top of page

“GURËT E KURORËS”


Kadri Tarelli shkruan:


Shqiptarët e kanë treguar gjithë jetën, që janë të zot edhe në kordhë edhe në pendë, edhe me trimëri edhe me ment e dituri. Shqipëria ka nxjerrë shumë njerëz të çquar e me nam të madh…. E me djemtë e saj mburren të tjerë vende e të tjerë kombe. Sami Frashëri


“GURËT E KURORËS”

Bibliografi e diasporës shqiptare në Kanada

Libër madhor, i autorit Mustafë Ismaili

Para pak ditësh, në fillim të vjeshtës së parë, 2021, erdhi në Durrës Mustafë Ismaili, shkrimtar, poet dhe studiues, nga Presheva, apo nga “Lugina”, siç e thotë ai, sot me banim në Kanada. Njiheshim prej kohësh vetëm nëpërmjet shkrimeve, por kafe dhe bisedë drejt për drejt, ishte hera e parë. U kënaqëm si miq të vjetër të letrave, që e gjejmë shpejt gjuhën e përbashkët. Me dhuroi disa libra, mes tyre edhe “GURËT e KURORËS”, Bibliografi e diasporës shqiptare në Kanada”, me titull letrar të qëlluar, që më tërhoqi si me magji, aq sa nuk më lëshon nga dora.

Është libër voluminoz, lidhur e ujdisur mjaft bukur, por më e bukur është gjuha e pastër dhe e krehur imët, kultura e admirueshme e të shkruarit, letrarisht punuar me artin e fjalës, për aq sa lejon një libër “Enciklopedi”, (emërtimi im). Besoj se autori është në një mendje me dijetarin tonë Faik Konica, që thotë: “Gjuha është një tregues i sigurt i gjendjes qytetëruese të një populli”. Është një libër i rëndë për nga përmbajtja, pasi në ato 540 faqe janë përfshirë portretet të rreth 100 “heronjve” të suksesshëm, mërgimtarë shqiptar në Kanada.

Jo pa qëllim në krye të shkrimit kam vendosur pak fjalë të dijetarit tonë të ndritur Sami Frashëri, pasi për shqiptarët që ndrisin e shkëlqejnë nëpër botë, e ka fjalën, por që fatkeqësisht derdhen nëpër botë, pasi nuk i mban vatra jonë.

Autori Mustafë Ismaili, me këtë libër i bën nder racës sonë. Jo pa qëllim ai thekson: “Këtë bibliografi ua kushtoj diasporës shqiptare kudo në botë. Le te jete njëherësh një shtysë e nxitje për kolegët e mi, të pasqyrojnë jetën dhe arritjet e shqiptarëve të shquar e të suksesshëm në gjithë botën”.

Lexoj, kënaqem, bindem dhe krenohem, kur shoh emra të atdhetarëve tan, që shkëlqejnë dhe begatojnë Kanadanë. Vend që u ka krijuar liri, mundësi, kushte e hapësira demokracie, ku secili të tregojë talentin dhe aftësitë e tij. Janë shqiptarë nga të gjitha trojet tona etnikë, përfshi edhe arbëreshë të jugut të Italisë, por që mbajnë me krenari mbiemrin “Albanessi”, siç është znj. Laura Albanesse, ministre e emigracionit, anëtare e Asamblesë legjislative të Ontarios, propozuese e ligjit, që shpalli në parlament në Toronto: “Nëntorin”, “Albanian Heritage Month in Ontario”, (Muaj i trashëgimisë së shqiptarëve në Ontario). Besoj nuk është pak: “Për herë të parë, në nivel kaq të lartë shtetëror, flitet për shqiptarët”, -shkruan autori.

Në vazhdim po vendos disa emra, pjesë e librit “Gurët e kurorës”:

Agako Nuç (Nouch). Çam i dalluar i Kanadasë në biznes, i cili thotë për ne lexuesit. “Një nga cilësitë më të vyera të njeriut në shoqëri është guximi dhe këmbëngulja, që të arrijë qëllimin për punë të mira e të dobishme”.

Kristaq Petraq Turtulli: Emër tepër i njohur në mjedisin letrar shqiptar e kanadez, i cili ka ecur në gjurmët e një kulture kombëtare, që kapërcen kufijtë e dekadave. Vazhdim i traditës familjare, Korçare e kombëtare. Anëtar i Unionit të shkrimtarëve të Kanadasë, botues i shumë librave në shqip dhe anglisht. Ndaj me të drejtë autor Ismaili, shkruan: “Është artisti botëror, është zëri i dy kombeve, i dy kontinenteve, është sfida e viteve, është modeli më i mirë, ura e madhe kulturore mes dy kombeve”.

Liliana Cingu. Mjeshtre e valles së kombit shqiptar. E lindur dhe e shkolluar në Tiranë, me rrënjë nga Gjakova. Ajo shprehet me përvojën e jetës dhe të suksesit: “Gjithkush duhet të përpiqet që të lerë “Emër” në skenën e vet. Skena e jetës ka vend për emrin e të gjithëve”.

Hytbi Tarelli. Artist, mjeshtë i penelit dhe daltës, thoshte shpesh: “Duaje artin, jeto me artin dhe sakrifiko për artin”. Ndërsa vetë autor Ismaili shkruan: “Vepra e shenjtores Nënë Tereza e frymëzonte magjishëm. E admironte si perëndi. E kishte idhull dhe engjëll mirësie, ndaj “çlodhej” kur ulej dhe punonte portretin e apo shtatoren e saj. Nuk kursehej në shpenzime. Arriti deri aty sa të lajë në flori bustin e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, apo të çojë në Prekaz shtatoren e komandantit legjendar Adem Jashari”.

Përparim Kapllani: I ndodhur mes lavdisë së djersës dhe pasionit të shkronjës, shkruan: “Nëse shkrimtarët bëjnë biografinë e shoqërisë, është detyrë të shkruhet edhe për ata që shkruajnë për shoqërinë”.

Dr. Rukije Kondaj. Ka një karrierë të pasur profesionale në fushën farmaceotike, brenda Shqipërisë dhe jashtë saj. Për disa vjet kryetar e Shoqatës së bBashkësisë Shqiptaro-Kanadëze, sot presidente nderi e kësaj shoqate. Është e para shqiptare në Kanada, e nderuar me medaljen, “Queen Elizabeth II Diamond Jubilee Auard”, (medalje “Diamanti i kurorës së Mbretëreshës Elizabet II”. Titujt dhe vlerësimet janë të shumtë. Kureshtja shuhet vetëm duke lexuar faqet e këtij libri, sepse autori shkruan: “Dr. Rukije Kondaj jeton mes ligjeve, mes librave, mes tingujve të këngëve, mes miqësive që rriten çdo ditë. Është një zonjë, herë e hekurt, e herë mes emocionesh”.

Shefik Metalla: Inxhinieri që bashkon dëshirën për punë me mençurinë dhe patriotizmin. Ai ruan shumë mbresa nga vendlindja. Është durrsak gjer në majën e thoit. Ja ç’ thotë ai: “Falënderoj zotin që në shumë drejtime e konsideroj veten me fat. Më janë realizuar dëshirat. ….. Mbarova Universitetin, si ëndrrën më të madhe të rinisë sime dhe bëra një karrierë të suksesshme dhe të ndershme. Unë shpesh kam thënë, që na përzuri i keqi nga vendi ynë…… Pranuam të sakrifikojmë për të fituar. Patëm vizion tjetër për drejtësinë dhe ndershmërinë”.

Naser Berisha. Biznesmen dhe afarist nga Prizreni, i njohur në botën shqiptare, jo vetëm në Kanada. Nga viti 2010, Naseri është themeluesi i shoqatës Shqiptaro-kanadeze në London, që me bindje thotë: “Të huajt mund të na ndihmojnë me ndonjë lëmoshë apo infuzion tranzitor, por nuk na mbështesin gjithmonë”.

Me lejen e autorit po shtoj diçka më shume se ç’ është shkrua në këtë libër. E kam njohur Naserin në rrethana të çuditshme që sjell jeta. Ai kishte vizituar studion e skulptorit Hytbi Tarelli në Toronto dhe kur u ndodh përballë shtatores së Komandantit legjendar Adem Jashari, kishte thënë: “Ky monument s’është për këtu në studio. Vendi dhe nderi i tij është në Kosovë, aty ku lindi, ku u rrit, ku luftoi dhe ra në Prekaz, bashkë me shumë anëtarë të familjes së madhe”. Kështu u tha e kështu u bë. Naseri dhe i vëllai, mjeku i njohur prizrenas Nexhip Berisha, na pritën shqiptarisht në Prizren dhe na shoqëruan me makinën e tyre në Prekaz. Kësaj veprimtarie i kam kushtuar shkrimin: “SHTATORJA E ADEM JASHARIT, nga Toronto u vendos në Prekaz. Kosovë”. Shkrimi u publikua: “Fjala e lire”. Londër. Gazeta “Dielli”, SHBA, etj.

Përmenda vetëm pak emra, thjeshtë sa për të dhënë një ide të përmbajtjes, sepse e meriton të vvihen në dukje vlerat e këtij libri madhor.

Së pari. Autori Mustafë Ismaili: duke qenë prej shumë vitesh veprimtar, nënkryetar dhe anëtar nderi i i shoqatës së bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, ka patur mundësi që t’i njohë personalisht “Heronjtë” e tij, të ulet e të kuvendojë me ata, të cilët natyrshëm dallohen ndër të tjerët. Kështu që është i vërtetë dhe i drejtpërdrejtë për ato që rrëfen. - “Është koha t’i përkasim njëri-tjetrit”. - Shkruan autori, me zjarrin e shpirtit atdhetar, që kërkon mirëkuptim, pajtim e bashkim mes shqiptarësh, ndaj dhe vazhdon:

- Ideja për një libër të zgjedhur, dedikuar diasporës shqiptare në Kanada, më ka preokupuar prej kohësh. Të gjitha organizatat në statutet dhe kryefjalë të tyre kanë kultivimin e vlerave, traditave, kulturës dhe mësimit të gjuhës shqipe…. Shumica e organizatave kanë pothuaj të njëjtën veprimtari: përkujtim të datave të rëndësishme historike dhe festat fetare, aktivitete argëtuese, artistike e sportive. Kështu lexuesit i lind vetiu pyetja: Kush i mbështet dhe i ve në jetë këto dëshira dhe projekte madhore, por të vogla në dukje? Përgjigja është e thjeshtë: Janë njerëzit tanë që venë mendjen dhe zemrën në punë, shpesh edhe pjesë nga pasuria e fituar me aq mund dhe djersë.

Së dyti: Autori, shumë ngjarje dhe copëza jete, i lejon që t’i shprehin vetë “herojtë” e librit, pasi është e pamundur që të gjejë drejtimin e jetës, ndjesitë, uljet dhe ngritjet të gjithsecilit, ku janë vështirësitë dhe përpjekjet, puna e vullneti, dëshira dhe qëndrueshmëria për të mbijetuar, si fillim, e më pas për të qenë i suksesshëm në atë botë të madhe.

Së treti: Jeta dhe suksesi i çdo individi është një dëshmi e rrallë, do ta quaja, model që frymëzon të madh e të vogël në mbarë botën Shqiptare. Diku kam shkruar, kur bëhet fjalë për leksikologun Sadulla Zendeli-Daja, nga Gstivari, mërgimtar i viteve 1960, në Suedi: “Më kot hallakaten autorët e teksteve të leximit letrar, (libër mësimor në shkollat tona), për të gjetur shembuj edukues ndaj dashurisë për punën dhe mëmëdheun. Mësimet i kemi të gjalla mes shqiptarëve”. K. Tarelli. “Kur lexoj një libër.

Së katërti: Me sa e njoh unë veprimtarinë e shoqatave shqiptare në mërgim, meqënse me disa kam lidhje letrare e bashkëpunim të hershëm, vepra e autor Isamilit, është një shembull i veçantë dhe i përkryer, për të vënë në dukje veçoritë e shqiptarëve të suksesshëm në mërgim, rruga që duhet ndjekur dhe, jo për t’i mburrur.

Së pesti: Libra të tillë e kanë vendin mbi oxhak në “Odën e burrave”, apo në dhomën e pritjes, jo për zbukurim, por t’i shikojnë e t’i lexojnë herë pas here të rinjtë, sepse kanë ç’të mësojnë nga përvoja e brezave: Suksesi kërkon punë, durim, trimëri dhe mençuri, sakrifica dhe shpirt krijuesi. Ndryshe mbetesh në vend, s’ke kujt t’i ankohesh, veç vetvetes.

Në mbyllje po shtoj fjalët e Namik Selmanit, publicist, poet, shkrimtar e studiues, i cili në hyrje të këtij libri, shprehet: . “Unë do të quaja “Libri i jetës”. Libri i Mustafë Ismailit ia vlen të jetë libër i familjeve tona, qofshin në mërgim apo qofshin në trojet amtare ku jetojnë.

Përshëndetje dhe urime autorit!

Libra të tjerë të këtij lloji dhe këtij niveli, presim në të ardhmen, pasi historia nuk mbaron këtu.


Kadri Tarelli

Durrës më: 07, të vjeshtës së parë, 2021.

17 views1 comment

1 ความคิดเห็น


kadritarelli
08 ก.ย. 2564

KY liber i Mustafë Ismailit, ështe krenari per shqiptaret, por me shume per mergimtaret shqiptare ne Kanada. Faleminderit autorit te librit dhe "Fjala e lire", qe publikon kete shkrim.

ถูกใจ

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page