top of page

Fustani i nanës


Arlinda Baftiu

Nga Arlinda Baftiu

Fustani i zi

(vajzave të dhunuara gjatë luftës)

Në shi po ndez qirinj

një minutë heshtje për

heshtjen e tejzgjatun,

të ndjell vdekjen e njëmijë

vdekjeve të varrosuna në heshtje.

Në shi

po ndez qirinj përkujtimi

për harresat që kujtesa m’i

fanit në dasma

n’krismë a kangë

unë jam nusja e përbuzun.

Në shi

po ndez qirinj për njëmijë

flakët e gjymtyrëve të

pafuqishme

që u dogjën në përpëlitjet e

fundit për dek’

se deka e ambël ashtë

kur ta vrasin buzëqeshjen

në djersë të ftofta para

gjamës së fundit

që më oshtinë përjetësisht

mbi jetën.

Në shi

po ndez një qiri për dritën

në tunelin e përhumbun ku zvarritem

në rreckat e lirisë

pa emër që robnue m’ka.


Fustani i nanës


I butë fustani i nanës si zemra e çikës,

i kuq si turpi që ulet mbi qerpik,

i bukur,

i bukur si pranvera e hershme,

rrej gjerdanit me lule, lule shumë,

vjen tue u ngulfatë shtëngut për kërthizë

ku këputen kordelet e lidhuna nyje për shpirti,

e mbasandaj zvarritet fundit të këmbëve me një dantellë të zbehun që ka marr pluhnin e viteve,

të shkelun me thembra të lodhta….

Nana ka dashtë me ma falë,

e kam veshë kur isha lule pranvere

e rrotullohesha me sy kah qielli

tue i davarit dantellat në ajër bashkë me gazin e fëmisë

Tue u rrit stina, nisa me i njohë aromat e jetës,

fustanit të nanës i vike era kujtime të shkrumosta,

i vike era andrra të djeguna,

shpirt i ngulfatun,

zbehun ish lâ me lot.

Nanë, nuk po më bjen tamam,

asht i ngushtë e i madh për zemrën teme

asht i ftohtë e i lagshtë për ditët e mia

asht i zbehun për dritën që due nanë,

po m’i merr kambët, jam rrxu, jam përgjakë me fjalt’ e plakave,

nanë, un u zhvesha

fustanin e kam palue

në dollapin ku m’i ke lanë ato gjanat që na bajnë ma të forta.

 
 
 

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page