top of page

Gëzuar Vitin e Ri!


Jo më kot i përzgjodha këto poezi nga vëllimi im poetik „Dashuria bekohet në Elbasan“, për të uruar Gëzuar Vitin e Ri dhe për të dëshiruar sa më shumë dashuri tek të gjithë, e sidomos tek miqtë e mi.


Nga Fatmir Terziu



Tek „Ullini i Qejfit“


Rrëshket mes syve nga sfida e Albumit

Çezma e Pal Shuteriqit[1].


Stërkala të padukshme shëtisin

Bota i kacafyt në sytë e saj

sikur ato të ishin tashmë

në buzën tuaj.


Ose, sikurse pritjet e prushta të shuajnë etjen e huaj

të gjithë zogjtë në gudulisjen e mesditës

mbërrijnë për të buzëqeshur në syrin tuaj.


Një sqimë e freskët dixhitale.

Një album memorjesh.


Rrapi i Mansit


Hija e tij e ka lënë një faqe bosh në Histori.

Herë ngrihet një kala e herë një shtëpi

për një dashuri

të përzgjedhur nga qindra

që vizitojnë sinorin e tij. Ai lëshon krenarinë

me krahët e shekujve mbi kurriz

dhe pikturon sytë me sqimë

për hir të dashurisë

së të dashuruarve që ikin e vijnë.



Aty ku pleqtë tymosin harresën me duhan...


Qielli shfleton arkivën këtë mëngjes. Retë

dymbëdhjetë vende mbamendëse

shkruajnë agthet e lëna djerr memorjeve

agimet vetë shtrihen në gjumin endepadalë

këtë njoftim e japin pa fjalë fluturimet e harabelave

mendjet janë të zëna infinit

me të tjera hapësira në zenit.


Hapësirat vetë janë tromaksur këtë mëngjes,

bredhin zbathur në platformën e qiellit

kërkojnë tabanin e këmbëve mijëravjeçare

Rrapi i Mansit, Kroi i Kalit, si kumti i diellit

Burimi i Bankës, përtej bendit,

Gurra e Labinotit, Tuneli i Mirakës, Ulliri i Qejfit…

brenda dhe jashtë fisit, përtej mjedisit

duke pritur të shuajnë etjen tek Çezma e Pal Shuteriqit


Kujtimi i tyre ka humbur me humbjen e gjurmëve të njeriut

shenjave të duarve e memorjeve plot pengje

kallove në gishta e nën lëkura të kolma

edhe pse diku nën ullinj e nën shelgje

ende thurren memorje dashurish me thuprat e njoma.


Tradita i është larguar shumë vlerës

vetëm bulkthat zhukaten të vetmuar si shkopa

i këndojnë këngën e tyre të uritur pranverës.


Kumuritë imitojnë stigmën e fluturakëve,

kujtimi i fushës zhduket me florën e faunën e saj,

retë mbajnë shënimet e dështakëve

bredhin mbi beton skaj më skaj...


Dhe fundi i ditës zbret me hiram

midis Kalasë, Rrapit të Bezistanit, Namazgjasë,

aty ku pleqtë tymosin harresën me duhan...

[1] Elbasanasi nga Kalaja, Pal Shuteriqi, në vitin 1900, ndërtoi një çezmë tek “Ulliri i Qejfit”, që është quajtur si “tempulli” i Ullishtës së Elbasanit, ose Mushkërisë së Elbasanit.

41 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page