Gëzuar Ditën e Rinisë!
Sot është 8 Dhjetor. Sot është Dita Kombëtare e Rinisë. Ndërsa ndjek me vëmendje të gjitha shpërthimet, lexoj dhe inatet. Tronditja e inatit! Ku shkuan urimet? Urimet janë strukur bashkë me hijet në zemrën e dikujt.
Zemra e dikujt me hije. Hije që përgjojnë diktatin për të pushtuar inatin. Kjo hije bëhet e çmuar dhe është e vetmja funksionuese. E tillë, e gatshme sikurse të gjitha hijet për t'u ndjerë emocionuese. Ndërkohë që është në të vërtetë e tmerrshme. E tmershme! Dhe jo thjesht vetëm kaq. Një tmerr i fjetur që zgjohet herë pas here, sipas datave, planeve, kurtheve, trukeve. Kështu që midis saj lind pa u ndjerë një tërbim.
Një drithërimë. Një frikë që endet nëpër shtyllën kurrizore. E tillë më së shumti kur i bën keq dikujt. Dikujt në udhën e tij. Në jetën e tij. Në punën e tij. Dhe e sheh atë duke u dridhur me veprimet e tua. Një dridhje e ftohtë e ndjekur nga inati…
Kjo nuk është e gjatë. Është zgjedhja e një jete të shkujdesur. Një zgjedhje në pamundësi për të fshehur faktin, se asnjë shkëndijë nuk do të jetë në gjendje të ndriçojë atë që është në errësirën tuaj. Aty ku edhe engjëjt kanë frikë të shkelin. Edhe engjëjt vijnë vetëm për të eksploruar këtë humnerë bredhëse brenda jush për ca kohë. Për aq kohë sa nuk e shikoni me sytë tuaj humnerën. Dhe këtë e bëni Ju të gjithë. Të gjithë…
E gjithë kjo korporatë hijesh në errësirën e të gjitha ditëve duhet të të sjellë në çmenduri. Kërkon të të bëjë të çmendur.
Por le të ndodhë. E kërkon vetë kjo guaskë ku e kanë zhytur fatin e Njeriut. E quajnë të lirë. E quajnë të sigurtë. E quajnë… Të Tjerët e përqeshin, e perflasin… dhe pështyjnë në këtë guaskë. Në këtë guaskë pa emocione është ajo që ndihet madhështore.
Stuhia që shpërtheu brenda. Stuhia, duke pritur të ushqehej me këtë hije që shkaktoi kaos. E keqja dhe e ndyra, e pashpirt kjo hije. Kjo hije që nuk mbart asnjë buzëqeshje. Asnjë, ndërsa vazhdon pa mëshirë këtë trazirë të një shpirti të inatosur, që pret me mallëngjim vetëm udhët për shkatërrim.
Ndjeheni sikur po digjeni. Ndjeheni … Ju të gjithë jeni të pandjeshëm, edhe pse e dini se jeni të paçmuar. Aktorë të kualifikuar për këtë akt mizorie, derisa realizimi i kërkuar të futet në shpirtin tuaj dhe të pyesni veten se çfarë keni bërë, ose pse e keni bërë gjithsesi.
Ore, pse e keni bërë gjithsesi?
Ju nuk keni përgjigje. Jeni një. Po, po jeni një. Një pa përgjigje. Një të pakohë në këtë kohë.
Por koha do të vijë përsëri me siguri. Kështu që jini gati për të mbërritur, aty, pikërisht aty ku ju duhet goja dhe truri për tu përgjigjur. Kot mundoheni të mbani shpatullave hijen e vjetër, kur tmerri i fjetur zgjohet për një kërcim tjetër.
Një kërcim që i yni popull e thotë me të madhe se ujqërit nga belaja hyjnë në valle.
Sidoqoftë Gëzuar 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë!
... me një Poezi:
Balta
Toka,
edhe pse e baltosur lind lule të bukura,
Prandaj, a mund të quhet „nënë“?
Këtë pyetje ia bëja vetes me orë të tëra
por pa një mërmëritje nuk do të shqetësohej
e lëngëta që e baltos, që gjarpëron,
do të ishte pa jetë,
uji është e vetmja gjë që gllabëron.
Oh nënë tokë,
bukuria jote më magjeps si me mjaltë,
oh i dashur Luledielli,
e ke gjetur bletën tënde të veçantë?
Pjalmimi është i rëndësishëm, përndryshe nuk do të kishte lule
prej zhurit, prej gurit dhe vapës,
o re, na jepn ujin tuaj, që të mos baltosemi më tutje,
të shohim dritë përtej natës,
derisa të ulet dimri këmbëkryq me kësule.
Comments