
Fusha e Klenjës
Nga Fatmir Terziu
U bekua. U rrit pavarësisht sezonit
fruti u pjek,
dhe dha fryte pafund,
kokrrat e zgjedhura me kujdes zbukuruan
çerepat duke u shtruar me ar.
Cila tokë e kishte prodhuar vallë?
Asnjë fije bar në atë shtrat,
gjembat u zhdukën si me sëpatë,
dhuratë apo fat?
Vetëm një çift i dashuruar ecte dorë për dore,
duke bërë të vetmen zgjedhje.
Toka i bekoi me frutin e saj,
e verdha shkëlqeu si një diell përkore
në mënyrën se si shkëlqejnë dhëmbët
kur një fallxhore,
me filxhanin e saj të ëmbël
lexon fate përallore.
E kështu u tha e u stërtha herë-herës,
kjo ishte patatja e Klenjës!
Raduç
Mëngjeseve me zbardhjen e prushtë,
nëntë male pikëtakohen në një,
peisazhi zmadhohet,
me tridhjetë përqind mbi të.
Kur vjen errësira, gjithçka shitet.
Një herë qëndrova në majë të Raduçit.
Në horizont një ishull u shemb si një bukë çerepi,
por shumë më ngadalë,
hapësira u njom. U shkund Radika prej vendit.
Më dukej sikur po ngas retë për atje,
me shtytje,
për të parë nëse ishte akoma në shitje
Drini i Bardhë mbi Spilje.
Por sigurisht që nuk kisha varkë.
Një zall ishte fryrë nën mal,
me lotë kisha ngarë.
Në pakohë
O vizitor i radhë, i plotfuqishëm,
pjata jote, e bukur ngjan: si biftek dhe jam i gabuar,
ka patate, qepë, hudhra të njoma, barishte.
Ka shije, domate të thara nga dielli i pakët,
raftet aq të thella
duart nuk mund të arrijnë tek kavanozi më i largët.
O makineri të fjalës së harruar,
në fillim isha një mëngë dhe disa palë pantallonash.
Më thatë, ndryshimet janë pas derës:
këtu janë rrobat dhe jetërat e reja.
Këtu është kutia qepëse e zemrës.
Po pse ka vetëm ferra?