Gjithçka është e mundur



Sefulla KATA

Kisha dëgjuar nga miqtë e mi se në Tiranë dhe në Durrës, tokat kishin mbetur pa zot. Tiranasit (ose tironsit siç e thonë ata në të folurën e tyre) ua kishin hipur anijeve dhe ishin arratisur në vende të ndryshme të Evropës. Madje disa që kishin pasur fatin të kapnin avionin pasi kishin zbritur nga anija, ia kishin mbathur për Amerikë dhe Australi. Tokat i kishin lënë në mëshirë të fatit sikur të mos i kishin pasur kurrë. Por lajmi përhapet shpejt dhe njerëz si unë vrapuan t’i marrin në mbrojtje këto toka mjerane.

Unë i dola zot një parcele në mes të ullishtës që të çon për tek Qyteti Studenti. E mbaja mend atë vend sepse aty ia kisha këputur gjumit kur shkova të shoh djalin ushtar. Lekë të flija në hotel nuk kisha dhe me tu errur, u futa poshtë një ulliri, mblodha ca barishte dhe i bëra si jastëk, pastaj ia këputa një gjumi për shtatë palë qejfe. U zgjova nga rrezet e diellit që më binin në sy përmes degëve të ullirit, hodha sytë rreth e rrotull se mos shihja ndonjë njeri, por nuk qe e thënë, kështu që i dhashë karar që nëse do të vija herë tjetër në Tiranë, të paktën hotelin nuk do ta kisha problem.

Qëlloi që shteti ra dhe djali u lirua më herët nga ushtria, madje nuk erdhi fare në shtëpi sepse u bashkua me tironsit dhe e mbajti frymën diku në Itali. Ndaj, nuk e pata aspak të vështirë t’i dilja zot tokës sime. Mbase u shpreha gabim, se ajo nuk kishte qenë kurrë e imja, por tek e fundit, përderisa kisha fjetur njëherë mbi të, përderisa djali kishte udhëtuar në të njëjtën anije me tironasit, mbase edhe me të zotin e tokës sime, diçka më takonte dhe mua.

I hipa një furgoni dhe u nisa për udhë. Me vete kisha marrë një thes në të cilin kisha futur një kazmë, një lëmsh peri spangoje dhe nja katër copa druri në formë piketash. Kisha marrë edhe lekët që më kishte sjellë djali nga Italia. Duke mos e ditur se sa kohë do më duhej të qëndroja në Tiranë, lekët domosdo që më duheshin se do ushqehesha se për hotel siç jua shpjegova në fillim nuk kisha nevojë. Me t’i zbritur furgonit, përlava thesin dhe u nisa për nga Qyteti Studenti. Në fillim u hutova pak se vendi kishte filluar të ndryshonte. Gjithandej kishin filluar të priteshin ullinjtë dhe të ngriheshin baraka. Me pak vështirësi, e gjeta ullirin tim. Për fat, ai ndodhej diku më sipër rreshtit të fundit të fjetoreve të studentëve dhe barakat nuk kishin mbërritur deri atje. U ula poshtë ullirit si para disa viteve dhe i hodha një sy vendit. Pastaj nxora nga thesi kazmën dhe piketat dhe ia nisa punës. U nguta ca se nuk i dihej. Numërova nja njëqind hapa nga ulliri dhe ngula piketën e parë. Pastaj veprova njëlloj edhe për tre të tjerat. Mora perin e spangos dhe fillova të bashkoj piketat. Doli një goxha sipërfaqe për ta pasur zili. U ngjita në ulli dhe i hodha një sy. Bukur, - thash me vete, por po të kisha pasur më shumë spango, mund të kishte dalë ca më e madhe. Gjithë ajo parcelë, me ullirin ku kisha fjetur në mes, por edhe me të tjerët që ende nuk i kishin prerë, dukej alamet prone. Gati-gati, sa ajo e Tuç Markut. M'u kujtua Tuçi, dhe si për dreq m'u kujtua dhe e dashura që kisha prej vitesh në fshat. Po ja jap edhe asaj një copë troje për të ndërtuar një shtëpi që ta kem përsëri afër si atje në katundin tim të vogël dhe më qeshi buza. Me të shoqin kisha goxha muhabet, kështu që e dija se nuk do të ma prishte. Tek e fundit kisha ndërmend t’ia shisja fare lirë.

Dola shëtitje nëpër kodër dhe nuk po më linte meraku. Zbrita tek rruga e Elbasanit, hyra në një dyqan dhe mora nja njëzet metër plastmasë dhe pak tel të butë. U ktheva tek ulliri im dhe fillova të sistemoj plastmasën. Doli një goxha kasolle, më e mirë se ajo e ekskursionistëve. Pastaj hyra në dyqanin e parë me dërrasa që ishte hapur aty pranë, nga dikush që po ndërtonte një shtëpi, bleva ushqime dhe qirinj derisa të mund ta elektrifikoja kasollen. Ndërkohë nxitova të ha darkë nën dritën e qiririt, një darkë e shijshme me një rrotull sallami, një copë të madhe djathi dhe një birrë « Tirana » e cila m'u duk mjaltë e ëmbël. Pastaj e fika qiririn dhe u shtriva mbi barin e thatë dhe gjumi më zuri si njëherë e një kohë.