Fyejt magjik të Pilurit




Nga Timo Mërkuri

I-Jehona e këngës iso-polifonike të grupit të Pilurit, qysh nga ajo ditë tetori e vitit 1973 në skenën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës e më pas, koncert pas koncerti e Festival pas Festivali, u përhap mbi gjithë hapësirën e vendit dhe: si valë të një shpërthimi atomik, kapërceu hapësirën ballkanike dhe eci nëpër Europë duke mbuluar me melodinë e saj gjithë botën e artit. Emrat e këngëtarëve “marrës” i dinin dhe i shqiptonin me adhurim të gjithë dëgjuesit, emrin e poetit-organizator e mësuan shumë shpejt nga valët e radiove. Mësuan kush e “kthente” këngën e kush e “hidhte”, kush mbante iso e kush mbante sharkun e zi. Me këtë rast mësuan dhe vend ndodhjen e fshatit, jetën e zakonet e banorëve. U mësuan shumë gjëra nga këngët e bukura pilurjote, por çuditërisht askush nuk përmëndi ata që hapën rrugën e suksesit. I nënvlerësuan, i shmangën apo nuk i kuptuan, kjo është tjetër gjë. Ata vijonin të dilnin në skenë, ku binin menjëherë në sy nga fyejt dhe cula dyjare që i mbanin ngjeshur nën peshllin e mesit si “trimi armët e brezit” dhe i nxirnin para mikrofonit me gjestin e nxjerjes së kobures për t’a zbrazur. Nuk i mbanin më të fshehta nëpër mëngore, si atëherë te ai koncerti qeveritar në Tiranë. Tani ato feksnin për së largu, jo nga vezullimi i sërmit apo arit si koburet e trimave, por pikërisht për magjinë që mbanin “brenda” dhe “bëma” e asaj dite tetori që thamë. Sepse ato ishin thjeshtë: një dyjare prej dru panje dhe dy fyej të metaltë.

Duhet të dimë që rrugën e suksesit këngës pilurjote ja hapi melodia e fyellit dhe culës dyjare. Ajo niste para këngës, sillte me melodi një pranverë mbushur me lule-tinguj, nëpër të cilat rendte lozonjare bejka e bardhë apo kuaca e kuqe, vinte djali me shark të zi që “rrëmbente” bejkën apo mbi to ndrinte hëna, kur shkonte kuaca dhe e linte ta zbukuronte vendin. Mbi këtë pranverë melodike tundte vendin kënga e grupit të Pilurit sa që i bënte dhe dëgjuesit nëpër sheshe të nisnin vallen aty ku ishin. Kjo pranverë melodike nuk ikte me të mbaruar kënga, por e përcillte këngën deri në kufijtë e skenës, siç përcillet miku në Pilur deri në kufijtë e fundit të fshatit. Në të gjithë trevën, kënga iso-polifonike nuk këndohet me vegla muzikore, qofshin ato dhe të traditës, por në Pilur, Margarit Kongjini me culën dyjare, Milto Gjiçali me fyellin marrës dhe Arqile Lapa me fyell mbushës “hapën” rrugën e re melodike ku eci “Bejka e bardhë” apo “Kuaca e kuqe” duke u tundur drejt suksesit dhe lavdisë.

II- Piluriotët e kanë patur fyellin[1] pjesë të inventarit personal krahas pushkës dhe thikës.

Dikush më tha që e kanë trashëguar nga Pani i Madh, por unë vetë mendoj se fyelltarët pilurjotë ja kanë dhuruar fyellin hyut politeist të blegtorisë. Pleqtë e Pilurit thonë se edhe “Fyelli i Tanës” është kënduar së pari në Katund[2] dhe prej andej u përhap në gjithë viset shqiptare. Madje është e gjallë edhe sot legjenda e Nikoll Kaçit, fyelltarit pilurjot, i cili me melodinë e ëmbël që krijonte, trazonte ëndrat e vajzave dhe nuseve të reja. Duke qënë se ishte djalë simpatik, me sy të mëdhenj e të bukur, vajzat qëndisnin në jastëkun e pajës një sy të madh e të bukur që t’i “shihte” dashuria në jetë dhe këtë e quanin “syri i Nikoll Kaçit”.

Pilurjotët rriten me melodinë e fyellit[3].

Milto Gjiçali në Pilur e mësoi fyellin qysh në moshën 12 vjeçare nga Lefter Mërkuri, të cilin e kishte fqinj. Si fëmijë kureshtar, rrinte e dëgjonte melodinë që krijonte fyelli dhe vetvetiu kjo u bë pjesë e botës shpirtërore të tij. E përsosi aftësinë e rënies së fyellit në shkollën e Himarës, ku pati ndihmën e Haxhi Dalipit dhe në vitin 1968 aktivizohet nga Lefter Çipa në Grupin e Pilurit. Këtu istrumenti u “bë i tij”, komandohej prej tij dhe nxirte melodi nga më të ndryshmet, që i krijonte së pari fantasia e tij.

Ndërsa cula dyjare, edhe kjo vegël aerofone, punohet me dru[4] panje ose piksi dhe përbëhet nga dy cula (bilbila) në një bllok druri të vetëm. Është një instrument isopolifonik i konceptuar si i tillë[5], madje edhe dy birat e para quhen “marrësi” dhe “kthyesi” dhe të tjerat quhen “mbushësa” që nënkupton “iso-n”. Ka katër bira nga e djathta, tre nga e majta dhe një anësore.

Njësoj si fyelli, edhe cula dyjare përdoret si istrument i “vetmuar”, por në rastin e Grupit të Pilurit ajo është futur si vegël solistike në një formacion iso-polifonik. Në këtë formacion, fyelli i parë u fut si vegël solistike dhe fyelli i dytë si vegël mbushëse (si mbajtës iso). Quhet “fyell solo” kur është istrumenti i vetëm që shoqëron këngën në grupin iso-polifonik, ndërkohë që fyelli i dytë është mbushës. Po ashtu në orkestrinë, kur dyarja del më vete dhe fyejt mbushin, dyjarja quhet solo.

Cula dyjare në Pilur vlerësohet si instrument “privat” i fisit Kongjini. Margarit Kongjini që interpretoi “Bejka e bardhë” e ka mësuar qysh në fëmini culën dyjare nga vëllai i tij më i madh, Labo Kongjini, dhe ky e ka mësuar nga xhaxhai i tyre, Koço Kongjini. Duhet të ecim shumë në histori që të gjejmë të parin e Kongjinajve që ka nisur të përdorë culën dyjare, ndërkohë që Margarit Kongjini ja ka mësuar instrumentin të birit, Leonard Kongjini, i cili në Greqi, ku ka emigruar krijon melodi të përmallëshme për vendlindjen.

III- Në vitet 70 në Pilur filloi të çfaqej një risi që nuk ishte parë e dëgjuar në historinë e ekzistencës së instrumentave popullore tradicionalë fyell e dyjare. Përkundër natyrës së këtyre istrumentave si istrumenta vetmitarë, në Pilur filloi të organizohej orkestrina e parë me dy fyej (njeri marrës dhe tjetri mbushës) e një dyjare dhe në sfond, një duzinë zile e këmborë që i bashkë -shoqëronin këto instrumenta. Në fakt ky kompozim ishte një imitim i natyrës baritore, ashtu siç ndodhte shpesh në stan dhe nëpër brinja ku kullosnin bagëtitë. U pa që bashkërendimi i këtyre dy istrumentave krijonte një melodi të vetën, të bukur dhe të re. Në vitin 1974 Haxhi Dalipi organizon një orkestrinë me istrumenta tradicionalë ku bënte pjesë Margarit Kongjini me culën dyjare, Vendim Kapaj me fyell, një fyelltar nga Kërkova dhe dy djem të rinj që imitonin cicërimat e bilbilit. Ishte një paraqitje e bukur dhe mbresëlënëse dhe pikërisht për këtë arsye kjo orkestrinë u paraqit në Festivalin e Gjirokastrës në 1978[6].

Le të rikthehemi te fillimi i orkestrinës magjike të fyejve e dyjares. Suksesi i saj dhe sidomos ambienti melodik që krijonte, shumë shpejt do sugjeronte që të kalontë në një fazë më të avancuar, cilësore, harmonike dhe “tronditëse” njëkohesisht. Orkestrina me dy fyej dhe një dyjare rezultoi që ishte mjaftë funksion