
(Arkiva tek Fjala e Lirë, e shtunë, 25 Prill 2009 22:43:41 GMT)
-Poezia postmoderne e një niveli evropian-
Ka poetë dhe shkrimtarë që vijojnë të shkruajnë për një periudhë të gjatë pa tërhequr vëmendjen e bashkëkohësve dhe lexuesve, derisa mbërrijnë në një fazë të krijimtarisë së tyre, e cila ndryshon kryekëput nga të gjitha fazat e mëparshme, duke njohur një ngritje katapultuese estetike, ndryshim të të gjitha koordinatave shkrimore, motiveve, zgjerim të hapësirshëm të përceptimit, gjuhës, procedimit, vetë identitetit të tyre. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh me poetin Petraq Risto.
Libri i parë mbase tjetërndryshe nga historia e tij e mëparshme të botimeve në poezi, konsiderohet vëllimi poetik “Lojë shahu në shekullin XXI", botuar në vitin 2005. "E konceptuar si një lojë kozmike shahu", vëllimi poetik, thotë poeti në parathënie "çdo poezi është një gur shahu apo një lëvizje e saktë ose e gabuar që bën pjesë në metaforën e gjallë të shahut në këtë shekull të ri që siç duket do të jetë një lojë shahu mes qytetërimeve dhe tolerancës njerëzore".
Në njëqind e pesëdhjetë poezitë e këtij libri, loja globale e shahut zhvillohet në: New York “Ku kullat binjake u kthyen nga terroristët në dy kuaj druri që morën flakë", Uashington, buzë lumit (L)ibër, Bermundë, Rripi i Gazës, Babiloni, Durrës, Kulla Ejfel, Shqipëri, kopshti i Edenit, Aushvic, Izrael, Rusi, Trojë, Evropë, Bagdad, lumi Tigër, Qerbela, plazhet e Adriatikut, Gjirin Persik, Kolumbi, arkën e Noes, Shtëpinë e Bardhë, Tiranë, Aleksandri, Mitrovicë, Hënë, Manhatan, Nojengam, Pellazgji, Ferr, Purgator, Parajsë, Boston, Kulla e Pizës, Muri i Madh kinez, kullat binjake në Manhatan, Tokë (shqip së bashku, tok).
Lojtarët e shahut global të Petraq Ristos janë: Pitagora, Davidi, stërgjyshi Pal, Shën Pali, Kronosi, i ati Thanas, Neroni, Krishti, e bija Sidorela, Zoti, Djalli, Jasoni, Medea, Moikom Zeqo, Sokrati, Eva, Adami, Alen Ginsbergu, Majkëll Xheksoni, Trumani, Ruzvelti, Çërçilli, Stalini, Kenedi, Klintoni, Çaplini, Ajnshtajni, Madona, Laura, Otello, Shekspiri, Galileo, Arnold fon Harff, Arabi Mahfuz, Hamleti, Ali Pasha, Zhozefina, Hitleri, Borhesi, Odiseja, Makbethi, Kaligula, Da Vinçi, Mona Liza, Kaini, Abeli, ushtarë të bardhë e të zinj, oficerë të CIA-s dhe FBI-së, Statuja e Lirisë, guvernatori Giuliani, Prometeu, Gjergj Kastrioti, Kolec Traboini, Faik Konica, Diana, Frojdi, mbreti Lir, të pagjumët e botës, Fatos Tarifa, ushtarët e KFOR-it, Noli, Servantesi, Fishta, Kadare, Homeri, Markezi, Muhameti, Uollt Uitman, Pandora, Euridika, Mefistofeli, Jago, Tolstoi, Ezra Paund, Juri Gagarin, Pikaso, Moisiu, Marksi, Bilal Xhaferri, Maria Magdalena, David Koperfildi, Papa, Sheherazade, Dante.
Lënda e parë e librit është historia e njerëzimit, e cila përsërit vetveten me po atë ironi, paradokse, krime, luftëra, tmerre dhe dashuri të lashta. E gjitha është një lojë e përbotshme shahu e zhvilluar në mijëravjeçarë, ku lojtarët vetëm ndërrojnë emrat, format. Këtë poeti e thotë i ulur në Karrigen e të Vërtetës, e cila nuk të lejon të gënjesh për lëvizjet mashtrimtare të lojtarëve që humbin dhe fitojnë duke e kthyer tokën në një arenë beteje ku historia klonohet pambarimisht nëpër shekuj.
Toka është një fushë gjigande me kuadrate, ku poeti mundohet të gjej kodin e saj, të bëj lojën e vet, lëvizjet e tij. Ndryshimi i madh që ka ndodhur në perceptimin e poetit, ka të bëj me faktin që tani ai e kundron veten si një lojtar global dhe loja e tij zhvendoset në kohë dhe hapësirë, pareshtur, duke marrë një dimension universal. Poezitë e tij, më së shumti janë të shkruar në zemrën e nxehtë të konfliktit modern, në New York, te libraria “Barnes & Nobles" ku ai shfleton historitë e qytetërimeve që përplasen.
Kryemotoja e librit është loja e shahut si metaforë. Ajo zhvillohet gjithmonë: "Çdo mëngjes marr një gur shahu në xhep (të bardhin)/Dhe ti dashuria ime çdo mëngjes/një gur shahu merr me vete (të ziun) /dhe zbresim në Tiranën tonë me kuadrate/skakierë gjigande ngjyrëmiu", (Poezia, “Lojë shahu në Shekullin XXI”). Struktura poetike post-moderniste krijohet edhe nga loja e shahut, e cila vjen si kujtim për lojëra të zhvilluara në të kaluarën "Mbaj mend, bija ime/Hirushja ime me këpucën dhe zemrën peng matanë Atlantikut/luanim shah: më kapje mat në plazhet e Adriatikut/ (poezia lojë shahu në New York,) dëshirë për të luajtur me miqtë "edhe pse lojtarët-gurë/janë të vdekurit tanë në amëshim".
Loja e shahut vjen edhe si dëshmi e një loje imagjinare shahu ku figurat prej mermeri lëvizin nëpër kuadratet e qyteteve nëpër të cilat udhëton poeti bashkë me historinë dhe simbolikën që u ka dhënë koha duke fituar ose humbur në mjegullën e përfytyrimeve, të cilat shumë herë bëhen të gjalla, sikur ndodhin para syve sikurse në poezinë “Lojë shahu buzë lumit (L)IBËR" ku fataliteti i ndarjes më dysh të Mitrovicës nga lumi Ibër jepet përmes përshkrimesh dhe lëvizjesh të dridhshme dhe rrënqethëse: (Luajmë shah me qen që ndjekin fëmijë/me fëmijë të mbytur, të përgjakur/shah me tanke të bardhë e të përflakur/shah: ura ylber ku e zeza me dhunë ka ardhur/veç tragjedi lexojnë valët, veç tragjedi/ne luajmë shah me kisha/ata me xhami).
E veçanta e lojës së poetit bëhet tërheqëse sidomos në lojën me fjalët, e cila shkon te rrënja e tyre thuajse deri në marrëzi. Kjo vihet re sidomos në vargje që shërbejnë si refrene ose kumte të përsërituara brenda së njëjtës poezi. Veçojmë disa shembuj: "Pellazg do të thotë Pjell në ag ose Pjell Azgan/Zeus për Pellazgët do të thotë Zë-ri por mbase edhe Zjeu/ Prometeu për Pellazgët do të thotë Premtim/ Epimateus për Pellazgët do të thotë Epsh martese/ Pandora për Pellzgët do të thotë Pa në Dorë….." (poezia 'Pandora"). Ose: "Londër Londër Londër…Lodër Lodër Lodër" "Berlin Berlin Berlin/ Bjer)lind (Bjer)lind (Bjer (lind), Kali-gulas…(Kali i Trojës plus Arqipelagu Gulag), 'toka mëmë quhet dhe trojë (t'rrojë)…. Kjo lojë me fjalët vazhdon edhe në librin “Engjëlli me virus H5n1", ku siç përcakton dhe sudiuesi dhe poeti Anton Papleka "ky engjëll prek hera herës edhe motive të mëparshme, por duke vazhduar me poezinë si palimpsest dhe këngë".
Vëllimi poetik “Lojë shahu në Shekullin XXI", dymbëdhjetë ciklet e librit me poezi “Engjëlli me virus H5N1", (me të cilin numri i lojtarëve, lojërave dhe kumteve shtohet bashkë me magjinë poetike) si dhe vëllimi me poezi “Halleluja" (kurora e këtij Trekëndëshi Bermude) përbëjnë, sikurse është vlerësuar nga kritika, një “përtëritje estetike", që e zhvendos poetin shumë kuadrate përpara në skakierën e poezisë bashkëkohore.
Comments