Gremisjet e një shkrimtari të talentuar


Bedri ALIMEHMETI


"Gremina e dashunis" dhe gremisjet e një shkrimtari të talentuar



Sapo isha ndarë me heronjtë e letërsisë policeske, pra i kisha thënë lamtumirë romaneve të "kolanës së verdhë", që në ato vite ishte rreptësisht e ndaluar për t'u lexuar e aq më tepër për të qarkulluar (nën dorë siç bënim ne) dhe kur them kështu bëhet fjalë për serinë e romaneve të shkrimtarit Edgar Ëallace si, "Rrethi I kuq", "Kompania e bretkosave", "Ndënshkrimi i spiunit", apo romanet "Joana e katër katrorve", "Misteret e Luvrit", " Dy të vdekur në një qivur", "Aventurat e Allen Pinkertonit" etj, të autorëve të ndryshëm apo "Sherlock Holmesi" i Kenon Dojlls etj, dhe isha dhënë i tëri pas leximit të romaneve rozë sentimentalo - dramatikë të "kolanës rozë" si: "Bija e mallkuar", "Lypsja e urës", "Dashuri fatale", "Foleja tragjike e dashurisë", "Manon Lesko", "Ura e psherëtimave" etj, derisa një natë tek rrëmoja në morinë e librave, në atë raftin e futur në mur, në fund të "odës së madhe", siç i thonim ne dhomës së zjarrit, ku rrinim më ra në dorë romani "Gremina e dashunis" i Mustafa Greblleshit. E shfletova me kujdes dhe sapo përpiva rrjeshtin e parë nuk e lëshova më nga dora, madje nuk lëviza as nga vendi. Aty ku isha në atë qoshe, lexo e lexo, derisa e mbarova, ndërkohë që faqen e fundit e kisha qullur të tërën si pakuptuar me lotët, që më kishin rrjedhur nga dhimbja për fatin tragjik të Memlit e të Margeritës. Kur ngrita kokën në dritare pashë se nga Dajti po feksinin rrezet e para të agimit.

Po cili ishte Mustafa Greblleshi? Autori i këtij romani të mrekullueshëm, që më kishte magjepsur e më kishte lënë kaq shumë mbresa dhe përshtypje? Për mua deri në atë kohë ishte krejtësisht i panjohur. Emrin e tij nuk gjeja në asnjë titull në vitrinat e librarive të Tiranës. Vetëm një gjë më gëzonte së tepërmi, fakti që nga gjuha e të shkruajturit dhe nga ambientet që përshkruante në roman, më qe krijuar bindja, që ai duhet të ishte tiranas. Po kë të pyesja unë trembëdhjetë vjeçari i atëhershëm, im atë kishte vite që dergjej në burg, nëna po ditë natë mbi makinën qepëse, për të na siguruar bukën e gojës! Atëherë pyeta gjyshin.

- E njof, - tha - posi, Liun e Cakut, e njof mirë fort bile.

- Jo Liun e Cakut more gjysh, - këmbëngula unë - po Mustafa Greblleshin.

Ai vuri buzën në gaz dhe tundi lehtë kokën, që ia hijeshonte aq bukur qeleshja tironce, e gjatë dhe e bardhë si bora në majën e malit të Dajtit.

- Nigjo lalën ktuna, - shtoi ai gjithnjë në dialektin tiranas ëmbëlsinë në akcentin e të cilit im gjysh e kishte të veçantë - Liu i Cakut osht pseudonimi i Mustafa Greblleshit, çunit të Hamidit, që e vranë kto (në gjuhën e tim gjyshi pushtetarët komunistë ishin përjetësisht të përemëzuar) sa vunë komën m'Tironë. Me kët emën shkrujte disa gjona t'bukra fort Mustafaj me gjith Himën e Hasnojt (Ibrahim Hasnaj), që përdorte emnin Cen Qytyku. Na knoqshin fort ke gazeta "Bashkimi i Kombit" ene ke revista "Njeriu", për kët revistë biles që ishte me sens fetar, kom dhonë ene una lala jot pare me u shtyp. Po nishti si lojn kto. Të dy i futën në burg kot fare. Mustafan e majtën nja dy vjet ene e lirun, kurse për Himën nuk di gjo, a ka dalë apo s'ka dalë hala i shkreti Himë, ka qenë shoku i Xhemolit tonë, kon luftu të dy m'Kosovë".

Dhimbjes që ndieja për Memlin dhe Margaritën iu shtua edhe dhimbja për krijuesin e tyre të talentuar, që nuk e linin më të botonte. Po ku ishte ai tani, ç'punë bënte, me se merresh? Këto pyetje ia bëja shpesh vetes në ato ditë, ndërkohë që romanin e lexova për së dyti dhe për së treti. Ua dhash edhe mjaft shokëve e shoqeve të klasës për ta lexuar dhe e ruaja si gjënë time më të shtrenjtë.......

Intermexo

Në shpirtin e në zemrat e tiransve

Dy shkrimtarët e shquar tiranas, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Mustafa Greblleshi në mënyrë të padiskutueshme janë autorët më të dashur e më të lexuar nga banorët autoktonë të kësaj treve. Edhe pse të persekutuar, burgosur e nëpërkëmbur nga regjimi diktatorial ata kanë qenë dhe kanë mbetur tashmë përjetësisht në shpirtin e në zemrat e tiransave, të cilët asnjë herë e madje kurrën e kurrës nuk i kanë harruar, krijuesit e palodhur, që në themel të veprave të tyre kanë trajtuar gjithnjë, e madje si askush duke ngjitur në vendin që meriton të jetë,Tiranën qytetin e tyre të shtrenjtë. Madje, pikërisht për këtë dy librat e tyre vërtet kryevepra "Patriotizma më Tiranë" e Hafiz Ibrahim Dalliut dhe romani "Gremina e dashunis" e Mustafa Greblleshit, anatemuar keqas e ndaluar gjatë gjithë ekzistencës së pushtetit komunist, jo vetëm i kanë lexuar, por edhe i kanë ruajtur ndër vite me shumë dashuri e kujdes të ve[antë. Ndër vite nonat, momat apo më saktë ijet e dhembshura shpirtbardha, si[ i thonë tironcit, sipas porosive të [unave i ruanin ato ndry me [elës në arkat e tyre personale. Mbështjellë me pëlhura mëndafshi, i mbanin aty bashkë me gjërat më të shtrenjta të familjes, relike të vërteta.

.....derisa një ditë krejt papritmas u ballafaqova dhe me një fakt tjetër, që e lëndoi edhe më shumë zemrën time ende të njomë.

Po kthehesha nga shkolla, kur gjyshi që rrinte çdo ditë te furra e Tut Huqit mikut të tij, aty përballë shkollës "Lidhja e Prizrenit" afër teqes së Dervishe Hatixhes ma bëri me shenjë që t'i shkoja pranë. Furra po lyhej atë ditë, gjyshi shtjeu kokën në derë dhe thirri njërin nga bojaxhinjtë.

- Nji ky osht nipi im o Mustafa, - i tha - atë rromancin tat se lësho pri dore, kush di sa herë e ka kënu!

O Zot përpara meje ndodhej Mustafa Greblleshi! Autori i romanit "Gremina e dashunisë", i ndotur me gëlqere, me furçë në dorë dhe me kapele prej letre në kokë. Më vinte të qaja, të ulërija kur befas në sup ndjeva të më mbështetej dora e tij dhe dëgjova një zë të ëmbël e tepër njerëzor të më fliste:

- Të pëlqen letërsia?

- Po, - i thashë.

- Po për të shkruar, ke dëshirë?

Unë pohova me kokë.

- Atëherë duhet të lexosh sa më shumë, - më tha - mos harro lexo sa më shumë, sepse vetëm paskësaj do të arrish të shkruash bukur.

Dhe për herë të parë u pamë sy ndër sy. Vallë sa halle e brenga fshiheshin në thellësi të atyre syve, që kishin aq dritë, aq dritë sa nuk di se si t'ua them. Ky qe takimi im i parë dhe i fundit me Mustafa Greblleshin.

Më vonë kur unë hyra në gjimnaz dhe nisa të frekuentoja "Broduejin", Mustafa Greblleshin, nuk them shpesh por më rastiste jo rrallë ta shihja tek kalonte nëpër "Broduej"- in tonë mbi biçikletën e llangosur me gëlqere, me dy kovat e bojës në timon dhe me shkallën dyshe mbërthyer fort në supin e kominosheve prej doku.

Më ndrydhej zemra sa herë që e shikoja dhe më vinte të thërrisja: O tempora! O mores! (latinisht: O kohëra! O zakone!) siç shprehej ai në një moment dramatik, në faqet e romanit të famshëm. Kur i tregova Nezit, shoqes time të klasës, një bojaxhi me biçikletë tek merrte kthesën n