top of page

GJIROKASTËR, MBEÇ BERONJË !...


Mihal Gjergji

 

GJIROKASTËR, MBEÇ BERONJË !...

 

Po ju hoqi udha buzë Luginës së Drinos, ndaloni disa çaste dhe mbani vesh vajtimin drithërues që zbret mbi çatitë e gurta në lagjen Manalat të Gjirokastrës. Jehona e largët është përcjellë mot pas moti gjersa ka mbritur në ditët tona. Ka kaluar një shekull e gjysmë qysh atëherë. Gjëma ishte e madhe, andaj mëngjes e mbrëmje kjo logorimë gruaje njoftonte mungesën e Shemo Kasos, kordhëtarit që humbi mbretërinë e lirisë. Ia rrëmbyen pabesisht dhe e shpunë para litarit. Familja humbi shtyllën që e mbante në këmbë, gruaja-bashkëshortin, djemtë mbetën jetimë. “Gjirokastër mbeç beronjë/ Kape vrave një shqiponjë/ Le pa këngë një milonjë”. I rëndë ky mallkim, më i rëndë se pesha e qivurit, dhe shumë i hidhur. Gjirokastra s’mundi të mbronte të birin, trimin që s’kishte shok: “Shemo Kaso kordhëtari/ kur shkoje dridhej pazari/ kur futeshe në tabuar/ dalje me kokë në duar/ Thosh veziri kush i muar/ Trimi që nuk ka sinuar”. Shemua nuk ishte vrasës. Jo dhe jo. Donte të jetonte në livadhet e parajsës, në vendlindjen e tij, por i lirë nga prangat e sulltanit, pa xhelepe dhe taksidarë mbi krye. Dhe kështu jetoi, jo pak, por 30 vjet me radhë, me pallën mynxyrjare në duar. Sepse bota është e egër, s’e njeh mëshirën. Që të jetosh në tokë, duhet ti ngjashë luanit, ndryshe të coptojnë.

Gjirokastra

Po jetove në qiell duhet të bëhesh shqiponjë, përndryshe të rrëzojnë grabiqarët. Dhe Shemo Kasua, më shumë se sa tokësor, ishte një krijesë qiellore. Çapitej ngadalë udhëve pa krye në lartësitë e maleve. Jatak kishte shpellat dhe mburojë gunën e dhirtë të rrahur në ujrat e dërstilës. Ushqehej me lëpjetë të ziera. Të paktë e kishte barotin e dograsë, por zemrën e kishte plot shpresë, ndërsa guximi i tij shpërfillte pa asnjë lloj pendese fermanet e sulltanit dhe koshadhet e valiut. Edhe retë e zeza që i zbrisnin mbi krye i kujtonin çallmat e jeniçerëve, ndaj nxitonte që ti griste me jataganin e tij. Mirëpo tradhëtia e mori kalanë nga Brenda. Vëllami i Shemos, Muhedini, ishte paguar nga turqit për të vrarë bashkëluftëtarin, po kaçaku e parandjeu pabesinë dhe ekzekutoi Muhedinin para se të ngrinte krye. Atë që s’e bëri dot Muhedini e bëri xhaxhai i tij. Bashkëpunoi me turqit, thuri me kujdes planin dhe ngriti pusinë, e ftoi për bisedime, duke marrë kështu edhe hakun e nipit. Vjen një moment që të gjithë thyhemi dhe biem; dikush nga mosha, të tjerë nga sëmundjet, ndërsa Shemua ra në grackën e pabesisë. E megjithatë, askush s’donte ta besonte kapjen e tij të gjallë, megjithse kjo u lajmërua nga hedhja e 22 gjyleve; “Në Stamboll një lajm gëzimi,/ Thon’ u zu Shemo Brahimi,/ Qysh u zu, ku zihet trimi!/ Nëntë vjet, në mal firar,/ Se nuk desh të vej ushtar,/S’vete, tha, nuk i kam ngenë!/ Dhe nëntë vjet e brodhi dhenë,/ Rumelinë dhe Morenë”. Edhe vetë pashait osman s’i besohet që Shemon e ka përballë. “Në bodrumet e kalasë,/ Vjen Hysni Pashai t’i flasë,/ Shemo, më në fund të kapa!/-O, pasha, që flet mbi fron,/S’jam ashtu, s’i më gjykon,/ Me koshadhe, me xhandarë,/ Më ke ndjekur, të kam vrarë/ Po le të thotë njeri/ Se rrëmbeve dhen a dhi,/ Nga një bujk, nga një bari,/ Unë i dhashë, varfanjakut,/ Zoti e di, e më ardhtë hakut”. Është vërtetë befasuese qëndresa e kaçakëve shqiptarë në kohën e sundimit Osman. Ndërsa Shemua luftonte vetmitar, Bilbilenjtë kishin ngritur një çetë dhe organizonin qëndresën së toku. Ndjej dhimbje që eposi i pakrahasueshëm i rezistencës antiosmane, por jo vetëm, s’mësohet në shkollat tona. Fëmijët tanë s’e njohin historinë stërgjyshore, gjakun e derdhur. Janë të rrallë autorët që e kanë parandjerë vdekjen e ngadaltë të kujtesës historike. Unë do veçoja Jorgo Bllacin, poetin dhe përkthyesin e talentuar, i cili i ka kushtuar një baladë përjetësie Shemo Brahimit; “Maleve, përtej në Samarinë/ Shemo Kasua bashnizamët korr/ Pik e helm valiu i Janinës/ Vrerin seç e derdhi mbi tabor:” Po kështu, edhe autori Gëzim Zilja, me finesë dhe përkushtim atdhetari ka sjellë në kujtesën tonë bëmat dhe gjëmat e kaçakut të famshëm. E ndërkohë, nuk dimë asgjë për Lulen, nga ishte bijë dhe ç’nënë e kishte pjellë. Por unë dua të besoj se ajo vazhdon të vajtojë për Shemon e saj, edhe atje ku prehet; “S’të njoha dot, korba, kurrë,/ Lulja jote s’merr më burrë,/ Do rris djemtë t’u jap zjarrë,/ Hakën tënde për të marrë,/ Pasuri oxhak nuk dua,/ Do gjezdis krua më krua,/ Të dëgjoj këngët e tua!.” Binduni pra, që kemi me se të krenohemi, aq më tepër tashmë që zjarri i qëndresës është shuar dhe sundimtarët tanë i bëjnë rixha sulltanit të radhës, i puthin dorën dhe shtojnë minaret e xhamive në çdo qytet të Shqipërisë.

 

Gjirokastër, Shkurt 2024.

29 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page