top of page

Gabimet në përkthim dhe pasojat e tyre


Prof.dr. Eshref Ymeri



Si shkak për hedhjen në kompjuter të shënimeve në vijim, u bë përkthimi i një fjalie, të shkëputur nga reagimi i zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, ndaj deklaratës së Kryeministrit Rama për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Reagimi i saj ishte botuar në disa portale.

Ja cila është fjalia:

“Ne presim një reagim të përshtatshëm nga mentorët perëndimorë të projektit të shtetndërtimit të Kosovës ndaj këtij provokimi të pacipë” (Citohet sipas: Zaharova: “Deklarata e Ramës për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë e papranueshme për Rusinë”. Faqja e internetit “Teuta”. 11 tetor 2021).

Ky përkthim haset po në faqen e internetit “gazetaexpress” të po kësaj date. Po i njëjti përkthim përcillet edhe në Platformën mediatike analitike në youtube “Pamflet” të së njëjtës datë.

Më bëri përshtypje shumë të keqe dhe madje më revoltoi togfjalëshi “provokim i pacipë”, prandaj thashë me vete:

“Kryeministri Rama ka plotësisht të drejtë që ministrinë ruse të punëve të jashtme ta paditë në një gjykatë evropiane për fyerje publike, sepse deklarata e tij për bashkimin e dy shteteve shqiptare nuk përbën absolutisht “provokim të pacipë”.

Mbiemri “i pacipë”, sipas Fjalorit të gjuhës shqipe të vitit 2006, do të thotë: “që nuk ka fare turp”.

Megjithatë, më lindi një hije dyshimi për saktësinë e përkthimit të këtij togfjalëshi. Prandaj vendosa “të shtegtoj” nëpër portale të tjera, ku hasa në një tjetër variant përkthimi, si ky në vazhdim:

“Presim reagimin e duhur nga kujdestarët perëndimorë rreth projektit për ndërtimin e kombit të Kosovës, që është një provokim i pastër” (Citohet sipas: “Deklarata e Ramës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, reagon Rusia”. Faqja e internetit “alsat”. 11 tetor 2021).

Gjithsesi, për t’u bindur përfundimisht për dyshimin që më lindi, duhej bërë krahasimi me fjalinë e tekstit origjinal të deklaratës së Maria Zaharovës. Ja fjalia, e nxjerrë nga teksti origjinal.

Рассчитываем на адекватную реакцию западных опекунов проекта косовской “государственности” на эту откровенную провокацию (Citohet sipas: “Koment i zëdhënëses së MPJ të Rusisë M.V. Zaharova lidhur me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë E. Rama”. Faqja e internetit e MPJ të Rusisë “mid.ru”. 10 tetor 2021).

Dyshimi im paskej qenë me vend. Togfjalëshi i gjuhës ruse “откровенная провокация”, në përkthimin fjalë për fjalë, do të thotë “provokim i hapur”. Në portalin “alsat” është përthyer shumë bukur - “provokim i pastër”. Atëherë lind pyetja: po portalet “Teuta”, “gazetaexpress” dhe “Pamflet” nga e shpikën mbiemrin “i pacipë”, nga ç’gjuhë e kanë përkthyer? Cili ka qenë ai përkthyes i papërgjegjshëm, i cili “i ka thënë këmbës dorë”? Sepse me mbiemrin “i pacipë”, për mungesë të theksuar etike, akuzohet rëndë padrejtësisht ministria ruse e punëve të jashtme dhe, po padrejtësisht, fyhet keq Kryeministri Rama.

Në përkthimin e fjalisë së sipërcituar, ka edhe pasaktësi të tjera. Në fjalinë e përkthyer në të katër portalet e mësipërme, është shmangur qëndrimi i njohur antishqiptar i politikës ruse kundër Kosovës, si shtet i pavarur. Në të tre portalet e para, fjala e origjinalit në gjuhën ruse “государственность”, është përkthyer “shtetndërtim”, kurse në portalin “alsat” - “ndërtimi i kombit të Kosovës”.

Së pari, fjalën “государственность”, që do të thotë “organizim shtetëror” (le ta pranojmë si variant përkthimi edhe kompozitën e shqipes “shtetndërtim”), zëdhënësja e ministrisë ruse të punëve të jashtme e ka vënë në thonjëza, çka do të thotë se Moska shprehet ironikisht për organizimin shtetëror të Kosovës, sepse ajo nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, duke e konsideruar si pjesë të Serbisë. Prandaj kompozita shtetndërtim duhej dhënë në thonjëza.

Së dyti, me shprehjen “ndërtimi i kombit të Kosovës”, përkthyesi i ka lejuar vetes tri gafa:

a. shprehjen duhej ta jepte në thonjëza.

b. fjalën “государственность” duhej ta përkthente “organizim shtetëror”, jo “ndërtimi i kombit”.

c. fjalën “komb” e ka shpikur nga xhepi, duke sajuar një “komb kosovar” të paqenë, çka është në përputhje me falsifikimet historike të serbosllavizmit dhe të mercenarëve në shërbim të tij në Prishtinë, si Profesor Nexhmedin Spahiu e disa të tjerë, sipas të cilëve banorët rrënjës të Kosovës “janë komb më vete” që “nuk kanë lidhje” me kombin shqiptar.

Këto tri gafa dëshmojnë për mungesë të theksuar të formimit profesional të përkthyesit dhe për horizontin e tij kulturor gjysmak.

Në këndvështrimin tim, varianti më i goditur i përkthimit të fjalisë, që është nxjerrë nga një tekst i natyrës politike nga fusha e diplomacisë, do të ishte ky në vijim:

“Jemi në pritje të reagimit të duhur nga ana e kujdestarëve perëndimorë, që ndjekin nga afër zbatimin e projektit për “organizimin shtetëror” të Kosovës, ndaj këtij provokimi të pastër”.

Portalet që përkthejnë materiale nga gjuhë të tjera, duhet të punësojnë përkthyes të talentuar, të cilët e zotërojnë gjuhën e huaj në mënyrë të përsosur. Në të kundërt, do t’i lejojnë vetes t’u shpëtojnë gafa të rënda, si ato që përmenda më lart, çka do të thotë se përkthyesi, sipas asaj fjalës së urtë, “është marrë nga dhitë dhe është vënë zabit”.

Në të njëjtën kohë, portalet duhet të kenë edhe redaktorë të talentuar, të cilët duhet të jenë jo vetëm të formuar nga ana profesionale, por edhe të pajisur me një horizont të gjerë kulturor. Por, me sa duket, portalet, fatkeqësisht, nuk kanë fare redaktorë, prandaj edhe u kanë shpëtuar gafat që përmenda më lart.

Herë tjetër, lexuesit e nderuar do t’i njoh me gabime në përkthim në praktikën botërore të komunikimit, gabime që kanë shërbyer edhe si skena humori, edhe si arsye për ndonjë ndëshkim të rëndë, edhe si shkak për pasoja tragjike të përmasave të mëdha.

San Diego, Kaliforni

18 tetor 2021

47 views4 comments

4 Comments


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Oct 19, 2021

E dashur Armela,

Shumë faleminderit, moj autore e vargjeve poetike emocionuese! Gëzohem me shpirt, si bashkatdhetarë që jemi, që Ju dhe Dardani jeni mirë familjarisht. Megjithëse larg atdheut, jemi fatlumë që kemi një Portal kaq të dashur për Diasporën shqiptare kudo në botë, si “Fjala e Lirë”, me një moderator shembullor, siç është Prof.dr. Fatmir Terziu, Mjeshtër i Madh, i cili na sjell kaq afër me njëri-tjetrin.

Juve dhe Dardanit Ju uroj shëndet dhe mbarësi familjare dhe suksese Juve në krijimtari artistike.

Eshref Ymeri

Like

Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Oct 19, 2021

Shumë faleminderit, moj e respektuara Bija e Diellit. Po prezantohuni, moj e Bekuar, me emër dhe me mbiemër, se kohën e autocensurës e kemi lënë pas. Gjithsesi, ju jam shumë mirënjohës për fjalët tuaja dashamirëse dhe frymëzuese, si edhe ju përshëndes për rekomandimin që jepni për organizimin e një seminari për përkthyesit dhe redaktorët.

Me respekt dhe mirënjohje.

Eshref Ymeri

Like
Replying to

Përshëndetje! Keni të drejtë i nderuar Profesor Ymeri. (Është krijuar llogaria e Fjalës së Lirë direkt nga llogaria e platformës internetike dhe ka marrë emrin që mbaj për shumë vjet, automatikisht - që është dhe emër që përfaqëson një pjesë të krijimtarisë time, ka titullin Bija e Diellit). Armela Hysi, nga Athina, ju shkruaj, bashkë me bashkëshortin tim Dardanin, pasi ju lexojmë përherë me shumë respekt e interes. Jam prezantuar disa herë dhe harroj që duhet sa herë që prononcohem, ju faleminderit për pozicionimin. Urojmë frymëzim e veçanërisht shëndet për ju e familjen tuaj, të na kompletoni mendimin e të na mahnitni përherë me gjykimin tuaj të drejtë dhe shkrimet tuaj dinamike.

Like

Ju lumtë pena Prof.dr. Ymeri. një shkrim me vlerë, për vënien në vend të informacionit të shthurur, ose "të pacipë", duke u referuar tek rasti konkret, ndërkohë dhe një seminar për përkthyesit dhe gazetarët, se si duhet të konfirmojnë çdo lajm dhe të bëjnë më të mirën që munden... Respekt! Faleminderit Fjala e Lirë për botimin!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page