Gjendja e jashtëzakonshme
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Mar 16, 2021
- 1 min read

Gjendja e jashtëzakonshme
Fatmir Terziu
E pyes dhe Ai hesht. Është një djalosh i ri
gjashtëmbëdhjetë më thotë i mbush më 25 Prill
numëron me gishtat e tij,
ndoshta nuk dëshiron të gaboj me ditëlindjen aspak,
vitet më thotë, nuk i ka kuptuar si shkuan pa fre,
janë vizatuar në të njëjtin bosht horizontal me një hark,
sikurse më thoshin prindërit e mi në Atdhe
kjo kohë është me shumë kthesa,
në fakt,
njëherë devijon nga pritshmëria
dhe një herë nga pashpresa.
Dhe ndjek lëvizjen e zhurmshme në park
Londra e ka regjistruar nën moshë
pres të më kthej ndonjë përgjigje në fakt
ashtu siç ndonjëherë presim në pakohë
gjërat shpesh janë të pashpresa, s'kanë pakt,
ndërsa duart luftojnë për të ritreguar
këmbët janë statike qëndrojnë bashkë.
Kur sytë janë të lodhur nga politikat plot rena
a ofron rehati biseda?
A mendon të bëhet nesër më e lehtë se ditët e tjera?
Ne kemi njohur kaq shumë herë si këto.
Veshët tanë thithin sirenat e përsëritura në këtë rrjet,
renat thurrin rrjeta vazhdimisht në syrin tonë,
disa të tilla lëvizin kaq shpejt
sa që përplasen me atë renë që është në sezon.
Jemi bërë gjeneratë që mbetëm në koma
Çfarë tjetër mund të na tundë akoma?
E pyes dhe Ai qesh. Është një emigrant i ri
gjashtëmbëdhjetë më thotë i mbush më 25 Prill
dhe… numëron me gishtat e tij…
Comments