Gërryerja ndryshe
Nga Fatmir Terziu
Sa herë e kujtoj me vete, qesh me të madhe
mos e gërryej kazanin e qumështit më thoshte, Gjyshja,
e kishte fjalën për fundin e tij taze,
fundit e kazanit nga jashtë të nxirrë,
fundin e tij të tretur në yndyrë,
eh, ku e kishte fjalën Gjyshja,
të mos e gërryeja fundi e kazanit aq fort,
se kazanit i humbiste kallaisja.
E kallaisja kushtonte para, mund dhe kohë,
se që të them më shkoqur fjala e Gjyshes ishte kushedi
ndoshta akoma shumë më e hollë,
kur thoshte po e gërryeve kazanin ti do të të bjerë shi,
e unë qeshja dhe e shpotisja me zë të hollë,
kur do të bjerë e dashur gjyshe ai,
kur të martohesh e ti mbledhësh mendtë në kokë.
E kam në mendje këtë fjalë të Gjyshes për kazanin,
e shëtis me vete në rrugët e botës,
dhe sa herë e kujtoj atë shijoj shiun,
që më luan piano në kazanin e tjetërsuar të kohës,
brenda të cilit ndjej njeriun,
atë njeri që i ngjan më shumë lojës,
ku gërryerja e kazanit është si mizat për ariun.
Tashmë gërryerja është bërë një grykësi
gjithmonë e më shumë njerëzit i zhyten kazanit,
aty shndërrohen në dyfytyrësi
e nuk duan më bulëzat majë ballit.
U mësyjnë tashmë kazanëve… dhe Gjyshet,
i dërgojnë në azile sipas rastit.
Gërryerja po gërryen gjithë shoqërinë,
është një formë e re e asaj të fundit të kazanit,
po gërryen familjen, martesën, shtëpinë,
po i afrohet përditë e më shumë varrit,
tret nënën, babain, vetë dhimbshurinë
që lufton përditë e më shumë prej mallit
në mes të katër mureve me vetminë.
Gërryerja po e shtron sot mbulesë vetminë,
për miq të mirë, për nipër e mbesa,
të lindurit larg që nuk e njohin shtëpinë,
ata që kurë nuk janë mbledhur tek tryeza,
por ngrejnë nga larg dollinë,
për ditëlindjet në fotografi dhe festa.
Bari tashmë ka shkuar tre pëllëmbë në varreza,
gjyshet luten me mallin e tretur në dhe,
mbi të ftohtin e mermerit mungon fshesa,
vetëm një zog ikën e vjen atje,
gërryen dheun të gjej ndonjë krimb,
pas shiut që ra dje.
Sa dhimbka gërryerja e tillë prej mallit,
në një kazan që zien lotë pos qumështit,
dikur gërryerja i shpotitej fundit të kazanit,
sot gërryerja është fundja e fundit,
një kryq i munguar para një kishe,
kur të zë shiu i çmendur i gushtit
e ti e lexon gërryerjen pa fjalët e një gjyshe.
Comments