Gjyshit Fatmir Terziu me princeshën Elize
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Nov 9, 2023
- 1 min read

LULISHTE E ËMBËL
Shqiptarit londinez, mikut tim, gjyshit Fatmir Terziu me princeshën Elize
Nga Albert HABAZAJ
Sa i pashë në foto bashkë të dy
Sinqerisht u bëra lëndinë me lule,
Ai gjysh mbretëror me mbesën,... ata sy
Nga kujtesa ime nuk mund të shkulen ...
Rri e vështroj fotografinë, po s’ ngopem,
Hej, ç'mrekulli i fal Zoti njeriut!
Mbushem me frymë, me shpirt i gëzohem
Dhuratës më të çmuar të Fatmir Terziut.
E kam mik, po mik me dritë të ngrohtë
Mësuesin, poetin, të mirin Fatmir,
Gjyshin më të lumtur në këtë botë
Që mban në krah një gonxhe erëmirë.
Unë nuk ha me sy, o gjysh Fatmiri,
Se jam syulli, po jam edhe gjysh,
Lum si ti për atë mëllë floriri...
Para princeshës s’ka si e qysh!?...
E si mos të bëhem lulishte e bukur
Që të fluturojë mëngjesit mbi vesë,
Princesha Elize e ëndërrt si flutur
Si engjëllushe e agimeve me shpresë.
Ata sytë e saj, ajo buzëqeshje bujare
Që s’i pikturon dot asnjë piktor,
E kuptoni që gjysh Fatmirin e çmendin fare
E bëjnë këngëtar, e bëjnë kompozitor.
Në jetë ka dhembje koke nga shtërngatat
Tek mjalti i mjaltit gjejmë shërim,
Ty mirësia të shpërblehet me dhurata
Të ta falë zoti ëmbëlsirën, miku im!
Vlorë, Albania; e mërkurë, 08.10.2023

I dashur Albert,
Poezia Juaj, kushtuar Princeshës Alize dhe Gjysh Fatmirit, është një përmendore e shkëlqyer, që, po të ishte e mundur, e meriton të skalitet me daltë në qiell. Ju jeni vetë gjysh dhe e dini shumë mirë se fëmijët e fëmijëve janë si oksigjeni jetëdhënës për gjyshet dhe gjyshërit.
Urime për vargjet mjeshtërore të poezisë.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 09 Nëntor 2023