top of page

GJYSHJA QË QESHTE KURDOHERË


Vullnet Mato


Gjyshja pa dhëmbë në gojën e madhe,

qeshte kurdoherë e më quante keç.

Nëna e nënës, jetëgjata me tumane,

qeshi plot nëntëdhjetë e tetë vjeç.

Si ajo plakë gazmore dhe kapedane,

në jetën time, nuk më deshi askush.

Më lëmonte kokën e nxirrte bajame,

nga xhepat e tumaneve, fryrë kaush.

Sikur të më kish nxjerrë nga tumanet vet,

nuk do më kishte dashur aq marrëzisht,

më puthe duar, këmbë, e kokën shpesh,

thosh: Të kam engjëll brenda në shpirt;

Bir i gjyshes, të bëhesh djalë i mirë,

mos puthësh kurrë “Bijën e shejtanit”,

si ai dajua i madh që na vjen i pirë,

me atë të flamosur, nga degët e manit.

Dajua sarhosh, s’më pëlqente as mua,

ndonëse më jepte të thyeja bajame,

se kur vinte me hapa, si kalë i penguar,

kundërmonte të puthura, era shejtane.

Kur arrita vetë moshën e pjekurisë,

u bërë kureshtar, si ishte ajo dreqe?!

Putha buzët e saj, te gota e rakisë,

po bija e shejtanit s’mu duk aq e keqe...

Thashë me vete, ndofta i ka dalë nami,

se nuk dija ç’pësoje, po ta puthje fort,

të merrte mendjen fare, si dajo rrufjanit

kur pas epshit, i binte me çomage në kokë.

Dhe në dasmën e motrës, çakërrqejf,

gjyshes i fola, para shishes me verë:

Putha bijën e shejtanit, sa u bëra dreq!

Ajo atë ditë, qeshi fort, si asnjë herë;

Tani u bëre burrë, -tha-, ndaj jam gëzuar,

po meqë burrërinë, me zuskë ke provuar,

bijën e shejtanit, mos e marrësh për grua,

se të pjell ca dreqër shumë të shëmtuar!...

26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page