Gëzuar përvjetorin „Bijtë e Shqipes“!
Prof Dr Fatmir Terziu
Është shkruar dhe do të shkruhet. E shkruara s'ka fund, edhe pse ka nisur me atë që dimë derim më sot, dhe ne e nisim me Fjalën. Me Fjalën mbushemi, frymëzohemi, revokohemi, përmendemi, më saktë kujtohemi dhe shkruajmë. Shkruajmë në përditësi, përkushtojmë shkrimin në ditë të shënuara. Në ditë që na risjellin kujtime, në ditë që na zgjojnë respektie. Edhe në këtë ditë të shënuar për „Bijtë e Shqipes“ (Shoqata Atdhetare-Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes”) në Filadelfia, të Pennsylvanisë në SHBA, shkrimi dhe e shkruara ka dimensione dhe këndvështrime të ndryshme. Unë, si „Miku i „Bijtë e Shqipes“ (dhënë në vitin 2017) me vendimin unanim të kësaj shoqate në vitin 2017-të, po e nis shkrimin tim me atë që ka në thelb kjo shoqatë, me moton e saj: „Të kujdeset, të inkurajojë dhe të ngrejë lartë trashëgiminë, gjuhën dhe kulturën shqiptare“.
E për këtë më mjaftoi një ngacmim, të cilin gjaku im në SHBA, Albana Gaba, ma solli si një mesazh ndjesie, teksa më sqaronte në video-mesazhier se ishte ndjerë mjaft i lumtur dhe i gëzuar kur kishte parë disa nga librat e mi në bibliotekën e kësaj shoqate. E natyrshëm kjo më mjaftoi të ndjeja një arsye më tepër në këtë ditë respekti, ku shkrimi dhe e shkruara janë vetëm një pikë loti nga emocioni që ndjen Njeriu, i afërmi, i yti, gjaku, shqiptari, anëtari i kudondodhur i kësaj shoqate.
Në kontekstin e parë shkrimi ka të bëjë me ditën që shënon themelimin e kësaj shoqate, që në fakt e bekon dhe atë më të ndjeshmen që kjo shoqatë bën dhe realizon veprimtarinë e shkollës shqipe”Gjuha jonë”, por dhe atë që e dallon dhe e bën vërtetë të respeltueshme, pasi ka primare statutin e saj që përcakton se kjo shoqatë është e ngritur të kujdeset, të inkurajojë dhe të ngrejë lart trashëgiminë, gjuhën dhe kulturën shqiptare, të mbajë gjallë dashurinë për Shqipërinë dhe atdheun tonë të dytë SH.B.A., por edhe të bashkojë shqiptarët e Filadelfias (PA), të zonave për rreth, pa përjashtuar qytetet e tjera të SH.B.A.-së, pa dallim krahine, feje apo ideje. Na bën përshtypje ndërsa shkruajmë një pikë e cila është mjaft efikase dhe e ndjeshme „Ndalohen veprimtaritë me karakter politik, fetar, racist, terrorist, përçarës, dhe çdo veprimtari tjetër që cënon imazhin dhe qëllimin e shoqatës “Bijtë e shqipes”.“
Sakaq duke lënë mënjanë atë emocionalen, statutoren, le të mbesim tek ajo që shënon angazhuesen, respektuesen, dhe në të gjitha ato që i bashkon njerëzorja, respekti për një grup drejtuesish dhe vullnetarësh që kanë në gjak shqiptarinë, e në zemër dinjitetin e mbrujtur brez pas brezi.
24 shkurti i themelimit të saj tashmë i ka të gjitha brenda një udhe të bukur e të ndjeshme. E gjithë kjo udhë ka emër të mbarë, të bukur e të pështjellë me dashuri e brenda diskursin kulturor „Bijtë e Shqipes“. Urime dhe jetëgjatësi shoqatës me këtë emër dhe natyrisht jam krenar që jam nderuar si „Miku i Bijtë e Shqipes“.
תגובות