top of page

GRUAJA MË THOTË: “BURRË FRIKACAK”


Vullnet Mato

Vullnet Mato

GRUAJA MË THOTË: “BURRË FRIKACAK”

Ndonëse në lagje koronavirusi doli në shesh,

Gruaja ime akoma nuk e paska marrë vesh,

Se si të moshuar kemi rrezik të shkojmë për lesh

Dhe kur e këshilloj të ruhet shumë, fillon e qesh.

Më thotë me plot gojën, se qenkam frikacak,

Që trembem nga çdo gjë dhe laj duart pa shkak,

Që pasi prek perimet e blera me shumë merak,

Dezinfektoj duart me alkool 95 gradë e lart.

Shkulet gazit kur i shkoj anash dhe i rri larg,

kur këpucët e mia i lë jashtë derës, në prag,

kur i kap paratë me majën e një pince të gjatë,

dhe i shoh egërsisht, sikur kap ndonjë xhelat.

Më shan, kur i them nipit të ardhur nga larg,

Të mos hyjë brenda, po të presë te dera jashtë,

Derisa ne t’i japim atij porositë, të dy bashkë,

Për ushqimet e nevojshme nga mëngjesi në dark.

Zemërohet kur mbulesat e poltronit kam zhubrosur,

Pasi vërtitem aty gjithë kohës, si ndonjë i burgosur

Me mjekrën të parruar dhe fytyrën të katranosur,

Gjatë kësaj karantine, që duket se nuk ka të sosur.

Nuk jam unë që vendos këto rregulla kaq të rrepta,

Po vet koronavirusi, që na bën kanosje të shpeshta,

Me moshatarët që merr përqark, për në varreza

Dhe në këtë pranverë lulesh, vesh gratë me të zeza.

Janë gjithë kanalet televizive që shohim gjatë ditës,

Që bëjnë thirrje të kujdesemi, për rrezikun pritës,

Duke dhënë shifrat e vdekjeve, me ton tronditës,

Në gjithë shtetet e botës, ku vepron virusi kositës.

I them, të vlerësoj si grua të palodhur e trimëreshë,

Për të na mbajtur gjallë me spinaq, karota e presh,

Por ky vrasës nuk është mizë, mushkonjë, as plesht,

Është hiç i tmerrshëm, që t’i bën mushkëritë përshesh.

I them: Moj, grua, unë nuk trembem kot së koti,

Po kam parasysh thënien: “Ruhu, të të ruaj Zoti!”

Se edhe sikur të isha trim, si Gjergj Kastrioti,

Ky virus, ta bën shpatën, të kullojë pika loti!...

Ngjaj si eremit i kohëve të lashta mesjetare,

Mbyllur brenda shpellës sime shqiptare,

Ku nuk shkruaj muret e gurta, me figura fetare,

Po shkruaj kusuret e pasigurta, të ikjes për fare...

65 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page