“Gur i varfër”, por një vlerë e pavdekshme Shahin Zylfi Hasani


Agr. Shahin Zylfi Hasani

Prof Dr Fatmir Terziu


“Gur i varfër” – mbeti togfjalëshi që dëgjova për herë të parë nga goja e tij. Dhe lidhja e tij heshti si një zë që mbetet vetëm për Gurin, Tokën, Ujin, Dritën… E gjitha si një mbështjellë. Eh, mbështjellë e memorjes. E ke mbështjellë kohën më të bukur në thellësinë e memorjes, tutje në ato vite që pakkush mban mend se si guri dhe druri, toka dhe uji, mali dhe pllaja, gërxhet dhe shkurret, e tërë ajo që lidhej me jetën dhe ditën, me faktin dhe të vërtetën, me lakun dhe kuletën, ende është një anarki mendimesh. Ende oshëtin si zullama e Raduçit, Stugara, Radika dhe ende mbetet një shenjë më shumë në fshatin që të lindi dhe të rriti, Trebishtin e pavdekshëm, në hapësirën ku ti luftove me mish e me shpirt, që ajo tokë e ujitur me djersë e me gjak të bëhej një nga tokat më pjellore, një nga tokat që konkurronte. E, ti agronomi i ri, i dhe ushqim edhe gurit të varfër në Bordë, e shkove më tutje pastaj në Koçaren, Raven, Kollagjer, Izvor, Shabanaren, Livajcë, Rramni, Shutec, Popraishtë, Radoec, Shutec, Fushë të Vërnicës e kudo ku mendove se mendimi dhe studimi yt ec, vrapon dhe kap kohën e mbetur në ugarën e mbetur sinkron të parmendës… Dhe ti e solle mendimin e ri. E solle jashtë tërë asaj që lodhte ditët me urdhëra të tepruara, jashtë asaj që vinte si një virus në atë kohë të molepsur me direktiva. Dhe ti e dije se të priste sfida. Por përsëri iu turre me dituri e mençuri edhe gurit, atij guri të varfër… Gurit të varfër, që kishte fshehur vetveten e tij, për të qenë i qetë dhe i pakomplikuar, i parrezikuar nga kontroli i dyfishtë, aty ku telat me gjemba ndanin vëllain me vëllanë, aty ku tokat e pronat ishin me një brez të butë në mes e ti e dije se i përkisje një gjenerate patriotike, të ushqyer që në gen me dashurinë për tokën e vendin, e këtë e kishe ushqyer denbabaden. Dhe i fole udhës së piketuar nga të parët e tu, udhës së piketuar nga gjyshi yt Hasani, bekuar nga babai yt mësues Zylfiu, që të dha piketat e duhura dhe një çast teksa ktheheshe nga Instituti Bujqësor i Kamzës në udhën drejt shtëpisë, e pasi e kishe parë pataten e Steblevës, Klenjës mendove dhe fole i qetë vetvetes dhe njohurive që kishe marrë, por i sigurtë tashmë: “Unë nuk mund ta ndiej më butësinë e një toke djerë, zbrazëtinë e saj të mishëruar në konceptin “nuk prodhon!”. Dhe të gjithë më pas e mësuan dhe mjaft prej tyre që t’u gjendën pranë, ende e dinë se “Ju e keni sjellë atë nga heshtja e dhimbshme, duke e kthyer në zhurmën e bukur të gjendjes së saj prodhuese me vrullin e punës, e koha e kosës së vetmuar kishte ikur tashmë. Ishte kosa kolektive?! Ajo kosë kishte rikthyer duke ia zbrazur shtëpinë në Vlorë familjes patriotike e duke e vendosur sërrish atje në Koçaren, aty në Trebishtin e bukur, ku jeta zgjohej me melosin e pagjetshëm në ndonjë vend. Agronomi e kishte menduar mjaft mirë. Dhe e kishte futur atë në një rreth sigurie: një rrjetë, një çantë, një mbulesë, një shtresë me fije të këputura në një tokë tashmë plot bereqet, përmes së cilës ne vetëm mund të shohim tashmë memorjen bardhë e zi dhe diçka të mbetur nga vetja e një njeriu, një intelektuali të mirëfilltë, të harruar përtej ikjes së tij.

Këtu ka një qëndrueshmëri: duke bërë këtë, jo thjesht si një shkrim, por si një zgjim, një arsye më shumë për të gjithë, dhe për ata që iu sulën shkrimit, lapsit dhe penës, librave me dengje, e malleve me pengje, servilizmave dhe bukurdredhave në mjaft skuta të jetës, si një reflektim duke bërë po aq sa bërja e vetëdijshme, të qaset pak nga shkundja, një vlerë që edhe Toka e mban me nder. Ju, tashmë keni sërrish emrin tuaj të bekuar. Jeni në këto rrjeshta përsëri agronomi, intelektuali i paharruar. Intelektuali i merituar. Koha ka bërë që të jeni zhvendosur nga shtrirja e acorneve të dëmtuara, gjetheve të copëtuara, detriti i harlisur i mbledhur nga fijet e sikletit të njeriut, për të bërë hapësira të vogla, strehimore mendimesh, rrethime padrejtësish, që ndonjëherë nuk kanë hapje të perceptueshme, por që kështu mbeten dhe janë si disa gurë ndryshe, gurë që ende me butësinë dhe varfërinë e tyre, janë tërësisht larg një bote të tymosur, larg një bote plotësisht të plagosur dhe të ndërprerë përreth një kohe me virus Covid - 19, kështu që ju nga atje, nga thellësia e mendimit dhe ideve që na latë, na tregoni se gjithnjë ka shpresë, gjithnjë ka shpëtim. E ti, Shahin Zylfi Hasani, agronomi që të deshi me ngulm Tirana, u tregove me dijet e tua, me aftësitë e tua se disa gurë edhe në kohë e hapësirë, sikurse dhe në vend mbesin vetëm gurë… Dhe ashtu janë ende…

Më saktë, duhet të thuhet, janë si zgjatjet e kalldrëmit, për të siguruar një formë, për të mbajtur të fortë shkeljen që sjell këpuca tek guri, atje në vendin e arratisur nga ideja dhe mendimi, aty rreth të cilit mund të mbështillet dhe të thur fijet e endura vetëm merimanga në kohën e harruar. . . dhe pastaj ky gur, zgjatim kalldrëmi nganjëherë hidhet, ky i fundit, Guri i varfër, që ti e solle në jetë, mbetet i vetmi prej guri, duke siguruar vetëm një formë guri, edhe pse tashmë të abandonuar. Kështu që vetëm shikimi, vetëm sytë na tregojnë se forma e tij vazhdon të mbetet një gur për shikuesin që e ndjek. Dhe kur preket, ka një veshje, ka mantel me fije të ndrutshëm, është i lulëzueshëm, dhe madje lëviz me prekjen dhe shtypjen e gishtërinjve. Ai ende mban gjallë kostumet tradicionale, ato që bota i sheh si pjesë të dala nga duar shtojzovalle.

Unë do të doja të kap këtë gur në procesin e ringjalljes së tij.

Ajo që duket se është nga qëndrimi i shikuesit, mbetet një udhëtim, jo plotësisht i planifikuar me qëndisjen e duarve që maisin një gjilpërë, përreth dhe përreth, brenda dhe jashtë dhe nën të paduskhmen e tij lënë atë që Toka e bën pasuri të saj, atë që shpirti i Njeriut e tret në mallin e tij, atë që vajzat e qëndisn në pajën e tyre. Kështu që unë imagjinoj një sekuencë të fotografive, duke filluar me gurin e vetmuar të zhveshur në dorën tuaj. Ndërsa koha kalon, ne vëzhgojmë lojën e ndërlikuar të dorës, gishtat tuaj të shkathët, atë grimë të veçantë dhe përkuhstimin për të vendosur fillin këtu, dhe këtu, dhe këtu, tërheqjen përmes, mbajtjen speciale në vend, ndërsa një fije thur së bashku me një fije tjetër, duke shkuar poshtë dhe lart e përgjatë, dhe gjatë gjithë kohës dora duke u kthyer, gishtat vallëzojnë në dorë, i paharruari Agronom.

Pastaj do të vijnë momente pushimi ku guri lëviz nga dora në një sipërfaqe të qetë. Rimerr hijen e vet … dhe prehet. Koha lëviz larg dhe ne kemi mbetur me gurin e heshtur, rrugëtimi i qënies së tij ndërpritet nga ligjësitë e jetës. Ndjesia e mbajtësit lëviz në detyra të tjera. Përgatitja e shkrimit, shtimi i shënimeve, rizgjimi i simboleve (tani ka një sipërfaqe që ndan me gurin një ngurtësi dhe butësi). Le të kthehemi në këtë ndalesë. Për të rizgjuar gurin nga vendi i tij i çmuar “privat”, zakonisht jo i vetëm (ka gurë të tjerë rreth), gishti tregues tërhiqet në gjithësinë e tij të dorës, për të ngritur gurin nga hija e tij, një hije që zhduket, në mënyrë magjike, në dritën përreth. Me siguri, edhe guri përlotet pa zërin e tij në hije. Dhe kështu lëvizja gradualisht bëhet qetësi. Drita ndryshon. Lëvizja e vazhdueshme e penës pushon. Guri është vendosur në një sipërfaqe të bardhë për një sfilatë përfundimtare, një klik i vetëm në ekran. Bëhet një 'objekt' për tu vendosur në një sipërfaqe për përkujtim dhe admirim, jo thjesht si guri që natyrisht dallon nga veshja e tij, mbulesa e tij, forma e tij e mishëruar në filiza toke, mbase ato fije të njomura në baltë, që në vetvete mbajnë një kujtesë në distancë…

Është dhënë nga format më të njohura biblike një jetë e re, një jetë e një objekti të mbushur me fillin e mendjes kurioze të ideuesit të asaj Toke, të kthimit të gurit të varfër të asaj të vërtete në një pore jete, që në fillimin e zanafillës është njohur vetëm me kaq “gur me gurë” dhe me aq shumë dashuri dhe plot kujdes del qasja e tij, ndërsa nuk ka model të paracaktuar, të bëhet diçka në sytë e krijuesit të saj, që duket - kuptimplotë, poetike, ‘e drejtë’…


Përmes këtij gërshetimi me gurë me fije … Toke


Përmes këtij gërshetimi me gurë me fije, kjo mbulesë guri e përshkruar në fije, është bërë një poezi e natyrës së guximshme. Gishtat tani e dinë këtë gur, dhe mbase, ne mund ta imagjinojmë në imagjinatën tonë atë udhëtim pjesërisht të rastësishëm, të planifikuar pjesërisht, ne mund të lexojmë poezinë e prekjes, kthimit, shikimit, rimarjen e një vëzhgimi kaq të kujdesshëm të çdo milimetri të tij në sipërfaqen që e bëri bukë e prodhim e që më në fund iu dha tërësisht një sipërfaqeje të vogël, të errët e plot dritë në amshim. Po, ndoshta kjo është ajo që i duhet Njeriut, që lindi dhe u rrit si Guri, për çfarë është gjithçka. . . vetëm Njeriu nga guri ynë ka pasur qetësinë dhe qetësinë e tij të mrekullueshme, qetësinë dhe sipërfaqen e marrë nga ne. Nuk do të qëndrojë më në xhep për të ngushëlluar dorën. Nuk do të qëndrojë më në tavolinë për të qenë një kujtim i prekshëm bardhë e zi në fotografi, por një mishërim i një vendi dhe kohe të çmuar edhe si pedagog, edhe si një nga specialistët e arsimit të Bujqësisë në Shkollën e Mesme Bujqësore “10 Dëshmorët” e Trebishtit, ku Shahin Zylfi Hasani linte punën e përditshme në bujqësi dhe turrej me vrap të mësonte brezat e rrinj...

328 views9 comments

Shkrimet e fundit