GURI I KISHËS


Nga Nehas Sopaj 


(Guri i Kishës)

(Sot ai s’është më, atë e ka hëngër ujku...) Xhamia e fshatit tim është e vogël, por për mëkatarët e Zotit dhe hirëplotët ajo mbahet mend përgjithmonë me atë se: s’ka shatërvan, s’ka oborr të madh, s’ka kopsht, por e ka gurin (një gur, një shenjë) të madh në oborr. Ky gur quhet Guri i Kishës. Bie në sy menjëherë sa të hysh në oborr të xhamisë, mbahet mend sepse emri i tij s’guxon të përmendet, sepse pyetjes së të huajit i cili vjen këtu dhe pyet: “Po ky gur këtu...?”, vendasit ta kthejnë: “Përgjigjen do ta marrësh pasi të dalim prej oborrit”. Sepse, të sqarojnë ata: Të thuash Gur i Kishës brenda mureve të xhamisë, është mëkat, mëkat shumë i madh. Vendasit dikur jo moti i kanë ndërruar kapuçat gjatë lojës së quajtur kapuçash, prandaj s’i duan ardhacakët, por i duan gjarpinjtë, këmishat e tyre, sepse gjarpinjtë i kthejnë në të kaluarën e largët, në besimin e tyre të dikurshëm. Ata kryqin e kanë kthyer mbrapsht dhe e kanë ngulur pingul në tokë që mos të duket, duke e fshehur mendësinë e tyre nën tokë si raritet, si mall i rrallë. Ka mbetur pjesa e pambuluar e gurit që mund të lexohet mbrapsht, ndërkaq prej sintagmës prej të cilës mund të lexohen fjalët “Lavdvs Isvs Cri...”, ajo që ka mbetur të nënkupohet, është “...stvs” ose akustika e shekujve si palimpsest që stërgjyshërit denbabaden për zot e kishin pas menduar gjarpërin. Sot s’është edhe gjithaq e rëndësishme gjuha e gjarpinjve si gjuhë autoktone apo gjuha e njerëzve, se sa janë të rëndësishme misteret në formë gojëdhënash të cunguara për atë se, si u gjet pikërisht në xhami ai Gur Kishe, ai raritet si dëshmi për prareligjionin e njerëzve. Si erdh këtu një i huaj, tha: Këta njerëz, o e besojnë shumë Zotin ose s’besojnë fare, sepse si spjegohet ndryshe malli i besimtarëve për gjarpinjtë? Shifi ti si e përkëdhelin gjarpërin si totem, e ushqejnë, e ruajnë, besojnë se ai i ruan nga syri i lig... Për Kishën poashtu s’dihet gjë, gjurmët e saj të vetme siç janë rrugët kah ka ecur ujësjellësi, rrasat, altari, ikonat, argjili, kumbonarja e kryqit e të tjera, vendasit metamorfizues, kahmot i kanë asgjësuar me ndërrimin e besimit. Ka mbetur relikt vetëm kujtimi në formë kallëzimesh të pasdarkës për lugetërit të cilët, natën pas orës dymbëdhjetë, në trajtë minjsh të mëdhenj, breshkash dhe lakuriqësh krahengjullorë, shëtisin nëpër katund dhe e kërkojnë atë gur. Heshtin të nëmitur sepse këtyre dite kleriku ia kish humbur gjurmët atij guri të shenjtë, që të mos i duken shenjat e shenjta të amësisë, burimit krishter që kanë. Tash njerëzit nuk i merr gjumi deri në mëngjes, deri sa me këngën e parë të gjelit, zënë e kërrasin. Mu siç kërrhasin shekujt.

0 views

Shkrimet e fundit