top of page

GJUHA JONË



Kristo Çipa “Mjeshtër i Madh”


Nga vatra më foli zjarrri me flakët e tija

Ti je zoti im i pari, unë jam si fëmija

Nëpër gjuhë e nëpër flakë flitet gjuha ime

Nuk ka alfabet në kartë, shkrim e drejtshkrime


Kur erdha një gjuhë dëgjova, ajo ishte jotja,

Darkë më darkë e mësova, ditën e mbuloja.

Ishte para historisë kur s’kish vatër prushi,

I dha diell dashurisë, drurë e gurë i zbuti.


Kjo është gjuha ime e shpirtit, tingulli liri,

Që lart nga qielli zbriti tek qumështi në gji.

Kjo gjuhë e parathënë në qeshje çilimiu

Sa preku gjoksin Nënë me qumësht tingujt piu.


Si më dëgjon Zoti kur i bëj ankime,

Si mund të flas loti që rrjedh në vajtime,

Dert i diellit lodhur ku mundet të qeshë,

Tek kjo gjuhë e folur, tek kjo gjuhë princeshë.


Që ëmbëlson fjalën si mushti i hardhisë,

Dritëson uratën kur i flet fëmijës,

Zogjtë e qiellit të gjerë i thërret e vijnë,

Gjuhë e gjuhëvë mëmë u duket violinë.


I jep dhëmbjes shpresë, brengës i jep dritë,

Dashurisë besë, errësirës sytë.

Të fton eja folëm, s’jam gjuhë jam muzikë,

Se mua më zgjodhën vetë perënditë.


Kur sokëllijnë trimat, betejash pa kthim,

Fshihen vetëtimat, qiejt psherëtijnë.

Dimri nguros gunën, shkon e lidh tufanet,

Furtuna nduk gjuhën, bora rënkon malet.


Jam gjuhë që jam vrarë dhe pse gjuhë kam lindur,

Dhe gjak më kanë marrë por nuk jam gjakprishur,

Shpesh jam kryqëzuar, shumë më kanë munduar,

Tek ndiqnin majmunët unë isha vetëshkruar.


Kur perden hiqte moti, zgjimi syrin hapi,

Mallkimin piq dhespoti, sulltani nxin fermanin,

Si zjarrin ne e mbanim kët' gjuhën e të parëve,

Të shkruhej na e ndalnin si vetë detin persjanëve.


Por kot që na mundonin se gjuha ish liri,

Një dritë që vjen nga Zoti, ta fikësh s’ke fuqi,

Për çdo gërmë një lumë, gjak e kryegjak,

Të mos zhbëhej në gjumë ky kombi i pafat.


Ju Nëna, motra, bija dhe gra për gjenerata,

Ju lutet Shqipëria, ju falet gojë mjalta,

E shtrydhni vetëtimën e bëni qumësht Nëne!

Me të rrisni fëmijët, se gjuha është gjak zemre.


Në radhë me gjuhët motra si lulet plot radhuan,

E lirë për ne është bota, ne gjuhë shumë duam,

Kur dheut tonë t'i kthehen fëmijët fluturakë,

Me fjalë shqipe të dehen, me gjuhën tonë mjaltë.


Mbi gjithë krimet mizore, mohimi i gjuhës është,

Fëmijës po s’ ja mësove, s’je nënë po nepërkë.

Se veç identiteti është drita në liri,

Atë që se bën shteti o Nënë bëje ti!

21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page