FSHATI QË U DOGJ TËRËSISHT NGA FASHISTËT ITALIANË MË 3 SHTATOR 1943


HISTORIA E LUFTËS ANTIFASHISTE NACIONAL ÇLIRIMTARE

TREBISHTI I DIBRËS ,

FSHATI QË U DOGJ TËRËSISHT NGA FASHISTËT ITALIANË 3 SHTATOR 1943, ROLI I KAPITENIT QAZIM KASA, BIR I KËTIJ FSHATI, PËR SHMANGIEN E GENOCIDIT SHFAROSËS

12 DËSHMORËT E TREBISHTIT



Nga Sakip Cami

studiues i historisë ushtarake


U dogjën 425 shtëpi të fshtatrave lagje të Trebishtit (Bala, Çelebi e Muçinë). Popullsinë, burra, gra, djem, pleq dhe plaka, fëmijë i grumbulluan dhe i dërguan tek Ura e Spiles, ku ishin në plan për tu egzekutuar. Por atë ditë popullin dhe fshatin e Trebishtit e shpëtoi biri i këtij fshati, oficeri Qazim Kasa, i cili kishte studiuar për ushtarak në Itali dhe ishte me punë në Komandën e Vendit në Dibër të Madhe. Ai u muar vesh me një gjeneral italian në Tiranë nëpërmjet telegrafit. Fatmirësisht Qazimi e njihte personalisht gjeneralin italian. Kjo që po ndodh në Trebisht, i tha ai, është genocid. Gjenerali u bind nga shpjegimet e Qazimit dhe dha urdhër që të ndërpritej operacioni shfarosës.


Në Trebisht të Gollobordës së Dibrës janë zhvilluar shumë luftime gjatë luftës antifashiste nacional çlirimtare. Ky fshat ka një histori të rrallë qëndrese si në luftën kundër serbve ashtu edhe kundër nazifashistëve. Trebishti i dha luftës dhjetra partizanë dhe 12 dëshmorë.

AKSIONI I MANASTIRECIT , 25 MAJ 1943

Sipas dokumentit të AQSH, në vendin e quajtur Manastir, 10 km larg Dibrës, në orën 09.30 nga një çetë, ( çeta e Gollobordës), u sulmua posta ushtarake që shkonte për Strugë. Pas sulmit çeta u largua për në Drenok. Gjatë luftimit mbetën të vrarë tetari Orsim Olimpo i autorepartit 78 dhe u plagos n/togeri Fereto Alberto dhe ushtari italian Mariano Rosso të Rep. 226, Divizioni Arezzo.

22 Qershor 1943, GODITJA E AUTOKOLONËS ITALIANE TE HANI I TREBISHTIT

Në rrugën automoblistike Dibër – Strugë, pasi u bë vrojtimi i kujdesshëm i vendit, u përcaktuan pikat se ku do të zihej prita në një përrua, ku ishte një kthesë e fortë, që e gjithë zona të futej brenda zonës së zjarrit të armëve të forcave partizane. Para ardhjes së autokolonës nga Struga, u asgjësua një patrullë me 3 karabinjerë. Kur autokolona arriti në kthesën e pritës u hap zjarr për 30 – 40 minuta dhe u vranë 2 italianë dhe mbetën të plagosur shumë të tjerë. U kapën rob 5 ushtarë italianë, të cilët u lanë të lirë të shkonin në Dibër të Madhe, pa uniforma ushtarake, por civile dhe pa armë. U zunë edhe shumë armatim e municione. (Ushtima e Maleve, datë 22 qershor 1974) [1]

ÇLIRIMI I TREBISHTIT, 10 KORRIK 1943

Me datë 10 korrik 1943 Çeta e Gollobordës me një pjesë të Batalionit të Martaneshit çliruan Trebishtin, duke përzënë administratën profashiste dhe u ngrit flamuri shqiptar kuq e zi. Në mitingun e çlirimit foli komandanti i çetës Ahmet Cami. Kjo shkruhet edhe në raportin e MB të vitit 1943 të shkresës së zv/prefektit të Dibrës Josif Gjini. (Fondi MPB Dosja 133, Zyra 332/22, f.35).[2] Në raport thuhet se ju raportojmë largimin nga detyra të kryetarit të komunës së Trebishtit nga një çetë komuniste e kryesuar nga Ahmet Cami.

Për kundërpërgjigje italianët dogjën Trebishtin, rreth 400 shtëpi të tij dhe arrestuan 40 banorë të këtij fshati të madh. Me propozim të Çetës së Gollobordës në Dibër të Madhe, Shtabi i Batalionit dhe Këshilli Antifashist NÇ organizuan një ndihmë të gjithanshme për popullsinë e Trebishtit, si lëndë ndërtimi, veshmbathje ushqime etj. Kryetarit të emëruar të Komunës së Trebishtit ju bë gjyqi në sheshin e Dibrës së Madhe.

AKSIONI I DYTË I DRENOKUT (MANASTIRECIT) , 13 KORRIK 1943

Sipas dokumentit të AQSH, (viti 1943) raportit të Drejtorit të Policisë Gjon Deda, në orën 12.00 të datës 13 korrik 1943 në vendin e quajtur Drenok (Manastir) 10 km larg Dibrës, mbasi u këput komunikacioni telefonik të armatosurit (çeta e Gollobordës) mësyen autokolonën ushtarake të dibrës drejtuar për në strugë. Në këtë sulm mbetën të vrarë 2 oficerë dhe u plagosën 12 ushtarë italianë, ndërsa 20 ushtarë të tjerë zihen rob.

Robërit u sollën në Trebisht, ku ju bë thirrje për t’u bashkuar me forcat partizane. Pranoi vetëm Salvatore, partizani italian që u vra në luftën e Peshkopisë 18 tetor 1943. Robërit e tjerë u çarmatosën dhe u përcollën për në Dibër.

DJEGIA E TREBISHTIT MË 3 SHTATOR 1943

(ROLI I KAPITENIT QAZIM KASA, BIR I KËTIJ FSHATI, PËR SHMANGIEN E GENOCIDIT SHFAROSËS


Me 2 shtator 1943 përfundoi çlirimi i krejt Gollobordës. Po atë ditë armiku pësoi goditje të rënda në Modriç.

Në historinë e LANÇ të popullit shqiptar (1939 – 1944) Vol. I Tiranë, 1975, faqe 462[3] shkruhet:“ Me 2 shtator 1943 forcat e ushtrisë nacional çlirimtare sulmuan afër [4]Dibrës në rrugën që shkon në Strugë, një autokolonë të Divizionit fashist italian „Firence“ , autokolonë të cilën thuajse e shkatërruan plotësisht. Për tu hakmarrë italianët dogjën pothuajse krejtësisht fshatin Trebisht, pasi kishin djegur disa ditë më parë Zerqanin, Sofraçanin , Sopotin etj., dhe kishin bombarduar e mitraluar me aeroplanë shumë fshatra të tjerë , që s’mund t’i arrinin dot me ushtritë e tyre. Por gjendjen në Dibër nuk e kishin qetësuar dot. „

Për Trebishtin , në shenjë hakmarrjeje ndëshkuese fashistët italianë organizuan një ekspeditë shfarosëse në pasuri dhe jetë njerëzore, të cilën e kryenin me 3 shtator 1943. Për pasojë u dogjën 425 shtëpi të fshtatrave lagje të Trebishtit (Bala, Çelebi e Muçinë). Shumica e familjeve u shpëngulën masivisht vetëm me rrobat e trupit në Elbasan dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Sipas kujtimeve të Xhevahir Açkës4 djegia e fshatit filloi në mëngjezin e datës 3 shtator. Djegia filloi nga shtëpitë e Balasë sipër në Urvishte dhe vazhdoi drejt qendrës së Trebishtit dhe Çelebisë. U dogj edhe Muçina. Fashistët i digjnin shtëpitë duke i spërkatur me pompa benzine. I gjithë Trebishti u mbulua nga tymi dhe flakët. Popullsinë, burra, gra, djem, pleq dhe plaka, fëmijë i grumbulluan dhe i dërguan tek Ura e Spiles, ku ishin në plan për tu egzekutuar.

Por atë ditë popullin dhe fshatin e Trebishtit e shpëtoi biri i këtij fshati, oficeri Qazim Kasa, i cili kishte studiuar për ushtarak në Itali dhe ishte me punë në Komandën e Vendit në Dibër të Madhe[5]. Ai u muar vesh me një gjeneral italian në Tiranë nëpërmjet telegrafit . Fatmirësisht Qazimi e njihte personalisht gjeneralin italian. Kjo që po ndodh në Trebisht, i tha ai, është genocid. Gjenerali u bind nga shpjegimet e Qazimit dhe dha urdhër që të ndërpritej operacioni shfarosës.


Më 20 tetor 1943 në Dibër të Madhe për djegien e Trebishtit u dënua Shyqyri Prapaniku.

Çeta e Vetëmbrojtjes së Trebishtit të Gollobordës, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

· Xhevahir Dalip Kurti (Emini); Komandant i çetës.

· Ejup Rahman Ramku; Komisar i çetës.

· Nexhip Mustafa Maçka; zëvendës Komandant.

· Sulejman Ferhat Muçina; Kapiten.

Anëtarë të çetës:

· Arif Mustafa Haxhija.

· Mehmet Nebi Sadiku.

· Murat Ali Veizi.

· Idriz Ali Kadriu.

· Idriz Hasan Abdiaj.

· Islam Maliq Maçka.

· Rizman Rahman Haxhia.

· Shefki Dehar Emini.

· Qazim Zenel Dauti.

· Esat Osman Osmani.

· Rustem Nuredin Maçoku.

Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional - Çlirimtar të krahinës së Gollobordës, gjatë Luftës Antifashiste Nacional – Çlirimtare :

· Arif Halili; Kryetar.

· Xheladin Shahini; Nënkryetar.

· Mehmet Çereni; Sekretar.

Trebishti i Dibrës, ky fshat i madh i Gollobordës i ka dhënë luftës për çlirimin e atdheut 12 dëshmorë.

12 DËSHMORËT E TREBISHTIT

Mehmet Nuredin Ajazi (1921 – 1944), partizan i Brigadës së I Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 1 nëntor 1944.



Rrahman Rizman Haxhijahja (1929 – 1944), partizan i Brigadës së 4. Sulmuese, ishte vetëm 15 vjeç me pushkë në krahë kur ra dëshmor për çlirimin e Tiranës, më 10 nëntor 1944

Nuredin Osman Sinani nga fshati Trebisht-Bala, i cili u arrestua nga forcat gjermane në Vlorë në vjeshtë të vitit 1943, u internua në kampin e përqendrimit në Zemun/Semplin, Gjermani dhe u pushkatua më 15 dhjetor të atij viti.

Arif Mustafa Haxhijahja (1920 – 1944), partizan i Brigadës së IV Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 30 tetor 1944 së bashku me bashkëfshatarin e tij Njazi Seferi.

Hasan Demir Koçi (1926 - 1944), partizan i Brigadës IV Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 13 nëntor 1944.

Ishte 18 vjeç kur u largua nga fshati dhe shkoi për të punuar në Durrës. Këtu ai ra në kontakt me lëvizjen antifashiste nacional çlirimtare. Në shtator të vitit 1944 largohet nga Durrësi sepse kërkohej për tu arresuar nga fashistët dhe bashkohet me Br. IV sulmuese. Ra për çlirimin e Tiranës më 13 nëntor 1944 në vendin e quajtur Ura e Farkës.

Zenun Hysen Abdija (1930 – 1944) nga fshati Trebisht, partizan i Brigadës së 4. Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 13 nëntor 1944.

Ndonëse fare i ri në moshë, 14 vjeç, ai u bashkua me Br. IV sulmuse. Ra për çlirimin e Tiranës më 13 nëntor 1944 në zonën e Mushqetasë.

Memish Hysen Shevroja (1922 – 1944) nga fshati Trebisht, partizan i Brigadës së IV Sulmuese, u vra më 13 nëntor 1944 në Tiranë.



Muharrem Sabri Sinani, partizan i kompanisë II, Batalionit të I të Brigadës së IV Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, tek Kisha e Shën Prokopit më 31 tetor 1944.



Njazi Zenun Seferi partizan i Brigadës së IV Sulmuese, u vra në Kashar të Tiranës, më 30 tetor nëntor 1944.



Shaqir Mimidin Pupuleku (1925 – 1944), ra dëshmor në luftë kundër forcave ushtarake gjermane për çlirimin e Shkodrës në ditën e çlirimit të vendit më 29.11.1944, në moshë të re: vetëm 19 vjeç.



Bajram Arif Kasa (1922 – 1945), partizan i Brigadës së I Sulmuese, vdiq në spitalin e Prizrenit, më 5 prill 1945.


Guzman Velo Stojku (1901 – 1944)

nga fshati Trebisht Çelebi, rënë në Dibër më 1944


[1] (Ushtima e Maleve, datë 22 qershor 1974) [1] [2] (Fondi MPB Dosja 133, Zyra 332/22, f.35).[2] [3] LANÇ e popullit shqiptar (1939 – 1944) Vol. I Tiranë, 1975, faqe 462[3] [4] Agim Bekteshi, Trebishti i Dibres [5] Agim Bekteshi, Trebishti I Dibres

367 views0 comments

Shkrimet e fundit