top of page

Gabime përkthimore në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare


Prof.dr. Eshref Ymeri


Me zhvillimin e teknologjisë së internetit dhe me botimin e teksteve mësimore me vlera praktike, sot është bërë e mundur që kushdo që ka dëshirë dhe talent, mund t’i hyjë studimit të një gjuhe të huaj në mënyrë të pavarur. Madje në internet mund të pajtohen edhe pedagogë për mësimdhënie. Por, në të shumtën e rasteve, dijet e përftuara gjatë studimit të një gjuhe të huaj, nuk janë të mjaftueshme për t’u marrë me përkthim në një mënyrë profesionale. Sepse zotërimi në nivele të kënaqshme i një gjuhe të huaj, nuk do të thotë se mund të arrish të bëhesh edhe përkthyes.

Herë-herë hasen njerëz të talentuar, të cilët, gjatë përkthimit gojor, arrijnë të përballojnë përkthimin e shumë fjalëve apo shprehjeve të vështira, madje pa pasur as arsimimin, as përvojën e duhur. Por këto janë raste të rralla në jetë dhe përbëjnë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Megjithatë, duhet theksuar se në jetë u qëllon të gabojnë edhe diletantëve, edhe profesionistëve. Por nganjëherë gabimet e përkthyesve tingëllojnë kaq absurde, saqë ato i përmendin si anekdota.

Jo rrallëherë si shkak për gafa të tilla në përkthim shërbejnë të ashtuquajturit “miq të rremë të përkthyesit” ose omonimet ndërgjuhësore. Kështu, p.sh., fjala mjaft e përhapur e anglishtes “magazine”, në gjuhën shqipe s’përdoret absolutisht në kuptimin “magazinë”, por në kuptimin “revistë”. Fjala e italishtes “lunatico” dhe e anglishtes “lunatic” kanë kuptime krejt të ndryshme në gjuhën shqipe: e para përdoret në kuptimin “njeri që ecën në gjumë, që vuan nga makthi i natës, somnambul, kurse e dyta përkthehet “i marrë, i çmendur”.

Në vijim po i njoh lexuesit me disa gabime në përkthim, të cilat janë bërë shkak edhe për skena humori, edhe për keqkuptime në sferën e tregtisë, e diplomacisë, edhe për ndonjë ndëshkim të rëndë financiar, edhe për ndonjë ngjarje tragjike të përmasave katastrofike.

Një etiketë me zarar

Arsyeja kryesore e gabimeve në përkthimin gojor është horizonti i pamjaftueshëm kulturor i përkthyesit. Për pasojë, ai nuk i njeh traditat historiko-kulturore të një vendi të caktuar, me të cilin bën tregti një sipërmarrës që ka këkuar ndihmën e tij. Kështu, një prodhues i njohur i verërave rumune të qytetit Myrfatlar, dikur mendoi të hidhte në tregun ndërkombëtar një prodhim të ri. Verës që mendonte ta tregtonte në disa vende të botës, përfshirë edhe Rusinë e Bullgarinë, në konsultim me përkthyesin, i pati vënë etiketën “Zaraza”. Ky emër lidhet me një legjendë të Bukureshtit të viteve 30-40 të shekullit të kaluar. Skenaristi rumun Serxhiu Nikolaesku (Sergiu Nicolaescu - 1930-2013) e pati përdorur këtë legjendë në filmin Supravieţitorul” (I mbetur gjallë), i cili pati dalë në ekran në vitin 2008.

Heroina e filmit, Zaraza, që në rumanisht do të thotë “e mrekullueshmja”, ishte njëra nga prostitutat më të magjishme të klubeve elitare të natës në Bukuresht. Ecjet e saj të shkujdesura dhe ngjyrat e fustaneve të saj magjepsëse, i linin meshkujt pa mend. Emri i heroinës romantike, i njohur për shumicën e rumunëve, në përfytyrimin e tregtarit të verërave, vendoste një lidhje të hamendësuar me pasionin dhe me dashurinë e zjarrtë për një damë të magjishme. Por përkthyesi, dhe bashkë me të edhe tregtari, kishin harruar më të rëndësishmen: ç’kuptim kishte kjo fjalë në gjuhët e vendeve ku do të tregtohej vera rumune?

Kjo fjalë përdoret në spanjisht. Haset në Meksikë, si emërtim i një lëngu frutash. Kurse në Venezuelë kështu quhet një qendër banimi, pra, përdoret si emërvend (toponim). Por si do të pritej kjo llojë vere në Rusi dhe në Bullgari? Sepse në rusisht dhe në bullgarisht kjo fjalë do të thotë “sëmundje ngjitëse, epidemi”. Merret me mend fare lehtë se si do të reagonin konsumatorët rusë dhe bullgarë ndaj kësaj vere me një të tillë etiketë. Askush nuk do të kuturiste t’i afrohej.

Gabime në sferën

e diplomacisë

Është e panumërt moria e incidenteve politike dhe diplomatike që janë krijuar për shkak të përkthimit të gabuar në gjuhën angleze të fjalës së frëngjishtes “demander” (pyes, lyp), një folje kjo e ngjashme për nga tingëllimi dhe drejtshkrimi me foljen e gjuhës angleze “demand” (kërkoj).

Aty rreth vitit 1830, mes Parisit dhe Vashingtonit lindën debate të zjarrta lidhur me taksat. Prandaj presidenti Xhekson (Andrew Jackson - 1767-1845) mbajti një fjalim në Kongres, duke propozuar masa të jashtëzakonshme.

Mesazhi që Franca i dërgonte Shtëpisë së Bardhë fillonte në këtë mënyrë:

“Qeveria e Francës lutet…”.

Përkthyesi e pati përkthyer:

“Qeveria e Francës kërkon…”

Presidenti Xhekson reagoi shpejt dhe prerazi, duke deklaruar, se, në qoftë se qeveria franceze do të guxonte të kërkonte, atëherë ajo nuk do të merrte asgjë. Për fat të mirë, gjithçka u vu në vijë, sapo përkthimi qe ndrequr.

Publicisti amerikan Xhon Koulman (John Coleman - 1935), në njërin nga librat e vet rrëfen për një takim të një delegacioni spanjoll me një delagacion francez. Njëri nga delegatët spanjollë që mori fjalën për të diskutuar, meqenëse kishte ngjirje zëri, iu drejtua të pranishmëve:

“Ju lutem të më falni se jam ftohur”.

Përkthyesi i frëngjishtes, duke mos qenë fort i kujdesshëm, këtë fjali e përktheu si më poshtë:

“Më falni, unë jam kaps”.

Delegacioni francez u shkul së qeshuri aq shumë, saqë shkundi tërë sallën dhe ngjalli kureshtinë e të gjithë të pranishmëve. Përkthyesi, i zënë ngushtë, u mundua të jepte shpjegime, por më kot.

Në vitin 1980, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Kurt Vald-hajm (Kurt Waldheim - 1918-2007), bëri një vizitë në Iran për të zhvilluar bisedime për lirimin e pengjeve amerikane. Kur arriti në Teheran, ai deklaroi:

“Unë kam ardhur si ndërmjetës, për të diskutuar kushtet e kompromisit”.

Në këto fjalë e sipër, u krijua një keqkuptim: fjala persiane, e përshtatshme për fjalën “kompromis”, ka një ngjyrim negativ, të përafërt me fjalën “tradhti”, si, fjala vjen, në shprehjen “parimet tona qenë tradhtuar”. Po ashtu, fjala persiane që i përshtatet fjalës “ndërmjetës”, ka më shumë kuptimin “transportues” sesa “ndërmjetës” që mund të jetë i dobishëm.

Me fjalë të tjera, kuptimi tërësor i fjalëve që shprehnin qëllimin e vizitës së tij, qe përkthyer në persisht: “komprometim i moralit femëror”, me qëllim poshtërimin e Iranit.

Një orë pas kësaj deklarate të Kurt Vald-hajmit, iranianët e egërsuar filluan ta qëllonin me gurë makinën e tij.

Në librin e vet me titull “Undiplomatic Activities” (Puna jodiplomatike), që e ka hedhur në qarkullim Shtëpia botuese “Scribe Publications”. Melbourne, 2007, Riçard Vulkoti (Richard Woolcott - 1927), i cili, gjatë katër vjetëve, ka qenë ministër i punëve të jashme të Australisë, rrëfen se çfarë grackash i presin përkthyesit gojorë.

Ai tregon se si një diplomat australian në Francë, duke folur para francezëve, deshi të thoshte:

“Duke hedhur vështrimin mbi karrierën që kam lënë pas, mendoj se ajo ndahet në dy etapa: mërzia që më ka ndjekur në të gjitha vendet ku kam punuar më përpara dhe jeta në Paris”.

Sipas fjalëve të Vulkotit, mendimin e vet diplomati e shprehu në këtë mënyrë:

“Duke hedhur sytë mbi prapanicën time, po vërej se ajo përbëhet prej dy pjesësh”.

Vulkoti kujton një çast kur pati mbajtur një fjalim gjatë një vizite që kishte bërë në Palembang, fill pasi kishte filluar punën në ambasadën australiane në Indonezi:

“Zonja dhe zotërinj,

Në emrin tim dhe të bashkëshortes sime, dëshiroj të them se jemi të lumtur që erdhëm në Palembang”, - shqiptoi ai në anglisht.

Përkthyesi indonezian shqiptoi një frazë që s’kishte asgjë të përbashkët me ato që tha ambasadori:

“Zonja dhe zotërinj,

Duke ndenjur ulur në fytyrën e bashkëshortes sime, jam i lumtur që erdha në Palembang”.

Sipas fjalëve të Vulkotit, ish-kryeministri australian Bob Houk (Bob Hawke - 1929), dikur e pati vënë në siklet të madh auditorin japonez, kur, në përgjigje të disa pyetjeve të mërzitshme të ca personave zyrtarë japonezë, deklaroi:

“I am not here to play funny buggers” (Unë nuk jam këtu për të bërë shaka).

Ai përdori një shprehje frazeologjike nga anglishtja e folur australiane.

Për përkthyesit japonezë, kjo fjali e thjeshtë paskej qenë një kockë e fortë. Ata u mblodhën kokë më kokë dhe filluan të pëshpërisnin me njëri-tjetrin se si duhej përkthyer në japonisht shprehja “funny buggers”. Mbasi e përfunduan konsultimin, ata e përkthyen fjalinë si më poshtë:

“Unë nuk jam këtu që të luaj me ju si puna e homoseksualëve që qeshin nën hundë”.

Sipas fjalëve të Vulkotit, kur nisesh nga qëllimi për të bërë një përkthim të saktë të një fjalimi, përgjithësisht, është më mirë të mos e përkthesh. Për të argumentuar mendimin e vet, ai rrëfen për një ministër të një vendi aziatik, i cili, në një banket që qe organizuar në Seul, filloi të tregonte një anekdotë të gjatë. Përkthyesi korean s’po merrte vesh asgjë, por nuk e bënte veten. Ai shqiptoi nja dy fjali. Sakaq auditori ia dha të qeshurit dhe filloi duartrokitjet. Më pas përkthyesi e pranoi se cila kishte qenë arsyeja e vërtetë që të pranishmit i kishte bërë për të qeshur. Ai iu drejtua ministrit:

“Po ju them me ndershmëri, zoti ministër: anekdotën tuaj nuk e kuptova dhe prandaj thashë në koreanisht: ministri rrëfeu anekdotën e vet të radhës, prandaj tani, ju lutem, të gjithë së bashku qeshni dhe duartrokitni”.

Një përkthim i gabuar

i shakasë së Boris Jelcinit

Në tetor të vitit 1995, presidenti rus Boris Jelcin (1931-2007) ndodhej për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në konferencën e shtypit që u dha në Nju Jork, në prani të Presidenti Bill Klinton, Jelcini u tha gazetarëve amerikanë:

“Tani po ju deklaroj se ju keni dështuar”.

Konteksti i plotë i kësaj fjalie ishte si më poshtë:

“Në gazetat e djeshme ju parashikuat se takimi ynë i sotëm me Billin do të dështojë. Atëherë sot, për herë të parë, po ju deklaroj se jeni ju ata që keni dështuar”.

Më vonë gazetarët, të cilët presidenti rus u mundua t’i thumbonte, e patën etiketuar atë fjalim të Jelcinit si “shfaqja e Borisit”.

Ja se si e kujton atë ditë një dëshmitar, Stroub Telboti (Strobe Talbott - 1946), diplomat dhe politolog amerikan:

“Diplomacia, ashtu siç e zbatonte Jelcini, gjithmonë ishte një lloj shfaqjeje në kuptimin e vet, kurse kur ishte i dehur, shfaqja vinte dhe shndërrohej në parodi: ky ishte njëri nga incidentet më të këqinj që kishin ndodhur deri tani. Klintoni, gjithsesi, u shkri së qeshuri, i rrahu krahët Jelcinit dhe filloi të fshinte lotët:

“Vetëm të jeni i bindur se gjithçka ne e kemi kuptuar drejt, - tha ai, - duke iu afruar mikrofonit dhe duke vazhduar të qeshte, paksa i sforcuar dhe në një mënyrë jo bindëse””, - shkruan Telboti në librin e vet me titull The Russia Hand: A Memoir of Presidential Diplomacy” (Dora e Rusisë: kujtime për diplomacinë presidenciale). Random House Publishing Group. 2007.

Përkthyesi, duke përkthyer frazën shakatare të Jelcinit “Tani po ju deklaroj se ju keni dështuar”, pati zgjedhur në anglisht shprehjen “you had a disaster”. Këtë shprehje përkthyesi e sajoi krejtësisht kot, sepse në anglisht kjo shprehje do të thotë “ju jeni dhier në brekë”.

Klintoni, që t’i japësh hakun, filloi të qeshte me bubullima, si ndonjë fëmijë shkolle, saqë i dolën lot, çka bëri që të çtensionohej situata.

Së pari, një shprehje e tillë në anglisht nuk ekziston.

Së dyti, përkthyesi nxori nga goja fare qartë jo shprehjen “you had a disaster”, por shprehjen “you are a disaster”. Përgjithësisht, nuk u kuptua se kush dhe si ia kapi veshi fjalën “had”.

Atëherë cila qe arsyeja që Klintoni u shkri gazit?

Sepse në përkthim fjalët e Jelcinit tingëlluan afërsisht në këtë mënyrë:

“Ju keni thënë se do të dalë një katastrofë. Ju jeni vetë katastrofa!”. Për më tepër, kjo është një shprehje tipike për të folurën e fëmijëve në gjuhën angleze. Në gojën e përkthyesit pikërisht e tillë tingëlloi dhe Klintoni me siguri që e mori si një shaka të qëllimshme nga ana e Jelcinit.

Një gabim përkthimi

në hapësirat e Bashkimit Evropian

Është vështirë ta besosh se si në botën e sotme të globalizuar dhe konkretisht në hapësirat e Bashkimit Evropian, vazhdojnë të bëhen gabime përkthimore në çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në nëntor të vitit 2013, krejt shtypi spanjoll, nën ndikimin e agjencive të informacionit, shkroi sikur përfaqësuesi zyrtar i Komisionit Evropian e paskej quajtur “rubbish” (pleh) deklaratën e ministrit spanjoll të arsimit Vert (José Ignacio Wert Ortega - 1950). Në të vërtetë, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për çështjet e arsimit Denis Ebot (Dennis Abbot), pati përdorur fjalën rubbish, e cila me të vërtetë mund të ketë kuptimin “pleh”, por, në kontekstin e dhënë, përkthimi i saktë do të ishte “absurditet”, “budallallëk”. Por kjo nuk është e njëjta gjë. Eboti u mundua ta ndreqte një gabim të tillë, por pa ndonjë sukses të dukshëm. Ky gabim, i cili shtypit, përgjithësisht, i erdhi në osh, nuk del përtej caqeve të një kurioziteti, por çfarë mund të ndodhte kur bëhet një trajtim i tillë i gabuar në rastin e një gjendjeje të tensinuar? Çfarë ndodh kur një gabim i përkthyesit gojor merret si i vërtetë?

Gabime me pasoja

në histori

Le të njihemi më poshtë me disa gabime në përkthimin gojor, mes të cilëve ka pasur edhe ndonjë të atillë që ka lënë gjurmë të rënda në histori.

Përkthyesit gojorë i quajnë luftëtarë të një fronti të padukshëm. Ata edhe mund t’i zbutin bisedimet, si edhe mund të shpërthejnë sherrin mes bashkëbiseduesve në gjuhë të ndryshme. Por kur gabimet në përkthim prekin rëndë marrëdhëniet mes shteteve, atëherë pasojat mund të jenë shumë tragjike.

Kërcënimi i Hrushovit

Në vitin 1956, kur lufta e ftohtë ishte në kulmin e saj, Hrushovi mbajti një fjalim në një banket, të organizuar në ambasadën polake në Moskë, ku merrnin pjesë shuë ambasadorë të vendeve perëndimore.

Mysafirët e pranishëm ngrinë në vend, kur dëgjuan fjalët që Hrushovi nxori nga goja:

“Ju pëlqen apo nuk ju pëlqen një gjë e tillë, historia është në anën tonë. Ne do t’ju groposim!”.

Në kushtet e një gare të shfrenuar armatimi, shtypi perëndimor i perceptoi këto fjalë si një kërcënim të drejtpërdrejtë. Por pala sovjetike nxitoi të deklaronte se Hrushovin e paskeshin kuptua gabim, se fjalët e tij qenkeshin shkëputur nga konteksti. Në të vërtetë, udhëheqësi sovjetik paskej pasur parasysh një frazë të Marksit nga vepra “Manifesti i partisë komuniste”, ku thuhet se “borgjezia pjell varrmihësit e vet”.

Përkthimi i saktë i fjalimit të tij, i cili jo detyrimisht duhej të ishte i fjalëpërfjalshëm, duhej përcjellë afërsisht në këtë mënyrë:

“Ju pëlqen apo nuk ju pëlqen, historia është në anën tonë. Ne do të jetojmë deri atëherë kur të shikojmë se si juve do t’ju groposin”.

Nuk mund të thuhet se kjo ishte ndonjë frazë miqësore, por, sidoqoftë, ajo, sipas palës sovjetike, paskej qenë një parullë ideologjike dhe jo një kërcënim.

Një gabim i rrezikshëm në përkthimin

e porosisë së Fidel Kastros

Fidel Kastroja pati deklaruar dikur se kriza e Karaibeve qe shkaktuar për faj të përkthyesit. Në të vërtetë, udhëheqësi kubanez i kishte thënë qeverisë sovjetike të mos sillte raketa në Ishullin e lirisë, siç e quante ai, por fjalët e tij qenë përkthyer gabim, dhe raketat sovjetike u instaluan në Kubë. Pra, një përkthim i gabuar gati sa nuk çoi në një konfrontim bërthamor mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik

Gabimet e përkthyesit

të presidentit Karter në Poloni

Situata krejtësisht absurde mund të krijohen edhe atëherë kur përkthyesit gojor i mungon përvoja dhe përgatitja e mjaftueshme profesionale. Dikur, në mbarë botën, pati shpërhyer një zhurmë e madhe për gabimet e përkthyesit të presidentit Karter gjatë vizitës së tij në Poloni. Pra, ajo vizitë në dhjetorin e vitit 1977 për pak sa nuk përfundoi me një skandal ndërkombëtar për shkak të paaftësisë së përkthyesit sinkronist. Përkthyesi arriti t’i lejonte vetes gafa të tilla në përkthim, të cilat e ndryshonin tërësisht kuptimin e disa fjalive të presidentit.

Pra, kur presidenti Karter po bëhej gati për atë vizitë, përgjegjësi i seksionit të përkthimit në Departamentin e Shtetit, bëri një marrëveshje me përkthyesin amerikan me prejardhje polake Stiven Seimurin (Steven Seymour), i cili dinte polonisht, por asnjëherë nuk ishte marrë me të në një mënyrë profesionale.

Siç dihet, asokohe Polonia ishte pjesë e kampit socialist dhe Karteri u mundua të fitonte simpatinë e popullit polak, duke mbajtur një fjalim miqësor. Por përkthyesi nuk dihet se për ç’arsye ngeci. Karteri e filloi fjalimin e vet me fjalët “Unë u nisa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot në mëngjes”, kurse përkthyesi e perktheu “Unë u largova nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mos u kthyer më kurrë atje”. Shprehja “kur qe themeluar kombi ynë…”, tingëlloi “kur qe thurur kombi ynë…”, kurse fjalia “Pothuajse gjashtë milionë amerikanë kanë prejardhje polake”, në përkthim mori një kuptim krejtësisht tjetër: “Polonia është atdheu i dhjetë milionë amerikanëve”. Kur presidenti tha “Unë erdha për të mësuar mendimin dhe dëshirat tuaja për të ardhmen”, përkthyesi la të kuptohej sikur Karteri paskej pasur një pasion seksual ndaj polakëve. Madje fraza e patëkeq se sa i lumtur është Karteri që po viziton Poloninë, në gojën e përkthyesit u përcoll me fjalët “ai është i lumtur që pa pjesët intime të Polonisë”.

Kjo ishte një gjë e tmerrshme. U desh të thirrej një tjetër përkthyes. Ky e zotëronte mirë polonishten, por kishte dobësi në zotërimin e anglishtes. Gjithçka shkoi keq dhe madje nuk ishte për të qeshur. Ai thjesht nuk ishte në gjendje të përkthente.

Me siguri që polakët e patën kujtuar për një kohë të gjatë atë vizitë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një përkthim me rrezik

për Lindjen e Mesme

Në vitin 2006, sipas versionit të përkthyesit gojor, presidenti i Iranit Ahmadinexhad (1956) pati bërë thirrje për Izraelin “to be wiped off the map”(të fshihet nga faqja e dheut). Kjo shprehje u studiua më vonë dhe doli që ajo që ishte thënë, në të vërtetë, kishte kuptimin the regime occupying Jerusalem must vanish from the page of time” (qeverisja që mban të pushtuar Jeruzalemin duhet të marrë fund).

Pavarësisht nga mendimi që krijohet për këtë deklaratë, qëllimi i saj ishte i ndryshëm nga ajo çfarë kishte kuptuar përkthyesi. Në një rajon të botës, aq delikat, si Lindja e Mesme, një gabim i një shkalle të tillë në përkthim, mund të sillte si pasojë ndërlikime shumë të rënda, deri në shpërthimin e luftës.

Një përkthim me pasojë

71 milionë dollarë dëmshpërblim

Në vitin 1980, Vili Ramires (Willie Ramirez) qe shtruar në njërin nga spitalet e Floridës. Ai ndodhej në një gjendje shumë të rëndë. Të afërmit e tij nuk ishin në gjendje të sqaronin se çfarë kishte ndodhur me të, meqenëse nuk dinin anglisht. Ata, sipas hamendjes së tyre, u thanë mjekëve se Ramiresi qenkej helmatisur nga ushqimi. Përkthyesi bëri një gabim gjatë përkthimit të termit spanjoll “intoxicado”, që do të thotë “i helmatisur” ose që “ka reaksion alergjik”. Ai e përktheu “intoxicated”, një fjalë kjo, e cila në anglisht përdoret vetëm në rastet kur njerëzit kanë pirë një dozë të lartë narkotikësh ose alkooli.

Megjithëse të afërmit e Ramiresit shkonin me mendimin se ai paskej gastroenterit (infeksion të cipës së stomakut dhe të zorrëve të holla), në të vërtetë, ai kishte gjakrrjedhje në tru (hemorragji). Për shkak të kësaj pakujdesie në përkthim dhe, për pasojë, të kurimit të gabuar, Ramiresi pati një paralizë të të katër gjymtyrëve (tetraplegji), kurse spitalit iu desh t’i paguante një kompensim prej 71 milionë dollarësh.

Një përkthim me pasoja

dy bombardime atomike

Më 26 korrik të vitit 1945, vendet e koalicionit antihitlerian botuan Deklaratën e Potsdamit, në të cilën qenë përcaktuar kushtet e kapitullimit të perandorisë japoneze në Luftën e Dytë Botërore dhe nënvizohej se në rast refuzimi, atë e pret “një shfarosje e shpejtë dhe e plotë”. Deklarata ishte një ultimatum tipik.

Kryeministri i Japonisë Kantaro Suzuki (1868-1948) thirri një konferencë shtypi, në të cilën deklaroi:

No comment. We are still thinking about it” (Pa komente. Ne po vazhdojmë ta mendojmë një gjë të tillë).

Për fat të keq, version i përkthyesit ishte:

“We are ignoring it in contempt” (Ne e shpërfillim këtë me përbuzje).

Vetëm dhjetë ditë pas konferencës së shtypit të kryeministrit japonez, presidenti amerikan Truman ( Harry Truman - 1884-1972) ia sqaroi botës se çdo të thotë “një shfarosje e shpejtë dhe e plotë”, me urdhrin që dha për bombardimin atomik të dy qyteteve japoneze.

-------------------------

Shënim.

Ky material përbën pjesën përmbyllëse të librit tim “Arti i përkthimit gojor”, të botuar në tetor të vitit 2019. Libri, me një vëllim prej 532 faqesh, është botim i studios “Intergrafika”, Tiranë. Aty pasqyrohet përvoja e përkthyesve të disa personaliteteve të ndryshme të politikës botërore gjatë shek. XX, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në Kinë dhe Japoni.

31 views0 comments

Komentáře


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page