top of page

Fritz Radovani: ZEMRA E FERDINAND TEMALIT VAZHDON TË RRAHË!

  • May 24
  • 2 min read

 

Gjithmonë të kam kujtuar, o mik… dhe do të të kujtoj… Sepse zëri yt më ushton si përherë:

“Do të fitojmë apo jo?!… Po, po, po!..”

TI ISHE ATDHETAR I PËRKUSHTUARDHE PUNËTOR I PAVDEKSHËM!

Themelues i BSPSH-së, organizator dhe luftëtar në betejën për përmbysjen e komunizmit, ishe Ti, dhe vetëm Ti, o Ferdinand Temali!

E ne, pas Teje!

13 dhjetor…

 

SHKODRA PA TIRANIN KRIMINEL ENVER HOXHA!

 

■ Edhe një herë, kjo ndërtesë e Prefekturës së Shkodrës u mbush me dritë!

Shkodra u zgjua e tëra me një mendim 46-vjeçar në mendje:

“Deri kur do të qëndrojë përballë Prefekturës sonë fytyra e këtij tirani të pashoq dhe vrastar?!”

Vlonin rrugët e Shkodrës, vlonin rrethinat, vlonin urat lidhëse të qytetit…

Vlonte edhe Kalaja e Rozafës!

Rinia ishte zgjuar nga gjumi gjysmëshekullor… Pushkët dhe kazmat i kishte pranë vetes Ramiz Alia!

 

FERDINAND TEMALI
FERDINAND TEMALI

■ Nga Instituti Pedagogjik i Shkodrës doli një djalë me një kornizë të madhe në dorë dhe pas tij disa studentë. Sapo mbërriti te shkallët e hyrjes kryesore, e hodhi me forcë atë kornizë dhe në trotuar u përplasën, copë e thërrime, xhamat bashkë me portretin e Enver Hoxhës!

Mendova me vete:

“Sot i erdhi fundi edhe këtij qeni e bir qeni!”

Nga Dugajtë e Reja kaloi një grup të rinjsh që nxitonin në hap.

 

■ Nga të katër anët, Fusha e Çelës po mbushej me njerëz që nxitonin drejt Prefekturës së Shkodrës.

Ferdinand Temali, duke ecur, më tha këto fjalë:

“Po shkojmë të rrëzojmë bustin e diktatorit. Mirë u pafshim!”

Të gjithë ishin aq të gëzuar, sa dukej sikur po shkonin në një festë dasme.

Pranë Bankës së Shtetit u bashkuan me një grup tjetër, i cili mbante Flamurin e Shqipërisë pa yll dhe thërriste:

“Liri! Demokraci!”

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”

Ishte shpërthimi i shumëpritur, që pritej me brohoritje nga turmat e popullit të Shkodrës.

 

Rinia shkodrane po realizonte ëndrrën e dhjetëra e qindra viktimave të gjenocidit komunist. Ndër më të fundit ishin djemtë dhe vajzat që, vetëm pak ditë më parë, kishin larë me gjakun e tyre të ri piramidat kufitare të Shqipërisë së cunguar nga “Europa plakë”, së cilës Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta i kishte kushtuar edhe vargje të paharrueshme, ndonëse edhe sot emri i tij shpesh anashkalohet.

 

■ Fjala u përhap me shpejtësi në të gjitha anët:

Në Shkodër, rinia kishte rrëzuar bustin e diktatorit!

Ka ende “disa shqiptarë” që edhe sot nuk e dinë se kush ishte ai që e shkuli dhe e rrëzoi…

Edhe data 2 Prill 1991 mbetet e paharruar!

 

■ Një Shkodër fisnike u lut me zemër:

“Enver Hoxha e pastë thyer qafën dhe kurrë më mos ia pafshim fytyrën! Fara e tij u shoftë nga të gjitha trojet shqiptare të Heroit Gjergj Kastrioti!”

Melbourne, 23 maj 2026.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page