FRYMË JETE MBI ËNDRRA E SHPRESA


Jani Qerreti

(Rreth librit poetik “Përtej dashurive” të Jani Qerretit)

Nga Rakip Zhguni

Ja edhe libri i tretë poetik i poetit Jani Qerreti, “Përtej dashurive”, që na bie në dorë! Miku im, Sheqet Shuaipi, më ftoi atë pasdite dhe ma zgjati këtë libër e, teksa pinim kafe, ia nisëm bisedës rreth këtij vëllimi poetik. Ende pa e lexuar, vetëm sa i hodha një sy çdo faqeje, i thashë Shefqetit që këtë herë Jani paska ndërruar paksa stil në të shkruar, pasi ka përdorur vargun e gjatë, ndryshe nga dy librat e mëparshëm për të cilët kam shkruar. Që nga ajo ditë kaloi një javë dhe u ula të shkruaja disa përshtypje të çastit rreth këtij vëllimi. Me këtë vëllim të ri poetik Jani e ka zbritur thuajse tërësisht në tokë motivin e dashurisë, si për të pohuar se ajo ka zënë rrënjë që në lashtësi në zemrat e njerëzve, natyrisht nën ndikimin e dashurisë qiellore, pa të cilën nuk do të kishte të tillë harmoni, madje as vargje të tillë ndjellës të një jete plot shpresa dhe ëndrra. Me këtë vëllim të ri poetik duket se është zgjeruar filozofia poetike e Janit. Vargu i tij merr përmasa më të gjera, sidomos nga përdorimi i vargut të gjatë në krahasim me dy vëllimet e mëparshme, duke bërë të mundur që të zgjerohet më tej frymëmarrja e vargut. Kësisoj ne nuk lodhemi nga rrugëtimi poetik i tematikës së librit, edhe pse bredhim vendlindjes të tij, Dumresë, kësaj mrekullie natyrore prej së cilës nuk ndahet poeti, madje ai shprehet se edhe malli vuan, ngaqë është larg vendlindjes. Nuk lodhemi rrjedhës së Shkumbinit, burimeve ujëkristalta etj, etj. Në qendër të poezive qëndron uni njerëzor, lëvrijnë pesonazhe ndonëse pa emra konkretë, por të pranishëm në jetën e përditshme me të mirat dhe të metat e tyre. Poeti ngrihet edhe kundër veseve të shoqërisë. Ajo që të bën përshtypje, është fakti që poezitë japin mesazhe filozofike, natyrisht jo filozofizma, por përgjithësime të tilla që të japin ndjesi të këndshme. Kështu te poezia në faqen 7, duke poetizuar gjinjtë e grave, poeti shprehet në fund:

Dhe ato të grave gjinj Si ullinj I përkasin gjithësisë, Përtej përjetësisë.

Vini re se me ç’përmasa e jep poeti. Një përgjithësim filozofik me përmasa hiperbolizuese që rrallëkush e imagjinon. Sa shumë mund të shkruhet rreth kësaj! Poeti nuk ndahet nga motivi i dashurisë. Ai dashuron vendlindjen, për të cilën thotë se s’ka fillim e as mbarim, sa lindje, as perëndim, duke pohuar kështu se dashuria është e pakufishme, e përjetshme dhe nuk ka forcë që ta ndalë. Edhe pse e quan të perëndishme dhe mister, ajo mbetet: Dashuri tokësore Aq njerëzore. (Poezia faqe 102) Kemi folur per poezinë e Janit edhe në librat e tjerë, por ia vlen të theksojmë që veçoria kryesore e vargut të këtij poeti është lakonizmi dhe kjo i ka dhënë një koncentrim mendimi dhe ideje. Mendoj që poezisë së Janit nuk mund t’i heqësh asnjë fjalë, asnjë varg, por edhe as mund t’i shtosh qoftë edhe një shkronjë. Sa për figuracionin vëmë re që krahas metaforës, që haset dendur në poezi, Jani përdor me sukses paralelizmin, kalimin nga konkretja tek abstraktja, duke krijuar kështu një harmonizim të vargjeve për të na dhënë mesazhe të qarta. Lexuesi nuk e ka të vështirë ta kuptojë dhe përthithë poezinë e Jani Qerretit, pasi ai shkruan me pasion e ndjeshmëri. Sado të shkruash për këtë libër poetik, është e pamundur të përfshish tërë problematikën e poezisë, sepse nuk mund të shkruash aq bukur, aq saktë e qartë, pasi kështu krijon vetëm poeti. Ai e di, e ndien, e kupton ku i dhembin zemra e shpirti, ndaj çdo koment do të ishte i tepërt. Urojmë që Jani Qerreti të na dhurojë sërish libra të tillë poetikë, pasi poezia e tij tashmë ka marrë vulën e kohës dhe lexohet me ëndje. Rakip Zhguni 15 korrik 2021

19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif