"Më në fund, Perëndimi i kërkon kësaj politike një zgjidhje, por tashmë kjo e ka të pamundur. Ish-pronarët e diktaturës kanë mbetur ish-pronarë edhe në demokracinë pluraliste. Pronarët e rinj janë pothuaj të gjithë prej radhëve të politikës: Pikërisht përballë vetes, e kanë të pamundur!"
Ese
"Të gjitha gjërat kanë lidhje me politikën!”, pranohet aksiomë në Tiranë. Në realitetin shqiptar s'je asgjë, pa qenë diçka në politikë, nuk i shërben dot vetes, pa i shërbyer dikujt në politikë. As më elementari punësim në shtet, pa qenë në një parti politike.
Edhe pas më shumë se një dhjetë vjetësh në ‘demokraci pluraliste’, s'ka status për administratën shtetërore. Të gjithë besojnë, të gjithë binden, madje të gjithë e arsyetojnë faktin që rrotacioni në politikë do të sjellë rrotacion në administratë. Edhe kur grinden fraksionet, klanet brenda llojit. Thirret edhe shtypi, për ta ndotur edhe atë.
Të punësohesh në doganë, në port, në aeroport, në pikat kufitare ku bëhet paraja, duhet firma e politikës. Duhen paguar dhjetëra milionë, i sigurt pastaj për ri-mbursimin e tyre. Askush tjetër, veçse suportit politik, nuk ta jep dot këtë besim kob-ndjellës.
E megjithatë, askush nga radhët e politikës s'është ndëshkuar për këtë realitet të rënduar korruptues a për monopolet që krijohen në duart e politikës së radhës. Ndërkohë, 80% e punonjësve punojnë pa kontrata, sigurime sociale, në të zezë. 10% e familjeve të pasura zotërojnë 40% të pasurive kombëtare, 20% e familjeve varfra rrojnë me 1 USD në ditë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton, sado nën presion, por asnjë lloj drejtësie, gjykate apo prokurorie, nuk kërkon përgjegjësi për shkeljet e qeveritareve apo të individëve përballë ligjit. Partitë, vazhdojnë predikimin anti-korrupsion para dhe pas zgjedhjeve. Tërë kohën tjetër ato merren me menaxhimin e korrupsionit.
Pse dyshohet tek partitë politike? Qoftë edhe për faktin më të thjeshtë: askush nuk di se si mbahen 60 parti. Nga financohen? Përse s’ka ligi për të verifikuar e kontrolluar financimin e tyre?
Ka qenë një ligj, disa vjet me parë, por ndodhi mbrapshtia e vitit '97, ligji as mund të zbatohej, as u ri-bë. Ndaj dhe shtypi ka ofruar fakte grotesk: të dy partitë e mëdha kanë pa shlyer detyrimet ndaj Telekom dhe KESH-it, të dyja ndërmarrje ende shtetërore!
Partitë nuk ndjehen të detyruara t’i paguajnë detyrimet shtetit, madje kanë struktura paralele me shtetin: kërkon punë?, duhet të trokasësh tek zyra e partisë; të heqin nga puna? Aty duhet të qahesh! Partitë e vogla merren me korrupsione të vogla: nxjerrin viza: përveç kryetarit, anëtarët e tjerë të delegacioneve të këtyre partive janë klandestinë.
Natyrisht, theksuar, këto viza në ambasadat perëndimore i nxjerrin.
Partitë e mëdha mjelin buxhetin e shtetit, jo veç gjatë fushatave elektorale. Por nuk i përballojnë vetëm me to harxhet. Fushatat zgjedhore shënojnë rekord shpenzimesh: së fundi është shtuar prania e biznesit në listat e ofruara nga partitë!
Pronarët e rinj, prej kësaj politike janë bërë. Akuzat publike janë kthyer në lojë-luftë politike: shajmë në mënyrë që të mbetemi të besueshëm. Akuzohemi të gjithë, të mos dënohet askush! Edhe akuzat e ashpra të Nanos në k.p.d. socialiste, u harruan kur ai erdhi në pushtet. Rivalët lëshuan pushtet, por jo të tërin: sot e kësaj dite disa mbeten palë në pjesë. Topi lëvizë sa andej këndej...
Përkundrazi për të marrë sa më shumë fonde, partitë e mëdha u dhurojnë deputetë partive të vogla dhe të pa varurve, krijojnë grupe parlamentar. Vetëm për të vjedhur “ligjërisht” shtetin!
Nuk paska që mendojnë ndryshe ndër deputetët?
Padyshim ka, por askush s’ngre dot problem në seancë plenare, pa marrë pëlqimin e grupit parlamentar të partisë, shefave!
Edhe kur partitë fraksionohen s’bëhen publike probleme për financimin.
Pothuaj askush nuk ka deklaruar pasuritë reale. Privatizimet kryhen me emra "anonimësh", me të cilët politikanët takohen në lokalet e shtrenjtë, në kohën e lirë.
"Bashkë-fajtorë dhe bashkë-vuajtës?!” As kjo nuk është e vërtetë: korrupsioni i PD-së ka qenë më i shtrirë, këta ‘specialistët e vjetër’ te socializmit e kanë centralizuar edhe korrupsionin!
Në varfërim masiv, në gjendje amullie të bizneseve të vegjël e të mesëm, e monopolizim të bizneseve të mëdha, njerëzit pyesin e shpresojnë: A ka mundësi drejtësia t’i dënojë të korruptuarit?
Demokracia presupozon që për cdo shkelje ligji të shkohet në gjykatë.
Në Shqipëri gjykata ka qenë e mbetet e politizuar. Thuhet se s'ka politizim, por përdoret humori i ditës: tashmë gjykata është vetëm e korruptuar! Paraja s’ka ngjyrë, as e drejta, as padrejtësia!
Po, në krye të drejtësisë janë njerëz të lidhur me politikën e radhës. Për krime a korruptime të ndodhura, dëshmitari bëhet pa gjuhë, pa sy, pa vesh! Kush guxon? Pa dëshmi, drejtësia shndërrohet në gazetari të realizmit socialist!
Viti ’97 e la Shqipërinë me banda: nuk janë më. Një pjesë u vra rrugëve, ndonjëri ndodhet burgjeve, me shpresë se politika e radhës do ta shpëtoj një ditë.
Gjyqi i asnjë bande s'ka shkuar deri në fund. Politika i kthen të gjitha akuzat në politike. S’ka drejtësi, lind vetë-gjyqësia, krimi organizuar i faturohet gjakmarrjes...
Natën e parë të bombardimeve, Bagdadi kishte drita pa-ndërprerje dhe vetëm një të vrarë, në Tiranë vetëm katër orë ndriçim dhe katër të vrarë. Versioni zyrtar: eliminim bandash me njera-tjetrën!
Sipas versionit të thashethemeve, që në Tiranë dalin të vërteta, përfliten emra politikanësh inspirues dhe mbështetës të secilës palë. Për të qetësuar njerëzit , mediat përqark tyre nxitojnë të shpjegojnë se “kështu u bë edhe Amerika”.
Por as Bibla, as Kushtetuta, që mbanin në dorë dhe zbatonin amerikanët, nuk duket gjëkundi!
Në gjyqet që ngre Prokuroria (shteti) përballë Civilit (Privatit) gjithnjë fiton ky I fundit: ngaqë ofron ca para. Përfaqësuesi i shtetit është i prirë të dhurojë “një copë shtet”, mjaft të shtoj diçka në xhepin e vet. Sidomos kur I akuzuari ka lidhje me politikën. Gjyqi dështon pa nisur. Procedojnë vetëm kur dokumentacioni vjen nga Jashtë. Kur sigurohen prova këtu, në vend, i serviren drejtësisë së të huajve, për mungesë sigurie këtu.
Krimi i organizuar është pranuar. Rrënjët i ka më të hershme. Mbase prej mënyrës se si u mëkua demokracia. Secili kërkon pjesën në prènë e paligjshme. Akuzat bëhen ngjethëse, tryezat, kongreset sjellin humor, asnjëherë përgjegjësi: askush s'është dënuar për shkak të tyre, prej politikaneve.
Bën përjashtim dënimi i Fatos Nanos, por edhe ai doli i pa-fajshëm nga gjykatat e pas 1997-ës! E shpallën të burgosur politik dhe të virgjër për kryeministër.
Në politikë pranojnë se ekzistojnë organizata kriminale, ngrihen brenda një fushate elektorale, përdoren për ndonjë interes akut. Pastaj zhduken diku, ose (vetë-vriten në rrugë)...
Edhe vet Ministrit të Rendit i ka ndodhur të deklarojë se janë gati fletë-arrestet, por asgjë nuk ndodh. Tërë-çka thuhet, në kuadër të politikës, jo në situatë normale. Në shoqëri të politizuar, habi-akuza më e madhe zgjat tre ditë: politika sajon qoften e radhës. Lojë-luftë-politike për mbetjen në pushtet.
Të ardhurat e organizatave kriminale nuk parashihen në buxhetin e shtetit, por ato kanë burim ekonominë in-formale. Kur shteti shqiptar, në bashkëpunim me strukturat Italiane, goditi trafikun e klandestinëve, në tregun stradal te valutës në Tiranë ra dollari!
Ideja e legalizimit të pasurive të paidentifikuara, pati reagime të ashpra: të legalizohet e paligjshmja? Informalja, megjithatë, e bën ligjin duke mbetur e paligjshme.
Sa here ndërrohen shefat e qeverisë, ndërrohet edhe Ministri i Financave, Drejtori i Madh i Doganave, drejtorët e vegjël në Kakavijë, Kapshticë, Durrës, Vlorë. Për larjen e parave gjithnjë akuzohen bankat me frymëmarrje të njëjtë me politikën.
Hapjen e bursës s'e kanë ndërmend. Shqipëria shkon me hapa të guximshme drejt ndarjes së paligjshme të pronave. Nëpër-gojohet se PD e PS një ditë mund të bashkohen në një Parti të Përbashkët, të Djathtë, ngaqë të dy palët u kapitalizuan në këtë tranzicion!
Pas kësaj të djathtëve tradicionalë, ish-pronareve bie fala, do tu mbetet të përfshihen në ndonjë parti të majtë!
S'mund te mos vihet re ndikimi i krimit të organizuar në rrjedhat e mëtejme shoqërore e politike. Në vetvete, krimi i organizuar është rrjedhojë e përplasjeve të interesave. Të dalë nga varfëria absolute, kolektivizimi maksimal dhe mungesat elementare te te drejtave to individit, krimi ka fushë të begatë.
Nga mënyra si rrodhen proceset sociale, nuk u bë gjykimi së pari moral i dhunës së krimit të organizuar të shtetit të përpara '90-ës.
Slogani "bashkëfajtorë e bashkë-vuajtës i shërbeu politikës së ditës, por jo moralit të përgjegjshëm e të nevojshëm për strukturimin ndryshe të shoqërisë në ekonomi tregu. Interesat e ditës dhe psikologjia barazitiste e la vendin pa alternativë të djathtë afatgjatë. Ndjesia reale për nga kjo kahe, nuk ka pse merret si shtysë politike: të majtë e të djathtë, shqiptarët do të hynin në një autostradë tjetër, më të shpejtë, stabile, frytdhënëse, për të gjithë.
Përplasjet e fundit, në Bathore, Kënetën e Durrësit, pronat nw Ultësirë dhe bregdet, provojnë se shtresa politike shqiptare e tranzicionit ka dështuar në ligjin për pronat dhe zbatimin e tij. Është fundi morali i kësaj politike.
Më në fund, Perëndimi i kërkon kësaj politike një zgjidhje, por tashmë kjo e ka të pamundur. Ish-pronarët e diktaturës kanë mbetur ish-pronarë edhe në demokracinë pluraliste. Pronarët e rinj janë pothuaj të gjithë prej radhëve të politikës: Pikërisht përballë vetes, e kanë të pamundur!
Pas miratimit të ligjeve (sipas të gjitha qeverive të Tiranës ato kanë pasur konsulencën dhe firmën e institucioneve botërore) dhe aplikimit tyre me të mangët, të shpresosh në një luftë efikase kundër krimit të organizuar dhe derivateve të tij është një optimizëm i pandreqshëm.
Në njërin nga fjalimet e tij kryeministri pohoi se prej radhëve të policisë ishin liruar për probleme korruptimi apo bashkëpunimi në trafiqe, rreth 2000 policë. Disa drejtorë policie, drejtorë drejtorish në ministri, deri zëvendës-ministra, u akuzuan si të tillë. Besimi është cenuar rëndë.
Ka pasur disa programe kualifikuese me specialistë perëndimorë, por trishton fakti se, për shkak të politikës në këto kurse shkojnë njerëz politikë, me psikologjinë e më të fortit ndaj rivalit politik. Politikat e partive apo to klaneve ngjiten deri në struktura dhe pas kësaj lufta kundër të tjerëve jashtë tyre behet e pamundur.
S’ka korrupsion, trafik apo klandestinitet, pa praninë e një uniforme blu, me mbështetje politike. Kriza e besimit ka nisur që poshtë, për tu shfaqur sipër. Krimi dhe korrupsioni nuk e ndajnë kurrë me drejtësi plaçkën, prenë e siguruar. Më tej vjen krimi.
Edhe Qendra e Anti-trafikut në Vlorë, e përuruar me trompë prej dy vjetësh, u shpall in-ekzistente. Ende s'kishim ‘Po’-në e partnerëve(!) Partnerët janë fqinjët, të cilët vuajnë nga po këto probleme,, dhe miqtë e Perëndimit.
Sigurisht është hap pozitiv krijimi i Gjykatës për Krime të Rënda, me objekt: "krimet e rënda, krimin e organizuar, terrorizmin brenda vendit, në shkallë rajonale e më gjerë.”
Një vit më parë Shqipëria vlerësohej pozitivisht edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit: doli nga niveli i vendeve të treta (me kriminalitet të lartë dhe zbulueshmëri të vogël), Sipas vërejtjeve të K. Pauell, jemi të ri-kthyer në vendet e Grupit të Tretë, me pasojë deri në sanksione ndërkombëtare.
Pikërisht në “Ditën e Drejtësisë”, Prokurori i Përgjithshëm konsensual, Theodhori Sollaku, pohoi se “strukturat e drejtësisë punojnë në një fazë të re të kriminalitetit, që është bërë më i egër se kurrë më parë, pasi është më i organizuar, më i fortë ekonomikisht, dhe me lidhje të fuqishme me vende të tjera të rajonit e më gjerë."
Megjithatë, prokuroria nuk e ka thënë fjalën e saj për një varg dosjesh që thuhet se janë nisur tek ajo: Përderisa të gjitha gjërat kanë lidhje me politikën, drejtësia duhet t’i japë të drejtë ose t’i rrëzoj akuzat e ngritura prej saj, për figura të të gjitha niveleve në politikë, aq më shumë për ndokënd që hynë si i akuzuar në fushatë elektorale. Nw të kundërtën, edhe drejtësia shndërrohet në drejtësi politike. Si e tillë do ta humbë besimin edhe ajo. Si politika.
“AKS”, e diel, 24 Gusht 2003
Comments