top of page

GJYSMA E TRURIT FLUTURON NËPËR BOTË


Vullnet Mato

GJYSMA E TRURIT FLUTURON NËPËR BOTË

Vëllezër, motra, miq, në internet miqësuar,

kam gjysmë truri, në të kompjuterit ekran, 

gjysma tjetër fluturon si pëllumb i shkruar,

ku bëhen luftëra e ku fëmijët prindër s’kanë.

Ajo gjysmë truri, del nga kafka, si shpend,

fluturon, ku ka dhimbje bota e trazuar,

qan me lot nga keqardhja, në çdo vend,

ngushëllon njerëzit e mjerë, të dëshpëruar.

Atë gjysmë truri, gjuajnë plumbat sirianë,

ku vriten njerëzit, si mizat në bulmetore,

ku pandemia varros me mijëra, në çdo anë,

të mbuluar me dhe’ pa ceremoni mortore.

Ajo gjysmë truri rend, në gjysmën e kombit,

në Preshevë, Metvegjë, Bujanovc, çdo mjedis,

ruan të mos rrëmbejnë trojet, zogjtë e korbit,

tradhtarët e bashkuar, me Vuçiçin e Serbisë. 

Gjithashtu fluturon nëpër Çamërinë martire,

loton mbi gërmadhat me pluhur mbuluar,

ku heshtja shekullore e një miqësie meskine,

mban trojet shqiptare, nga helenët zaptuar.

Rend në Maqedoni, me vena gjaku shqiptare,

inkurajon votuesit të fitojnë të drejta të plota,

të jenë zotër të trojeve dhe të gjuhës amtare, 

të drejtojnë jetën, si etnitë e lirisë, që ka bota. 

Ka mëngjese me radhë, kur ajo gjysmë truri,

qan për gratë fatzeza, rrënuar nga varfëria,

që kërkojnë bukë në Tv. duke lënë numrin,

të dalë dikush, t’u shpëtojë fëmijët nga uria;

Kur sheh rretherrotull, po mbyllen qepena,

falimentojnë bizneset, shtohet papunësia,

gjysmë trurit i rrjedhin lotët çurg përbrenda

që s’ka mundësi të bëjë asgjë, nga pafuqia.

Gjysma fluturake e trurit pikon lot dhe tek unë,

shpesh dyshoj, mos është infektuar nga virusi,

filloj me alkool e hudhër, djeg buzë e hundë,

mos ia ngjit gjysmës tjetër, në kafkën e trurit...

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page