top of page

Gladiola Jorbus: Disa shkrime për arsimin


1.     Rëndësia e kompjuterit në shkollë

                       Përse është efektiv përdorimi i kompjuterit në shkollë?

Në shoqërinë e sotme digjitale, kompjuterët janë bërë pjesë e pazëvendësueshme e edukimit. Përdorimi i tyre në shkolla ka revolucionarizuar mënyrën se si nxënësit studiojnë dhe ndërveprojnë me informacionin. Nxënësit mund të kenë mjaft përfitime nga qasja e pakufizuar në informacion.

Pikësëpari kompjuterët u japin studentëve akses të shpejtë dhe të lehtë në një sasi të madhe informacioni. Nëpërmjet internetit, studentët mund të gjejnë fakte, artikuj kërkimorë dhe burime të tjera që plotësojnë tekstet e tyre shkollore. Kjo promovon të mësuarit e pavarur dhe të menduarit kritik.

Së dyti mund të themi se platforma të tilla si: Google Classroom dhe Microsoft Teams kanë përmirësuar ndjeshëm komunikimin midis studentëve dhe mësuesve. Tashmë këta të fundit mund të ndajnë materiale, të bëjnë komente, të japin detyra dhe të zhvillojnë mësime virtuale, duke e bërë procesin mësimor më fleksibël.

Ndër të tjera, kompjuterët i lejojnë studentët të organizojnë shënimet, detyrat dhe projektet e tyre në mënyrë më efikase. Shërbimet si Google Drive u lejojnë nxënësve dhe studentëve të aksesojnë dokumentet e tyre nga pajisje dhe vendndodhje të ndryshme. Kjo zvogëlon nevojën për libra dhe letër fizike, faktor që ndikon pozitivisht në mbrojtjen e mjedisit.

Kompjuterët mundësojnë vazhdimisht mënyra të reja dhe inovative të të mësuarit. Nëpërmjet programeve ndëraktive, lojërave dhe simulimeve, studentët mund të angazhohen me lëndë të ndryshme, në një mënyrë më dinamike. Kjo mund ta bëjë mësimin më interesant dhe motivues.

Përgatitja për të ardhmen është një synim me peshë të veçantë. Kompetenca digjitale mbetet thelbësore në tregun e sotëm të punës. Përdorimi i kompjuterëve në shkollë u jep nxënësve aftësitë e nevojshme për profesionet e së ardhmes. Ata mësojnë të përdorin softuer të ndryshëm, të trajtojnë mjete digjitale dhe të zhvillojnë aftësi për zgjidhjen e problemeve.

Gjithashtu teknologjia luan rol edhe në rritjen e vetëbesimit tek të rinjtë duke u mundësuar atyre të kryejnë detyrat në mënyrë të pavarur. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për studentët me aftësi të kufizuara në të nxënë, pasi kompjuterët mund të ofrojnë mjete të personalizuara mësimore dhe mbështetje.

Së fundmi duhet të pohojmë se kompjuterët në shkolla nuk janë vetëm një mjet për të përmirësuar arsimin, por edhe një domosdoshmëri për të përgatitur studentët për një të ardhme digjitale. Duke integruar kompjuterët në mësimdhënie, krijohet një mjedis mësimor më tërheqës, më efikas dhe gjithpërfshirës.

 

2.     Vlera e bukurshkrimit

 

Përse është e rëndësishme që në epokën e teknologjisë të shkruajmë me shkronja dore?

Në radhë të parë shkrimi i dorës është thelbësor për procesin mësimor. Paraqitja e shkronjave përmes shkrimit nuk ka të njëjtin efekt si të shtypurit në tastierë. Disa studiues mendojnë se lëvizjet e duarve gdhendin  ‘’gjurmë kujtese’’ në trurin e fëmijëve. Lëvizjet e duarve luajnë një rol qendror në zhvillimin e trurit dhe ndihmojnë në përmirësimin e aftësive të shkëlqyera motorike.

Shkrimi i dorës mund të na ndihmojë të përqendrohemi më mirë, gjë që është e rëndësishme për të mësuarit efektiv. Ai inkurajon të menduarit krijues dhe të lirë dhe na jep kohë për të reflektuar mbi atë që shkruajmë. Gjithashtu na siguron një shkëputje nga stimulimi i vazhdueshëm digjital, i cili mund të zvogëlojë lodhjen mendore dhe të përmirësojë mirëqenien tonë.

Vëzhgimi i dorës së mësuesit teksa formon një shkronjë përbën bazën që e njëjta lëvizje të pasqyrohet dhe të lindë edhe në trurin e fëmijës. Gjithashtu shkrimi i dorës zhvillon aftësi të rëndësishme për të gjitha lëvizjet precize dhe funksionet se si mbahet dora. Ky proces ka rezultuar të jetë i rëndësishëm për të gjithë procesin shkollor.

Meqenëse bukurshkrimi përbën në vetvete një ecuri më të ngadaltë se tastiera nxit nxënësin të formulojë sipas mënyrës së tij, gjë që mund të ndikojë në të menduarit më të lirë dhe më kreativ. Shkrimi personal është ndër të tjera, një tipar i rëndësishëm i dimensionit të identitetit të dikujt.

Marrja e shënimeve me shkrim dore kur dëgjojmë përmbajtjen e një mësimi a bëjmë konspektin e një vepre apo leksioni të caktuar, nënkupton që ne filtrojmë dhe modifikojmë automatikisht informacionin. Shkrimi i dorës forcon aftësinë për të përforcuar kujtesën dhe shoshitur materialin. 

Për më tepër, ai zhvillon inteligjencën, prakticitetin dhe mjeshtërinë tonë duke na forcuar vetëbesimin. Po të marrim shembull zejet dhe zanatet e ndryshme do të kuptojmë se ato janë kombinim i duarve dhe i intelektit. Kjo forcon besimin e gjithkujt në realizimin dhe përballimin efektiv të detyrave të përditshme dhe pasioneve të tij.

Shumë ekspertë të arsimit kanë theksuar rëndësinë e shkrimit të dorës si për shembull, studimet nga studiuesit në Universitetin Princeton dhe Universitetin e Kalifornisë kanë treguar se studentët që shkruajnë me dorë priren të kuptojnë dhe mbajnë mend informacionin më mirë sesa ata që shkruajnë në kompjuter. Përveç kësaj, studimet neuroshkencore kanë treguar se shkrimi i dorës aktivizon zonat e trurit të lidhura me kujtesën dhe të mësuarit.

Si përfundim mund të themi se shkrimi i dorës ka një sharm të veçantë që teknologjia nuk mund ta zëvendësojë plotësisht, përveç përfitimeve për trurin, kujtesën dhe fokusimin.

 

3.     Fuqia e të lexuarit

 

Gjithnjë kanë ekzistuar mësues brilantë dhe kreativë të cilët kanë frymëzuar kolegët e tyre në mbarë botën. Një ndër emrat e njohur aktualisht është Adrienne Gear, një mësuese e talentuar dhe autore librash kanadeze e cila ka punuar në Distriktin Shkollor të Vankuverit për më shumë se 18 vjet. Ajo ka ushtruar profesione si mësuese ESL (English as a second language), bibliotekologe në shkolla dhe mentore e letërsisë për Distriktin.

Adrienne Gear është e spikatur sot për shkak të metodave të saj novatore dhe efektive për përmirësimin e aftësive të leximit dhe shkrimit të studentëve. Strategjitë praktike dhe të dobishme të saj ofrojnë strategji konkrete që mësuesit mund t'i përdorin drejtpërdrejt në klasë për t'i ndihmuar studentët të zhvillojnë aftësitë e tyre.

Gear thekson gjithashtu rëndësinë e ndërgjegjësimit të nxënësve për të menduarit e tyre, duke i ndihmuar ata të bëhen lexues dhe shkrimtarë më të pavarur dhe reflektues.

Metodat e saj mund të përshtaten për grupmosha dhe lëndë të ndryshme, duke i bërë ato të dobishme në situata të ndryshme mësimore. Puna e saj nuk ka ndikuar vetëm në mësimdhënien në Kanada, por edhe në vende të tjera të zhvilluara. Ky ndikim ndërkombëtar tregon dobishmërinë dhe vlerën e këtyre metodave. Autorja kanadeze Gear shkruan në një mënyrë të kuptueshme dhe lehtësisht të zbatueshme, duke bërë që mësuesit të gjejnë zgjidhje praktike për klasat e tyre.

Gear është më se e njohur për librat e saj "Reading power" dhe "Writing power" me përqasje metakognitive në mësimdhënien e leximit dhe shkrimit. Metodat e saj janë zbatuar në klasa të ndryshme anembanë Kanadasë, Shteteve të Bashkuara, Australisë, Mbretërisë së Bashkuar, Kinës dhe Suedisë. Gear ofron vazhdimisht seminare, prezantime dhe trajnime për arsimtarët.

Adrienne Gear, një edukatore dhe autore e njohur thekson rëndësinë që fëmijët të lexojnë libra për disa arsye:

Zhvillimi i fjalorit dhe i aftësive gjuhësore: Leximi i librave i ekspozon fëmijët ndaj fjalëve dhe frazave të reja, duke i ndihmuar ata të zgjerojnë fjalorin e tyre dhe të përmirësojnë aftësitë gjuhësore.

Kuptimi dhe empatia: Librat i lejojnë fëmijët të identifikohen me karaktere dhe emocione të ndryshme, gjë që mund të rrisë mirëkuptimin dhe ndjeshmërinë e tyre ndaj të tjerëve.

Të menduarit kritik dhe të kuptuarit: Gear sugjeron strategji për t'i ndihmuar fëmijët të ndërgjegjësohen se si mund t'i përdorin idetë dhe përvojat e tyre për të kuptuar tekstin.

Kuptimi i të lexuarit: Duke përdorur strategji të veçanta leximi, fëmijët mund të bëhen lexues aktivë dhe të thellohen në mendime, gjë që përmirëson kuptimin e tyre të leximit.

Reading  power

Fuqia e të lexuarit është një metodë që i ndihmon studentët të zhvillojnë të kuptuarit e tyre të leximit duke përdorur pesë strategji specifike:

Të menduarit për të menduarit e tyre (Metakognition): Nxënësit mësojnë të jenë të vetëdijshëm për të menduarit e tyre gjatë leximit.

Krijimi i lidhjeve: Nxënësit lidhin tekstin me përvojat e tyre, tekstet e tjera dhe botën përreth tyre.

Vizualizimi: Nxënësit krijojnë imazhe mendore të asaj që lexojnë për të kuptuar dhe mbajtur mend më mirë tekstin.

Parashtrimi i pyetjeve : Nxënësit bëjnë pyetje rreth tekstit për të thelluar të kuptuarit e tyre.

Nxjerrja e konkluzioneve: Nxënësit përdorin të dhëna në tekst për të nxjerrë përfundime dhe për të kuptuar mesazhet themelore.

Librat e Gear përmbajnë shumë këshilla praktike, ushtrime dhe shembuj që mësuesit mund t'i përdorin për të përmirësuar aftësitë e nxënësve për të lexuar dhe shkruar. Kontributet e Adrienne Gear në fushën e arsimit e kanë bërë atë një figurë të respektuar dhe me ndikim në pedagogji.

20 views0 comments

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page