TE UJËVARA
Ndala mu aty
Përballë saj ngulita shikimin në kohë
Kujtimet ndezën zjarrin e viteve të shkuara
Sa më rrëmbeu malli thellësive
Shikoja silueta të ngrira përqafimeve
Ngjyra ylberi lëviznin n ‘shikime
Perceptim gacash të ndezura në shuarje
E ujëvara shushuriste vajtueshëm
Si fjalët e saj në ndarje dikur...
Rrëshqasin degëzimeve të zemrës n ‘vuajtje
Vallë a i lan hëna sytë natën në këtë ujëvarë
Një pyetje naive në buzëqeshje të zhurit
Rrëshqet buzëve si heshtja e lënduar
Si zë i lëmekur tingëllimave
E shikoj ujëvarën pa nda në thellësi
Loton, zhurmon, dënese gjithmonë
E shkrumbuar....
QETËSI QË TË THER...
( motiv bjeshkor)
Sytë shëtisin shpateve
Shpirti dehet n’ bukuri lulnajash
N ‘ushtimë gurrash e prrojesh
Bukuri e rrallë
Qetësia e ikur n ‘hapësirë
Shprush mallin e rrokotelur gurnajës
Nuk di ku mbeti melodia e fyellit
As kënga e vashave
Nuk dëgjohet blegërimë e qingjeve ograjave
Nuk ia thotë askush këngës majëkrahut
Barinjtë nuk ia ndërrojnë gishtat vrimave të fyellit
Ajo melodi trazuese e shpirtit...
Kah rrëshqasin gëzimet rrënojave
Si gur i harruar buzë rruge
E bjeshka do gjallëri,
Sygacë pranë gurrave
Aty ku shkëmbehen zjarrshikimet
Kur vajzat mbushin bucelat me uji
Gjaku lëvizë si ujëvarë rrëmbyeshëm
E puthjet fshehën, mrizojnë pishave....
Sa vrastare ajo qetësi bjeshkënajës
Ku vajti gjithë ai zjarr
Ajo rini ku iki
Ka ngrirë koha,
Fyrlave të heshtura malli
Qetësi që të burgos shpirtin
Të ther palcën....
TERRINË
Natën vonë,
Hapa dritaren e dhomës
Terrinë nate e zezë
Hëna kishte ikur përtej majave
Mjegulla ua kishte zënë rrugëtimin yjeve
Vetëm sytë e mi ndrinin si xixëllonja n ‘rrugëtim
Mbeta i përthurur mëdyshjeve intime
“A frymon gjallesë mbi këtë tokë?....”
Phiiii a!..
Klithmova në mesnatë
Më dukej vetja si në ëndërr
Ngjasonte kjo natë
Sikur udhëtoja përrallave me fantazi fëminore
U pajtova edhe me sylotimin tim
Rrugëtimeve të hutuara natën....
FRYMËZIM ÇASTI
I shikoj, më shikojnë
Më përkëdhelin e miklojnë
Si shpirtëzim klithmash ngashëruese
Vendnumërojnë këmbët, hijeve pushojnë
Retë e mbarsura me riga shiu lodrojnë
Lajnë mallin flokëbardhë në prozhme
Shikohem me pishat e larta aromatike
Më ngulfat bukuria, aroma e rrëshirës
Lodhja ikën luginave n ‘përqafim të freskisë
Në krahëror ushton lum jete
Dëshirat mallojnë shpateve
Bardhësia e veshur kokës
Pajton rini e pleqëri stinimeve
Në këtë thelbjetë të ndrydhur...
Bogë,18,19 Shtator 2023
Comments