top of page

FRAN GJOKA: PRINDËRIT PËRBALLË PËRGJEGJËSISË SË PRINDËRIMIT



 

 

 

Në sferën delikate të edukimit qytetar të fëmijëve dhe adoleshentëve ndihet një punë e zbehtë, formale dhe shpesh e papërgjegjshme, ndërkohë që ka shumë  shumë kaos e paqartësi lidhur me rolin edukativ të familjes dhe misionin e vështirë të edukimit prindëror. Madje ka tregues që thonë se familja po krijon një vakum edukativ të frikshëm, meqenëse është duke braktisur shumë role sociale, duke e kthyer familjen në një “motel” të thjeshtë ku njerëzit hanë, pinë dhe riprodhohen, por pa patur përgjegjësinë e duhur për edukimin e fëmijëve dhe adoleshentëve.

 

 Të edukosh do të thotë kurdoherë të drejtosh

 

Është e nevojshme në këto rrethana që jemi të bëjmë një rivlerësim të drejtë dhe objektiv. Pavarësisht vështirësive të kohës, pengesave të mëdha të komunikimit edukativ, përsëri asnjë familje nuk zhvillohet, nuk funksionon, nuk konsolidohet pa praninë e një mase të caktuar të autoritetit moral dhe social, natyrisht mbi principe demokratike dhe jo autoritariste të prindërve. Është e vërtetë që për shkak të disa zhvillimeve të vrullshme e dinamike, por dhe demokratizimit të hierarkisë së marrëdhënieve prind - fëmijë, janë krijuar shumë pengesa e paqartësi në sistemin e edukimit familjar. Gjithë problemi është që në këto kushte të sigurojmë statusin e familjes dhe funksionimin e saj edukativ. 

Kjo nuk është e lehtë në kushtet aktuale kur “distanca” klasike e autoritetit të dikurshëm prindëror në raport me fëmijët dhe adoleshentët është “ngushtuar” shumë. Kjo është arsyeja pse koha kërkon parime të reja moderne të prindërimit me tolerancë, mirëkuptim reciprok. Ata mund të edukohen në familje, në kushtet kur ka atmosferë të besimit reciprok, respektim të personalitetit të fëmijëve, duke ndërtuar një sistem organik edukativ e disiplinor.

Ka shumë prindër, të cilët duke mos kuptuar tipologjinë dhe veçoritë moshore të fëmijëve dhe adoleshentëve, janë të paqartë, psikologjikisht të hutuar, të habitur përballë disa “sjelljeve të çuditshme” të fëmijëve të tyre. Pyetja që duhet bërë është: kemi fëmijë të vështirë apo prindër që nuk dinë të prindërojnë? Duket se aktualisht ne kemi shumë prindër, që duke mos kuptuar kohën, ndodhen në një “boshllëk edukativ” apo rob të konceptimit tradicionalist të marrëdhënieve me fëmijët, duke u bazuar në parametrat e familjes tradicionale, të cilës i ka kaluar koha. Kjo është një nga arsyet sociale që ka sjellë zhbalancimet të frikshme në sistemin edukativ të familjes dhe marrëdhënieve prind - fëmijë.

Dobësimi i mjeshtërisë së edukimit prindëror është e lidhur me mentalitetin populist sipas të cilit, sido që të vejë puna, fëmijët do rriten në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër. Kjo do të thotë që prindërit lundrojnë në det të hapur pa patur fare busull. Dy qëndrime të kundërta t’i drejtosh edukativisht fëmijët apo t’i lësh ata të rriten vetvetiu. Të edukosh do të thotë kurdoherë të drejtosh. Në edukimin e fëmijëve recetat e gatshme edukative janë të dëmshme. Zbatimi i rregullave të ngurta të paracaktuara është në kundërshtim të hapur me vetë thelbin e edukimit.

Padyshim, këto gjëra duhen vlerësuar sepse dihet që niveli i një shoqërie të emancipuar dhe qytetëruar nuk mund të arrihet pa një gjithë përfshirje të të gjithë aktorëve dhe faktorëve, që janë të interesuar për mirërritjen dhe mirë edukimin e fëmijëve. Ky formim i vlerave dhe i normave kulturore të kohës nuk mund të sigurohet vetëm me punën dhe kontributin që bën institucioni i edukimit, sado i kualifikuar dhe i vazhdueshëm të jetë. Janë shkolla dhe familja, mjedisi social, komuniteti dhe shoqëria civile, strukturat e nxënëseve dhe prindërve me bordet e tyre në shkolla, që janë ngritur dhe funksionojnë sot në shoqërinë shqiptare, të cilat mund dhe duhet të vihet më mirë në efiçencë që të ndërthurin cilësisht veprimtarinë e tyre të përditshme. Ndaj koha kërkon që prindërit dhe familja, për të luajtur rolin e rëndësishëm edukativ dhe të edukatorit, duhet thelluar procesi i mirëkuptimit dhe demokratizimit të marrëdhënieve prind-fëmijë. Por ky edukim ka nevojë për të përdorur forma, metoda e paradigma edukative moderne të interferimit jo vertikal, por horizontal, si kusht për sukses edukativ me fëmijët. Pa këtë proces edukimi, sado me vullnet të punosh, je i destinuar të dështosh.

 

       Nxënësit të mësojnë të marrin vendime

dhe të jenë përgjegjës për rezultatet e këtyre vendimeve

 

 

Aktualisht janë disa struktura: shkolla, familja e mjedisi shoqëror, ku rriten dhe edukohen e ardhmja e vendit, marrin më shumë vlera dhe kanë ndikime më të mëdha në formimin e karakterit dhe të personalitetit të tyre. Është një përfundim jetësor dhe real për një shoqëri që pretendon se është gjithëpërfshirëse në të kundërtën, përjashtimi i kujtdo, është me pasoja katastrofike. Kërkimet  e sotme shkencore kanë provuar se përfshirja e prindërve në jetën e brendshme të shkollës është çelësi për të ndihmuar fëmijët e mësuesit, që ata të jenë të suksesshëm në shkollë e në komunitetin e prindërve. Konstatojmë me kënaqësi përfshirjen e prindërve në të gjithë aspektet e jetës shkollore, kontaktet individuale dhe ato në rrugë informimi të pandërprerë që bën shkolla e mësuesi për fëmijët. Kjo është mjaft e rëndësishme, pasi ata mund të arrijnë të shfaqin plotësisht potencialin e tyre në shkollë, kështu ata ndihen më mirë me veten e tyre, mësojnë se si të marrin vendime dhe të jenë përgjegjës për rezultatet e këtyre vendimeve.

Për të realizuar me sukses këtë imazh të nxënësit, kërkohet kujdesi ritmik për formimin, edukimin dhe kulturimin e tyre, gjë që s’është kurrë e tepërt për prindërit, jo vetëm kaq, por është një nga detyrat organike të familjes së sotme shqiptare, si kolona e parë e përfshirjes së tyre në edukim, ku ka mjaft kapacitete natyrore për të plotësuar këtë objektiv.

Natyrshëm ndihet sot një merak i pandërprerë i prindërve për të krijuar në familje e shoqëri fëmijë të mbarë, të guximshëm, punëtorë, konkurrues, të edukuar e human. Tendenca e prindërve të sotëm është për t’u krijuar kushte sa më optimale fëmijëve të tyre. Në këto përpjekje të natyrshme duken edhe dukuri shpërpjesëtimore ,,preokupime” të tepërta, sforcime të panatyrshme të disa prindërve për t’u krijuar fëmijëve “super kushte“ e plotësim kërkesash e pretendimesh të tepruara. E keqja është se disa prindër të integruar “në garën“ për të dëshmuar epërsinë materiale të familjes së tyre, nuk janë në gjendje të perceptojnë dëmet morale, psikologjike e sociale që u bëjnë fëmijëve të tyre. Kjo kategori fëmijësh të përkëdhelur, që nuk u mungon asgjë në aspektin ekonomik, të cilët kanë vështirësi në perceptimin e drejtë të raportit të tyre me jetën e përditshme, duke u mësuar fëmijëve shumë më tepër të drejta se sa detyra, detyrimisht kjo ka bërë që fëmijët e të rinjtë të bëhen “të pavarur“, nuk e vrasin mendjen për asgjë, pasi gjithçka e gjejnë të gatshme nga prindërit e tyre “zemërmirë“.

                  Prindërit duhet të jenë

këshillues dhe përkrahës në vendimmarrje

 

Në tërë këto privilegje që u bëhen fëmijëve të intelektualëve të dëgjuar, me emra, paraqiten më të prapë, janë të orientuar drejt akteve të pahijshme me veprimet e tyre keqdashëse se sa shumë fëmijë të tjerë të familjeve të varfëra, që me vështirësi sigurojnë çdo ditë bukën e gojës. Me këta të dytët, që s’kanë një qindarkë në xhep, që ushqehen e vishen keq, përsëri shikon një vullnet të paparë në të sjellurit me prindërit dhe mësuesit e tyre.

Prindërit e sotëm duhet të jenë këshillues dhe përkrahës në vendimmarrje, ndryshe humbasin raportin e të drejtave dhe detyrave që kanë ndaj fëmijëve. Në mendimin sociologjik botëror ka sot një shqetësim serioz për këtë dukuri sociale, që lind dhe zhvillohet në gjirin e familjeve me strukturim të lartë ekonomik. Në realitetin e sotëm shqiptar fatkeqësisht po ballafaqohemi me një brez të ri, që po piqet gjithnjë e më shpejt nga pikëpamja zhvillimore, por jo nga pikëpamjet e tjera më të rëndësishme, padrejtësisht u dalin në krah duke ua falë gabimet, duke i mbrojtur shumë herë pa të drejtë para mësuesve dhe ajo që është më e rëndë, prindërit nuk ushtrojnë kontrollin e tyre se si e shpenzojnë kohën dhe në shoqërinë e kujt ndodhen çdo ditë fëmijët e tyre. Dhe fëmija i prindit indiferent dhe i “punëve të mëdha“ e kupton shpejt shfaqjen e dobësive të prindit të tij, ndaj livadhisin poshtë e përpjetë, duke mos ditur nëse ka përgjegjësi prindërore dhe kur rrëshqet në drejtim të gabuar. Sa për informacion: Në Perëndim dhe shumë vende të Bashkimit Evropian është bërë traditë që prindërit të punojnë vullnetarisht në ndihmë të mësuesve të tyre dhe të shkollës në tërësi, ndryshe tek ne ka mjaft prindër që harxhojnë shumë kohë e përpjekje për të siguruar fonde për shkollën. Kjo kohë e harxhuar nuk ka atë vlerë që do të kishte përfshirja e tyre në programet e veçanta të edukimit të fëmijëve. Në gjykimin tim, partneriteti shkollë–familje mbetet tepër e vlefshme, sepse do të njohin më mirë dy palët sistemin e punës mësimore-edukative dhe mjaft probleme të tjera socialpedagogjike që ka shkolla. Ka ardhur koha që çdo shkollë, në qytet apo fshat, të hartojë një politikë të caktuar për përfshirjen e prindërve në edukimin e fëmijëve, ndryshe shqetësimet me të rinjtë do të agravojnë më tej dhe shoqëria shqiptare do të gjendet përballë krimit të rrugës.

 

            Parandalimi i krimit tek fëmijët

problem serioz për shtetin e shoqërinë shqiptare

 

I bëjmë këtë pyetje vetes: -Pse është rritur kaq shumë numri i të rinjve të dhunshëm? Sepse shoqëria shqiptare mbetet ende e dhunshme, sepse në familje ka dhunë dhe detyrimisht po rrisin fëmijë dhe të rinj të dhunshëm. Të gjitha këto veprime bien ndesh me Kartën e të Drejtave të Fëmijëve, ku mbi ata ushtrohet dhunë psikologjike e fizike si tek prindëri dhe mësuesi dhe ajo që i shpreh rrezikshmëri është dhuna e të rinjve me njëri-tjetrin. Kujtojmë këtu një shprehje të popullit: ”Prindëri është pasqyrë e fëmijës.” Ndodh shpesh te prindërit, nëna tregohet “zemërgjerë“ dhe plotëson çdo dëshirë të fëmijës, kurse babai jo. Qëndrimet e kundërta të fëmijës i bën ata tekanjozë, duke i futur në debat edhe vetë prindërit. Nëse njëri prind e ndërton dhe tjetri prish, fëmija çekuilibrohet, nuk di kë model prindëror të ndjekë, kur dihet se dy prindërit kanë përgjegjësi të barabartë para ligjit në edukimin dhe shkollimin e tyre.

Detyrë parësore e prindërve është që të dinë në çdo kohë me kë shoqërohet, luan fëmija i tij, kur dihet që edukimi i fëmijëve është një proces i gjatë e i vështirë, që nuk mbaron me ditë e muaj, por me vite, që kërkon kujdes, durim e angazhim maksimal, duke e konsideruar shkollën vendin e dijes dhe të kulturës. Më mbetet në kujtesë biseda e një prindi, ku shprehet: “Fëmijëve duhet t’u japësh gjithçka, veçanërisht dashuri e qetësi, virtyte që do ta shoqërojnë për gjithë jetën. Me fëmijët duhet të komunikosh njësoj si me të rriturit.

Në radhë të parë është dashuria ndaj fëmijës dhe fill pas saj vjen disiplina, që për mua është dhurata e dytë e më e rëndësishme që mund t’i bëhet një fëmije. Mendoj se kjo është mënyra për t’u dhënë atyre një shembull. ”Kemi një kategori tjetër prindërish, që u lejojnë një sjellje tejet tolerante e më shumë liri se sa duhet dhe as që diskutohet kërkesa e llogarisë ndaj tyre. Kjo kategori fëmijësh bëjnë çfarë të duan dhe nuk kanë kufi si dhe rriten pa patur aftësitë më të rëndësishme të jetës. Ndaj stili i prindërimit ndikon pozitivisht ose negativisht në moshën e adoleshencës.

Kemi prindër që nuk njohin tipat, të tjerë nuk ia kanë idenë e krizave që përjetojnë fëmijët e tyre në kufi të një moshe. Kemi prindër që s’duan t’ia dinë për interesat që të rinjtë kanë për jetën, shkollën e kulturën në tërësi. Jo pak prindër i konsiderojnë të përfunduara detyrimet ndaj fëmijëve me plotësimin e kushteve për veshmbathje, ushqim dhe shkollim, kur ata kanë nevojë edhe për argëtim dhe edukim plotësues. Të rinjtë kanë nevojë për një jetë intensive sociale me pjesëmarrje në vendimmarrje, për bashkëpunim e ndërveprim të detyrave të ngarkuara. Bernard Shou këshillonte të rinjtë: “Nëse rruga nga kaloni nuk përbëhet nga kthesa dhe vështirësi, dijeni se ajo nuk ju shpie gjëkundi”.

Parandalimi i krimit tek fëmijët mbetet një problem seroiz për shtetin e shoqërinë shqiptare, padyshim është dhe pjesë integrale e politikave që MAS duhet marrë urgjentisht masa të forta ligjore që arsimi dhe edukimi në Shqipëri të bëhet pjesë e pandarë e komunitetit prindëror dhe atij vendor. Sidoqoftë, është koha kur jo vetëm familja, por të gjithë institucionet e sigurisë morale dhe të autoritetit social duhet të bashkojnë forcat, dijet, përvojat edukative, kapacitetet materiale dhe tërë kapitalin human për t’i investuar te fëmijët dhe adoleshentët. Ata janë qytetarët e ardhshëm...   

9 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page