FRAGMENTE PA TITUJ
---------------------------------
1.
Mos kërko maturi nga unë,
nuk jam njeri i zakonshëm,
i dashuruar jam,
pra
dru i shtrembër.
Nuk të dashuroj me tru,
si njeri që mendon,
por
me zemër.
2.
Dielli perëndon si me përtesë
pas maleve të errta,
flokëve të tua.
Një ditë të re të trishtë
do të varrosim sot.
Ndërsa drita shuhet, atje ku je nisur
për të shkuar,
cilën pjesë të errët të trurit tim
do të banosh?
E dashur,
vdekjes asnjëherë nuk i jam trembur,
ngaqë e di, edhe atje
si hënë
do të më ndriçosh.
3.
Kujtoja se mund të mbahesha prej një vargu,
në të vërtetë,
ndodhem i flakur në fund të një libri,
i zbuar nga vetë vjershat e mia.
Këto vargje janë indet e vetë fytyrës sime,
njeriu që dashurove,
të cilit unë i fshij një nga një tiparet,
me lëvizje të ftohta,
të ngadalshme.
Mos ik, rri. Dëgjo,
më tako atje ku fjalët
formojnë atë pështjellim të hatashëm,
poezinë time të heshtjes.
Atje ku shpirti im lirik akumulohet
vjeshtës,
në të përditshmen e gjetheve të rëna.
Çdo gjë që vdes brenda nesh atje mbetet.
Edhe vargjet,
tek varrezat e pyjeve të pasvvjeshtës janë,
periferive.
4.
Binin yjet nga qielli edhe binin,
siç binin fjalët nga goja ime
për të të bindur
dhe mbyteshin
në detin blu.
Mbetën vetëm vargjet
që kisha shkruar për ty nëpër kohë,
nuk kishin marrë asnjë leje
dhe prapë
gjendeshin këtu.
5.
Duhet të shkruajmë për vete një Iliadë të re
ne të dy. Një epope të re me intriga, luftra, kurthe,
dashuri dhe urrejtje. Le të fillojmë të mbushim përsëri
faqet e bardha të jetës sonë. Duke renditur vitet, muajt,
ditët dhe netët - oh, netët mos harrojmë, kur ndodhin
gjërat e hatashme dhe bien Trojat.
Do të ngelet pastaj një histori e re, e jona. Ku të gjitha
gratë do të kenë diçka nga Helena, duke mos qenë
asnjera prej tyre Helenë. Seicila do t’i ngjajë një hëne,
që i ndriçon një dashurie udhën për në Itakë.
Prandaj të dashurova ty më shumë se jetën time. Prandaj
nuk mund të shkruhet më
një Iliadë e re.
6.
Errësira nuk i ka mësuar akoma
sekretet e natës.
Vetëm ne i dimë dhe mund t’i emërtojmë
të fshehtat tona
brenda heshtjes.
Ngaqë ne të dy jemi një. Jo ti dhe heshtja.
Jo heshtja dhe unë,
por unë dhe ti.
Heshtja është diçka e rastësishme
brenda natës.
Kemi zgjedhur dritën,
që deshifron çdo sekret
brenda heshtjes sonë.
Ne dashurohemi.
7.
Të gjitha ato që kam shkruar
një ditë do të shfrytëzohen kundër meje,
do t’u bëjnë dëm njerëzve që kam dashur
(ty, që të kam braktisur mes erërave aty jashtë),
ngaqë vjershat, ashtu delikate dhe të brishta,
janë programuar vetëm për të dashur,
jo për të përballuar këtë jetë të mbrapshtë.
S’ka gjë,
një ditë do të kuptosh se përse asnjë vjershë,
- siç është kjo që kam tani nëpër duar -
nuk mund të na mbrojë, nuk mund të flasë për ne,
s’mund të dëshmojë në asnjë gjyq për ty,
sepse
neve na duhet të shtiremi gjithmonë të dashuruar,
se kjo puthja e fundit, e para është për të dy...
Prandaj të them, nuk mund të na mbrojë
asnjë vjershë,
një ditë - është krejt e sigurtë -
ato do të përdoren kundër nesh.
Comments