GJYSËM SHEKULLI NË AMERIKË


Frank Shkreli me bashkëshorten

THANK YOU, AMERICA!

GJYSËM SHEKULLI NË AMERIKË -- NJË FALËNDERIM

Nga një fshat i humbur i Ulqinit, në Ëndërrën Amerikane

Nga Frank Shkreli

"Lindur në vende të tjera, por duke besuar se mund të jeni të lumtur në këtë vend, ligjet tona e pranojnë të drejtën tuaj për t'u bashkuar me ne në shoqërinë tonë, të bindur se do të respektoni rregullat dhe ligjet tona”. –Komunikim i Thomas Xhefersonit me bashkohasin e tij dhe politikanin, Hugh White, 1801, mbi politikën amerikane të imigracionit.

Këtë shkrim modest po e shkruaj si një reagim ndaj një interesimi të një miku, i cili, si të gjithë ne është i shqetësuar nga ngjarjet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas vrasjes brutale të një afrikano-amerikani nga një polic i bardhë në Miniapolis të shtetit Minesota dhe protestave të mëdha që vazhdojnë ende – disa madje mjaft të dhunëshme -- anë e mbanë vendit -- më pyeti nëse e dua gjithnjë Amerikën, si përpara. Duke qenë se ky vit shënon 50-vjetorin e arritjes time në këtë vend dhe me 9 Qershor festoj 70-vjetorin e lindjes, m’u duk si një rast i përshtatëshëm që t’i përgjigjëm mikut tim, me këtë rast.


Autori - refugjat politik në Romë,1969 – SHBA -2015

Viti 2020 është një vit shumë i rëndësishëm për mua dhe për familjen time. Ky vit shënon dy ngjarje të rëndësishme në jetën time. Është një vit jubilar, mund të them, pasi shënon 70-vjetorin e lindjes dhe njëkohësisht edhe 50-vjetorin e ardhjes time dhe të familjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kërkim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, i bindur se do i gjëja këtu dhe se do të isha i lumtur në këtë vend. Gjatë dekadave të kaluara, në një mënyrë ose në një tjetër, jam munduar të shënoj çdo përvjetor të ardhjes në Amerikë, herë në heshtje, herë me ndonjë të veçantë të rastit -- dhe nga koha në kohë -- kam kujtuar me ndonjë shkrim modest edhe individë ose organizata në këtë vend që kanë lehtësuar ardhjen time këtu ose që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën dhe karrieren time. Por në këtë 50-vjetor të ardhjes time në Amerikë, e shoh të arsyeshme, pikë së pari, të falënderoj të Madhin Zot për të gjitha të mirat dhe bekimet që më ka dhënë mua dhe familjes time në këtë vend të adaptuar dhe, njëkohësisht, të ndajë me miqtë, dashamirët dhe shokët e mi, një mirënjohje të thellë personale dhe të veçantë ndaj Amerikës -- një falënderim pra nga zemra ndaj këtij vendi që më ka pranuar me krahë hapur, duke më ofruar të gjitha mundësitë për të qenë i suksesshëm dhe i lumtur në këtë vend, siç ishte shprehur Xhefersoni. Këtë falënderim, këtë mirënjohje të thellë, e konsideroj si një obligim timin moral, personal dhe familjar, që madje edhe gjysëm shekulli pas arritjes time në këtë kontinent, mund t’i them këtij vendi me gojë plot: THANK YOU AMERICA! Faleminderit Amerikë! Jo se ky vend nuk i ka problemet e veta politiko-shoqërore, siç jemi dëshmitarë të protestave masive aktualisht, disa prej tyre edhe të dhunëshme për vrasjen brutale të një afrikano-amerikani nga një polic i bardhë. Dhe jo se jeta ime në këtë vend ka qenë pa sfida dhe pa vështirësi të llojlojshme, por jam mirënjohës për mundësitë që ky vend të ofron për një jetë më të mirë –që me punë të rëndë dhe disiplinë – mund t’i përballosh me sukses sfidat dhe problemet dhe të shkosh përpara në jetë. Është e vërtetë se askush në këtë vend nuk të jep asgjë falas, por duhet ta fitosh me mund e djersë. Atëherë dhe sot, imigrantëve si unë -- Amerika u ofron lirinë dhe mundësitë për të qenë i suksesshëm -- çdo gjë tjetër është në dorë tënde.


Në shkrimet e tija mbi imigracionin, Thomas Xhefersoni, krye-autori i Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, e ka cilësuar shpërnguljen nga një vend në tjetrin, si një e “drejtë natyrale” të njeriut. Ai ka shkruar se në Amerikë --"Ne dëshirojmë të sigurojmë një vend-strehim të shenjtë për të gjithë ata që keq-qeverisja në Evropë mund t’i detyrojë të kërkojnë liri dhe lumturi në vende të tjera…”, ka shkruar Xhefersoni në kohën e tij. Ky premtim, në thelb, vazhdon edhe sot, megjithëse situatat gjatë historisë amerikane kanë ndryshuar, ashtu siç po ndryshojnë edhe sot.

Për fat të mirë timin, dhe për “arsye të keq-qeverisjes në Evropë” shekullin e kaluar, siç është shprehur Thomas Xhefersoni -- duke justifikuar pranimin legal të imigrantëve në Amerikë në zanafillat e këtij shteti – pikërisht 50-vjetë më parë (1970), Amerika më ofroi mua dhe familjes time, ashtu si shumë të tjerëve, një “vend-strehim të shenjtë”, siç e kishte cilësuar Xhefersoni strehimin politik të imigrantëve të ardhur në atë kohë në atdheun e tij të ri, kryesisht nga Evropa.

Fillimisht, me të ardhur në Amerikë 50-vjetë më parë, un u vendosa në Nju Jork ku jetova për 3 vjet e gjysëm -- me prindërit të cilët kishin ardhur këtu nja 6 muaj para meje –edhe ata, si shumë familje të tjera shqiptare, emigruan me qëllim për të filluar një jetë të re në Amerikë, ashtu siç bënin shumica e bashkatdhetarëve tanë në atë kohë azil-kërkues politikë, kryesisht, kundërshtarë të komunizmit, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare në Amerikë, aty nga fundi i 1960-ave dhe fillimi i 70-ave, kryesisht nga trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi.