikijn, të shkojnë poshtë apo lart në punë të tyre. Po erdhen vetë  në vathën tënde, të tëra tufë pas dashit, ti as përgjegjësi ke, as meritë s’të quhet. Leri se mirë janë. Po të kanë parë e të kërkojnë me pleqësi gjënë që ke vjedhur, hidhu e dridhu ca dhe fundja ktheje dashin, ose paguaj gjobën .Por ama vetëm të dashit. Me delet s’ke punë   tani dhe s’ke patur kurë. Ç’kanë ato me ty, është tjetër pazar.

Siç thamë më lart, kjo mënyrë e të martuarit të djemve qe bërë traditë krahine e vilajeti, dhe s’qe meritë e një fshati. Këtu e ka  burimin dhe ai debate i atij plakut me instruktorin e Komitetit të Partisë. Se dini as këtë? E po ju jinni fare fare. Dëgjoni dëgjoni këtu. Kishte vajtur një instruKtor i Komitetit të Partisë në fshat dhe u bënte propogandë fshatrëve që të luftonin zakonet e huaja se ato, medemek, prishnin jetën e fshatit socialist. Pasi foli e foli, u ngrit një plak  dhe në fjalën e tij kërkoi të ndaheshin gjërat. Të luftoheshin zakonet e huaja si moda, flokët e gjata e fustanët e shkurtëra dhe të forcohëshin  traditat si trimëria, bujaria, kusaria, dashuria për vëndin etj etj. Ama në mes të rëmujës instruktori nuk e vuri re se ku e futi plaku kusarinë. Te traditat që duheshin forcuar, sepse ishte trimëri ore, jo shaka. Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se  jo të gjithë e admironin këtë  trimëri, sepse mbante edhe rezikun brenda. Po të diktoi i zoti i vathës, plumbin bythëve e ke më të paktën. Po më e rënda është se askush s’ka të drejtë të kërkojë hakun  për të vrarin se u vra në vjedhje e sipër, pra në faj të vetë..

Bile në një rast andej nga  zona e Mashkullorës, një here motit, në kohën e turkut, një djalë bëri adetin e trimërisë e vate vodhi nje dele a nje dhi sipas detyrës së vjehrit. Po kthehej bashkë me shoqëruesin e të gëzuar bënin muhabet trimërie e dhëndërie dhe as që u shkonte ndër mënd që  pak më tejë një koshadhe turke kishte zënë pritë për komitët që lëviznin atyre anëve. Turqit dëgjuan të qeshura dhe as që e zgjatën shumë po hapën zjarr, duke menduar që qenë komitë ata që vinin. E kush do lëvizte tjetër në atë llohë e cingërimë. Mendoni vetë  habinë kur panë që kishin vrarë dy djem të rinj, të ruar e të kruar për tu dhëndëruar. Dhëndëri quhej Jaço Kaçotëna dhe në varrim plakat e vajtuan kështuë

Të xhumanë prëma prëma/Vate dielli te mëma

U këput ylli nga hëna/U vra Jaço Kaçotëna

Për një dhi e për një cjap/U shtri  Jaçua në rrap

Për një dhi e për një dele/Mbeti nusia në tele.

Asnjë thirje për hakmarje, asnjë mallëkim për vrasësit nuk ka pavarësisht se ai është edhe pushtues. Përkundrazi, një tis i hollë ironie për këtë vrasje të pakuptimtë e trimëri të vajtur dëm, pale rininë e dhëndërinë të mbuluar me dhe, pluskon  në  këto vargje vajtimi. Por ne le të rikthehemi te pilurjotët e mi.

Përgjithësisht namin na e kanë ngjitur ne pilurjotëve jo për vjedhjen sesa për mënyrën se si realizohet ajo. Ja dëgjoni këtë histori;

-Vete një pilurjot e punon në Korfuz të një i pasur. Punoi si bari delesh një mot të tërë por  nuk u pagua fare. I zoti i bagëtive i thoshte që, t’i kam mbledhur gjithe pagat e do ti jap njëherë e mirë të tëra. Por kur erdhi koha nuk i dha asgjë. Qe janar e bënte një i ftohtë i madh . Kthehet bariu në fshat dhe e pleqëron muhabetin me  burrat e fshatit. Si t’ja bëjmë kësaj pune e këtij halli se problemi ishte në tokë të huaj. Pasi e rahën punën mbarë e prapsht, vendosën që të venë natën në Korfuz e të marin hakun. Erdhi nata, dhjetë burra morën magjet e shtëpive, ku lanin gratë rrobat dhe duke i përdorur si varka u nisën drejt Korfuzit, ku mbritën  ndaj mesnate. Nuk e zgjatën por  vanë drejt e në vathë ku qenë delet. Qente e njihnin pilurjotin se një mot të tërë ai i ushqente ndaj nuk bënë zhurmë fare kur të ardhurit hapën lesësn e vathës. Duke përfituar nga kjo pilurjotët,  me gërshërët që kishin marë me vete filluan ti qethin. Pasi mbaruan qethjen, morën leshin e deleve , shkruan një letër ku thoshnin se morën vetëm hakën e punës dmth pagën e papaguar dhe u kthyen përsëri në Pilur  duke vozitur me magjet varka. Por kësaj radhe  kishin edhe leshin e deleve me vete nga shitja e të cilit doli jo vetëm roga e bariut, por edhe paga ditore e  atyre që e ndihmuan. Po mos haroni se ishte janar. Qe shumë i sertë ai janar , me ngrica të rënda. I zoti i bagëtive, kur u zgjua në mëngjez dhe pa gjithë dhentë të qethur vuri ulërimën se i paskësh qethur shejtani.

Tani pse ngordhën gjithë bagëtitë ç’faj kanë pilurjotët. Ata morën vetëm pagën e prapambetur të punës së bashkëfshatarit të tyre. Për këtë do quhen hajdutë?

Si the zotrote? Tu tregoj atë historinë e atij bashkëfshatarit tim që  vajti te kisha e Shën Spiridhonit  në Korfuz dhe filloi ta puthte shënjtin te mëngët e në gjoks, aty ku qenë kopsat e këmishës. T’u dëftoj edhe se si i mbetën kopsat e florinjta të robave të shënjtit  nëpër dhëmbë? Edhe këtë e doni ju? Jo jo jo. Këtë nuk e tregoj. E kemi si sekret fshati. Bile dhe  nëpër fshat e pëshpërisim vesh më vesh. Asnjëherë se themi me zë të lartë, se na dëgjon bota. Veshët pipëz i kanë himarjotët për  bëma të tilla. Se na e kanë edhe një çikë inatin, xhanëm. 

Po le ti lëmë mënjanë himarjotët,se me ta do meremi tjetër herë. Tani do ju tregoj historinë e atij pilurjoti nga Kongjinajt që u bë i famshëm me historinë e dashit.

Edhe ky kishte vajtur të punonte në Korfuz me gjithë familjen, gruan, dy fëmijë dhe mëmën e tij plakë, Babain nuk e kishte i varfëri. S’thonë kot që nëna të lë jetim e babai të lë të varfër. Po nejse. Filloi të punonte të një i pasur për  bukën e gojës. Puno e prit të paguhej  tamam e s’ka, puno e  i mbahej herë  gjysma e herë një e treta e rrogës. Kërko  pagë të plotë e pagë tamam s’ka. Po fëmija do të hajë, gruaja do të vishet e plaka do të shtyjë ditët e pleqërisë. Po pa pagë tamam e pa hakë të paguar  s’bëhet gjë.

Ama ky pronari kish një dash të majmë që e përkëdhelte si të qe fëmija e tij, se fëmijë ai s’kish. Perëndia i dha paratë e pasurinë por fëmijë nuk i dha. Ndoshta ndoshta që ai të shikonte  ndonjë fëmijë të botës pa më pas mbase e shikonte perëndia  dhe atë vetë. Po ja që ky vetëm te pasuria i kish sytë edhe hiç më tutje. E sidomos te dashi. Këtë vendosi ti vidhte pilurjoti ynë ose më saktë pilurjoti im se ju s’kini të bëni fare  këtu. Dhe një ditë vërtet e  rëmbeu dashin, e hodhi mbi supe e ja  dha vrapit drejt shtëpisë kasolle që kishte në të dalë të qytetit.

Po s’qe ditë e mbarë për vjedhje ajo ditë. Jo se kishte dalë hëna  që përmëndte në krye ai miku im po se qe mesi i ditës dhe e panë gjithë dynjaja. Pa ju qep nga prapa me ulërima i zoti i dashit e më pas edhe korofillaqia e qytetit. dmth policia e rendit publik. Ai ikë e ata ndiq, ai ikë e ata ndiq. Po ku të vente i ziu ne dashin në krahë e me policinë prapa. Ja sosi gjer në shtëpi, shtëpi i thënçin asaj kasolleje me kashte  sipër e me kashtë anash, sa të themi dhe ne, po jo më e madhe së një dhomë nga këto shtëpitë e sotme. Atje te ajo dhomë e mavro dhomë qenë bashkë guzhina, dhoma e gjumit e çiftit, dhoma e gjumit e plakës, dhoma e gjumit e fëmijëve ,salloni i pritjes. Vetëm tualeti, por pa  pasqyra qe jashtë në natyrë, në rrëzë të një ulliri. Te kjo dhomë si katër dhoma hyri si furtunë  djali i shkretë, hodhi dashin nga supi dhe ja dha plakës duke i thënë i lemerisur;

-Fshihe plakë se më janë qepur prapa korofillaqia e i ziu  u’ po më zunë!

Ç’të bënte plaka e varfër. Pa më të mënjër ,pa më të djathtë, pa në tavan e pa në dyshemë, po s’kish ku ta fshihtë dashin. Po Shën Spiridhoni i do shumë pilurjotët ore, ndajë ja ndriçoi mëndjen plakës e cila menjëherë e vuri dashin në djepin e fëmijës, se në atë çast fëmijët bashkë me të jëmën qenë jashtë në ullishte, e lidhi mirë dashin të mos lëvizte shumë e sidomos ja lidhi mirë gojën që të mos blegërinte, e mbuloi me një velënxë dhe u ul e filloi ta tundë njësojë siç tunden fëmijët në djep. Bile bile filloi ti këndonte edhe një  ninullë, po në shqip e varfëra se, ku dinte ajo të këndonte e të vajtonte greqisht. Ama në shqip të thante. Nuk vonoi dhe hynë brenda si frurtunë dy korrofillakë dhe një oficer që dihasnin nga lodhja .

-Të zumë – i thanë djalit. -Na jep dashin që vodhe dhe leri dënglat e eja me ne. Kemi ku ta ndreqim samarin.

-Ç’dash doni nga unë i ziu. Ku kam unë dash more. Unë s’kam bukë të ha  e ju më kërkoni dash. Ja,vështroni vetë e gjëjeni dashin tuaj. Ja pyesni plakën. Plakë kemi ne ndonjë dash a dele këtu.

Po plaka sikur te qe  në ndonjë planet tjetër e s’dinte  ç’bëhej reth e rotull ja ktheu

-Thuaji miqve të tu mos të bëjnë zhurmë se do më zgjojnë djalinë e vogël. Apo s’është dhe i sëmurë i varfëri-dhe pa e kthyer kokën  vijoi të tundë  djepin e të këndonte ninullën;

Llaj  llaj të keqen mëma/Fli rehat e vështro ëndra

Mos vështro kush erdhi bërna/Se  këren halle të rënda

Fli i mir i nënës fli/Se këtu s’kemi njeri.

Zëri i plakës qe i ëmbël, si gjithë zërat ë gjysheve kur këndojnë ninulla mbi djep, por një vesh i hollë mund të dallonte një farë egërsimi, një farë zëmërimi në atë ëmbëlsi ninulle. Po duhej të ishe pilurjot ta kuptoje këtë e jo oficer  policie në Korfuz.

Oficeri  gjithë tangërllëk ju drejtua plakës;

-Na e sillni dashin me të mirë, se ja ku betohem për Krisht e për Shën Spiridhon se do ju kalbim burgjeve tërë jetën. Dëgjove plakë, dëgjova thuaj!

Plaka ngriti  kokën sikur atëherë ta kishtë parë oficerin dhe duke ju drejtuar atij , i tha me atë greqishte kurbetlliu që kishte mësuar;

-Kot na bie në qafë qirje  kumandar. Ne s’kemi  vjedhë dash. Ja hëngërsha më kockat e këtij  që tund në djep në të gënjej. M’a dhëntë Shën Spiridhoni të pjekur a të skuqur këtë foshnjë që kam në djep dhe ta ha të tërin në sytë e tu që ta shohësh edhe ti e të bindesh  që u’ s’të gënjej.

Oficeri u tmerua nga ky betim. Diku e kishte lexuar në një tragjedi të lashtë se  dikush, për të ndëshkuar  një nënë, i vuri të hante gjellë të bërë me mishin e trupit të të birit. Vetkuptohet që nëna e gjorë u çmend kur e mori vesh, por dhe perëndia e ndëshkoi kriminelin rëndë. Tani si kujtohej tamam sesi ndodhi historia, bile nuk i kujtohej edhe  te cili autor i lashtë e kishte lexuar. Te Eskili mbase.

Por që ti dilte kjo histori në formën e një betimi te kjo plakë, këtë as e kishte menduar ndonjëherë. Cila nënë a gjyshe do e bënte një betim të tillë për të fshehur një gënjeshtër a një vjedhje, qoftë, jo një dash po dhe një kope. Ai qe vetë prind, dhe gjëja më e shtrënjtë që kishte e për të cilin  ndizte qiri çdo ditë te kisha e Shën Spiridhonit qe pikërisht fëmija i tij i vogël, një djalë që s’i ecte dhe aqë mirë shëndeti. Ndajë mendohej shumë edhe për gjellën që do ti jipte  të hante e jo më të bënte betime të tilla mbi kokën e të birit. Por ama edhe  vjedhësin me dash në shpinë që hyri në këtë shtëpi-kasolle e pa vetë  e nuk e kishte me të dëgjuar, ndaj këtë i tha edhe plakës.

-Po ju kontrolloni vetë -ju përgjigj plaka. Po mo’ bëni zhurmë a të keqen se më zgjoni  këtë foshnjën  që mezi e vura gjumë. Kontrolloni, kontrolloni, atë punë kini o djem-o- dhe sikur të haronte se ata qenë  aty vijoi ninullën;

Llaj llaj, o llaj llaj o biro o o

Sesi qe ky zë i plakës në këtë varg ninulle  që dhe aqë ninullë nuk qe. Ninullat kanë zërin më të ëmbël  që mund të ketë një njeri që di të këndojë a të vajtojë, thua se është zë perëndie. Po zëri i plakës qe pakëz ndryshe more xhan. Jo i ëmbël shumë po si një tel i tendosur. Pastajë edhe pozicioni i saj  te djepi nuk qe fortë normal. Zakonisht plakat kur tundin djepin, këmbët i shtrijnë poshtë tij dhe trupin e lëkundin ritmikisht, sipas lëvizjeve të djepit duke mbajtur në këtë mënyrë të njëjtën distancë nga fytyra e fëmijës. Lëkundet djepi, po me atë ritëm lëkundet si lavjerës edhe  plaka. Bile edhe rokjet e ninullës janë të kushtëzuara nga kjo lëvizje. Psh te fjala e parrë ‘’llaj’’,psh djepi shtyhet. Kur djepi bën lëvizjen e kthimit, bashkë më të  tërhiqet trupi i tundëses, por kjo e shoqëruar me fjalën tjetër ‘’llaj’’ në qoftë se do citojmë vargun e mësipërm. Përgjithësisht ninullat kanë edhe fjalë të  pakuptimta, por që tingëllojnë për veshin e fëmijës, si fjalë përalle gjumëndjellëse. Vetë fakti që ninullat  kanë fjalë të pakuptimta ose fjalë të përsëritura  monotonisht është një dëshmi se këto, ninullat pra janë produkte të  herëshmë të lindura bashkë me njerëzimin. Bile mund të themi se vajtimi dhe ninullimi janë muzika e parë e njerëzimit. Këtu të  bën përshtypje dhe një fakt;

-Plot fëmijë të vegjël kanë vdekur nëpër shekuj dhe janë vajtuar me ligje por çuditërisht këto ligje nuk janë  shndruar në këngë. Pra vajtime të ardhura nga shekujt për fëmijët motakë nuk kemi, ndërkohë që gjithë ninullat që këndohen  sot vijnë nga thellësia e shekujve. Ndoshta ndoshta  vajtimet për foshnjat nuk kanë rezatuar dhe nuk kanë shtegëtuar në kohë edhe  sepse asnjë nënë nuk do që të kujtojë fëmijën motak të vdekur, ndërsa do që të lindë një fëmijë tjetër dhe ta zvëndësojë humbjen që pësoi. A se kini vënë re që sa herë vdes ndonjë fëmijë, ngushëllojnë nënë e babanë e tij me fjalët;

-Hë se të rinj jini. Do bëni një tjetër, më të shëndetshëm. Do e mbushni shtëpinë me gaz e hare etj etj

Ninulla ka çdo vend, por ninullat e një vëndi jo gjithnjë përkthehen në gjuhën e një vendi tjetër, qoftë ky edhe fqinj me të. Vija melodike e ninullave ka karakteristika për çdo popull por ka të përbashkët ndjenjën e mëmësisë që i jep tingullit atë drithërimë dhe vibracion karakteristik për çdo grua dhe që aqë mirë e dallon fëmija. Fëmija e dallon nënën që në ditët e para pikërisht nga ky vibracion dhe dashuri që buron të zëri i nënës. Është kjo dhëmshuri, është ky vibracion i pangjashëm me asnjë tjetër në botë që e vë fëmijën në gjumë duke e mbuluar me paqe e ëmbëlsi. Pavarësisht nga kuptimi i fjalëve, zëri i tundëses të djepit, zëri i nënës është një zë i ëmbël që edhe burrë po të jesh e ta dëgjosh të vjen të bëhesh fëmijë që të të këndohet një ninullë. Unë po ju them se në fshatin tim, fëmijët  janë rritur e burrëruar  nga ninullat e nga përrallat më shumë se nga ushqimi dhe nga trimëritë e prindërve të tyre.

Por një i jashtëm që nuk i njeh ninullat dhe që ska parë si rriten fëmijët nuk mund të kuptojë gjë nga timbri i zërit dhe pozicioni i plakës. Se kjo plaka pilurjote edhe për të ndëngjur , rinte pakëz ndryshe more xhan, ulur më gjunjë, e përulur dhe e përthyer mbi djep, gati gati e ngjitur më foshnjën që tundej sikur donte ta mbronte nga ndonjë rezik i afërt. Thua se po të fanepsej  te porta reziku a po të  tentonin policët ta shihnin famijën në djep, ajo të ishte e gatëshme ta rëmbente, a vetëm foshnjën  a me gjithë djep e të fluturonte larg a lart, s’dihet ku, vetëm ta shpëtonte.

Po oficeri rinte e shihte  idilin familjar që ai e kishte trëmbur me uniformën e prezencen e tij, policët  kthenin mbarë e prapsht  tenxheret e kusitë, lugët e pirunët   dhe vrisnin mëndjen se si mund të zhdukej dashi te ato lugë a tepsi. Plaka vijonte ninullqën me atë zë që diç thoshte po s’kish kush ta kuptonte;

Llaj llaj,nani nina /E kam djalin  në skutina

Skutinat i martë lumi/Djalinë ma zëntë gjumi

Llaj llaj o biro/Ritu a të keqen-o

Si sorkadhi gur më gurë/Kur të zgjonesh të jesh burrë.

Korofillakët dhe oficeri nuk kuptonin fare shqip, plaka këndonte ninullën, vetkuptohet për foshnjën që kishte në djep, djali i plakës dridhej, domosdo qe tepër i ofenduar nga akuza që i bëhej padrejtësisht, gruaja e tij dhe dy fëmijët  rinin jashtë kasolles të lemerisur. Që s’kishte gjë ne kasolle as që diskutohej, se edhe ato dy-tri rrogozë që qenë  të shtruar  drejt e mbi baltë, i hodhën jashtë. Dhe të doje të kontrolloje në daç brenda a në daç jashtë kasolles, s’kishte ç’të kontrolloje. Ama qe dashi u fut në këtë shtëpi kasolle dhe kjo s’diskutohej. Atëherë këtu çoç ka. O ndonjë marifet magjistari a shënjti, o ndonjë marifet hajduti që duhej domosdo mësuar, qoftë edhe për herë tjetër.

Ndaj oficeri, pasi përsëriti edhe njëherë kontrollin e përgjithshëm, jo vetëm në shtëpi por edhe reth e qark dhe pasi s’gjeti gjë ju drejtua plakës;

-Dëgjo plakë. Që e kini vjedhur ju dashin, këtë e pashë vetë. Që e futët në këtë shtëpi edhe këtë e pashë vetë. Që nuk di dhe nuk e gjej dot  ku dhe si e fshehët, këtë e pranoj. Ju betohem në nderin tim  dhe të familjes sime që s’do ju bëj gjë. Vetëm më tregoni marifetin që ta di për herë tjetër dhe për të tjerë njerëz.

Oficeri dukej i sinqertë, por plaka filloi rëfrenin e saj të zakonshëm; -Jo po pse s’na besoni, jo po hëngërsha  kockat e këtij që tund në djep, morpo mos i lënça asnjë kockë pa ngrënë, pa le më tule e mish, si na akuzoni kështu ne të varfërve, jo po....

Befas oficerit i ndritën sytë dhe ju drejtua plakës;

-Dëgjo plakë! Kam vetëm një djalë në shtëpi dhe mos e gjetsha më këmbë e të gjallë po të gënjej. Askush nuk do ju prekë me dorë. Kini fjalën time .

Plaka u drodh. Qe hera e parë që dridhej që kur hynë  ushtarakët në kasollen e saj. Betimi i ushtarakut qe i rëndë. Qe shumë i rëndë. Qe betimi i babait mbi kokën e të birit dhe në këtë botë nuk ka gjë më të shënjtë. Për ca gjëra të shënjta e vlen edhe të vdesësh. Pastaj si tha ai? Kini fjalën time-tha..Domethënë që ky  e di ç’ështe fjala,domothënë e di që fjala është më shumë se jetë, se paguhet me jetë e për jetë. Epo, një burri me ‘’fjalë’’ i besohet.

Plaka s’foli dhe u  ngre në këmbë. E pa oficerin drejt e në sy. Serioze, tepër serioze. Shikimi i ushtarakut dhe i plakës mbetën mbërthyer te njeri tjetri dhe oficeri nuk pa që plaka me një dorë hoqi mbulesat e djepit, ato mbulesa që sipas llogjikës njerëzore duhej të mbulonin djalin a vajzën që i këndoheshin ninullat. Vetëm kur  britën plot habi korofillakët e tjerë atëherë uli kokën e pa në djep atë që ishte i bindur që kishte hyrë në këtë kasolle por që s’e gjente dot, sepse përvoja jetësore e kësaj plake  e kishte fshehur ’’nënë gjuhë’’,mu para syve të tij, pikërisht atë, dashin e vjedhur.

Thonë se oficeri e mbajti fjalën, nuk e arestoi djalin pilurjot.J o vetëm kaqë por e detyroi edhe pronarin t’u paguante hakën e punës që u kishte mbajtur padrejtësisht.

Thonë edhe se u bënë miqdhe se plaka me ato ilaçet popullore ja shëroi edhe djalin . Thonë e ç’nuk thonë.

Po pse na thonë hajdutë xhanëm këtë nuk e kuptoj. Dhe hajde duro kur të thotë  hajdut , dhe me këngë bile, një njeri që s’mer vesh nga hajdutëritë, si ky V. Z.

Po a e dini ju se ne kemi edhe një histori me një Vangjel, si ky Vangjeli  ynë, me një poet si Vangjeli dhe me një hënë në qiell si ajo hëna që na përmëndi që në krye ky miku im Vangjel e poet. Nuk e dini as këtë histori? Po ç’dini ju atëherë  për ne pilurjotët, apo vetëm llafe pazari.

Nejse, që të mos jini kaqë të paditur mbani vesh këtë histori .

Një herë një Vangjel i fshatit tonë i thotë Kozmait, edhe ky nga fshati ynë, që të venin e të vidhnin ca rrush te vreshti i një himarjoti aty poshtë në Spile. Do thuash ti pse do vidhnin rrush  në Himarë kur Vanova, fusha me vreshta e Pilurit vetëm rrush bënte.

Po  dihet  xhanëm që pula e komshiut dhe rrushi i vjedhur janë më të  shijëshme.

Nejse, të vazhdojmë historinë tonë ne. Jep e mer Vangjeli që ti mbushte mëndjen Kozmait dhe më në fund i thotë që në vreshtë do futej vetëm ai, dmth Vangjeli dhe se Kozmai do rinte roje në hyrje të vreshtit që mos ti zinin me .. rrush në dorë. Ky qe një argument që  edhe mua me dipllomë do ma kishte mbushur mëndjen e jo më Kozmait të varfër që mezi i dha i jati  kërrabën e çobanit. Dihet që roja është gjithnjë larg zararit  e mënjanë sherit, me një fjalë  është gjithnjë i shpëtuar.

Një tu nisur e me vrap Vangjeli  futet në mes të vreshtit e fillon  të tijat. Kozmai ruante hipur mbi një gur, por unë harova t’ju them që ky Kozmai ishte pakëz ‘’mëndjemadh’’ nga sytë e nga veshët. Kështu mëndjemadh siç qe as e pa dhe as e dëgjoi të zotin e vreshtit kur u afrua tek ai. Vetëm kur ndjeu tytën e çiftes që ju mbështet pas veshit e mori vesh se qe zënë  ‘’pa presh e pa rrush në dorë’’ por ama qe zënë.

-Ç’bën këtu ti – i sokëlliu himarjoti dhe nisi  të  ja tundë  tytën e çiftes para fytyrës sikurr të qe ndonjë shkop thane që e kishte marë për ta rahur e jo  çifte që të vriste e të lënte top në vënd.

E pa keq Kozmai dhe sado që ju lut me mënd Shën Kozmait e Shën Mërisë që tja bënte ëndër atë çast, hiçëgjë s’u bë. Gryka e çiftes sa vente e zmadhohej, thua se do e përpinte të tërin. Po prapë nuk e humbi toruan. U kthye dhe e pa që nga koka e gjer  te opingat mbajtësin e çiftes, por ama e pa pakëz pjertas, zëje se qe një hiçmosasgjë përpara tij ndajë ju përgjegj qetë e qetë;

-U’, hiçëgjë s’bëj. Ja, ri e sho hënën, sho yjet e detin përtejë. Medemek hiç asgjë.

Të sqarojmë një gjë, gramatikë mos u kërkoni pilurjotëve. Kanë gramatikën e tyre ata. Psh nuk thonë ‘’unë’’ po më shkurt vetëm me një ‘’u’’,nuk thonë ‘’shoh’’ por vetëm ‘’sho’’. Se ç’i bëjnë gërmat e tjera, do llafosemi tjetër herë.

-Po ç’je ti që ri te vreshti im e vështron yjet e hënën si shushameno?

-U’ more xhan i vëllait,-i thotë Kozmai serbes serbes-u’ jam poet. U’ ri e sho hënën e yjet e kërej vjersha. Frymëzonem medemek. Po ikë tutje dhe lemë rehat se ja, sa u fanepse ti dhe u trëmbën  ata dy yje që vrapojnë të fshihen nëpër det, tutje Korfuzit. Lemë rehat të keqen, hë shatii.

Mua do ma hedhë ky  leckaman i Pilurit-ka menduar me vete himarjoti, po ja ta zë në llaf të tijë nashinë.

-Medemek ti kërren vjersha dhe vjershat i këren te vreshti im ë ë ë. Mirë. Pa më thuaj vjershën që ke kërierë  njëra nashtinë-dhe duke thënë këto fjalë  u mbështet mbi çifte si të qe ndonjë stap çobani.

Po Kozmai këtë donte. U kollit që të qëronte zërin, shtriu krahët drejt qiellit sikur do priste ndonjë  pako a kushedi çfarë dhe ja nisi;

-Majë malit doli hëna

Ik’Vangjel se t’u ‘’bë’’.. nëna

Vjersha vazhdoi me  ca vargje si ‘’Doli çifte grykëzëna’’ apo ‘’I zoti e zëntë nëma’’por gjithmon rëfreni ishtë një,ai vargu i famshëm ‘’ Ik Vangjel se t’u  ‘’bë’’.. nëna’’.

Vjersha qe e gjatë dhe himarjoti u kënaq dhe u bind që ky i varfëri qe poet i mirë, ndajë donte ta ftonte në shtëpi që të hante ‘’një  mëllë bukë’’ po Kozmai nuk pranoi sepse donte të mbushte plot dy shporta me...  domethënë dy fletore me vjersha, se u ngatërova dhe unë etj etj

Unë nuk e di sa shporta, ashtu de, fletore mbushi me vjersha Kozmai për Vangjelin që të ikte por ama një gjë e di saktë; -Që ky Vangjeli që na shan s’di të bëjë fare nga ato vjersha të vreshtit. Edhe s’di, edhe hiqet sikur i di të tëra. I thoni më mirë të na lëjë rehat ose më mirë i thoni ;

-Ikë Vangjel / Se ...doli hëna.

Marë nga libri “ Vesa mbi këngë”…

161 views

Shkrimet e fundit