Gazmend Cufaj: Edhe 100 nëna ime e dashur …
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 3, 2025
- 3 min read

Gazmend Cufaj: Edhe 100 nëna ime e dashur …
Ndërsa gëzohej në Truen për ardhjen e fëmijës në jetë, në oborrin e shtëpisë së madhe Cufaj, dëgjohej një ofshamë dhe një dridhmë zërame që përkonte me shkarkimin e dushkut nga kurrizi i gruas shtatëzënë. Gruaja ishte shtazënë me vajzën e saj dhe kishte mbajtur në atë kohë gati 65 kilogramë dushk në kurriz. Ky ishte një detyrim për Kooperativën. Gruaja tjetër që peshonte masën e prurë, e pa, ofshau dhe menjëherë e vuri lapsin në punë duke i llogaritur 75 kilogramë. Ishte një mirëkuptim i sinqertë, një respekt i përvuajtjes femërore dhe një dashuri më shumë për njëra-tjetrën. Aq më shumë kur bëhej fjalë për një grua që punonte shumë, natë e ditë, në borë e në shi, e më së shumti nga gjendja e saj e martuar në një familje të përndjekur të kohës komuniste.

Gruaja, zonjë e nderuar e një familjeje të nderuar quhet Have Cufaj, dhe ajo sot më 3 shtator feston ditëlindjen e saj me djemtë, vajzat dhe nipër e mbesa, plotë e përplotë. Në atë kohë dushku i ngarkuar vinte fill pas asaj që i faturohej secilit në dobi të Kooperativës, e në një kohë që pyjet ishin ruajtur nga rojtar të quajtur „Orman“. Puka e atyre viteve në rang vendi zotëronte rreth 23.3 përqind të sipërfaqes pyjore në rang vendi, dhe sytë e mendjen politika moniste e kohës i kishte atje, sepse Puka renditej i pari rreth me sipërfaqen më të madhe pyjore. Jo më kot Puka ishte bërë me stabilimente sharrash, Pukë dhe Fushë Arrëz, që në vitet 1945-50. e aty numëroheshin të punësuar deri dymijë e nëntë persona, pa llogaritur këtë punë të trefishtë të grave kooperativiste. Ndërsa atyre të sharrave iu ndërtua teleferiku me një gjatësi 1.5 kilometra, gratë mbetën gjithnjë e më shumë në primitivitet e me ngarkesa në krahë, si ajo e Haves, kur ishte shtatëzënë me vajzën e saj të vogël.
E kështu ky rreth që dhe në vitet më pas trashëgoi: Trungishte: 43145 ha; Cungishte: 29865 ha; dhe Shkurre; 8876 ha, mbeti prapë i pari rreth në vend për këtë trashëgimi natyrore, por dhe një plagë që rëndoi shumë mbi kurrizin e grave të kooperativave. I tilë ishte edhe kurrizi i shumëvuajtur i Haves, e cila që në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare u bë nuse, duke u martuar me Demush Cufaj, me të cilin ajo solli më pas në jetë fëmijë të mbarë e të shëndetshëm, por dhe të përkushtuar e të suksesshëm. Pa ndonjë diferencë të madhe, me vetëm tre muaj, të dy morën mbi shpinë ndërtimin e një udhe të bukur, të përkushtuar dhe të shëndoshë familjare.

Have vinte nga një familje me origjinë nga fshatit Sakat, Pukë, e me karakter të lartë patriotik, shoqëror e social, por me një njollë në biografi, si pasojë e sistemit komunist që e quante të deklasuar familjen e saj patriotike. Ajo mori në jetën e saj një djalë infermier, por që ai e kishte dhe babanë mjek, i njohuri dhe i respektuari Beqir Bajram Cufaj, por gjë që e cila nuk ndryshoi, përkundrazi e rrëndoi më shumë dyanësinë familjare nga sistemi komunist. E kudo, e ngado në tërësinë e kësaj lidhjeje ishte durimi dhe sakrifica. E tillë ishte dhe sakrifica e zonjës Have Cufaj.
Tek kjo sakrificë përplot vuajtje që përballohej nga stoicizmi i saj dhe i shumë grave të tjera, shpaloset humanizmi i tyre me tërë madhështinë hyjnore, pa të cilën nuk do të kishte kuptim e ardhmja e fortë e një familjeje të tillë të bukur, sikurse është ajo që ndërtuan bashkë me Demushin, por dhe një arsye më shumë që të kthesh sytë tek djemtë e saj, Gazmendin, Shkëlqimin, Mondin dhe më tej tek të gjithë fëmijët e nipërit e mbesat që janë shembuj dhe model në të gjitha drejtimet. Have Cufaj feston sot krenare ditëlindjen e saj të shtatëdhjetë me një duzinë gëzimesh jetike dhe natyrisht me një mal urimesh që i vijnë buqetë e freskët në krah të saj nga të gjithë të dashurit e zemrës së saj.









Comments