top of page

GURËT E FSHATIT TË DJEGUR


Kostandin Vogli-poezi të reja

RELIKET E FSHATIT TË DJEGUR

Mbaj mënd

Që nga fëmijëria ime

Se si merrnim rrugën

Të thyera,

Drejt fshatit të djegur

Dhe kërkonim sende të ngelura,

Shumë të vlefshme.

Me ato enë,

Kishin ngrënë e pirë nuset,

Vajzat e fshatit,

Djemtë trima.

Me ato filxhanë kishin pirë kafe

Stërgjyshërit tanë.

Me ato kana prej balte kishin gostitur

Pirë verën e rakinë,

Burrat dhe djemtë e rritur,

Të zotë

Për të përdorur armët,

Parmëndën e krrabën.

Të argasur me detin.

Rezistentë tu jepnin rremave.

Ëndrrat e tyre u prenë dhe heshtën.

Siluetat e atyre shtëpive,

Mbi shpatin e malit u zhbënë.

Historia u struk,

Por u rrënjos.

Mendimet u kositën si tërfili në fushë.

Buzëqeshjet u shkoqën nga buzët,

Si petalet e trandafilit

Të këputura nga duar gjaksorësh.

Trupat e tyre u rrëzuan

Të shkundur,

Si dardhat e pjekura

Për tu kalbur e ngrënë nga parazitët.

Nuk dëgjohen më kambanat

E dynbëdhjetë manastireve e kishave.

Oshëtima therëse

Nga tragjedia që kaloi

Hedhin valle fantazmat e Aliut.

Mbi dy shekuj kanë kaluar.

Sa zogjë e gjinkalla kanë kënduar,

Dallandyshe nuk cicëruan më.

Në ato mure të braktisura nuk ndërtuan më fole.

Sa zëra fëmijshë,

Sa qarje lindjesh e lotë për të vdekur.

Lule nuk mbinë më.

Vazot e luleve u thyen.

Dergjur akoma rrëpirave e shkurreve.

Aroma lulesh nuk ndihen më.

Arome vajzash e djemshë të dashuruar.

Nga brënda mureve nuk dëgjohen më këngë

Të ngritura nga plakat e fshatit.

U trëmbën këngët.

U arratisën në të tjera fshatra.

Aty heshtën.

Ai vend kishte heshtur.

Kishte vdekur.

Kjo ishte dëshira makth e Aliut,

Kriminelit të mynxirshëm që ngjethi kohërat.

Njerëz kishin vdekur, por jo të gjithë.

Shumë prej tyre

Jetuan, u kthyen, u shtuan

Dhe ndërtuan një fshat të ri.

GURËT E FSHATIT TË DJEGUR

Sa këmbë i kanë shkelur ato gurë

Të shtruar pragjeve,

Oborreve,

Rrugicave

Të latuara nga shollët e këpucëve

dhe gomat e opingave,

shumë më tepër se latimi i daltave.

Latimi nga këmbët,

Ishte kronika më besnike.

Ishte aleanca e shënjtë

Midis njeriut dhe gurit.

Sa harqe portash e dritaresh,

Sa pragje e oxhaqe,

Që tregonin shekujt e jetës

Të këtijë fshati.

Shtëpi me gurë e fshatit para mesjetar.

Plusojnë

Frymët e të parëve,

Ku shumë prej tyre akoma,

Sikur flasin mes gurëve,

Me rrahje zemrash.

Dhe ngrenë duart nga varret

Duke treguar me gisht,

Gurët.

Gurët e fshatit të djegur

Të larmishme.

Kulla me gurë

Përballë panoramës madhështore

Të kohës.

Dhoma legjendare që u zhdukën

Në brezin e malit.

Mendime më kalonin nëpër tru,

Si bashkëfshatarëve të mi

Kur ishin gjallë

Dhe vdiqën

Për të mbrojtur ato mure,

Shtëpitë,

Ato tradita,

Kujtesën historike.

Historia u struk, por u rrënjos.

Mendimet u kositën si terfili në fushë.

Buzëqeshjet u shkoqën nga buzët

Si petalet e trandafilit,

Të këputura nga duar gjaksorësh.

Trupat e tyre u rrezuan ashtu si gurët

Dhe u dëgjuan oshëtima therëse

Nga tragjedia që kaloi.

ULLINJTË DHE KAPEDANËT

Qindra vjeçarët ullinjë

Flasin shumë.

Flet ekzistenca e tyre.

Flasin ata,

Se janë vetë historia.

Ja ulliri ku i varën katërmbëdhjetë kapedanët.

Më thotë,

Se të katërmbëdhjetë degët ju thanë,

Njëzetetete lastar të rinjë

Lëshova.

Flasin gjithë ullinjtë në mungesë të mureve.

Eshtrat e kapedanëve pa kokat e tyre

U shndërruan në kujtesë.

Trupat pa koka.

Ndërsa kokat pa trupa të ngulura në hunjë,

Jusufi i zi,

Ja shpuri Aliut shpirtzi në Prevezë të gëzonte.

Trupat ngelën pa u varrosur.

Sipas një riti të moçëm

Shkuan në çdo rrënjë ulliri

Për të mbajtur gjallë njerëzit që shpëtuan

Dhe trupat

Të lyheshin me vaj,

Për të mos u kalbur.

Dëshmi për të pasmit.

Për të kryer një akt shënjtërimi

Si Krishti i vajosur për të qënë i pa vdekshëm.

Në kujtesën lëvizëse,

Për të burrëruar ata që do të rilindnin.

Ishte një sakrifikim

NJë Golgotë në natën e shënjtë.

Nga vepra e tyre njerëz të rinjë

Do të përthithnin

Trimëritë e këtyre kapedanëve,

Përmes lëngut të ullirit,

Sepse atë dru

E kishin shënjtëruar ata.

Dhe ai lëng

Qe kthyer në gjak të ri,

Ardhur

Nga gjaku i të parëve.

Ullinjë të lartësuar drejt qiellit

Trungje trashë

Të deformuar,

Bërë zgërbonja nga shekujt e rendë.

Shalgjatë,

Hije rendë,

Dy tre binjakësh që ngrihen nga dheu

Si pleq të madhërishëm.

Kujtonin historinë ndoshta,

Nga koha e Skënderbeut.

Ato trungje ashtu flasin.

Gunga të formuara në vite,

Si fytyra pleqsh legjendar me sy e gojë,

Me mustaqe të mëdha,

Me mjekra.

Shëmbulltira të tilla

Kanë shumë ullinjë.

Ndofta në vite

Janë stamposur fytyrat e atyre

Që ishin shtrirë nën ta

Dhe pinin vajin e ullinjve.

Gratë

Duke mbledhur kokrrat e zeza

Ndienin

Shpirtrat e të vdekurve.

U dukej se ishin aty

Nëpër lëmenjë

E nëpër degë.

Se shpirtrat e tyre përziheshin

Me shpirtrat e atyre.

Dhe ne kur ishim fëmijë

Varrosnim

Së bashku me nënat tona

Kockat e pa varrosura,

Pjekur nga Dielli në vaj ulliri.

P astaj

Hapronim rrugicave.

Luanim,

Ëndërronim brënda mureve,

Nëpër portat me harqe,

Nën ullinjë.

Mendonim për kapedanët.

Në çaste euforie edhe ne

Na dukej vetja Kapedanë!

HALLA IME

Sikur të ktheja kokën pas

Do kërkoja ndihmë,

Se nuk do isha në gjëndje

Në kohë të rikthehesha.

Do shpërndaja hapsirën të kthjellohej.

Do trazoja tufat e reve

Dhe një reze Dielli do kërkoja

Të më shfaqte ylberin

Të lundroja në ato ngjyra

Dhe të gërmoja kujtimet mal më mal,

Fushë e pyll.

Të kërkoja ndihmën e Perëndisë

Të më shfaqte para shpirtin e hallës time,

Ecila

Lundron në hapsirën e fshatit të saj,

Se e di që ka mall, ashtu si kam edhe unë

Tani flokëbardhë.

Ndihem komod kur shkruaj

Për atë që kam dashur shumë.

Halla ime

Me shami e rroba të zeza

Me fytyrë të hollë e sy ulli.

Shtati i gjatë në ëndrrat e mia.

Goja e sajë fjalëbutë.

Koha ndryshon, por nuk ndalet.

Retë të mos shkarkojnë a ndalen,

A ndalohet dimri me ngrica?

As shiu me vetetima.

Nuk ndalej dhe halla ime, por përpara.

E priste fusha,

Pylli,

Mali,

Hallet,

Vuajtjet.

Jetoi një jetë që nuk i përkiste.

Oh, halla ime!

Ke luajtur me jetën e vdekjen.

Ke ecur në baltë e në gjëmba.

Nëpër rrugë me gurë e pluhur gjithmpnë ngarkuar

Me barren me dru,

Bucielën me ujë…

Djersitur,

Gjakosur e zvarritur në dy luftra.

Zemrën nuk e linte në siklet.

Ishte një thesar

Jo vetëm për mua që më mbante në gji

Dhe të dy të uritur

Hanim nga një përshesh me kos.

Në shtëpinë ku jetoje e rritje fëmijë

Ke patur një yll.

Prandaj aty kumbonte e qeshura

Dhe coptoheshin hallet

Sipas mesazhit të fjalës.

Nuk i harroj përqafimet e saj

Isha nipi më i dhëmshur.

Nuk është çudi,

Pse më dalin në ëndrra

Oborri,

Shtëpia

Dhe portreti i saj.

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page