top of page

GANGSTERËT


GANGSTERËT


Tregim nga Resmi Osmani

Ra zilja e celularit.

-Po, të dëgjoj. Si do më njohësh? Fare thjesht. Kam një kapele borsalinë tiroleze, xhup lëkure , xhinse dhe atlete Adidas.Për siguri po të postoj fotografinë. Të pres te veranda e Taivanit, me pamje nga Shallvaret, në ora dhjetë fiks.Okej?Hajd,hajd, mire ardhsh!

Djali i shërbimit pruri porosinë.Uiski me akull.

Piu një gllënjkë. Uiski i pëlqeu, i ngrohu lukthin dhe iu përhap nëpër damarë. Në pritje të telefonuesit,vështroi kalimthi mjedisin. Një ves professional ky. Tryezat ishin gjitha të zëna.Më së shumti zonja të vajtura, (që zonja u thënçin) dhe burra të mbaruar, që gjerbnin kafe dhe tirrnin llafe për të shtyrë kohën që mesa duket, e kishin me të tepërt dhe s’dinin ç’të bënin me të. Shtyje ta shtyjmë!Teksa atij gjithmonë i mungonte. Asgjë e dyshimtë. Ai ua ndjente që larg me nuhatje erën spiunëve dhe hafieve .Edhe tryeza ku kishte ndenjur,ishte jashtë rrezes së kameras. Pritja po e mërziste. Shatervani lartësonte me shushurimë currilat e ujit, që ndrinin nën rrezet e forta të diellit, rruga gumzhinta nga makinat, perballë ballinat e ftohta e te shëmtuara të shallvareve.

Personi që priste, u shfaq papritur para tryezës dhe si me dyshim e pyeti ,në mos gabohej, ishte Bosi, zoti Valter? Jo nuk gabohej.Ai ishte dora vetë. Ti je sekseri? Ai pohoi me një tundje të kokës. Shtrënguan duart. E ftoi të ulej kundruall.I kërkoj ndjesë që e la të priste, por ky dreq trafiku, ishtye krejt i pa parashikueshëm.- U shfajësua ai.

Bosi nisi ta zhbironte me sy,aq sa sekseri u ndje në silklet. Asgje e veçantë: shtat mesatar, në mesmoshë, në pamje fare i zakonshëm, që nuk binte në sy, i rruar taze, syzet fotokromatike, nuk ja fshihnin dinakërinë që i lexohej në sy. Kapele sportive rrasur deri mbi vetulla.

- Më thanë që jetoni në Zvicër.Keni dit që jeni në Tiranë?

-Ka ca. Erdha dhe u hodha një sy investimeve, kam aksione në një firmë ndërtimi. Më ka mbetur edhe një punë para se të iki. Një dele më ka dalë nga vatha dhe dihet, delen që ndahet nga tufa e ha ujku! Më rekomanduan se ju mund t’ia dilni mbanë.

- Nuk e di përse bëhet fjalë. Erdha t’u dëgjoj.

- Atje ku banoj kam një biznes që shtrihet në tre shtete. Tregëtinë e miellit dhe të barit. Malli më vjen nga Amsterdami. Kam shitës me shumicë e me pakicë, një rrjet të organizuar e kontrolluar me dorë të fortë.

Bisedën e nderpreu, se erdhi djali i shërbimit per të marrë porosinë. Uiski për të dy? Jo. Sekseri deshi një çaj të zi.

- Një ditë nga ditët, më prunë një djalosh hallexhi që mu lut ta merrja në punë. Kuptohet, ndër ne s’merret ne punë kushdo, por djali mu bë rrodhe, u përqall e mu lut, u betua e stërbetua për besnikëri dhe, meqë ishte shqiptar e bëra zemrën gur.E vura në prove. Punonte mirë dhe në punën tonë dihet, kali i mirë ja shton tagjinë vetes. E mos ta zgjat e bëj tërkuzë, mori tridhjet mijë franga mall. Prit e prit se mos vjen e sjell fitimin, ai kishte fryrë. Kam ca djem që s’të falin , e kërkuan gjithandej të gjenin vrimën ku ishte futur dhe t’ia ndreqnin samarin e ta thyenin më dysh, por ai na kishte lënë hijen. Morëm vesh se ka ardhur në Elbasan, ku bën të fortin dhe ka hapur një biznes për shitjen e miellit dhe të barit.

E dua të vdekur!

Sekseri u trondit sesi Bosi bëri kërkesën e fundit, aq qetë ashtu siç bnëri porosinë për gotën e Uiskit. Por tekefundit, nuk ishte kot nasikoti Bos. Guxoi dhe bëri një vrejtje.

-Për aq pak, për tridhjet mijë franga. Kaq vlen jeta e njeriut?

-Mos bëj moralistin. Aq para për mua s’janë as një qime bythe. Po të mi kishte kërkuar, ngaqë ishte në hall edhe mund t’ia kishja falur, po ai shkërdhata krisi e iku.Pandehu se ma hodhi E mësuan ngjarjen gjithë shpërndarësit. Kjo për mua është e rëndë.S’ka lindur bir kurve që të ma shkojë ujin nën rrogoz. Janë shkelur rregullat e lojës. E kush më siguron se nuk do t’u ngjallen morrat edhe atyre të tjerëve. Po nderi im? Ç’bëhet me emrin dhe nderin tim? Në biznesin tonë dihet, s’ka keqardhje, s’ka mëshirë, rregullat e lojës nuk duhen shkelur. Kush del nga vatha dhe shkel kodin e nderit e paguan me kokë. Është kaq e thjeshtë!Në s’guxon apo nuk di ta hedhës atë valle, mos hyrë në ‘të. Nga ti kërkoj të më thuash: e bën dot apo jo, kaq. Në mos po drejtohem gjetk.

Në pritje të përgjigjes, Bosi nxori nga kutia e argjendtë puron, i preu majën me pincetë dhe i dha zjarr.

Sekseri u mendua. Zogu i kishte ardhur në dorë. Dukej që Bosi nuk i kursente paratë.

- Ti je dorërasi?

- Jo. Sekseri. Në Elbasan, kam ca djem që s’u dridhet qerpiku të marrin gjak në vetull. Për para vrasin dhe të atin! Do ta bëjë njeri prej tyre, pa iu dridhur dora. Është profesionist. Vrasës me pagesë, i ka gjithë mjetet që duhen: pushkë snajper, kallashnikov, pistoletë me silenciator, bomba të telekomanduara. Syri si gabon dhe dora si dridhet, por çmimin e shërbimit e ka të lartë. Xhanëm për këtë duhet të llafosim.

- Sa kërkoni?

- Tridhjet mijë euro!

- Jo. Është kijamet. Zbrite pazarin.

U hëngrën një copë herë: jo aq po kaq, dhan’ e morën, sekseri foli për rreziqet dhe vështirësitë, policinë që s’u ndahej, për ca pagesa për ata që do ta nxirnin gjahun në shteg, e ashtu e kështu e tërci vërci e broçkulla sa të duash! Më në fund e vendosën, njëzet e pesë mijë euro.

Për sekserin i shënjuari me vdekje ishte akoma një hije.

- Si e ka emrin?

- Në vend të emrit përdor nofkën Loni i Gjenës.

Bosi nxori në ekranin e celularit fotografinë e Lonit të Gjenës dhe ia tregoi sekserit.Tashti po ta postoj. Shihe, të erdhi? Po. E di ç’ke, fshije foton time që ta dërgova qëpar. E bëre? Po, e fshiva.

Bosi nxori një zarf.

- Është kapari. Në franga zvicerane. Gjysmën tjetër do ta merrni te firma “A.B.C. Konstrakshën”, te rruga e Kavajës, kur lepuri të ketë rënë në lak.

- Kjo gjueti do kohën e saj- vërejti sekseri- sa kohë na jepni?

- Sa më shpejt aq më mirë.

- Hele hele?

- Ta lemë nja një muaj, as një ditë më shumë.

- U tha, u bë! Por heshtje varri. Për ju unë nuk egzistoj dhe ti s’më ke parë apo takuar kurrë. Mos tu gënjejë mëndje të bëni dredha. Kam sy e veshë ngado dhe fundi, për ata që duan të ma hedhin dihet.

- Pa merak.

U ndanë, morën dy drejtime të ndryshme, të qetë, si të mos kishte ndodhur asgjë, sido që në mendjet e tyre ishte ukur galuc vdekja. Koha ishte e bukur dhe dielli ndrinte.

* * *

Një të martë mbrëma, Bosi, ndenjur në shezlong, në verandën e vilës në breg të liqenit të Gjenevës, gjeti kanalin e Top-Chanel për të dëgjuar lajmet nga Tirana. U shfaq folësja. Nisi me kronikën e zezë: Ngjarje e rëndë në Elbasan, u godit për vdekje personi i njohur me nofkën Loni i Gjenës, i kthyer nga Zvicra para gjashtë muajsh. Vrasësi u largua në drejtim të pa ditur. Viktima njihet si person me precedent penalë. Mendohet se vrasja duhet të jetë bërë për larje hesapesh midis bandave te shperndarjes së drogës. Hetimet vazhdojnë.

Bosi mori frymë I lehtësuar.Porosia ishte përmbushur.Nderi i shkelur ishte vënë në vend. Do të kujdesej që lajmin ta mësonin edhe të tjerët. Le të bëhej mësim për gjithë djemtë e punësuar.

Tiranë, më 28.10.2021

89 views1 comment

1 Comment


sotir.mimi
sotir.mimi
Oct 31, 2021

Xingografia:

Tregim i shkruar thjeshtë me një leksik të pasur, si dhe një konflikt që lexuesi e ndjek pa vështirësi. Urime për autorin! / Xing./ Athinë.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page