Fyelli i Tanës
Nga Timo Mërkuri
Të gjithë e dimë historine e përjetësuar në këngën “Fyelli i Tanës”. Kush ka qënë fatlum e ka dëgjuar edhe këngën e saj , duke përjetuar emocione tronditëse si rrallë herë.
Unë kam patur fatin që ta dëgjoj këtë këngë, dhe jo vetëm në një variant (a). Emocionet që ngjall kjo këngë, kanë qënë një nga arsyet që botova edhe një sprovë me titullin “Fyelli i Tanës” te libri im “Vesa mbi këngë”.
Njohja me varinatin delvinjot të kësaj kënge më nxiti për këtë shkrim si shtesë dhe plotësim i sprovës së mësipërme.
1- Historia e kësaj balade është e koncetruar në tëkstin e këngës, i cili është si vijon:
Tanë o moj Tanë/Ngrehu dhe zgjo babanë
Hajdutët në stan seç ranë/Mua lidhurë më kanë
Qen korbec në shtrug e vranë/Dash’ jallush në hell e kanë
Dhënt’ i muar edhe vane/Tanë moj e zeza Tanë
-Në variantin e Zagorisë përmënden disa cilësime për kalin që duhet të marë babai i Tanës për të zënë hajdutët, por pa ndonjë shpjegim llogjik si ;
Në mart-o kalin e bardhë/I arin këtu tek janë
Në mart-o kalin e zi/S’i arin as në shtëpi.
-Në variantin himarjot, vajza quhet Qeranë në vend të emrit Tanë. Po kështu pas vargut ..Dhënt’ i muar edhe vanë…vjen vargu identifikues i vendngjarjes që thotë…Kaptuanë Llogaranë
Ndryshimi i emrit nga Tanë në Qeranë ( në variantin himarjot) mendoj se është si pasojë e aktualizimit të këngës në mjediset himarjote.
Faktikisht emri Qeranë është një emër shumë i vjetër në zonën e Himarës, i trashëguar nga periudha të herëshme me shpjegim eemrin e maleve Akrokeraune.
Egziston një variant i shpjegimnit të emrit Akrokeraune. Shkencërisht kjo shpjegohet Malet mbi(tejë)Keraune, por shpjegohet nga populli edhe me dy emra te rinjsh të dashuruar, Akro dhe Qeranë. Rapsodi popullor, kur vendosi ngjarjen në zonën e Himarës e pa më të arsyeshme që t’i “himarjotëzonte” edhe emrin heroinës duke i vënë një emër aktual, të kohës dhe të krahinës. Kjo ka patur si qëllim që ta bënte më të afrueshme në mjediset himarjote këngën, por nuk përjashtohet as ndonjë aluzion për ndonjë vajzë reale të zonës në ndonjë ngjarje të përafërt.
2-Përkundër mendimit të shprehur në disa raste mbi origjinën sllave të emrit Tanë duke e lidhur me emrin Tatjanë, shpjegojmë emir Tanë është një emër thjeshtë shqiptar dhe s’ka asgjë të përbashkët me sllavishten. Emri Tanë vjen nga gegnishtja “tan”, e tëra, e gjitha, tan pasuria etj. Pra babai e vlerësonte vajzën me tan (gjithë) pasurinë, botën etj. Ky emër është një shprehje e civilizimit të popullit tonë, i cili, përkundër kanuneve të shkruara, ku u mohoej çdo e drejtë civile grave dhe vajzave, bënte me dinjitet autokritikën e tij, duke quajtur vajzat me emrat më të bukur dhe kuptimplotë. A nuk thuhet edhe sot: -Kush ka vajza ka gjith (tan) botën.
3-E parë në këtë këndvështrim, emri Tanë nuk ka asnjë gjurmë apo burim krishtërimi. Asnjë përafërsi me emrat apo simbolet kristiane, si psh Shën Mëria (b) ose ndonjë emër tjetër kristian..
Ky fakt nuk ka të bëjë me ndonjë teori ateizmi. Mungesaa e elementëve kristianë te kjo këngë ka të bëjë thjeshtë me datlindjen e saj, para lindjes së krishtërimit.
Duke parë me vëmëndje tekstin e këngës, konstatojmë një vjetërsi tepër të herëshme të saj. Kjo dëshmohet nga fakti se në këngët dhe baladat shqiptare, personazhi kryesor do kalojë patjetër afër kishës ose simboleve që lidhen me të. Psh Kostandini shkon… në ajodhimë /se aty e kam shtëpinë,etj. Ky citim i elementëve dhe simboleve kristiane na jep indirekt edhe datën e lindjes së këtyre këngëve. Në rastin e këngës së Kostandinit, ajo ka lindur në periudhëm e konsolidimit të kristianizmit ( në mos i janë shtuar më von këto elementë dytësorë kësaj kënge, duke i ndryshuar kështu datlindjen, me qëllim që të krijohej një përqasje artificiale midis kuptimit të besës dhe besimit, tentativë kjo e dështuar ).
Te kënga e Tanës mungojnë këta elementë, gjë që do të thotë se kënga daton e një periudhe parakristiane.
4-Sipas variantit që këndohej në zonën e Delvinës, Tana ishte e fejuar me një djalë tjetër, që zakonisht rinte te burimi i Gjin Aleksit (c) në Rusan të Delvinës. Bariu që i ra fyellit nuk ishte i fejuari por ishte vëllai i Tanës dhe që i kërkonte ndihmë motrës. Dhe ca më tepër, ai ishte i vrarë nga hajdutët në kohën që Tana dëgjonte melodinë e fyellit. Kjo vërtetohet edhe nga vargu …Mua të vrarë më lanë…që përmban ky variant. Pra kemi një melodi fyelli ardhur nga bota e përtejme.
Komunikimi i njeriut shqiptar me botën e përtejme është një gjë e zakonëshme në folkloristikën e herëshme shqiptare. Por kjo deshmon gjithashtu vjetërsinë së kësaj kënge.
Po ashtu mardhëniet motër-vëlla janë të shpeshta në këngën shqiptare, dhe sa më e herëshme të jetë periudha e ngjarjes, aqë më tragjike janë ato. Madje kjo këngë si dhe legjenda e burimit të Gjin Aleksit kanë në themel të tyre mardhëniet vëlla-motër.
Por le të vijojmë me variantin e Delvinës.
Tana, kur dëgjoi (apo ju bë sikur dëgjoi) fyellin, u ngrit nga krevati dhe, duke qënë se babi nuk ishte në shtëpi, nxiton për te shtëpia e të fejuarit për të kërkuar ndihmë. Për fat të keq edhe i fejuari nuk ishte në shtëpi atë natë. Ai kishte shkruar tre male larg për të gjetur dyll blete zogë, për të prodhuar kremin e Helenës (ç), alifinë, për të fejuarën e tij, Tanën.
Atëherë Tana “u bë erë”(d) në shpinë të kalit për të aritur të gjallë vëllain. Mali ku rendte kali ishte shkëmbor. Patkonjtë e kalit, duke goditur mbi strallin e shkëmbinjve lëshonin shkrepëtima, nga të cilat u ndez zjarri dhe u dogj mali.
Kur Tana mbriti te stani gjeti të vëllain të vrarë dhe bagëtitë të grabitura. Legjenda nuk thotë se çfarë bëri Tana apo babi i saj me vëllain dhe me hajdutët, por e tregon Tanën me të fejuarin duke përshkruar edhe njëherë rrugën që bëri Tana me kal për të mbritur në stan, te vëllai i saj.
Duke ecur rrugës sheh se në vendin ku kishte shkelur patkoi i kalit, në rendjen e saj drejt të vëllait, pas zjarrit, kishin mbirë trëndafila (e). Ata trëndafila që quhen “Lulja e zjarrit” dhe që shpesh quhen edhe “Trëndafilat e Tanës”(ë).
5-Kënga që në pamje të parë duket që është shumë e vjetër.
Këtë e tregon faktin se në vargjet e saj nuk ka asnjë gjurmë të egzistencës së shtetit dhe institucioneve të tij, qoftë edhe në gjëndjen fillestare. Kemi egzistencën e një familjeje, mardhënie familjare në luftë për egzistencë kundër bandave të grabitësve dhe jo të armiqve pushtues etj etj.
Interesant është fakti se te kjo këngë nuk kemi as mardhenie fisnore të cituara, por mjaftohemi me mardhëniet familjare.
6-Kënga është një melodi fyelli.
Kënga ka lindur si melodi fyelli. Kemi komunikim me melodi (fyelli) dhe jo me tekst, jo me fjalë, gjë që e dëshmon datlindjen e kësaj kënge shumë herët, në periudhën parailire.
Barinjtë e kanë gjë të zakonëshme të bisedojnë dhe komunikojnë me njëri tjetrin apo me dikë tjetër me tinguj fyelli apo dyjareje dhe të mos e ndjejnë mungesën e fjalëve.
Barinjtë tanë edhe sot e kanë të zakonëshme që ta kalojnë ditën në shoqërinë e tingujve të fyellit dhe nëpërmjet tij të shprehin ndjenjat e tyre, qofshin ato brenga e derte apo dhe dashurie e malli.
Ta dëgjosh një bari kur i bie fyellit ’’ më të qarë’’ mund ta pyesësh pa gabuar se për kë vajton. Dhe mos u habit po të përmëndi ndonjë emër njeriu të vdekur dikur diku.
6.1-Kjo është melodi me fyell. Dimë që fyelli ka qënë vegla muzikore e barinjve tanë, pjesë e pamungueshme e inventarit personal dhe familjar. Mjafton të kujtojmë Panin e Madh me fyellin, apo dyjaren e tij të famëshme .
Nuk mund të kuptohej një bari shqiptar pa fyell, culë apo dyjare. Nuk mund të kuptoje një shtëpi në Labëri e Bregdet pa një vegël të tillë.
Ai, fyelli, qe shoku e miku i bariut, miku të cilit i tregoheshin gjithë të fshehtat e shpirtit.
Pra është normale që me këtë mik të vetëm të jetës baritore të ngrihej një këngë si kjo.
Nuk është hera e parë që vajtohet me fyellin e bariut. Por është një nga rastet e shumta që vajtimi me fyell është kaqë i përsosur artistikisht.
Prania e fyellit si elementi bazë i kësaj balade, na jep të drejtën që të hulumtojmë në hershmëri për datlindjen e kësaj kënge.. Sepse për autorësinë shqiptare askush nuk ka rezerva.
6.2-E parë nga melodia, kjo këngë është një vajtim, një vajtim melodik dhe jo me ligje.
Tipi vajtimtar i këngës, që buron nga melodia vajtimtare e fyellit është një element tjetër që dëshmon vjetërsinë e këngës. Madje kjo melodi është me shumë një vajtim i kënduar se sa një këngë me origjinë vajtimi. Kjo lloj melodie flet për periudhën kur vajtimi nuk ishte shndruar akoma plotësisht në këngë, madje pa kaluar as fazën e logatjes. Mund të themi se është produkt i kësaj faze. Pra, të kuptohemi, po flasim për vepra artistike të herëshme të popullit shqiptar. Në atë hershmëri ku përfshihen “Eposi i Kreshnikëve”, shtrati i këngës “Vajz e valeve”, “Fyelli i Tanës” dhe disa këngë të tjera të cilësuara të folkloristikës shqiptare.
Fakti i mësipërm na jep gjithashtu edhe një element datlindjeje të këngës, kohën kur komunikohej mes njerëzve me melodi dhe jo me fjalë. Le të kujtojmë që për këtë fakt diçka ka thënë edhe Darvini.
6.3- Përvoja na ka treguar se jeton më gjatë melodia e vajtimit se sa melodia e gëzueshme.
6.4- Melodia ishte shumë e bukur, por melodia si melodi nuk mund të jetonte gjatë. S’kishte inçizime e regjistrime muzikore. Duhej gjetur mënyra si ta ruante jetëgjatësinë e kësaj melodie. Dhe mënyra u gjet thjeshtë dhe bukur, ju krijua një tekst kënge, një tekst kënge nga jeta baritore, nga ajo jetë që e njihnin më së miri.
Dhe ky tekst shoqëroi këtë melodi. Krejt e kundërta e asaj që duhej të ndodhte realisht, të krijohej teksti dhe pastaj melodia. Ose njëkohësisht të dyja. Fakti i egzistencës së disa motërzimeve në tëkst me melodi të njëjtë ose gati të njëjtë e dëshmon këtë fakt. Gjithashtu, fakti i disa ndryshimeve cilësore në tekste dëshmon faktin që teksti është i prodhuar më von se melodia.
Realisht teksti ( në të gjitha motërzimet e tij) ka gjithë elementët e duhur për të qënë tekst i bukur për një këngë vajtimi. Kemi një bari me bagëtinë e tij të zënë robër nga një grup hajdutë. E çmund të qe më e rëndë për një familje barinjsh sesa grabitja e gjithë tufës së bagëtisë. Kjo familje ishte e destinuar të vdiste, të shuhej.
6.5-A mund të ndodhë kjo.Unë them se po dhe po ju jap një rast tjetër nga bota e artit.. A e kini pasë statujën e Hyjneshës së Butrintit, Deas. E pra , te kjo statuje, trupi, shtati është gdhendur shumë vjet përpara se të gdhendej koka. Pra kishim një trup, një shtat njeriu, në rastin konkret thuhet se ishte Apolloni, te cilit i duhej një kokë sepse gdhendësi, skulptori i parë kishte vdekur a qe vrarë. Atëherë, mjeshtrat e kohës gdhënden kokën e famëshme të Deas dhe ja vendosën shtatores së Apollonit duke na dhënë se bashku një kryevepër. Tjetër gjë se ne jemi mësuar të shohim vetëm kokën e Deas dhe pak veta dinë se kjo kokë ka patur një shtat të mermerte. Bile jo vetëm në këtë rast. Statujat e lashta gdhendeshin në këtë mënyrë, koka veç e shtati veç dhe me pas bashkoheshin në nje trup. Kureshtarët le ti shohin me vëmëndje statujat e mermerta të antikitetit dhe kanë për të gjetur vijën e bashkimit të kokës me trupin.
7.-Por te kjo këngë kemi edhe një tufë me ‘’hajdutë’’. Do apo nuk do ti, këtu përjetëso- het edhe hajduti, ngrihet në art edhe hajdutëria, vjedhja, pavarësisht se këtu ngrihet në sensin negativ. Por ndonëse hajdutë, nuk harohet që të paraqitet ana njerëzore e këtyre hajdutëve. Ata e lënë bariun t’i bjerë fyellit për herë të fundit. Në realitet, asnjë hajdut i vërtetë nuk do bënte një tolerim të tillë kaqë të rezikshëm . Sepse ata qenë vetë fshatarë dhe fyelltarë dhe në mos gjithë mesazhin, kuptimin e tij nuk e kishin të vështirë për ta lexuar. Kjo dëshmon atë që cituam më sipër, që e para ka qënë melodia dhe më pas teksti, Tana dhe subjekti rozë.
Ne e kishim fjalën që përmënden dhe hajdutët në këngë, pra lartësohen në artin gojor të popullit.E po këngë me hajdutë dhe për hajdutë ka me shumicë në Shqipërinë e Jugut. Bile bile edhe komitët quheshin thjeshtë e shkurt ‘’hajdutë’’. Jo me përbuzje, por me nderim. Mos doni t’ju kujtoj psh Shemo ‘’Hajdutin’’ e Manalatit të Gjirokastrës i cili gjithë sa grabiste ndër të pasur, i përdorte për të martuar vajzat e të varfërve dhe të vejushave. Pastaj, ka patur një kod të pashkruar në Labëri, po të mos ishe i zoti të vidhje, nuk të jipte njeri nuse.
8-E parë në këtë këndvështrim, kënga “Fyelli i Tanës” është një nga kolonat e para autentike të folkloristikës shqiptare.
Sa shumë që flet e dëshmon kjo këngë e vogël.
E vogël vërtet, por e bukur dhe e forte, si diamanti.
a-Sipas Prof. Q. Haxhiademi kjo baladë njihet në 61 variante.
b- Është interesante fakti që në gjithë hapësirën shqiptare emri i nënës së Jezu Krishtit shqiptohet me apelativin “shën” dhe “Mëria” përkundër shqiptimit latin “Santa Maria” apo ortodoks grek “Ajo Maria”. Hipotezohet se emri “Mëria” pas apelativit “shën” ka origjinë nga fjala ‘mëri”, inat, zemërim dhe që buron nga fakti i një zemërimi të vajzës Maria me të fejuarin e saj Jozefin. Maria u zemërua me Jozefin pas një kërkese të këtij të fundit dhe nuk i foli për disa kohë. Atëherë Jozefi e quajti atë “Mëri” në kuptimin “zemërake”, që do të thotë “vajzë që mban mëri, inat”. Ky “zemërim” i vajzës Maria u vlerësua si një virtut në botën kristiane dhe përqasja e emrit Maria me fjalën “Mëria” solli një riemërim fetar të vajzës që do bëhej nëna e Jezu Krishtit.
b.1-Ndërsa në lidhje me apelativin “shën” që shkruhet gjithmon para emrit të shëntorëve hipotezohet origjina nga fjala “shënj-im” dhe që do të thotë njeri i shënjuar, i bërë me shënjë, i zgjedhur nga zoti. Pra zoti, ata njerëz që zgjidhte për përjetësim, i bënte me një shënjë (si shënjë bojë në trup që u bëhej skllevërve në treg) dhe ata quheshin të shënjuar, të bërë me shënjë.
a.2-Apelativi “Santa” është latinizimi i apelativit “shën”. Hipotezohet se edhe apelativi “ajo” i ortodoksisë greke ka kuptimin e një shënjimi shënjtërues të të zgjedhurve nga zoti, si psh “Ajo Maria”.
c-…burimi i Gjin Aleksit.- Vend në fshatin Rusan të Delvinës, pranë të cilit është ngritur një kishë reth vitit 1200 e cila u shndrua në xhami reth vitit 1560. Thuhet se e ka ndërtuar një person i quajtur Gjin Aleksi në shënjë nderimi fetar. Por egziston një legjënde për këtë burim dhe për objektet e ngritura praën tij dhe konkretisht: Dy vëllezër, Gjini dhe Aleksi dhe motra e tyre e kishin shtëpinë pranë burimit të Rusanit. Gjini shkoi në luftë diku larg, ku u plagos, ndaj nuk u kthye me shokët në vendin e tij. Vonesa e shërimit të plagëve që kushtëzoi vonësën në kthimin e tij në shtëpi I dha udhë legjendës së vdekjes së tij pas plagëve. Por ja që një ditë te burimi afrohet një burrë, i cili sheh një vajzë të bukur që po mbushte ujë. I kërkoi ujë për të pirë dhe pasi ajo i dha, normalisht e falnderoi dhe i bëri disa koplimenta për bukurinë . Vajza pranoi bisedën pa e ditur se personi që kishte përpara ishte Gjini, vëllai i saj. Por edhe Gjini nuk e dinte se po bisedonte me motrën, pasi e kishte lënë të vogël kur kishte ikur nga shtëpia. Në këtë kohë Aleksi po vinte te burimi që të shihte se pse po vonohej motra dhe kur e pa që ajo po bisedonte me një burrë të panjohur, mendoi më të keqen. Nxori shpatën dhe ju sul ta vriste të huajin pa bërë pyetje. Në dylyftim u vranë të dy vëllëzërit, pa e ditur se kush ishin. Kur u vranë ata, rreth burimit shpërthyen disa flakadanë nga toka të cilët qëndruan ndezur disa ditë resht. U mblodhën njerëzit pranë të vrarëve, ku pas një hetimi të shkurtër u gjetën në gjoks nga një gjysëm medalioni, bashkimi i të cilave krijonte një medalion të plotë. Atëherë morën vesh që ishin vrarë dy vëllezër. Fontanat e zjarrit që shpërthyen praën burimit nuk i lidhën me faktin që zona përeth është gazmbajtëse, por e quajtën një shënjë perëndie. Kështu që pranë burimit ndërtuan një tempull me emrin e të dy vëllezërve, ku luteshin dhe blatonin dhurata. Mbi këtë tempull pagan u ndërtua kisha e Gjin Aleksit në vitin 1200. Në vitin 1560 kisha u shndrua në xhami dhe trashëgoi emrin e dy vëllezërve. Në viti 1967 pranë burimit u bënë shpërthime me dinamit për krijimin e qëndrave mbrojtëse në kuadër të fortifikimit të vendit dhe burimi devijoi nëpër damarët e nëndheshëm.
ç- kremin e Helenës… një krem kozmetik që ruante freskinë e fytyrës së vajzave dhe grave dhe eleminonte rrudhosjen e lëkurës, infeksionet apo shënjat e padëshiruara në fytyrë. Krijohej nga bashkimi në propocione të caktuara i vajit të ullirit me dyll blete zogë me ujë shiu dhe “një pluhuri të bardhë”. E ka përdorur e para Helena e Trojës. E ka përdorur edhe gruaja e Pirros së Epirit, prandaj edhe Pirrua nuk e ndau kur u martua për herë të dytë. Gjithashtu e ka përdorur edhe Teuta. Në popull quhet “alifi”. Duhet të theksojmë se ndërsa gratë egjyptiane përdornin vajrat për lyerje të trupit gratë shqiptare përdornin kremërat që kishin efikasitet të lartë.
d-…u bë erë… nuk ka kuptimin që …eci shpejt si era, por që u shndrua në erë, për të ecur akoma më shpejt. Shndrimi i njeriut në erë kur rend për të mbritur diku, për të çuar një lajm, për të mbajtur një amanet është një fenomen që haset shpesh në folkloristikën shqiptare. Le të kujtojme Kostandinin kur rend për te Doruntina.
Era është pjesmarëse në aksionin dhe jetën shqiptare. Ajo ndalon kur duhet të dëgjohet një lajm apo kumt (legjenda e vdekjes së Panit kumtuar në Butrint, Ajkuna qan Omerin etj), sjell fjalë (ndonjë fjalë a ndonjë letër). Zeusi pëshpërit me fëshfërimën (erën) e lisave në Pilur etj. Ky koncept ndoshta ka përqasje me emrin e perëndeshës Hera, gruas së Zeuzit në Olimp.
e- …lulja e zjarrit është një lloj trëndafili i egër që mbin gjithmon pas dhe në vendet e rënies së zjarrit. Quhet edhe Trëndafili i Tanës. Është shumë i përhapur në Shqipërinë e Jugut, në Kretë dhe në disa vende të Ballkanit, kryesisht në terrene malore.
ë- Interesant është fakti se në të gjitha variantet, shpjegimet e ndryshme jipen në prozë, në formën e një komenti dhe nuk janë pjesë e këngës. Kjo nënkupton se këto shpjegime apo komente janë të mëvonëshme.
#Timo #Mërkuri
Comments