FORUMI I 3-TË I IKANAKËVE SHQIPTARË NË TIRANË



-Satirë elektorale nga Shefqet Meko-


Nga zyra e ministrit të Shtetit për Diasporën Shqiptare në Tiranë, sapo është firmosur një shkresë urgjente për forumin e 3të të ikanakëve. Sipas ministrit flokëzbarthur në tranzicionin e gjatë demokratikas, ky është shansi fundit që vala alarmuese e ikjes shqiptare , të ndalojë njëherë e mirë dhe kombi shqiptar, si një grusht bashkuar rreth kreyministrit më shtatgjatë shqiptar me në krye prestidentin më të mençur në historinë e e dy shekujve, t’i tregojmë botës se jemi kombi më i lashtë i globit që duam shtet dhe drejtësi. Nuk është faji ynë që nuk kemi ditur të bëjmë shtet, nënvizon njoftimi, sepse komshinjtë tanë na kanë marrë trurin dhe intelegjencën, ndërsa Amerika ka blerë me dollar gjithë mjeshtrat shqiptarë të punës e mendimit.

Forumi, mësohet të jetë një vijim konseguent i dy forumeve të mëparshme, ku mendjet e ndritura nga diaspora, lëshuan rreze dhe mbollën shpresë, si dikur në kongreset e lavdishme, se ky vend do bëhet dhe do të lulëzojë si atëhere në kohën e pellazgëve dhe ilirëve. Njoftohen që të gjitha ata që kanë ikur të vijnë,të gjithë ata që nuk ishin tek dy forumet e mëparshme të shfaqen si pëllumba të bardhë të paqes dhe lirisë në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit. Ata që duan atdheun, që duan kombin, që duan lulëzimin dhe përparimin e lashtësisë sonë legjendare, të rrëmbejnë biletat dhe maskat anti-covid 19 dhe të tregojnë se ne jemi krenaria e kahershme e Ballkanit të trazuar. Politikani i gjatë do flasë në mbyllje të forumit, ndërsa kryeminsitri në “stolin rezervë” do mbajë fjalimin e hapjes duke dhuruar çdo pjesëmarrësi vëllimin e dytë të librit të tij historik të shekullit të 21-të titulluar“Misioni juaj”, ku premtohen 10-të poste ministrore për ata kanë 20 vite në perëndim, por të jenë diplomuar në Harvard.

Ministri flokëbardhë synon të bëjë histori para se të mbarojë mandatin. Ai po rrudhet dhe mplaket duke dëgjuar sa e sa kritika, ankesa, të shara por edhe lavdërime nga ikanakët e panumurt. Ndaj ashtu si kryeministri-kandidat që mund të vijë pas zgjedhjeve, minsitri i Diasporës, kësaj shpikje administrative më të mençur midis lumit të mrekullive të “të gjatit”, Pandushka besnik do ta mbyllë me nder misionin e vet vegjetativ në krye të ministrisë dalluar për kotësi, idjotësi, ngrohje vezësh e palaçollëqe dhe “llëqe” të tjera. Cila par ëshë përmbyllja misiont të madh?

Për herë të parë, diaspora jonë ose ikanakët tanë, që janë aq të dashur, aq të bashkuar, aq progresistë dhe zgjuarësisht të organizuar gati në perfeksion, do të rrëfejnë heroizma biznesi nga perëndimi dhe bota e ndritur kapitaliste, do të flasin për votën e lirë fuqinë e saj çudibërëse. Por kjo nuk është ë gjitha. Në një panel special të këtij forumi madhështor titulluar “Ikanakët dhe Kryeminsitrat” do jenë bashkë përballë të popullit ikanak ose Ikapopullit, dy legjendat e politikës aktuale shqiptare Edi Rama dhe Lumzim Basha. Pas pyetjeve tuaja të sinqerta, dy shpresat e mëdha të kombit 6 milionësh shqitar do mbajnë fjalimet përmbyllëse të dialogut elektoral me ikanakët.

Lulzim Basha e ka titulluar “Gëzojnë të gjithë në republikën e re” ndërsa “I gjati” i qeverisë në fuqi, Edi Rama gjuhëbrisk e nxënës i ish-kryeministrit më jetëshkurtër në luftrat ndërshqiptare për pushtet, afreskun elektorale e ka titulluar “Me gomarin mos u tallni”… Presidenti Ilir Meta si figura më lartë shtetërore mbi palët, nuk do flasë, por ka porositur raki skrapari për çdo ikanak që merr pjesë në këtë forum të famshëm.

Ju lutemi o ikanakë, ejani vetëm për këtë risi të vetme dhe të fundit që dikasteri më i rëndësishëm i qeverisë shqiptare arrin të realizojë. Sepse votuesit shqiptarë janë helmuar nga propaganda e qeverisë dhe opozitës, pyetjet do të delegohen vetëm nga ju për dy shpëtimarët e fateve tona, që nga koha e Skëderbeut. Ju lutem sillni dhe eksperiancat tuaja të dialogut politik në Amerikë, Europë , Rusi apo Kinë, sepse ikanakët shqiptarë dihet se janë kudo. Forumi është vetëm dy ditë me 10 seanca. Në pallatin e kongreseve do ju shtrojmë dreka e darka falas, ndërsa mëngjezin do e keni tek hoteli “Hilton” ngjitur me sallën e madhe që na e la në “testament” partia mëmë. Ju lutemi paguni vetëm udhëtimin dhe ejani të vaksinuar.

Nga zyra madhështore e presidetint të republikës, me këtë rast do të shpërdahen 200 dekorata të posaçme titulluar “Ikanakë të florinjtë të kombit”. 200 ikanakët me fat do priten nga shkëlqesia e tij Ilir Meta. Pas ceremonisë në presidencë, vetë kreu i kësaj zyre për ikanakun që do të mund të recitojë saktë Migjenin apo Fan Nolin, pa i ngatërruar siç bëri gruaja opizitare presidentit, nga duart e kreut të shtetit, garantit të shkëlqyer të lirisë demokratike kushtetuese në Shqipëri, do t’i dhurohet një kopje autentike e kyreveprës botërore “Monaliza” me kornizë lyer në ar të vërtetë.

Forumi vijon vetëm dy ditë si jehonë ikanakësh para zgjedhjeve historike të kombit tonë. Ju lutem planifikoni të mos votoni, se nuk na duhet vota juaj, por vetëm prania. Bëni kujdes të largoheni në kohën e duhur, sepse më 26 Prill mundet të mbyllen kufijtë që të mos ikë asnjë në emigrim, sepse pas kësaj dite të madhe atdheu ynë i dashur do bëhet “Bahçe me lule”dhe nuk do ketë më nevojë t’i sulemi botës. Mbase do dëbohen edhe ambasadorët, me në krye atë amerikan. Thuhet se vetë ministri i Shtetit të Diasporës mund të niset drejt Bostonit, ku do ngrejë një qeveri hije si hapi i parë përgatitor për zgjedhjet e parakohshmë më 2022. Pensionisti Fuat Memeli, ish-gazetar që është ikanak gjithashtu, është piketuar si zëdhënës i kësaj qeverie në diasporë.

Ikanakë , kudo që jeni, bashkojuni Shqipërisë para zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, në forumin tuaj të tretë dhe të fundit.


Shefqet Meko

I ikur në Amerikë , 7 Prill 2021

46 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif