Gjerdanë në varg
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Mar 1, 2023
- 1 min read

Gjerdanë në varg
Nga Fatmir Terziu
Ylli i Agimit. Pasqyra
ku sytë e tu janë kupa:
i ngre me fund të dyja
që lotët të mos derdhen
si lumenjtë… e fryra!
Lumenjtë,
të vetmuar,
të ftohtë dhe të humbur,
kishim thënë me fjalën tonë të urtë
vazhdojnë rekursin, ende nuk janë zbutur,
duke u bërë shkumë e bardhë:
e heshtur,
e butë.
Një ditë tjetër,
një ndryshim tjetër
për të peshuar koston oportune,
nuk arritëm të vëmë në gjumë lumenjtë,
të paktën një ditë, …. një të shtune
e jona si rrjedhat e tyre bëhet më e shenjtë,
teksa shtrydhim dy vile të turpshme rrushi pas pune…
E Ylli i Agimit na sheh. Pasqyra
ku krihet mungesa e natyrës
çfarë nuk shkon?
pyes veten dhe them gjithmonë:
jemi larg maleve
kjo na lodh shpirtin
jemi larg lumenjve
që të zgjojnë në shtëpi
jemi larg…
…larg nga trëndëlina
ku u përqafuam në park,
jemi larg nga sytë që na panë
puthjen tonë të parë.
Meqenëse na kanë mbetur të gjitha larg
mendova të fus Yllin e Agimit dëshmitar në varg!
Comentários