top of page

Gabriela Mujaj: Prostituta pa emër


PROSTITUTA PA EMEM

Tregim


Në nji dhomë në fund të spitalit, ku muret ishin të bardha, me të bardha edhe dyshemeja, çarçaft bardh si bora, si bora edhe flokët e saj.

E bardhë edhe komodina ku kishte fut vetëm dhimbjet e saj, e bardhë ishte dhe dera qi nuk hapej nga dora e pothuajse askujt në spital dhe qi dora jeme guxoi me e hap pa leje.

***

Ishte vjeti 2012, në Shkodër, në qytetin ma të bukur studentor.

Ishte kohë e bukur dhe ne grupi i tretë i kursit të infermierisë bajshim praktika, gja kjo qi mua për shumë arsye nuk më gëzonte aspak.

Nuk kisha ndonji interes të veçantë për kët' profesion dhe fatkeqsisht vazhdoj mos me pas as sot.

Qysh në vogëli kuptova qi natyra eme ishte e tillë që, kur e dojsha diçka me pasion, jepesha e tana, me mish e mendje e shpirt, e kur nuk e dojsha, mungojsha e tana. Flutrojsha nëpër andrrat e mija.

At' ditë kisha shkue me bezdinë ma të madhe te spitali dhe ajo erë e tij qi m'i therte hundët e mija dhe më sjellte shumë kujtime të padishrueme, aty ishte dhe ma e theksueme.

Kryeinfermierja qi na udhhiqte na mori mungesat. Kur ma thirri emnin i thashë: këtu asht, mandej me gjys zanin shtova: veç me trup.

Ajo ishte antipatike siç janë shumica e infermiereve. Në fund na e ndaloi e na porositi në mënyrë të preme qi mos me shkue te dhoma majtas në fund në koridorit.

Vet' me të ndëgjue fjalën e ndalueme, mendova menjiherë qi kisha ba mirë qi kisha shkue atë ditë, se me siguri aty kish diçka tepër interesante me mësue, qi s'kish të bajë me infermierinë por me histori mbi kenien njerzore, gja qi më interesonte ma shumë se gjithshka.

Prita sa u shpërndanë praktikantat dhe sa iku ajo leshverdha apo leshzeza, ç'randsi ka tashma, dhe u nisa drejt dhomës në fund të koridorit.

Ndëgjova klithma të largëta e kjo edhe se veshi jem asht aq i ndjeshem ndaj dhimbjes dhe se natyra jeme vigjilente nuk më len' kurrë në baltë për asgja. Atë mot, isha tue kalue nji kohë të veshtirë të jetes teme dhe gjendja eme shpirtnore ishte shumë e brishtë. E hapa derën me kujdes dhe u ndesha me dy sy të zi si korbi. Në krevatin me pozicion e ngritun, tipik të rastit, për pacientët me dhimta të mëdha, shtrihej nji grue me moshë dhe me nji bukuri poetike për mue. U gjinda ballë për ballë me dy sy të m'dhej e të zes', të cilet për mënyrën se si më kqyrën, s'kam me mujt me i harrue sa të kem' shpirtin gjallë.

Ajo kish' flokë të bardhë si bora, si me onde, ishte thinjun e tana, kish buzë të bukura qi i ishin tha për ujë, kish hundë të rregullt dhe ishte e veshun e tana me të bardha. Ajo klithte dhe ma zgjaste dorën me thirrje të heshtuna e dëshpruese.

Nuk e di se kujt i kallzova por fjala u hap shpejt. Kryeinfermierja e trazueme tha mos me u afrue dhe kur e dveta se pse, tha se ajo dyshohej për SIDA. Simbas saj duhej me i ndejt larg. E nëse na nuk dijshim për të, mundeshim me dvet prindët tanë, se në tan' Shkodër e njohin kush asht ajo.

E kuptova se bahej fjalë për nji prostitutë dhe si shumicës së prostitutave të famshme në qytetet e vogla, bukuria e kohës së rinisë i kishte lan' gjurmet e saja në fytyrë.

Shkova prapë te ajo, nuk më bahej vonë edhe me më përjashtue prej praktikës. Kishte dhimbje mesa kuptova. Nuk e di nëse e kishin mjekue, di vetem qi ishte vetem. Vetminë e saj ka çaste qi e ndjej dhe sot aq fort më pati prek' kenien teme.

Ajo ishte e smundët, e braktisun, e shkueme në moshë, në nji dhomë të ftohtë në fund të spitalit, pa asnji pacient me të cilin të qahej apo të ndante komposton e mungueme.

Mbaj mend qi kur klithte, më dukej se sytë e saj të zi e të bukur hapeshin edhe ma shumë. Sa e bukur qi ishte ajo grue!

Tue kqyr me thellësi, mendova për do çaste gjith' spektrin e mundshëm të jetës së nji prostitute.

Ashtë e habitshme se si mendja njerzore arrin me mendue aq shumë gjana në nji çast të vetem, por më duket se emja asht projektue për kët' gja.

Gjithmonë kisha pas nji interes të veçantë per me depertue te shpirti e psika njerzore. Ç'mister i jashtzakonshëm asht për mue njeriu dhe historitë e ngjarjet e tij!

S'e di nëse ishte e pendueme, ndoshta ato klithma ishin te atyre grave me burrat e të cilave prostituta ishte ngrohun netve të dimrit të ndonjë pensioni, apo me djelmoshat universitar që burrnoheshin në krahet e saj, e aty kujtoj qi me kje ndërmend Lukja e Migjenit.

Më kqyri me përgjerim dhe si kurrë ma parë në jetën teme, pashë se vetmia ishte grue. Pra, falë saj kam pa vetminë në sy, ballë për ballë.

Kënaqësitë e saja rinore dhan' shpirt dhe me siguri asnji prej dashnorëve t'saj ma nuk e kujtote. Ndoshta ndonji riosh, ose i dashtuni i saj i parë, nuk e di. Të gjithë dashurojmë dikand si askand tjeter e nuk mundena me e shque kurrë prej kujteset.

Aj njeri qi na ka ba me jetue dashninë, qi na ka prekë në atë mënyrë sa me na transformue, aj mbetet gjithnji i gdhenun te na, bash si vula në ballin e Kainit. Se tetan na, dikush apo dikand, me dijen apo pavetdijen tonë, në msheftsi apo haptas, me pasion apo me përmbajtje, na dashuron dhe e dashurojmë.

Në atë dhomë të ftohtë, ajo nuk ishte ma as e dyta, as e treta. Ishte e fundit dhe bukuria nuk ishte ma. E bela mallkimet e grave ishin ato dhimbta qi ja thershin trupin, dhe në agoni e siper i kalojshin para syve fytyrat e qindra mashkujve. Të gjatë, të shkurter, me bark, të dobët, funksionarë, pijanecë, komunistë, studente etj. Mbase i kujtonte ato net' me yje, kur nuk kishte pas ma klienta dhe studentat kishin kenë me pushime, dhe ia lejonte vedit nji natë të paqtë andrrimtare. Bela njikto ndjesi tash i bijshin si balsam mbi plagë.

Në atë qiell të natës veshun hollë, bela edhe kish' andrrue nji natë të vetme të ishte e dashunueme, e martueme, nji zoj' shkodret a nji sojnike malsiet.

Bela, bela, bela...por vet' kurrë ma s'kam me e dijtë dej n'tjetrën jetë.

E tash, në net' si kjo, vjen e më kujtohet prostituta e bukur me sy të zes e të m'dhenj, më kujtohet e nuk e dij se pse. Se asht ka fry erë, se asht natë qi ma çon shpirtin peshë, se unë maroj krejt për këso netsh kur fryn erë, se më zgjojnë kujtime, se në parkun ballë ballkonit tem pemët janë tranue krejt, se zhurma e tyne po më gian si zani i saj qi vjen me më përshëndet. Me më thanë qi asht mirë, qi e ka dikund nji vorr, qi dikush në msheftësi e viziton, qi n'at jetë ka gjet pagj', qi nuk asht ma grueja vetmi...

E tash më ban me mendue me vedin: - Çka andrron nji prostitutë?...

9 Prill, vjeti 2024

Vjenë, Austri

15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page