top of page

GËZIMI PATOLOGJIK OSE KAH VETVETJA


Prend BUZHALA: (Replikë me realitetin)

Realitetet e pasluftës, çuditërisht, na nxorën në sipërfaqe tipin e njeriut që i gëzohet fatkeqësisë së tjetrit, dështimit të tjetrit, tragjedisë së tjetrit. I gëzohen motit të lig e errësimit të qiellit politik të Kosovës, në kohën e ndjeshme të zgjedhjeve në SHBA dhe në kohën kur Serbia është armatosur me aviacion e armatim të rëndë rus gjatë këtyre ditëve! Po i quajmë kushtimisht njerëz që "vuajnë" nga gëzimi patologjik, ndryshe nga ajo kategori që vuajnë nga trishtimi patologjik. Në këtë rast: i gëzohet arrestimit të, bie fjala, njëqind ish krerëve të UÇK-së e që kanë pasur të bëjnë edhe me jetën politike. Kushdo që paska qenë në jetën politike, ai duhet të shpallet i lig, hajn, mashtrues, i keq, kriminel, përfitues, vrasës, dhunues e çkamos tjetër. Rrjedhimisht, të gjithë ata që janë ose kanë qenë në jetën politike e që kanë qenë ushtarë të UÇK-së, duhet të kenë qenë profiterë lufte, mashtrues, vrasës, kriminelë dhe të gjithë këta, kooperativisht, duhet të gjenden prapa grilave! Ndërkaq, pala e "të trishtuarve" (trishtimi patologjik), e fajësojnë vetveten dhe tërë Kosovën për gjithçka si fajtorja e vetme dhe kryesore dhe të tillët zhyten në dëshpërim të thellë. E kuptojmë që është normal reagimi stresues për situatat, por ekstremet e tilla vlerësuese e emocionale nëpër media, tregojnë për diçka tjetër...

1. Shpesh, kur lexojmë psikologët, spiritualistët apo dhe njerëz të tjerë të letrave, lexojmë për përpjekjet e tyre të për të na bindur se çka është gëzimi, çka është lumturia a kënaqësia etj. etj. Domethënë, ata merren me anën pozitive të emocioneve për ta mposhtur gjendjen depresive, zhgënjyese, trishtimin, pikëllimin apo dhimbjen. Në psikologji ekziston edhe fusha e studimeve për psikopatologjinë, më saktësisht për patologjinë e emocioneve. Por realiteti ynë, përpos tipave psikologjikë, prodhon edhe karaktere të përçudshëm, si pasojë e situatave përplasëse, kundërthënëse, që kufizojnë me këtë patologji. Këtu, në këtë shkrim, kemi të bëjmë për atë soj pseudo-opinionistësh, shkarravitësish, kundërshtarësh të sëmurë politikë, apo të të frusturave të shumtë, që i gëzohen së keqes dhe shpëtimin e shohin te ky gëzim. Kështu, konfirmimi i akuzave dhe arrestimi en block i ish krerëve të UÇK për në Hagë, nuk shikohet nën prizmin e drejtësisë, por të kësaj patologjie të gëzimit patologjik politik!!! E kuptojmë që shqiptarët që e kundërshtuan dhe luftuan Serbinë, ka qenë (dhe është) ëndërr politike e Serbisë për t'i parë ose të vrarë, ose të dëbuar ose prapa grilave të gjithë ata. Të tjerët shkojnë edhe më larg: aty prapa grilave duhet të gjenden edhe shumë krerë të Drenicës që e luftuan Serbinë!!! De nuk është e habitshme përse në vlerësimet e tilla mediatike përmendet “grupi i Drenicës”! Sikur të kishin folur e shkruar në gjendje afektive, do t'i kuptonim, sepse ajo përbën një situatë emocionale që shfaqet papritur, me intensitet të fortë, që zgjat shkurt, e që deformon mendimin logjik. Dhe kur të kthjellohet, njeriu i tillë e sheh se ka gabuar, dhe përpiqet që atë reagim ta përpunojë nga aspekti intelektual, të reflektojë, arsyeshëm, t'i nënshtrohet mendimit logjik. Zbrazja emocionale është e rastit. Ka zbrazje të shëndetshme, por ka zbrazje që deformon gjykimin e shëndoshë. Në jetën e përditshme sigurisht që i takojmë njerëzit që qajnë shpjet dhe lehtë, që qeshin shpejt e për gjithçka, apo që zemërohen shpejt. Në letërsi ligjërimi afektiv është i pëlqyeshëm, sepse ngjyrimi afektiv emocional është cilësi e figurave dhe shkrehjes poetike, por jo edhe në jetën e përditshme. Kur ky afeksion ekspresiv kontrollohet nga njerëz që zotërojnë shprehjen racionale, atëherë ai i jep bukuri edhe ligjërimit, edhe përjetimit, edhe analizës së saktë. Por, ekziston edhe një soj i karaktereve të jetës sonë publike (i thënçin publike): që zbraz helmin e tij patologjik kundër gjithçkaje me vlerë.

2. Demagogjia del edhe më e shpëlarë, kur shkoqiten më tutje karakteret e tilla: lufta e UÇK-së paska qenë e gabuar, gabimisht paskan ndërhyrë Bashkësia Ndërkombëtare për ta shpëtuar popullin e Kosovës! Atëherë, mbasi paska qenë gabim; nuk janë në gjendje të thonë se në cilën rrethanë tjetër do të kishte ndërhyrë bashkësia ndërkombëtare për ta shpëtuar popullin e Kosovës?! Të Luftës për Joliri!? Serbia deri më sot është ankuar: Kosova i është rrëmbyer asaj! Dhe për këta njëzet vjet ajo ka shpallur aktakuza njësoj si për një shekull, kundër të gjithë atyre që kanë qenë krerë të luftës çlirimtare, kundër të gjithë atyre që kanë qenë duarthatë, por që kanë vepruar kundër pushtimit serb. Një palë i dëgjojmë shpesh të brengosur: do të bëhet mirë. Tjetra palë: kurrë nuk do të jetë mirë, do të bëhet keq e më keq! Në leximet psikologjike tipat e tillë përkufizohen me nocionet ekstreme: hipomania (optimizëm të fiksuar gjatë gjithë jetës) dhe dystimia (pesimizëm i fiksuar gjatë jetës). Me këtë punë le të merren psikologët, por realiteti ynë, kaq i ndërliqshëm në raportet e brendshme, komunikuese, vazhdimisht po na prodhon jo vetëm situata anormale, po edhe vlerësime anormale. Mirëpo, personi mendërisht i pjekur reagon ndryshe. Shoqëria jonë sikur nuk ka krijuar mekanizma as situata shoqërore, në të cilat do të tejkaloheshin situatat e patologjisë emocionale apo të mendimit negativ ose të emocioneve negative. Prandaj, krijohen situata anormale vlerësimesh edhe për lirinë, edhe për luftën, edhe për Kosovën. "Drejtësia ndërkombëtare" këtë situatë e merr të mirëqenë dhe mund të shprehet: ky është vullnet juaji, ne po ndajmë "drejtësinë" që ju e dëshironi!!! Pikërisht! Situatat e tilla, kur masivizohen, krijojnë gjendje jonormale të jetës e të rrjedhave shoqërore. Humb kufiri midis drejtësisë dhe padrejtësisë. Mjegullohet e vërteta dhe e pavërteta triumfon. Barazohet viktima dhe agresori, barazohen krimineli dhe ai që ka mbrojtur pragun e shtëpisë. Errësohet kufiri midis njeriut që vërtet është angazhuar për vlera shoqërore dhe tjetrit, që tërë angazhimin e tij ia ka kushtuar lakmisë dhe pasurimit të pafund, sespe ata nuk po gjhykohen për hajni, por për krime të shouifura!!! Errësohet kufiri midis angazhimit të sinqertë në luftë dhe braktisjes së idealeve të asaj lufte për përfitime vetjake. Nuk është e habitshme që njerëzit e sinqertë nuk kanë si ta pranojnë si të drejtë Gjykatën e Hagës, ndërkohë që të tjerët, i përgjigjen lehtë... për hir “tël fytyrës”... Paradoks mbi paradokse këto gjykata! Por hilet e labirinteve politike në emër të drejtësisë, zor që t'i kuptojnë njerëzit e thjeshtë, sidomos ajo shtresë që bie nën kthetrat e mashtrimit të dyfishtë: të ideologjisë serbomadhe që dëshiron ta shohë shqiptarin sa më të goditur, ose të vrarë, ... për “krahun tonë”, nuk po i përmend ... për “fytyrën dydekadëshe”! Askush, sigurisht, nuk shkon “vullnetarisht” në arrest a në burg! Dhe Gjykata Speciale, që arreston të njëjtit njerëz që i apostrofon Serbia; së bashku me izolime politike (mosliberalizimi) evropiane që po ia bëjnë Kosovës, vetëm sa e thellojnë padrejtësinë.

3. Në një ese timin të përparshëm (10 shtator 2017), kam theksuar: "Gjithmonë Kosovën e kanë përcjellë gjendjet e rënda, të jashtëzakonshme, me pak vite qetësi e normalitet. Jonormaliteti. Është e njohur thënia e presidentit të 29-të të SHBA, Warren G. Harding, për 'kthimin në normalitet'. Ai thoshte: 'Nevoja aktuale e Amerikës nuk është heroizmi, por shërimi; jo injeksionet, por normaliteti; jo revolucion, por restaurim; jo agjitacion, por rregullim; jo operim kirurgjikal, por paqe dhe gjakftohtësi; jo gjendje dramatike, por paanshmëri dhe mostolerim; jo të eksperimentojmë, por të krijojmë ekuilibër; jo të zhytemi në internacionalizëm, por qëndrueshmëri të kombit triumfues.' Jeta nuk është e njëjtë, si dje. Një mundësi për një fillim tjetër. Libri i Parë mbyllet. Hapet Libri i Ri. Me një zë tjetër." Një palë tjetër, prëtej këtij gëzimi patologjik, i lexojmë qe dy dekada se si vetëm kritikojnë, kritikojnë, kritikojnë dhe shkojnë përtej kësaj kritike: nxirosin gjithçka, pështyjnë në gjithçka me vlerë! Krejt Kosova "i ka fajet", Serbia nuk i paska fajet, as ata prokurorët mendjezez që bashkëpunojnë me drejtësinë kriminale serbe! Edhe ne kërkojmë që të bëhemi si Evropa. Bota europerëndimore, sot ka të tjera realitete e vizione: integrimet; integrimet ndërkulturore, diversitetet fetare, diversitetet e traditave... respektimin e Tjetrit, pranimin e Tjetrit (nacionalitetet tjera, gjuhët tjera), ndryshe nga ne që tashmë "u mësuam" me sharjet e sulmet ndaj të tjerëve... fqinjëve, armiqve shekullorë që tashmë kot kërkojnë hisen e tyre këtu... "Ne jemi të parët e botës, më të mirët e botës...të tjerët janë ferr, janë xhehenem." Por, me çfarë Evrope?! Me atë Evropë që të bën kurban për ujqit sllavë, si në shekujt XIX e XX?! Apo me një Evropë që nuk dëshiron ta përsërisë vetveten në prapakthimet e regresit historik?!

(5 nëntor 2020)

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page