AGO AGAJ – “KOSOVARI NGA VLORA” –
Nga Frank Shkreli
Ago Agaj ka ndërruar jetë me 24 dhjetor 1994, në Clearwater të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në moshën 97 vjeçare. Gati një shekull jetë në shërbim të Shqipërisë etnike. Dr Ago Agaj i përkiste atij brezi shqiptarësh patriotë të cilët regjimi komunist i Enver Hoxhës, ose i dëboi nga Atdheu ose i vrau dhe i burgosi në burgjet dhe kampet e përqëndrimit dhe të punës së detyrueshme, anë e mbanë Shqipërisë. Ishin këta, të urryer dhe të përjashtuar nga komunizmi enverist, cilët ndonëse edhe në mërgim përjetëshëm, nuk e harruan kurrë Atdheun e tyre. Shumë prej tyre të dëbuar dhe të burgosur nga regjimi zogist e komunist enverist, janë arratisur anë e mbanë botës të përjashtuar e ndonëse të shpallur tradhëtarë dhe armiq të atdheut – në të vërtetë ishin një brez patriotësh të pas Luftës së II Botërore, të cilit i përkiste edhe Prof Ago Agaj. Ndoshta i fundit i kësaj gjenerate burrash të vyer – të pa-përsritshëm -- të kombit, mund të ishte Profesor Sami Repishti -- cili ndërroi jetë disa javë më parë këtu në Amerikë. Ata ishin patriotë që ushqenin bindje dhe besim të pa lëkundur tek virtytet, vlerat dhe traditat arbërore shekullore të Kombit shqiptar. Ago Agaj, ishte i këtij brezi që për fat të mirë e të keq të tyre, u përfshi në përplasjet e mëdha botërore të shekullit të kaluar. Një brez që pak gëzoi e shumë vuajti nepër tallazet e historisë së fillim shekullit të kaluar e deri në Luftën e II Botërore por edhe më vonë në jetën e tyre në mërgim. Kjo për fat të zi të vetin e të familjeve të tyre që kishin lën pas në Shqipërinë komuniste, por edhe për fat të keq të Kombit, pasi idetë e tyre dështuan përball komunizmit ndërkombëtare të kohës, ndërkohë që tani e dimë se Kombi e pësoi si e pësoi, për pothuaj gjysëm shelulli diktaturë komuniste.
Në këtë 30-vjetor të kalimit në amshim të Dr Ago Agajt, kujtojmë me disa fjalë të këtij shkrimi -- modestësisht dhe shkurtimisht – por me qëllim që emri i tij dhe i brezit të tij të patriotëve shqiptarë anti-komunistë të mos zhduket në terrin e interpretimit komunist të historisë, as të mos hidhet në harresë. Inxhinjer Ago Agaj ishte një prej intelektualëve të Kombit që gjithë jetën e tij në atdhe dhe më vonë në mërgim – ia kushtoi fatit dhe interesave të Kombit– anë e mbanë trojeve shqiptare, por sidomos fatit të Dardanisë së okupuar nga Serbia fashisto-komuniste. Megjithse edhe ata i kishin ndryshimet e veta politike me njëri tjetrin, ishte ky brez jo komunist i shqiptarëve të periudhës së luftës dhe më vonë, që pothuaj, pa përjashtim, besonte bindshëm se, “pa Kosovë nuk ka Shqipëri”.
Ai njihej në komunitet për dashurinë e tij të madhe për Kosovën. Si i tillë, Ago Agaj njihej edhe si “Kosovari nga Vlora”. Nëqoftse Agim Karagjozi ishte “kosovari” nga Gjirokastra, atëherë edhe Dr Ago Agaj mund të themi, me gojën plot, se ishte “kosovari” nga Vlora. I emëruar Prefekt i Mitrovicës në vitin 1941, ai kishte mbetur shumë i lidhur me Kosovën gjithë jetën e tij, madje edhe në mërgim. Në një letër të shkruar disa muaj para se të ndërronte jetë në Florida, 30-vjetë më parë, e që qarkullon në disa shkrime rreth jetës së tij, ai kishte shprehur besimin se fati i Kombit shqiptar është i lidhur ngusht me fatin e Kosovës:“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i Kombit Shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë nga kthetrat e kuçedrës Serbe, atëherë do të kemi një komb tetë milionësh dhe askush nga fqinjët keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast se Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin Serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për Kombin, për Shqipërinë, për Vlorën… O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjigj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë. Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së tij”, janë fjalët e Ago Agajt se fati i Kombit shqiptar -- si në kohën e Ismail Qemalit, ashtu edhe sot – është lidhur në mënyrë të pandashme me fatin e Kosovës, se “pa Kosovë, nuk ka Shqipëri”!
Ago Agaj, siç thashë më lartë, i përkiste atij brezi të patriotëve anti-komunistë të pas Luftës së II Botërore së cilët ishin të vetdijshëm të këtij fakti e realiteti historik, por fatzi, kombëtar; të ndarjes së Kosovës dhe trojeve të tjera arbërore nga Shqipëria. Të gjithë ata, ashtu siç veproi edhe Ago Agaj, secili në mënyrën e vet, kanë bërë atë që kanë mundur, nën rrethanat e Luftës së II Botërore, për të shpëtuar Kosovën, gjuhën dhe kulturën shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare. Ja si e ka përshkruar Ago Agaj kontributin e njërit prej atij brezi patriotësh shqiptarë, Profesor Ernest Koliqit – mikut të tij dhe bashkpuntorit të ngusht – në hapjen e shkollave dhe në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj, një shërbestar i vyer i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve që shkoi në Kosovë në vitin 1941, ka kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe në Dardani: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji (Koliqi) qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës, përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj, për Ernest Koliqin, njërin prej bashkpuntorëve të tij më të ngusht politik.
Brezi i këtyre patriotëve ia dinin njëri tjetrit meritat dhe kontributet e tyre. Por për fata të keq, brezi i sotëm i shqiptarëve vazhdon të ndjekin shembullën e ish-regjimit komunist të përjashtimit të këtyre figurave të mëdha të Kombit. Mohimi i veprimtarive të figurave të ndritura të Kombit dhe përjashtimi i tyre nga historia kombëtare si Ago Agaj e Ernest Koliqi, ndër shumë të tjerë të shekullit të kaluar, jo vetëm gjatë komunizmit por edhe ç’prej shembjes së Murit të Berlinit e deri në ditët e sotme, është njё mёkat ndaj historisë së shqiptarëve, një turp i pashlyeshёm për qeveritë “post-komuniste” të Shqipërisë, por edhe të Kosovës. Për akademitë e shkencave të dy shteteve shqiptare, për shkollat e universitetet – turp për intelektualët dhe mediat shqiptare në përgjithsi që nuk kujtojnë këta burra të Kombit, për kontributin e tyre historik.
Duke i hedhur në harresë figurat e Kombit si Ago Agaj, Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Faik Konica e shumë e shumë të tjerë simkëta, dy shtetet shqiptare, sa i përket këtyre figurave kombëtare, Tirana dhe Prishtina zyrtare janë bërë tanimë pjesë e pandarë e krimeve të harresës e të shlyerjes së emrave të këtyre burrave nga historia e trojeve shqiptare. Doni s’doni, pas 35 vjet tranzicion, ju jeni po aq përgjegjës për trajtimin e keq dhe harresën historike të këtyre kontributit të këtyre burrave, aq sa ishin shekullin e kaluar edhe ish-regjimet komuniste anti-kombëtare sllavo-aziatike të Tiranës dhe Beogradit në trajtimin e këtyre burrave të Kombit dhe familjeve të tyre të nderuara.
Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i ngusht i Profesor Ernest Koliqit. Foto nga darka e Vatrës, Nëntor, 1969 në Nju Jor: Ernest Koliqi me Ingj. Dr Ago Agaj
Ish-kolegu im në Zërin e Amerikës dikur, Xhevat Kallajxhi më thoshte se me Dr Ago Agajn kalonte verën në Teqenë Bektashiane Shqiptaro-Amerikane të Baba Rexhepit në Detroit
------------------------------------------------------------------------------------------
Ago Agaj, u largua nga atdheu atëherë kur u vendos diktatura sllavo-komuniste dhe mbeti përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si një vlonjat pati fatin të jetë i pranishëm në ngritjen e flamurit më 1912, e ndërsa është luftëtar dhe kronikan për Luftën e Vlorës, atë të 1920-ës. Ashtu si Noli, Konica , Camaj dhe Koliqi edhe vlonjati Ago Agaj mbeti jashtë kufijve të atdheut.
Ago në dorëshkrimet e tij shkruante: Se sipas Eqerem Bej Vlorës, Gjin Leka ka jetuar rreth vitit 1570 dhe Leka rreth vitit 1550. Gruaja e parë e Emin Agos rrëfente se Agajt janë të ardhur prej fshatit “Mollë e Kuqe” Fshat të cilin nuk e kam gjetur në asnjë vend të Shqipërisë, të cilën e kam shëtitur anë e mbanë veçse në Mirditë thotë Ago…
Është fakt historik se Arbrit kanë filluar të shtrihen në shekullin e 13-të. Profesor “Stadmuller” këtë dyndje e përshkruan hollësisht. Qendra ose kryeqyteti Arbërisë ka qenë pranë Krujës. Mirditë, Mat e të tjera për rreth duhet të kenë qenë nën juridiksionin e tij dhe të një fisi. Banorët e Mollës së Kuqe janë shpërngulur 3 herë për shkak të fatkeqësive të pabërballueshme. Leka la si pasardhës Gjinin dhe Gjini pati tre djem të cilët krijuan fshatrat si Haskogjin, Memogjin dhe Matogjin. Matogjini e ruan ende edhe sot emrin e tij.Vehib Runa thoshte se: Labëria e sotme ndahet në dy fise Arbër dhe Labër. Labërit janë autokton e ndërsa Arbërit të ardhur. Nivicë dhe Smokthinë ai i quante Arbër e ndërsa fshatat e rrëzes i quante Labër. Pikërisht edhe krushqitë midis tyre ishin të rrallaEmri Smokthinë rrjedh nga sllavishtja,një zonë me bukuri mahnitëse, ne te cilen rrjedh lumi i Smokthinës i cili është degë e Lumit të Vlorës për të cilin studiuesi E. Novak shkruan në vitin 1923: “Se Lugina e Lumit të Vlorës është një luginë me bukuri heroike”. Pikërisht kjo luginë është e lidhur ngushtë me veprimtari të shumta patëriotike të emrave më në zë.
Kush ishte Shero Emin Aga!?
Një ndër emrat është Shero Emin Agaj, agë i Smokthinës, familje besnike dhe qehaja të Oxhakut të Vlorajve spikat si patëriot dhe atdhetar i kohës, i cili u dallua në mbështetje të pavarsisë në ngritjen e flamurit. Deri në vitin 1911 Vlora kishte marr pjesë në të gjitha lëvizjet kombëtare, sidomos pas asaj të nisur në Gjirokastër prej Çerçiz Topullit 1906-1908 kur vrau Bimbashin e Turqisë, Halil Bej Gusinjën,major i xhandarmarisë .“Hasan Dosti” thotë: Edhe lëvizja e drejtuar prej Namik Bej Delvinës në gusht të 1911-ës ka qenë e sygjeruar prej Ismail Qemalit. Në një mbledhje Ismail Qemali këshillon pjesmarrsit të organizojnë një lëvizje armate me një program të caktuar në 13 pika që u referuan në reforma administrative e në liri të mësimit të gjuhës shqipe.
Jeta dhe shkollimi i Ago Agaj
Ago Agaj një nga djemtë e Shero Agaj lindi në Smokthinë të Vlorës në Labëri. Shkollën fillore e mbaroi në Vlorë (turqisht), shkollën e mesme e përfundoi në Vjenë dhe po atje, vazhdoi e përfundoi me sukses studimet universitare për inxhinieri agronomike. E ndërsa stazhin dhe specializimet i mbylli në Gjermani. Ishte viti 1919-të kur Ago u bë pjesë e Kongresit të Lushnjës.
Më 1920 Ago merr pjesë në Luftën e Vlorës, në çetën e Shullërit me komandant Bajram Qamil Agajn e Ramicës. Atje, në fushat e betejës, kur ishte krah për krahu me heronjtë e luftës, me Kanan Mazen, Zigur Lelon dhe Kapedan Sali Vranishtin , grumbulloi të dhëna dhe fakte historike direkt, që më vonë i hodhi në një libër më vete, të titulluar “Lufta e Vlorës”. Ago shkruan shumë kujtime dhe ndodhi të gëzueshme dhe të dhimbshme nga ngjarjet e vitit 1920.
Komiteti Mbrojtja Kombtare me mandat të popullit të Vlorës e të gjithë Shqipërisë më 3-qershor të 1920-ës dërgoi ultimatum gjeneralit Piacentini ku shkruhej se deri në 4-qershor ti përgjigjej kërkesës së Komitetit para orës 19. E nesërmja e 4-qershorit solli përgjigjen negative të general Piacentinit e cila solli atë që më vonë u kurorzua “Lufta e Vlorës”.
Gjatë viteve 1920 – 1923 Ago Agaj bashkëpunon me Prof. Dr. Ernst Nowak, të Universitetit të Kölnit (Gjermani), për hartimin e Kartës Gjeografike, Topografike dhe Gjeologjike të Shqipërisë, dhe më 1924 bën pjesë në Komisionin për caktimin definitiv të nomenklaturës së Hartës së Shqipërisë.
Punoi edhe dy vjet të tjera në Poloni e Moldavi dhe kur u kthye në Vlorë, emërohet agronom i zyrës së bujqësisë fillimisht dhe ngrihet dora dorës, deri në shkallët më të larta ministrore. Në vitin 1924 është një nga përkrahësit dhe mbështetësit kryesor të “Revolucionit Fanolist”.Ishte ndër nënshkruesit e mbledhjeve të opozitës në ceremonitë e zhvilluara pas vrasjes së Avni Rustemit.Rreth vitit 1926 Ago bashkëpunon me shkencëtarin svicerian, Dr. Miller, në kërkimet e shtresave vajgurore të nëntokës shqiptare,dhe ka fatin të jetë prezent në hapjen e pusit të parë vajguror shqiptar. Në fund të vitit 1926 ai emërohet agronom në Shkodër.
Ishte viti 1937 kur Ago Agaj ndalohet për ngjarjet e Kryengritjes sè Delvinës, nga ku dhe dënohet me burgim të përjetshëm. 7 Prill 1939 kur Italia pushtoi Shqipërinë, Ago Agaj gjendet në burg.
Ago Agaj caktohet prefekt në Mitrovicë
Pas vitit 1941 emërohet prefekt ne Mitrovicë, nga ku drejton organizimin e administratës shqiptare, atë të xhandarmërisë vendase dhe të hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Në të njëjtën kohë organizon rezistencën kombëtare, i duhet të mbrohet edhe nga sulmet e çetnikëve të Drazha Mihajloviçit , me të cilët ndërmerr edhe përpjekje direkte, derisa edhe plagoset. Në bashkëpunim me Vehbi Frashërin bën të mundur shpëtimin e jevgjeve të Mitrovicës nga “zgjidhja përfundimtare” naziste. Ago u shpjegoi gjermanëve se jevgjit ishin me origjinë egjiptiane, kurse ciganët ishin me prejardhje nga India dhe ishin nomadë, që nuk ngulen në asnjë vend. Ky shpjegim nuk mjaftoi dhe duheshin fakte të tjera. Me anën e Vehbi Frashrit u gjet libri i prof.E.Novack-ut, i cili ishte marrë me studimin e këtyre popujve. Kështu jevgjit shpëtuan…Edhe hebrenjve, në saje të angazhimit të Ago Agajt e Xhafer Devës, ua shpëtuan jetën, madje i vendosën në mbrojtje në një ndërtesë të mirë. Pas largimit të Ago Agajt, Xhafer Deva gjeti mënyrën për t’i çuar këto familje në Shqipëri, ku gjetën strehim dhe mikpritje. Agaj ishte bërë shumë popullor në mes kosovarëve me të cilët ai bashkëpunoi aq mirë….Më 1943 emërohet ministër i Ekonomisë Kombëtare në qeverinë Mitrovica .
Në qershor të vitit 1944, Ago Agaj mori pjesë në mbledhjen e Dytë të Lidhjes së Prizrenit, si dhe në Kongresin e Dytë të saj, që u mbajt më 15 janar 1944.
Vendosja e regjimit komunist detyroi Agon të largohet nga Shqipëria
Pas vendosjes së regjimit komunist në atdhe, Ago fillimisht largohet në Austri e Itali dhe më pas zhvendoset në Egjipt së bashku me familjen. Gjatë qëndrimit të tij 20-vjeçar punoi për administrimin e pasurisë së Aziz Izet Pashë Arnautit (Qiprilijve) dhe drejtoi sektorin «Vinicole e Viticole». Gjatë kësaj kohe të qëndrimit në Egjipt Ago Agaj, përgatiti dorëshkrimin e vëllimit «Lufta e Vlorës»Ago ishte aq i lidhur me Kosovën sa në një letër, disa muaj para se të ndërronte jetë shkruan:
Letra e Ago Agaj në shtratin e vdekjes
“Jam në shtratin e vdekjes…Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i Kombit Shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë nga kthetrat e kuçedrës Serbe, atëherë do të kemi një komb tetë milionësh dhe askush nga fqinjët keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast se Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin Serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për Kombin, për Shqipërinë, për Vlorën… O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjigj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë”. Kështu shkruante personalisht Ago Agaj dhe shtonte: “Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së tij”. Nga kjo dashuri pasionante për Kosovën, Ago Agajn, shpesh e kanë quajtur “Kosovari nga Vlora”.Ai nderroi jetë, në dhjetor të vitit 1994 në SHBA…. Ago Shero Agaj ishte një veprimtar i palodhur për liri, pavarësi e zhvillim dhe se ai, meriton vlerësim pozitiv për gjithë jetën e tij të mundimshme dhe për sakrificat e tij sublime.
Comments