Gjithçka lëviz.
Rrjedhin në gulfa idetë vrullit të lumit.
Nisur drejt pikave të pambërritura, të heshturat zhurma përplasen, grinden, humbin.
E mbërritura e velur rrokulliset në zgrip, jep shpirt. Në vajin e humbjes zien platitja e hirtë.
Çahet si shegë hareja, mëshiron plaga, tokën e shpon dhembja, mbin fara.
Shpleksen premtimet në vegja, sa shpejt hollohen, bëhen të vjetra, rilindin prapë të rejat.
Një grumbull resh papritur bëhet shi, ylberë të gjatë - zinxhir flori, rrathë - rrathë si diell.
Më pas, toka e lagur ngre avuj në qiell.
Çfarë mbetet, çfarë ikën, zëëmbëltit u ngjirën, prej errësirës në natën pus, zbuluam dritën...
Lumi nxiton të derdhet nê det, fryma një shpresë të re e ngjiz.
Gjithçka lëviz ...
*Herakliti : Nuk mund të futesh dy herë në të njëjtin lumë.
BABAZOTI
Babazoti me titull fisnikërie Mjeshtrok, nuk studioi filozofi dhe as e njohu Volterin. I bindej veç Nolit si kryepeshkop, adhuronte si zot, Pitagorën, Arkimedin.
I falej peplumbces, këndores, perëndisë së pjellorisë, qoshes, teoremës, brumit të gurit të zi e të bardhë. Diturisë mjeshtëroke, xhindit të fantazisë, gërqeles së pjekur, bukuranes me ajkë.
Qëndiste lulore me daltë e smiral të hollë, në ura, kroje, pragje e shtëpi me harqe të lartë. Në dritare dielli, prekte hapësirat me dorë, frizitë vezulluese me orakuj drite në ballë.
Gjithë jetën ndërtoi, arkitekt e sevdalli i madh, pranverë – vjeshtë, nga një vend Ballkani në tjetrin. Babazoti njihte veç Nolin kryepeshkop, adhuronte si zot, Pitagorën, Arkimedin.
KUR RROKULLISESH NË BAR
Kur rrokullisesh mbi bar me drojë mos cek frymëmarrjen tënde, a këngën e pilivesave, brumbujve, gjinkallave që ngjitet qiellit, e lëshon ndër kërcej tinguj të hareshëm.
Trembesh sepse je mëmë ndjenjash, qysh në puthjen e parë mëson gjithçka për të cilën ke heshtur...
Kur rrokullisesh mbi bar, dalldiset ajri i luleve, i tokës, kundërmon njomështi, dritë dielli. Sytë liqene të mëdhenj, të jeshiltë, mbushur me lotë të ngrohtë, të trishtë...
Një ylber dyshimi ndehet përherë midis; ëndrrën a mund ta mbërrish?
Kur rrokullisesh mbi bar si mollë e kuqe!
Kommentare