Gjithmonë je e para…
-Dedikim këngëtares brilante Lirie Rasha-
Nga Gëzim LOKA
Kënga të përkundi
Nëpër shtigje drite
Kënga të dha krahë
Me këngën u rrite…
Skenat ku këndove
T’u bënë aureolë
Nga fillim i rrugës
Gjer në kohën tonë.
Si ortek dëbore
Majës në Kunorë
Hiret pranverore
Tinguj përrallorë.
Zëri yt brilant
Fëshfërimë gjethi
Hënën edhe yjet
Netëve seç i ndezi.
Kënga të udhëhoqi
Në shtigjet e zemrës
Yllnaja e krojeve
Fllad i jepka ëndrrës…
Zall-Dardha e bukur
Ta bekoi talentin
Pas këngëve të tua
Vetë epokat rendin…
Dibra me Nëntë Male
Ty ta rriti shtatin
Kënga që kur nisi
Kurrë s’e ndali hapin.
Ylberet në qiell
Ty t’u bënë urë
Për artin magjik
Nuk u lodhe kurrë…
Fushës së Korabit
Lëndinave alpine
Nën hije të malit
Ndjenjave intime.
Liri e ke emrin
Në gjak ke lirinë
Zëri yt tribunë
Hymn për dashurinë.
Zëri yt jehonë
Në gryka e male
Që kur në udhë dole
Hapin kurrë s’e ndale.
Gjer në Amerikë
Zëri të buçiti
Në çdo vend e skenë
Balli ty të ndriti…
Ti i bën lulet
Të çelin janarit
Ti e bën hënën
Të dehet nektarit…
Ti e bën njeriun
Ende më të mirë
Zëri yt brilant
Porsi xhevahirë…
Rrugët ku ti ec
Ta bekojnë hapin
Tingujt diellorë
Mjegullnajat hapin…
Vargu nuk mjafton
Nuk mjafton poema
Pas këngëve të tua
Nëpër vite renda…
Brezi im u rrit
Me këngët e tua
Bukurinë hënës
Ia more hua.
Do të ikin breza
Koha duke rendur
Në saksitë e zemrave
Këngët të kanë çelur…
Këngët udhëtojnë
Bashkë me ty ndër mote
Zëri yt ujëvarë
U bë zë epoke.
Mos pushoftë kurrë
Liri, kënga jote
Në behare zemrash
Në përplasje shqote.
Nga Dibra n’Tiranë
Nëpër shqiptari
Kënga jote shpresë
Mall e dashuri…
Kënga jote mal
Mal mbi Nëntë male
Nëpër shtigje arti
Furtunën e ndale…
Sa të ketë këngë
Sa të ketë këngëtarë
Ndër rrugëtime arti
Gjithmonë je e parë.
留言