top of page

Gëzim TUSHI: Pse po zgjerohet krimi minor tek fëmijët?

ree

Gëzim TUSHI sociolog

"Mjeshtër i MADH"

"Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut"

 

 

Intervistues: Fran Gjoka Publicist

 

 

 

T’I MBROJMË FËMIJËT NGA FENOMENI KRIMIT

-Pse po zgjerohet krimi minor tek fëmijët?-

 

Në vitet e fundit, shoqëria shqiptare po përballet me raste gjithnjë e më të shpeshta të përfshirjes së të miturve në akte kriminale si vjedhje, përdorim droge, dhunë e madje edhe vrasje. Kjo dukuri ka shkaktuar reagime të forta dhe ka ngritur pyetje të thella mbi rolin e familjes, shkollës, komunitetit dhe institucioneve shtetërore. Në qendër të këtij pyetësori janë tre kategori të miturish dhe qëllimi është që të identifikohen arsyet sociale, familjare dhe psikologjike që çojnë të miturit drejt krimit. Të vlerësohet ndikimi i mungesës së kujdesit prindëror në sjelljen e tyre. Të theksohet roli i shkollës, komunitetit, mediave dhe institucioneve në parandalim. Të nxiten reflektime mbi përgjegjësinë prindërore dhe shoqërore.  

1. Sipas jush, cilët janë faktorët kryesorë që e shtyjnë një të mitur të përfshihet në vepra penale si vjedhje, dhunë apo përdorim droge? (p.sh. mungesa e vëmendjes prindërore, varfëria, shoqëria, rrjetet sociale, shkolla etj.)


Intervistues: Fran Gjoka Publicist
Intervistues: Fran Gjoka Publicist

Për fat të keq po jetojmë në kohë të vështira, në të cilën janë shtuar së tepërmi shqetësimet dhe anomalitë sociale, sjelljet agresive e perverse, antiqytetare e kriminale. Nëse do bëjmë një vlerësim socialogjik statistikor dhe sasior duhet të pranojmë se në këto momente krimi është bërë më i zgjeruar si tipoplogji e më i sofistikuar si fenomenologji sociale. Ai është bërë si një “limfë toksike” që rrjedh kudo në shoqërinë tonë, ka intoksikuar sjelljet në njerëz të shtresave të ndryshme, është i përhapur dhe i “demokratizuar” si dukuri, që ndeshet kudo në zonat urbane e qytetet metropolitan, por edhe në fshat e zonat rurale, në qëndra dhe periferi sociale, në të cilën janë të përfshirë burra e gra, të rinj e adoleshentë. Për fat të keq të shoqërisë tonë tashmë në veprimtari e aktivitet kriminal janë të përfshirë edhe fëmijë të mitur dhe adoleshentë.

Në analizat që unë i kam bërë këtij fenomeni në librin tim “Pse veriten dhe vetëvriten shqiptarët”, që trajton specifikisht fenomenin e krimit të shoqërinë tonë, kam mundur të identifikoj se ata fëmijë dhe adoleshentë të përfshirë në veprimtari kriminale kanë disa karakteristika moshore e sociale që duhen marrë në konsideratë.

Së pari, shumica e atyre që kryejnë veprime kriminale janë më shumë meshkuj dhe më pak femra.

Së dyti, pjesa më e madhe janë nga kontigjenti që kanë braktisur shkollën dhe kanë nivel të ulët arsimor.

Së treti, një pjesë e konsiderueshme janë nga familje me probleme sociale, me prindër të divorcuar, me baballarë vanitozë e të papërgjegshëm, përdorues sistematikë të lëndëve psikotrope (alkool dhe drogë, që janë të dhunshëm në familje etj. Por është gjithashtu tejet shqetësues fakti që tashmë është bërë realitet i prekshëm ulja e moshës së fillimit të veprimtarisë kriminale dhe të përfshirjes në rritje edhe të fëmijëve në të. Sociologjikisht atë që unë e quaj “krim minor”, është fenomen shqetësues në rritje nga përmasat dhe shpeshherë zhvillohet në mënyrë spontane dhe me pak mundësi për t’u parandaluar apo vënë nën kontrollin e institucioneve të edukimit dhe sigurisë morale, sikurse janë familja, shkolla, shoqëria, institucionet komplementare të edukimit dhe rehabilitimit. Shkaqet janë të shumta, diverse dhe me ndikim komplementar. Ato janë edhe unike, si veçori moshore të përbashkëta, por dhe të diversifikuara, të lidhura me gjëndjen, statusin dhe parametrat edukativë të funksionimit të familjes, rolit të shkollës, ambientit social dhe habitatit kulturor ku rriten dhe formohen fëmijët tanë. Shoqëria jonë po përballet me një situatë të banalizimit të krimit, e cila buron nga kriza e vlerave morale dhe disiplinës sociale. Kjo atmosferë është shkaku kryesor i përhapjes së krimit minor dhe infektimit të tyre, të kthimit të fëmijës nga një njeri normal, në jo pak raste, në një njeri që e kryen krimin për shkak të moshës dhe formit të cekët dhe edukimit të mangët, me gjak të ftohtë, duke u kthyer në një “kriminel minor”. Ka një zbehje të punës edukative në tërsi, të shoqëruar me një lloj “armiqësie paradoksale” ndaj nevojave të edukimit dhe vlerës së tij formuese tek fëmijët, për të bërë të mundur edukimin e tyre me cilësi humane e tipare shoqërisht pozitive dhe të vlefshme.

2. Si ndikon mungesa e kujdesit të prindërve edhe kur ata janë fizikisht të pranishëm, në formimin moral dhe emocional të fëmijës?

Absolutisht kjo situatë e zgjerimit të krimit minor dhe e përfshirjes në zgjerim e fëmijëve në aktivitet kriminal është e lidhur me shumë shkaqe, faktorë dhe funksionimin e institucioneve sociale. Por në tërësinë e përgjegjësisë social-edukative që ka tërë “industria” e dijes dhe edukimit moral të fëmijëve tanë, njëri është padyshim më kryesor dhe fundamental, me peshë edukative dhe rol social të pazëvendësueshëm. Familja dhe prindërit janë përgjegjësitë dhe aktorët kryesorë të formimit human dhe ndërtimit hap pas hapi të arkitekturës së fëmijës. Familja është “fonderia” ku formohet personaliteti i fëmijës, ku spikaten tiparet e personalitetit dhe projektimi i perspektivës sociale të rrugëtimit të tij në jetë. Për fat të keq kemi zhvillime dramatike për sa i takon dobësimit të strukturës edukative të familjes, funksionimit kompakt të prindërimit. Shumë familje janë bërë e keqja e madhe nga buron puna e mangët, braktisja edukative, mungesa e përgjegjësisë prindërore dhe inercia dhe negativizmi që vjen nga konceptet shformuese e parimet e dobëta të prindërimit. Nuk është rastësi që pjesa më e madhe e fëmijëve të përfshirë në aferat e krimit minor janë nga familje disfunksionale e të destrukturuara, me statusin e familjes së dhunshme, që nuk prodhon as “stof edukativ” dhe as empati komunikative e formuse me fëmijët. Padyshim, një nga shkaqet e kësaj situate është edhe fakti që për arsye objektive (mbingarkesat e jetës moderne) apo subjektive, sikurse janë neglizhenca, papërgjegjshmëria prindërore, iluzionet e edukimit spontan e në gjëndje të lirë nga shkolla dhe komunitet. Padyshim, një nga shkaqet është ndikimi i integrimit të fëmijëve në botën dixhitale dhe komunikimet e tyre intensive, spontane e jashtë çdo orientimi të rrjeteve sociale, përdorimi i tyre për qëllime kriminale, që fillojnë nëpërmejt dialogëve virtualë dhe pastaj përfundojnë në zënka, dhunë verbale e fizike dhe në shumë raste edhe në akte kriminale. Sot, për fat të keq, në realitetin tonë social kemi shumë raste të marrjes së jetës së fëmijëve dhe adoleshentëve për shkaqe banale moshore, por që, për fat të keq, “prodhojnë krim”. Shumë prindër, të dembelosur apo të papërgjegjshëm për të kuptuar rolin edukativ dhe përgjegjësinë prindërore, shpesh janë infektuar nga një virus social i përhapur, sikurse është “teknoprofecia”, ose besimi idiot se fëmijët mund të vetedukohen me “frymën e kohës moderne” përmes ndikimeve të rrjeteve sociale. Fëmijët nuk kanë nevojë për edukim virtual, aq më tepër kur, sikurse dihet, komunikimi i tyre në shumicën e rasteve është agresiv, toksik e konfliktual. Fëmijët kanë nevojë të kenë të pashkëputur “kordonin” biologjik dhe edukativ të prindërve të tyre, komunikimin e vazhdueshëm e të besueshëm, të përshtatur me statusin e fëmijës dhe veçoritë moshore të tyre. Asnjë institucion nuk e zëvendëson funksionin edukativ e formues të familjes, asnjë “aktor social” nuk mund të bëhet zëvendësues i rolit të prindërve në këtë proces. Ata janë vendimtarë, roli i tyre është fundamental. Aktorët e tjerë janë të rëndësishëm, por mbeten gjithsesi faktorë të jashtëm e komplementarë. Një bashkim i këtyre faktorëve dhe kthimi i tyre në një ortek të përbashkët edukativ, do të ishte ideale për formimin edukativ dhe skalitjen e personalitetit të fëmijëve tanë.

3. A mendoni se fëmijët që rriten vetëm me një prind janë më të ekspozuar ndaj ndikimeve negative shoqërore? Pse po, ose pse jo?

Padyshim, familja është një strukturë kompakte dhe kur është e tillë, edhe roli e funksioni edukativ, projektimi dhe ndërtimi i vlerave tek fëmijët është i plotë, pa të çara, vendimtar.

Sigurisht “karroca edukative” e familjes dhe roli i saj në ecjen e fëmijës në rrugën e duhur bëhet më mirë kur ajo udhëhiqet nga “dy buajt” në të njëjtin drejtim. Divorci gjithnjë është me pasoja dhe i dëmshëm për ecurinë normale të fëmijës. Shpesh ky akt sociale e civil shoqërohet me trauma tek fëmijët dhe ndikon në deformimin e strukturës normale e evolucuionare të sistemit të edukimit nëpërmjet familjes me dy prindër. Por kjo nuk do të thotë, nga ana tjetër, se fëmijët me prindër të divorcuar janë fatalisht të dënuar për t’u bërë qënie me cene edukative e anomali sociale. Koha po tregon se fëmijët me një prind biologjik, shpeshherë janë nën ndikimin e rritjes së angazhimit eduktiv e social dhe të përgjegjësisë prindërore për të plotësuar vakuumin e krijuar nga divorci dhe mungesa e përmanencës edukative të njërit nga prindërit biologjik të fëmijës.

4. Sa përgjegjës e shihni shoqërinë dhe institucionet publike (shkollën, bashkinë, shërbimet sociale) në parandalimin e përfshirjes së të miturve në krime?

Asnjëherë nuk më është dukur normal reagimi social lidhur me krimin minor, apo me reagimet e njëanshme që këtë proces e lidhin me ndëshkimin dhe format e tij alternative të fëmijëve të përfshirë në krim apo që kryejnë vepra kriminale. Kjo është hallka e fundit e procesit, që ka rolin, metodat dhe format e diversifikuara të realizmit në përputhje me moshën, statusin familjar, tipologjinë e temperamentit, me faktin që krimi është rastësor dhe aksidental apo kemi të bëjmë me një fëmijë recidivist. Personalisht mendoj se ka një tezë universlae, një “ekuacion social” i cili ka një drejtim tjetër pozitivist, sips të cilës angazhimi i institucioneve të prevencës (parandalimit), që kanë role e funksione formuese e edukative, duhet të prioritarizojë mbi institucionet e ndëshkimit. Kështu që kemi nevojë për një “revolucion edukativ” parandalues të krimit minor, në të cilin, krahas rolit vendimtar të familjes, janë edhe institucionet e tjera komplementare sikurse janë shkolla, pushteti vendor, institucionet e përkujdesit social dhe fetar, etj. Unë besoj se situata e koordinimit të këtyre faktorëve socialë e institucionalë nuk është në lartësinë e duhur. Shpesh ato nuk veprojnë dhe nuk janë të sinkronizuara, por të hapërdara dhe funksionojnë me “logjikën e ping-pongut”, kur vjen fjala për këtë përgjegjësi të krimit minor në zgjerim. Shkolla nuk është vetëm “industri e dijes” dhe formimit shkencor të fëmijëve, ajo është “frantojo e fuqishme”, që ka mundësi, detyrim, kapacitetet e duhura institucionale, resurset dhe kapitalin human për të luajtur rolin në formimin e human, spikatjen e cilësive humane tek fëmijët, si  mjet për formimin e tyre qytetar, duke larguar kushtet kur fëmijët bëjnë krime, madje shpeshherë edhe me gjak të ftohtë.

5. Nëse do ta përkufizonit me një fjali, çfarë është “mungesa e kujdesit prindëror” sot:   mungesë kohe, dashurie, apo përgjegjësie?

Të gjitha së bashku. Një ulje e kujdesit të institucioneve sociale të edukimit dhe formmit qytetar duket se përbën shkakun kryesor që lufta për edukimin me cilësi shoqërisht të vlefshme e humanitare për të kultivuar kulturën e komunikimit paqësor dhe tolerancës për zgjidhjen e konflikteve moshore tek fëmijët është dobësuar shumë. Nëse kjo absistencë edukative dhe zbehje e përkujdesit edukativ me fëmijët tanë do vazhdojë të thellohet, atëhere do bëhet gjithnjë e më e vështirë që fëmijët të dinë të ndajnë, gjatë konflikteve të tyre, të natyrshme apo artificiale atë që është e natyrshme nga ajo që është patologjike. T’u mësojmë fëmijëve kufirin ndarës midis njerëzores, normales dhe patologjikes kriminale. Por nëse shoqëria do vazhdojë të jetë e dhunshme dhe me këtë intensitet të krimit social, në këtë klimë, edhe zbutja e krimit minor bëhet e vështirë. Rreziku më i madh është i lidhur me faktin që në këtë shoqëri me dhunë të zgjeruar, edhe fëmijët edukohen me konceptin e deformuar se dhuna, forca, domini janë mjetet për zgjidhjen e konflikteve.

6. Cilat masa konkrete do të propozonit për të ndalur përfshirjen e të miturve në akte kriminale (në familje, shkollë dhe komunitet)?

Nuk ka ndonjë nomenklaturë fikse të masave, mjeteve dhe metodave për të ndërtuar “pistën” që ndihmon në rrugën e zbutjes së kësaj situate. Në mënyrë sintetike mendoj se është vendimtare të kuptojmë se është koha kur duhen shtuar përpjekjet e të gjithë institucioneve për të zgjeruar konceptin e lidhjes dhe trajtimit me kujdes të të miturve. Një kujdes, që jo vetëm nuk është i “tepërt”, por i nevojshëm dhe në çdo kohë për t’i mbrojtur ata nga rreziqet që u vijnë nga “vetja” për shkak të moshës dhe kontradiktave të brendshme të zhvillimit kontradiktor, por edhe nga të “tjerët”, sikurse janë rrethanat familjare e sociale dhe ndikimet toksike që vijë nga areali i tyre moshor dhe intoksikimet sociale të këtij realiteti ku jetojnë. Është moment për të krijuar një koncept të qartë për situatën dhe shkaqet e krimit minor, por edhe për ndërtimin e një strategjie gjithpërfshirëse për një veprim socio-edukativ të kompaktësuar për të ndërgjegjësuar fëmijët tanë dhe për të shmangur një të keqe të madhe që i vjen rrotull fëmijëve tanë: adoptimi me krimin!

 

Gëzim TUSHI sociolog

Mjeshtër i MADH

Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page