top of page

FRAN GJOKA: DHUNA NDAJ FËMIJËVE ...




FRAN GJOKA: DHUNA NDAJ FËMIJËVE SHPREH EDHE DOBËSI NË PUNËN E SHKOLLËS

-Ndëshkim për çdo mësues qe ushtron dhunë psikologjike dhe fizike ndaj nxënësve-


Realisht ka përmirësime në sistemin e punës së shkollës dhe aktorëve të tjerë, që kanë për mision kultivimin e vlerave pozitive në grupmoshat shkollore. Ato shfaqen dukshëm edhe në përmirësimin e raporteve njerëzore mes palëve mësues- nxënës, nxënës – prind, nxënës - nxënës, në uljen e shkallës së agresivitetit në raportet e ndërsjellta, në një klimë më të butë në marrëdhëniet mes grupeve të interesit për arsimimin dhe edukimin e brezit të ri me normat morale të një shoqërie demokratike dhe të hapur, në një mënyrë sjellje më civile për zgjidhjen e konflikteve  në shkollë e jashtë saj, në zbritjen e rasteve të përdorimit të dhunës fizike e  emocionale në institucionet e edukimit etj. Siç duket, këtu ka ndikuar edhe përpjekja e shoqërisë për emancipim e qytetari si dhe masat e marra kohët e fundit nga MAS-i për vlerësimin e situatës dhe ndjekjen hap pas hapi  të problemit nga strukturat drejtuese të saj. Gjithësesi, në shkolla dhe mjedise familjare, ka ende dhunë, mungesë kompromisi në zgjidhejn e konflikteve dhe të mosmarrëveshjeve, shfaqje të theksuar të intolerancës në komunikim, agresivitet etj.Shoqëria shqiptare vazhdon të mbetet ende minimal të jetesës e të sigurisë.E bashkë me prindërit mbetën edhe fëmijët shqiptarë, të cilët ndihen të dhunuar si në familje ashtu edhe në shkolla.Një studim i fundit UNICEF raporton aktualisht nivele të larta të dhunës fizike e verbale,kryesisht tek nxënësit e arsimit 9-vjeçar .  Në pamundësi për të parë problemin në një plan të gjerë, pasi të tilla janë hapësirat e një shkrimi, në po i referohemi problemit vetëm në shkolla e në mjediset ku jetojnë e kalojnë kohën nxënësit dhe adoleshentët.


Kur mësuesi mund të dhunojë nxënësin, në çfarë situatash?


Në anketat e hapura dhe ato tëe mbyllura, të bëra në disa shkolla të  vendit ,  rezulton se numrin më të madh të nxënësve të dhunuar e përbëjnë ata që viktimitizohen psikologjikisht. Siç duket,  rënia e numrit të ushtrimit të dhunës fizike ndaj kësaj kategorie nxënësish, lidhet edhe me intensitetin e punës dhe masat qe po merr kohët e fundit MAS –i  për sensibilizimin e opinionit dhe parandalimin e fenomenit, puna e specializuar e psikologëve në shkolla, një përpjekje që duhet vazhduar e thelluar edhe në të ardhmen dhe jo të veprohet me fushata , siç kemi vepuar ne shqiptarët në tërësi dhe drejtuesit e shkollave e mësuesit në veçanti.

Ajo që shfaqet dukshëm në mësim mbetet dhuna psikologjike. Së paku, kështu shprehen nxënësit dhe ky është edhe konkluzioni ynë. Ushtruesit janë mësuesit ndaj nxënësit. Ndërsa jashtë shkollës, në kohën e lirë ose në veprimtari vetorganizuese të nxënësve, ata që ushtrojnë dhunë psikologjike (jo vetëm psikologjike), janë nxënësit kundër nxënësve. Fatkeqësisht ushtruesit e dhunës, mësuesit, grupet e nxënësve dhe individët, siç tregojne të dhënat, i referohen prejardhjes së “viktimës”, origjinës së tij, shkallës së intelektit, dobësive që mbart në përvetësimin e programit mësimor, që më së shumti lidhen me nivelin e punës së dobët të shkollës nga ata kanë ardhur se sa nga miveli intelektual i tyre, nga paraqitja e jashtme etj. Shikojmë edhe anën tjetër të medaljes: mësuesit që po ndjehen të shqetësuar në shpjegimin e mësimit, ku nxënësit, pavarësisht paralajmërimeve që mësuesi u bën, vazhdon të prishë qetësinë e orës së mësimit. Ndodh që mësuesi humbet durimin dhe në një moment nervozizmi reagon, duke u sjellë dhunshëm ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Anketimi në fjalë u shtri 550 shkolla të vendit,ku fëmijët janë pyetur me metodën ballë për ballë duke ruajtur autonimatin e secilit prej tyre. Studimi tregon më në detaj se niveli më i lartë i dhunës është në zona urbane .Më konkretisht 55.6% e fëmijëve e pranojnë se janë dhunuar nga mësuesit e tyre .


Nxënësit e anketuar  pranojnë se fyhen dhe ndjehen keq nga fjala që ju drejtojnë atyre mësuesit ose shokët e shoqet e tyre, që e kanë burimin tek origjina si: katundarë, malok, etj. Fëmijët nëpërkëmben emocionalisht nga shokët e mësuesit me fjalë të tilla, që lidhen me moshën psikologjike të tyre, si: gojëkyçur, i/e trashë  etj., dhe një pjesë e konsiderueshme e nxënësve dhunohen emocianalisht me fjalët e shprehjet që lidhen me të metat fizike, një fatkeqësi e lindur ose e fituar, që askush nuk do ta dëshironte, si: veshëllapush, i/e shpifur, qurravec, trashaluq etj. Po të shihet me kujdes dukuria, dalim në përfundimin se shumë evidente është dhuna psikologjike, disi e fshehtë, që ushtrohet nga shkolla ndaj nxënësve të ardhur nga zona rurale dhe që janë ngulur përgjithmonë për të banuar në zonat ku vepron institucioni. Mendimi ynë, i shprehur edhe nga nxënësit, është se ajo, tek kjo kategori fëmijësh, shfaqet me frekuencë më të lartë në këto dy raste: me formën e përjashtimit dhe vetëpërjashtimit nga jeta e shkollës e këtyre nxënësve. Një veprim I tilllë fatkeqësisht nxitet edhe nga mësuesit dhe bashkëmoshatarët e tyre, ndersa drejtoritë e shkollave dhe strukturat drejtuese të nxënësve, që duhet të mbrojnë liritë dhe të drejtat e shokëve dhe shoqeve heshtin. Në situata të tilla përjashtuese dhe vetëpërjashtuese, kjo kategori nxënësish nuk vetpëlqehet, nuk vetëvlerësohet, nuk shihet e sigurtë. Rrjedhimisht stresohet dhe nuk fiton aftësinë e integrimit në mjedisin e ri, çka do të thotë se dhuna emocionale do të vazhdohet të thellohet mbi ta. Në formën e paragjykimit dhe të një qëndrimi disi indiferent dhe pse kjo edhe përbuzës ndaj këtyre nxënësve që kanë edhe probleme ekonomike dhe të formimit kulturor. Për këto dy probleme unikale të formimit dhe të bashkëjetesës qytetare, i takon shkollës që të krijojë mjedise e frymë bashkëpunimi e bashkëveprimi me te gjitha grupet sociale, që formojnë kolektivin, në të kundërtën rezultatet e pritshme nuk arrihen, objektivat nuk përmbushen dhe reformimi i shkollës kompromentohet.

           

-Cilët mësues ushtrojnë më shumë dhunë dhe pse?


Nga të dhënat del që mësuesit që ushtrojnë më shumë dhunë janë ata me eksperiencë të vogël në punë, që kanë mungesë përvoje, që nuk i zotërojnë emocionet, që nuk i njohin format e komunikimit dhe psikologjinë e grupit, sidomos raportin mes moshës kronologjike me atë psikologjike dhe që në një farë mënyre nuk janë të formuar ende si edukatorë. Për këtë kanë përgjegjësi edhe fakultetet përkatëse, që përgadisin punonjës pedagogjik, të cilët nuk e vlerësojnë formimin e mësuesve të ardhshëm si edukator ë. Fatkeqësisht strukturat përkatëse te emërimit të tyre nuk mendojnë shumë për përgaditjen e tyre tek i emërojnë në shkolla pa përvojë dhe me kolektiva aspak të njohura për tregues në përgaditjen e nxënësve, ndaj nxënësit ankohen për mësuesit e rinj. Mësuesit e kësaj kategorie duhet të fillojnë punë në shkollat më me emër në qytet dhe në fshat dhe të jenë nën kujdesin e përhershëm për ndihmë e trajnim të kualifikuar për disa vite nga drejtuesit mësuesit dhe metodistët më të mirë që posedojnë DAR-i dhe ZA-të në rrethe.

Në grupin e mësuesve që i dhunojnë më shumë nxënësit fizikisht dhe psikologjikisht janë dhe ata që kanë disa vite pune në arsim, por që kulturalisht dhe profesionalisht janë ende larg ritmit të zhvillimit të arsimit, teknikës, shkencës dhe zhvillimit të shoqërisë në tërësi. Boshllëqet në formimin e tyre shkencor e metodik, psikopedagogjik e social të tillë mësues përpiqen t’i mbulojnë me sharje e britma, duke iu hedhur fajin padrejtësisht nxënësve pas çdo kontrolli që u bëhet. Ata ose duhen trajnuar, ose një ditë duhen larguar, pasi breza nxënësish do të dalin pa bagazhin e domosdoshëm të njohurive për përballimin e kërkesave të tregut. Është edhe një kategori  tjetër mësuesish që ushtrojnë dhunë për hir të një tradite të mbartur nga shkolla e sistemit komunist diktatorial dhe që shprehet hapur nga ata që mendojnë se dhunë ka edhe në parajsë, se sipas filozofisë popullore, druri ka dalë nga xheneti. Mësues të tillë nuk njohin modele alternative të sjelljes për disiplinimin e fëmijëve. Një pjesë e mësuesve janë shumë të ngarkuar fizikisht e psikologjikisht, kanë kaluar me ngarkesë dhe plot halle një jetë të tërë në arsim, tek kanë punuar me devotshmëri dhe kurrë s’janë shpërblyer nga shteti dhe shoqëria, komuniteti dhe instiucionet e tjera të edukimit të asaj kohe, të gjitha këto kanë rrritur tek ata nivelin e stresit dhe i ka çuar në shkarkimin padrejtësisht të tyre tek nxënësit. M.A.S për të zbatuar këtë fenomen që po ndikon negativisht në shkollat tona , ka nisur zbatimin e strategjisë së komunikimit .Fëmijët që keqtrajtohen nga mësuesit,ka plot raste të tilla në shkollat shqiptare, por mbrenda shoqërisë sonë gjejmë edhe raste të nxënëve që ushtrojnë dhunë për gabime të vogla të fëmijëve të tyre.”Përballë kësaj situate jemi të vendosur  për të ndëshkuar kedo që në ambjentët e shkollës  ushtrohet dhunë. Dhunë pa dyshim psikologjike apo verbale,pa folur pastaj edhe për raste absolutisht të patolerueshme që është dhuna fizike. Të njëjtin mesazh ka përcjellë edhe përfaqësuesi UNICEF në vendin tonë,i cili tha se shoqëria shqiptare njëherë e mirë duhet të njohë dhe të dijë të dallojë format e ndryshme , dhe të denancojë me reptësi ato.Për të reduktuar në maksimum nivelin e dhunës në shkolla kërkohet rritja e ndëgjegjësimit publik,nëpërmjet fushatave snsibilizuese ,por edhe të trajnimit të mësuesve për çështje psikologjike që lidhen me pasojat e dhunës tek fëmijët e të rinjtë.Kjo kërkohet të shoqërohet herëpashere me monitorime  të vazhdueshme të nivelit të dhunës në institucionet arsimore edukative në të gjithë vendin. Vetëm kështu bëhemi pjesë integrale e komunitetit prinderor dhe atij vendor në shkallë kombëtare.

Në përfundim, duhet theksuar se nxënësit janë më të predispozuar për të denancuar dhunën që ushtrojnë moshatarët dhe të rriturit ndaj tyre dhe pothuajse mungon dëshira për denancim ndaj mësuesve dhunëushtrues. Siç duket, kjo lidhet me frikën ndaj hakmarrjes dhe flet për atë që shoqëria e shkolla nuk janë ende demokratizuar e emancipuar dhe se tërë vëmendja e atyre që merren me arsimin dhe edukimin duhet përqëndruar në gjetjen e mekanizmave të reja që prodhojnë për shoqërinë e edukimin më shumë tolerancë e qytetari, emancipim e kompromis e që përjashtojnë hakmarrjen e frikën, dyfytyrësinë dhe cinizmin. Çdo politikë arsimore duhet të orientohet nga qëllime të tilla.


Prindërit kërkohet të njohin më mirë fëmijët e tyre


Ky është përfundimi i pyetësorit, i cili ka brenda diçka të vërtetë. Një pjesë e prindërve nuk i njohin tipet, të tjerët nuk ja kanë idenë e krizave që përjetojnë fëmijët e tyre në kufinjtë e një moshe. Ka edhe prej atyre që s’duan t’ja dinë për interesat që fëmijët kanë për jetën, shkollën, shoqërinë dhe kulturën në tërësi. Jo pak prindër i konsiderojnë të mbaruar detyrimet ndaj fëmijëve me plotësimin e kushteve për veshmbathje, ushqim e shkollim, kur ata kanë nevojë edhe për mësim dhe argëtim plotësues. Disa prej nënave dhe baballarëve nuk e dinë se kjo moshë është në kërkim të identitetit dhe ideales, çka nuk është e lehtë të arrihet. Një moshë e tillë e ka veçorinë psikologjike për të shijuar në këtë botë vetëm  lumturi e gëzim, për të siguruar vetëm suksese dhe për të bërë qejf. Mirëpo jeta nuk mund të mendohet kurrë fushë me lule, pa kthesa e të papritura. E konceptuar ndryshe, ajo s’të jep kënaqësi, nuk të kalit vullnetin, këtë veti të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme për jetën e njeriut. Kishte të drejtë dramaturgu i njohur B. Shou kur i këshillonte të rinjtë se në se rruga nga kalon nuk përbëhet nga kthesa e vështirësi, dijeni se ajo nuk ju shpie gjëkundi. Rrjedhimisht përceptimi i tyre për jetën e shoqërinë, dëshirë dhe të ardhme, shpesh herë është iluziv dhe mund të nxisë ata në kryerjen e veprimeve të nxituara e pse jo edhe në shkarje drejt aventurës. Ka të rinj që e kanë të zhvilluar  rebelizmin, prandaj mësuesit, prindërit duhet t’’ua shpjegojnë këtyre nevojën për një jetë intensive sociale, për pjesëmarrje në vendimmarrje, për bashkëpunim e ndërveprim me të rriturit, për vlerësim të mundësive e kapaciteteve të tyre në kryerjen e detyrave të ngarkuara.

Mosvlerësimi i mendimeve dhe ideve të të rinjve, siç ndodh ende në disa familje, i hedh ata në pasivitet, duke bërë një jetë të varfër emocionale e shpirtërore, i fut ata në burgun e vetmisë. Pra, mungesa e aftësisë së tyre për të dalë nga kjo situatë, i hedh të rinjtë në një jetë boshe. Kultivimi i tolerancës me këta të rinj, si vlerë, i takon shkollës dhe përbën domodoshmëri pasi ajo krijon klimë të butë dhe të përshtatshme për punë në mjediset e shkollës, motivon të rinjtë, duke pasqyruar botën e tyre emocionale dhe krijon kushte optimale për bashkëpunim në dobi të modernizimit të procesit mësimor-edukativ, me të cilët përballen shkollat tona.

9 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page