top of page

Gjithmonë i kam dhënë të drejtë Epikurit



ZOTËRINJ POLITIKANË DHE JU OPINIONISTË, A E DINI SE NE JEMI

NJË VEND SOVRAN?


SHPENDI TOPOLLAJ


Gjithmonë i kam dhënë të drejtë Epikurit kur thosh se “i urti duhet të merret me politikë, vetëm kur e detyrojnë”. Por, besoj se asgjë nuk më pengon të shfaq ndonjë mendim, kur shoh se ku e kanë katandisur dinjitetit të vendit tonë, ata që kanë detyrë ta ruajnë të paprekur atë. Paul Valeri ka thënë dikur se “Politikë është arti të pengosh botën të fusë hundët në çështjet që s`i përkasin”. Por çfarë ka ngjarë dhe po ngjet me ne shqiptarët, që mesa duket asgjë nuk kemi mësuar nga historia. Kemi kënduar sa na u ngjir zëri për Titon, Stalinin, Hrushovin, Mao Ce Dunin dhe pastaj nuk kemi lënë gjë pa i sharë. I kemi quajtur shpëtimtarë të popullit shqiptar, dhe ambasadorëve të tyre u kemi bërë temenara të turpshme, u jemi rrëfyer, ankuar nënshtruar dhe kërkuar mendime imponuese, duke i konsideruar si guvernatorë të Shqipërisë. Pastaj i kemi shpallur non grata dhe ata janë larguar me bishtin në shalë, duke marrë me vete edhe damkën e spiunit.

Tani në demokraci, çuditërisht asgjë nuk ka ndryshuar; politikanët tanë, në mundshim t`i quajmë të tillë, i kanë lëshuar frenat e drejtimit të vendit në duart e të huajve. Këta, në fillim nuk u besuan syve dhe u përpoqën të luajnë brenda tagreve që u ishin ngarkuar në praktikën ndërkombëtare diplomatike, pra duke ushtruar detyrat e njohura si përfaqësues të një shteti tjetër, pa shkelur parimin e reciprocitetit. Por, pak nga pak, kur panë se drejtuesit tanë, kujdeseshin dhe shpenzonin të gjithë vëmendjen dhe energjitë që kishin vetëm për të rrëmbyer dhe ruajtur pushtetin e tyre personal, nisën të marrin atribute krejt të pa njohura më parë. E gjithë kjo u mbulua me synimin se duam të bëhemi si Evropa, do çelen negociatat me perëndimorët dhe do forcojmë aleancën strategjike me SHBA etj. Kjo është mëse normale dhe ma do mendja se nuk ka njeri që të mos jetë dakord me këtë. Ca më shumë, kur pamë se u pranuam në NATO dhe pati një ndihmë historike të paharruar në çlirimin e Kosovës nga tirania e hordhive kriminale të serbomëdhenjve, veçanërisht nga Amerika dhe Britania e Madhe. Mirëpo, brenda një shteti, sidomos si ky i yni që doli nga diktatura komuniste copë - copë, lufta politike, krahas vështirësive në rrugën e rritjes, sjell edhe probleme nga më të papriturat. Po ku duhet gjetur zgjidhja?

Te emisarët dhe ambasadorët e huaj? Aspak! Ne jemi një vend sovran dhe si të tillë kemi të drejtën e pamohueshme për të vendosur si popull dhe si shtet në mënyrë të lirë dhe të pavarur për të gjitha çështjet tona pa iu nënshtruar asnjë ndërhyrjeje, urdhri ose kontrolli nga kushdo qoftë. Nëqoftë se dikush, duke parë edhe interesat e veta, të ka ndihmuar, kjo nuk do të thotë të bëhesh raja i tij. Ca më shumë, kur paradoksalisht, askush nuk ngre zërin për heqjen e ligjit të luftës me fqinjin aleat, kur lënë të nënkuptohet se u duhen lëshuar pjesë nga trojet tona agresorëve, kur vëllezërve tanë kosovarë u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë, kur deklarohet se ne nuk do të çojmë të vrihen djemtë tanë se u mbushet mendja ca kokëkrisurve shqiptarë apo kur shtyrja për hapjen e negociatave ka kaluar në kalendat greke, pra deri në tallje.

Asnjë investim i huaj nuk ofrohet që ekonomia jonë të rimëkëmbet. U çamë duke u rënë borive për miqësi me ta, por askush nuk dëgjon nga ai vesh dhe duket se askush nuk na beson, pasi nuk kam parë të bëjë ndokush ndonjë deklaratë miqësie ndaj nesh. Ka ndonjë shqiptar që të dijë ndonjë rast kur të flitet për riparimin e gabimit tragjik të ndarjes së atdheut tonë nga ato Konferencat e famshme të Londrës, Berlinit a Parisit? Po tani, çfarë pengon që ata të lejojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, gjë për të cilën as politikanët tanë nuk guxojnë ta shtrojnë si opsion? Pra, në këto kushte diskriminimi, si mund t`ua lësh atyre në dorë ndreqjen e sistemit të drejtësisë me një emër sugjestionues Vetting?

Po pse more vëllezër, më shumë e duan ata Shqipërinë nga ne? Po pse, i mungojnë vendit tonë kuadrot e shkolluara dhe të afta për ta marrë vetë në dorë këtë detyrë? Dhe nuk e di sesi ka nga ata që besojnë me mëndjelehtësi se të huajt do bëjnë çudira këtu, duke i dhënë jetë të pangjarës; mjafton të vendosim disa juristë të dalë nga kutia dhe do të shpëtojë Shqipëria për sot e për nesër. Këtë nuk e besojnë as ata vetë, por hajde bëjmë ca gallatë me këta mjeranët që nuk dinë të qeverisen. Pa më thoni një vend në histori ku ka funksionuar kjo alkimi.

Mund t`i kthesh metalet në ar, por kostua është e barabartë me fitimin që do të marrësh nga kjo. Dhe e dini më të keqen; ato fjalët me dykuptime a nuk ngjajnë me ato përgjigjet e priftëreshës Pitia të Delfit, që më shumë ngatërrojnë, pasi të dyja palët gjejnë mundësinë të përligjin qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta. Ajo ja hodhi në vitin 546 para e.s. mbretit të Lidisë, Krezit që i kishte bërë gjithë ato dhurata e jo më këtyre palo politikanëve tanë që ku të marrin.

“Divide et impero”, pra “Përça e sundo” është thënie e vjetër, që nga koha e Filipit të Maqedonisë. Mirë politikanët, se dihet sesi vajti puna e tyre, po intelektualët, pse kanë drojë ta thonë me zë të lartë të vërtetën. Në SHBA ku sundon fjala e lirë, gjithkush ka të drejtën e shprehjes, madje edhe duke kritikuar e sharë qeverinë, kurse te ne vetëm Fatos Lubonja, Andi Bushati, Engjëll Musai, Artur Zheji e ndonjë tjetër, guxojnë të flasin hapur si shqiptarë të vërtetë. Të tjerët broçkullisin, duke artikuluar fraza qesharake se Amerika po vringëllin hekurat, se ajo po u jep shuplaka politikanëve të korruptuar, se ajo i di mirë se ç`kanë vjedhur ata, se ambasadorja amerikane po i tremb e tmerron ata të opozitës etj. O Zot!

Po ajo edhe Zhan d`Arka të jetë nuk ka se ç`bën. As më shumë dhe as më pak, ajo ka ato kompetenca e detyra që ka ambasadori ynë në SHBA të cilin atje nuk e njeh askush. Ndaj, dhe duken krejt komike, por edhe dëshpëruese, ankesat e njerëzve të ndryshëm tek ambasada, me shpresën se do t`ua zgjidhin hallet që kanë, duke humbur besimin te qeveria e tyre. Po këta ndërkombëtarët, ç`e kanë këtë interesim kaq të madh për një mikrovend si ky i yni. Mos duan të ndërtojnë ishullin utopik “Harmonia e Re”?

U garantoj se nuk është kjo rruga e duhur. Edhe sikur ata të jenë tërësisht të ndershëm e seriozë në këtë ndërmarrje, roli i tyre i lejuar nga servilizmi, paaftësia dhe arrivizmi i politikanëve tanë është mëse fyes për çdo shqiptar. Dhe për të mos na fyer e poshtëruar më tej, do ishte krejt normale që këta lloj politikanësh t`ua lëshonin vendin atyre që u dhemb dinjiteti kombëtar. Ai dinjitet që më bëri edhe mua të mos i përmbahem doktrinës epikuriane dhe të kujtoj ç`ka thoshte poeti Paul Valeri.

28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page