Genc Qorrolli: BEGZAD BALIU DHE STUDIMET ALBANOLOGJIKE TË TIJ
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Aug 24, 2024
- 6 min read

Shkruan: Genc Qorrolli
Prof. dr. Bahtijar Kryeziu, “Qasje shumëdimensionale në studimet albanologjike” (Begzad Baliu dhe studimet albanologjike të tij), Prishtinë, 2021, f. 310.
Vepra me titull “Qasje shumëdimensionale në studimet albanologjike” (Begzad Baliu dhe studimet albanologjike të tij), i është shtuar sirtarit të veprave të tjera të autorit Bahtijar Kryeziu, me kryepersonazh prof. dr. Begzad Baliun.
Prof. dr. Begzad Baliu, një studiues i pasionuar pas albanologjisë, pas studiuesve të mëdhenj të të gjitha kohëve, si: Gustav Majer, Maximilian Lamberc, Eqrem Çabej Idriz Ajeti, Jup Kastrati, Shefki Sejdiu, Zenun Gjocaj e shumë të tjerë, organizator, pjesëmarrës e drejtues i shumë aktiviteteve shkencore, kulturore, didaktike e letrare, kësaj radhe është jo autor veprash po objekt studimi e vlerësimi.
Në veprën e profesor Bahtijar Kryeziut, prof. dr. Begzad Baliu paraqitet si studiues i çështjeve të ndryshme, por në radhë të parë i kërkimeve të shumta në fushë të onomastikës dhe në fushë të historisë së albanologjisë, në radhë të dytë organizator konferencash e simpoziumesh shkencore në gjithë hapësirën etnike shqiptare dhe më tej etj. Nuk është e rastit që vepra hapet me një studim vlerësues dhe mbyllet me fragmente të shkëputura nga vlerësimet e studiuesve të tjerë për veprat e prof. dr. Begzad Baliut.
Vlerësimet e Profesor Bahtijar Kryeziut për veprimtarinë e Profesorit Begzad Baliut, njëkohësisht Profesorit tim, më erdhën aq të sakta, aq të qarta, të thelluara deri në atë përmasë që simbolizojnë dhe përcaktojnë mundin e sakrificën e Profesorit, i cili me sa e sa vite merret me shumë dëshirë me profesionin e mësimdhënësit, të studiuesit, të onomasticietnit, të leksikografit, të historianit të gjuhës, të historianit të letërsisë, të kritikut, të shkrimtarit etj. Profesor Begzad Baliun, autori në kapitullin e parë e shfaq si një studiues, siç shprehet Profesor Kryeziu, të palodhshëm e me dije të thella shumëdimensionale. Ky kapitull paraqet vargun e veprave të botuara të Profesor B. Baliut që deri tani kanë arritur mbi 30-të, e me mbi 120 punime shkencore në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja.
Kryepersonazhi, Profesor Begzad Baliu, në këtë vepër shfaqet qartë si një punëtor i madh i çështjeve për kulturën e historinë e shqipes, duke e mbartur brez pas brezi me botime të shumta për gjuhëtarët e historianët shqiptarë, duke trajtuar tema nga më të ndryshmet me lidhjen mes gjuhës e letërsisë në seminare, në simpoziume ndërkombëtare e kombëtare, në konferenca të ndryshme në Prishtinë, Tiranë etj. Kam vënë re, por edhe vura re në këtë vepër afërsinë e madhe të Prof. B. Baliut me studiuesin Jup Kastrati, me profesor Idriz Ajetin, profesor Shaban Demirajn etj., duke dëshmuar madje edhe me bibliotekën e tij të mbushur me literaturë të nënshkruar për të, të dedikuar për të. Edhe kjo në një mënyrë apo një tjetër tregon afirmitetin me studiuesit dhe dashamirësinë e miqësinë e thjeshtë e pa kushte mes tyre. Jo pa qëllim edhe autori i kësaj vepre e quan Profesor B. Baliun, në bazë të dëshmive edhe të kolegëve të profesorit si, trashëgimtar i albanologëve.

Botimi i librit të të dy profesorëve, me librin për profesor Idriz Ajetin dhe e gjitha puna e bërë u shpaguhet të dy autorëve kur ata surprizojnë Idriz Ajetin, pikërisht në 100-vjetorin e lindjes, me librin (maket) “Rrapi shekullor-Akademik Idriz Ajeti” (2017). Ata shpesh kujtonin edhe para ne studentëve fjalët e profesor Idriz Ajetit, kur ai u kishte thënë: “duhet të kryejnë më shpejt këtë libër”. Mënyra sesi kjo vepër i ka bashkuar, mund të jetë edhe arsyeja që Profesor Kryeziu t’i përkushtohet një vepre tjetër për kolegun e tij Profesor Begzad Baliun. Pavarësisht se bazën e kësaj vepre, sikur shprehet Profesor Kryeziu, e ka ndërtuar mbi Dosjen e kandidaturës së Profesor Balit në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ajo shpreh gjithë përvojën shkencore të një personaliteti dhe respekti që kanë trashëguar për njëri tjetrin dhe nga njëri brez te tjetri. Kjo vepër na kthen te Akademik Idriz Ajeti, të cilin sigurisht do ta përjetoni edhe ju, ashtu si unë përmes leximit. Do të ishte në nderin tonë që vepra të tilla nesër të shkruajmë për etërit tanë të dijes dhe t’i përsërisim përjetimet dhe gëzimet e dikurshme të Profesor I. Ajetit, që sigurisht është edhe gëzim e reflektim në shkencën e gjuhës shqipe dhe albanologjinë në përgjithësi.
Më erdhi aq mirë, që Profesori Begzad Baliu, kryepersonazhi i kësaj vepre, po vazhdon të punojë në monografinë kushtuar Idriz Ajetit, që po ashtu ishte një premtim që Profesori i kishte dhënë Idriz Ajetit, gjatë kohës sa ishte gjallë.
Kapitulli i radhës i veprës, shfaq veprimtarinë e Profesorit përmes veprës së botuar më 2019, me titull “Gjurmime albanologjike”, duke hollësuar elemente nga puna e tij në këtë vepër, duke shfaqur dashurinë e punën e gjuhëtarëve, si: Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Martin Camaj, Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Robert Elsie, Kolec Topalli etj. Autori Bahtijar Kryeziu shfaq pasqyrën ideale që, sipas meje, dëshmon njohuritë, kujdesin, trajtimin e hollësishëm mbushur me emocione, të pashuar për studiues e gjuhëtarë si këta. Profesori B. Baliu, nuk harroi asnjëherë e as nuk la anash pa përmendur e pa diskutuar në veprat e tij, patriotët tanë për çështjet kombëtare të vendit tonë, e të albanologjisë në përgjithësi.
Vepra “Qasje shumëdimensionale në studimet albanologjike” (Begzad Baliu dhe studimet albanologjike të tij), e Bahtijar Kryeziut pasqyron problemet e shtruara në shumë e shumë fusha ku Profesori ka trajtuar, duke nisur nga fushat e historisë së gjuhës, madje edhe kur shqipja, siç thotë autori, nuk kishte një formim të duhur. Profesori Begzad Baliu, përmend autorë, studiues të mëdhenj, profesorë, vepra e të tjerë, e kjo tregon ‘borxhin’ e madh, që secili prej nesh ua kemi këtyre studiuesve.
Kapitulli me titullin “Sintezë e bibliografisë së prof. dr. Begzad Baliut”, autori i jep lexuesit vlera të mëdha me gjithë atë bibliografi për Profesor B. Baliun, duke filluar qysh në kohët e rinisë së tij, duke vazhduar me studimet që Profesori ka përfunduar, fillimet e tij si mësimdhënës, botimin e veprave të shumta, aktivitetet shkencore në të cilat mori pjesë si organizator dhe si pjesëmarrës e të tjera.
Në kapitullin e radhës në këtë vepër mund të gjenden dhe lexohen vlerësimet e studiuesve me emër në albanologjinë shqiptare, të cilët kanë shkruar referatet e tyre për prof. dr. B. Baliun, me rastin e kandidaturës së tij në Akademinë e Shkencave. Në krye të referateve është vendosur referati i Akademik Idriz Ajetit, për të vazhduar edhe me leksikografin e madh të kohës sonë, Jani Thomai; studiuesin dhe drejtuesin e sotëm të projekteve nacionale, Valter Memishajn; teoricientin dhe linguistin më të madh të gjuhësisë shqiptare të shekulli XX, sikur e vlerësonte Profesor Baliu “mësuesin e tij”, Shefki Sejdiun; profesorin dhe edukatorin e shquar në Universitetin e Korçës, Ali Jasharin; Profesorin dhe mikun e tij, Bahtijar Kryeziun; Profesorin dhe drejtuesin e shquar të Katedrës së albanologjisë, Profesor Asllan Hamiti; që të gjithë anëtarë të komisionit për propozimin e Profesor B. Baliut për anëtar korrespondent të AShAK-ut.
Synimet dhe qëllimet e veprës së tij, autori Profesor Bahtijar Kryeziu i ka përmbledhur mjaft mirë në këtë vëllim, duke shkëputur fragmente nga vlerësimet e studiuesve të tjerë për profesor Begzad Balin dhe veprën e tij. Në krye të kësaj liste është vendosur njëri prej studiuesve më të mëdhenj: Jup Kastrati, i cili ka shkruar për pikëpamjet e Profesor Baliut për albanologun gjerman Gustav Mejerin; David Luka, i cili shkruan për konceptet linguistike; Gjovalin Shkurtaj, i cili sjell një pamje mjaft të gjerë të mendimit shkencor; Shefki Sejdiu, i cili natyrën e kërkimeve origjinale të Profesor Baliut e gjen te një vepër bibliografike për Profesor Eqrem Çabejn; Mark Tirta, i cili ka sjellë një vlerësim shumë personal dhe shumë kolegial; Bahtijar Kryeziu, i cili ka vendosur një pikëpamje mjaft interesante për kolegun e tij; Rami Memushaj, i cili ka paraqitje mjaft interesante për gjuhëtarin, sikur është Profesor Begzad Baliu; Tefë Topalli, i cili ka dhënë një pamje enciklopedike për njërin nga albanologët e kohës sonë; Shaban Sinani, i cili ndonëse është studiues i folklorit, këtu ka sjellë një vlerësim prej gjuhëtari; Faik Shkodra, në vlerësimin e të cilit gjejmë objektin dhe studiuesin e tij; Mustafa Ibrahimi, i cili i jep dimensione të reja përmasës shkencore të Profesor Baliut; Mentor Quku, Petrit Kotrri, Ledi Shamku-Shkreli, Jusuf Osmani, Blerton Sylejmani, Anisa Kosteri, Hidajete Azizi, Zhyljeta Kadilli, Tahir Foniqi, Merxhan Avdyli, Reshat Sahitaj, Sejdi Gashi, Avdyl Sula, Faton Krasniqi, Mikel Gojani etj., janë emrat e studiuesve me radhë që e vlerësojnë veprën shkencore të Profesorit Begzad Baliu.
Prof. dr. Bahtijar Kryeziun, e falënderoj për një libër si ky, me mjaft vlera për punën shkencore të profesorit tonë Begzad Baliut. Një studiues, i cili ka dhënë e vazhdon të japë shumë për albanologjinë, për Fakultetin e Edukimit, për kulturën tonë përgjithësisht!
Comments