top of page

Frymëzuar nga libri “ Lutje nënës” i poetes Gonxhe Letmi Begisholli


Dr. Zejnepe Alili REXHEPI


Frymëzuar nga libri “ Lutje nënës” i poetes Gonxhe Letmi Begisholli


Sa fort godet dinamizmi i jetës dhe të pushton ditë për ditë me ecejaket e zakonshme! Dhe…, njeriu është qenie kureshtare, përpiqet të mbajë hapin me kohën, të ngjitet tatëpjetës si një Sizif, ndonëse i “stërlodhur”.

Po, një gjë është vendimtare në këtë ecejake jetësore të pafund, që të ndalon vrullin, të bën të harrosh vrapin e pandalshëm, karrierën, pasionet…, të gjitha ato që mendon se ta përmbushin jetën. Një çast, e kupton se vetëm një gjë është vendimtare që të pret hovin, ndoshta e vetmja gjë që të përmbush më shumë se çdo gjë tjetër…, përqafimi i docklave të fëmijës tënd! Atëherë, s’iundahemi fëmijëve, për ca kohë bëhemi se e kuptojmë botën e tyre, lozim, qeshim e argëtohemi së bashku. Në ne, ngroh një diell i ri, mendojmë! Dhe natyrisht, jo vetëm këtë fundjavë, e kalova me time bijë, Andrën. Kjo ndodh shpesh për të përmbushur veten dhe dashurinë e saj. Një kompenzim mungese të gjatë them unë, një “premtim shoqesh”, thotë ajo (një refren të mësuar, siç duket, nga ndonjë personazh i dashur i vizatimorëve që shikon).

Për fat të mirë, shoqërimin nënë e bijë, na e begatoi libri me vjersha “Lutje nënës”, i Gonxhe Letmi Begishollit, një mikes sime të çmuar. Ajo është një poete nga Dibra e Maqedonisë, por që unë e njoha në Koblenz të Gjermanisë, atje ma dhuroi librin e saj. Është një mike e pakrahasueshme!

Përpos leximit me kënaqësi të disa vjershave, për Andrën time, do të doja që vargjet e saj të bukura e me mesazhe domethënëse t’ibëj të njohura edhe për lexuesit tjerë të vegjël! Meqë nuk mundesh të vijosh shfletimin e librit pa e lexuar poezinë bartëse “Paqe për fëmijët”, ua prezantoj edhe juve, të dashur miq të vegjël.

Paqe për fëmijët

Një dëshirë kam një uratë

në botë të mos ketë

fëmijë të ngratë!

Për paqe uroj

jetë, hare të lirë

si engjëj të vegjël

të thithin nektar për rritë!

Me krahë magjikë

të prekin retë

të mbushen dritë...

Uroj, të mos ketë fëmijë të uritur

as fëmijë bonjakë

as epidemi në lak!

Lodra, buzëqeshje sa më shumë

paqja të derdhet si lumë!

Uroj, uroj...!

Krijimtaria e poetes Gonxhe Letmi Begisholli është mjaft humane, vetë nisma e vargjeve të saj na shpie në idenë e reflekseve paqesore, të nxitur mbi dashurinë e pakushtëzuar që duhet ofruar fëmijëve. Që në vjershën e parë të librit, njihesh për së afërmi me shpirtin e çiltër, ku zë fill një natyrë e brishtë poeteje, për t’u vargëzuar me ëndje atyre qëi quan “engjujve të vegjël”.

Edhe në vjershat tjera, ajo shtron tema jetike, të harmonizuara me dëshirat e vetë fëmijëve. Në to, dukshëm sjell normën pedagogjike, dhe nivelin prej edukatoreje, me një figuracion shprehjesh për t’ia pasur lakmi, që vë në pah tërë ëmbëlsinë gjuhësore që ajo përdor, mjeshtërisht. Me këtë edhe jep mesazhe të fuqishme edukuese, meqë poezia, në një farë forme, mbetet arti i edukimit që nga zanafilla e formësimit të saj.

Libri “Lutje nënës” përmban edhe skica mjaft domethënëse, në përshtatshmëri të plotë me ëndjet dhe botën e fëmijëve. Andaj, edhe Andra, sa herë që ia lexoja poezitë, afrohej për të parë skicat, me të cilat ngazëllehej, teksa gjente një botë të tërë fantazish, që tani më, ajo e kishte sajuar prej kohësh..., i gëzohej diellit, zogjëve, pëllumbave të paqes, globit, në të cilin jetonin miliona fëmijë si ajo, hënës magjiplote që u sillte ëndrrat mbi qepalla, mollët e ëmbla që aq fort i donin vogëlushët, pastaj njihej me gjelin kryelartë që e paralajmëronte ditën, e fëmijët të nisnin lojën e tyre pa mbarim. Po diku, shfaqeshin edhe retë dhe shiu..., sigurisht që fëmijët të njihnin edhe botën e ylbertë! Pra, ky libër i pushtonte vogëlushët, me buzëqeshje paqesore e nuanca lulesh, që u servonte jeta!

Ylberi

Vezullon mbi ne

me shtatë ngjyra

e para e kuqe

buzëqesh fytyra.

Ngjyra e kaltër

për re qiellore

valon si në letër

e verdha verore.

Ngjyra jeshile

me portokallien shoqe

peizazh pa hile

si lule manushaqe.

Oh sa shumë dëshiroj

tej harkut me ngjyra

duke parakaluar

të më buzëqesh fytyra.

“Lutje nënës”, është një libër me karakter thjesht shkollor. Më kujtohet këtu një thënie e Naim Frashërit: “Mësoji-ni kanë thanë t’urtëtë, se ata janë për një kohë më tej nga koha juaj”! Në të vërtetë, vjershat e këtij libri të mësojnë fjalë e vepra të mira, ashu siç duhet të mësojnë fëmijët, për të ruajtur çiltërsinë e shpirtit e mendjen e kthjellët, ta thonë të vërtetën e ta synojnë të drejtën, gjithsesi të rriten të lirë e ta duan lirinë.

Duke shfletuar vëmendshëm librin e Gonxhes, më duhet të them që është një libër përplot përshkrime emocionale, rregulla stilistike, begati gjuhësore me shumë natyrëshmëri e hedhur në vargje, e mesazhe të cilat të rikujtojnë që poezia realisht, është art i edukatës.

Sigurisht, librin e veçon edhe brumosja artistike, që autoren nuk e nxjerr në pah vetëm si pedagoge e mjeshtre të fjalës, por edhe shumë sensuale ndaj botës shpirtërore të më të vegjëlve, njohëse e vlerave edukative të artit. Ajo, ndjell ëndjet me syrin lakmitar të fëmijës, por vepron me zemrën e madhe të nënës. Vjershat janë me shumë interes, sepse përvijojnë peizazhe e fabula të shumta, të larmishme, me shumë fantazi në to.

Gonxhe L. Begisholli, është një poete e dashur për fëmijë, kësaj bote të ndishme që çdo çast ia kushtojmë edhe frymëmarrjen tonë, prandaj mendoj se një krijuese e tillë i ka munguar trevës sonë. Megjithëse, ajo krijon në Hedielberg (Gjermani), ku edhe jeton me familjen, do thosha që poezitë e saj mbajnë aromë vendlindjeje dhe e ndrydhin mallin e Dibrës.

E çmuara mike, të falënderoj që ma dhurove librin (në Koblenz), veçse unë dua që me këto vjersha të bukura të mos e përmbush vetëm kohën e bijës sime, por edhe të shumë fëmijëve tjerë, të cilët me kënaqësi do t’ilexojnë vjershat e postuara në facebook (edhe pse e di që do të dëshironin ta kenë në sirtarët e tyre këtë libër). Në fund, do thosha..., vogëlushët pa përvojë jetësore, sigurisht që kënaqen duke krijuar përfytyrime për atë që u lexojmë apo rrëfejmë, gjë që e zhvillon psikologjinë e tyre dhe i orienton drejt qëllimeve edukative. Një libër artistik, si ky, ndihmon në begatimin e imagjinatës së tyre dhe në frymëzime të bukura, predispozitë kjo, që edhe ata një ditë të njohin sfidën e krijimit!


16 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page